Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/17

Udhëkryqet e jetës




Xheladin Çitaku, lindur më 29.03.1960 në fshatin Bajçinë komuna e Besianës. U shkollua në vendlindje, në Besianë, ndërsa Fakultetin Filologjik e mbaroi në Universitetin e Prishtinës.
Punon në Arkivin Komunal në Besianë, ndërsa jeton në Fushë Kosovë.




NGJYRA KOHE

Llambadarë neonesh mbi trotuare
Përndezin gurzit buzës së asfaltit
Një dorë e shtrirë, e njomë lastare
Nga prapa i vihet përbuzjes së fatit

Orgjitë e kohës leqe sajojnë
Qarkun e mprehin, jo për arinj
Që shtigjet e jetës t`i shigjetojnë
Dhe dorën e zgjatur nga një fëmijë

Shkëlqimi i gënjeshtërt i hipokrizisë
Defilon shesheve stolisur n`mjerim
Mermerë shtruar n`qilima t`marrëzisë
Dorës së shtrirë i dhurojnë zhgënjim

N`djerrina t`shpirtit stisen madhështi
Shikimi lëbyret nga ngjyra pallatesh
Virtyti i mekur, i mbyllur n`kuvli
S`përballet dot me togje mëkatesh

Shëmbëllimi i lirisë hapëron çalë, çalë
I mbështetur në bastun mashtrimi
Buzëqeshje e ngrirë që shuhet ngadalë
Në rrudhosje t`fytyrës zë vend trishtimi...


FATI N`KORNIZË

Në rrjedhat e kohës, të re e të vjetër
Njerëzimi krijoi komedinë, drejtësi
Kodet zhvendosi në kandarin tjetër
Dlirësinë ngurtësoi në egon e tij

Nome, kodikë dhe ligje të pafund
Ngulitur në mendje, shkruar në kartë
Në skajet e botës venduar gjithkund
Kyçur në pasion ndërgjegjen e ngratë

N`shenjtëri kanonesh e rite t`sajuara
Shpirtin nënshtruar, mbyllur në grila
N`trajta mistike, n`mendësi të skaduara
Mbërthyer hapin dhe shtigjet e lira

Rroba diktatesh veshur e ngjeshur
Vijëzuar jetën të futur në kornizë
N`skena të shpifura fatin përqeshur
Talljen njerëzimit vënë përmbi kurriz

N`arena inskenuar skenarët me ligësi
Aktorë të shëmbëllimit jemi vetë ne
Ndër akte makabre dhuruar përulësi
Hyjnive monstra, n`shfrenimet pa fre…


SHPRESË E THYER

N`dritaren e mbyllur, n`kangjela varur
Shpresën e thyer në shtjellën e molisjes
T`kurrjen shtypëse të dëshirës së ngjallur
Ndërtuar në sfonde ndjenjash t`braktisjes

Ujëvara hungërimash rrëshqasin rrëmbimthi
Vërshojnë zhurmshëm në shpirtra të dëlir
N`grabitje çiltërsishë vrapojnë nxitimithi
T`mbërthejnë n`prangosje flatërimin e lirë

Kafazet të ujdisura n`udhëkryqet e jetës
Ndër prita kohe ngrehin leqe djallëzie
Në rrugët konverte bredhëritjet e tretjes
Rrëmbejnë llupësisht me oreks babëzie

Brejtës të bezdisshëm, n`idole inkarnuar
Ekspozuar mnershëm, në pano krekosur
Në portat e dhimbjes dinakërinë gatuar
Freski filizash n`ekstaza magjie nakatosur

Zbresin shkallaresh të izbeve t`errësirës
Nga prapa heqin mendësitë e ngufatjes
Në lëmë shijnë farën e nxirosur të smirës
Cimbisin urrejtjet n’mamuzë të ngasjes

Shikime të lodhura vështrojnë përtueshëm
Kurrizin argasur, ngarkuar me mashtrime
Feksje vegimesh që dremitin rëndueshëm
Shkarë në përdhosje, tretur në ëndërrime


ZBRAZTËSI SFILITËSE

Zgjuar qëndrojnë ndjesitë e unit tim,
Thua presin të nesërmen për t`aguar
Elozhe të zbrazëta thurin në vargëzim
Përmasave amorfe të pakonturuar

Zbrazëti ngulitur ndërdijesh t`yshtura
Vijëzuar thellësisht në shpirt të molisur
Cimbisur pamëshirë ndjenjat e vyshkura
Formësuar n`patrajta mendjen e mahisur

Ikën në zbrazëti vargjet që do t`i thosha
Imazhit sajuar n`përshtypje imagjinare
Tretën në eterin fluid ngjyrimet që doja
Vardisur përthyerjesh në shtigje tinëzare

Arratisur n`zbrazëti kujtime padurimi
Mënjanuar përflakjen e qiellit të skicuar
N`strehë t`harresës mbështetur përdëllimi
Në thëllima t`acarta përndritje perënduar

Braktisur ëndërrimin në ditën për diell
Iluzionin gremisur përmallshëm n`pakthim
E nesërmja do vijë në flatërime do ta sjellë
Zbrazëtinë sfilitëse, t`zakonshmin zhgënjim...


DO DOJA

Serenadë përkushtimi doja t`i nisja
Puhizës së lehtë të natës valëzuar
Ndërdijshëm largësisë t`i vardisja

Shkëlqimin përndritës të adhuruar
Kohën ta mbërtheja grilash do doja
N`përjetime tingujsh sfilitës intonimi
Inspirim muzash n`frymëzim t`sfidoja

N`flakadan gozhduar melodi përcëllimi
Në rendje nxitimthi doja t`shigjetoja
Ndjesitë fluide t`ëndërrimit t`ngulitur
Në thellësi ndërdijesh doja ta përshkoja

Llavën djegëse n`përndezje t`zhuritur
Membranën gri ta çjerr pamëshirshëm
E portat t`i hapja shkëlqimit ledhatues
N`përballje shikimet t`përthyhen lirshëm

Tretur në ngjyra të portretit drithërues
Tisin e kohëve në thela do ta grisja
T`rrëkëlleja vrullshëm barrierën e stisur
N`padurim ëndjen fërfëllimë ta ngjisja
N`siluetë t`imazhit, përhershëm t`stolisur...


ZVARRITUR MARGJINASH

*
Fuguar na kanë drejtë margjinave të jetës
togje grabitëse të egërsuara në pangopësi
rrekemi mjerueshëm t`i bëjmë çaren vetes
n`zvarritje qyqarësh mbështjell n`padenjësi
*
kopeisht marrosur n`kërkim të skllavërimit
portën tonë të mbyllur në dëngje ferrishtash
frutin e degdisur nëpër rrugët e t`huajësimit
posi lulja mbërthyer nëpër rrënjë barishtash
*
në derë hasmërie, verbërisht t`shtytë lakmia
kokulur gëlltitur talljen n`sarkazma përplotë
qorrolepsur manishëm, përqeshur nga lubia
që me kthetra të mprehta s`të çrrënjosi dot
*
dorëzuar shpirtërat vrazhdësive të maskuara
vullnetin ndryrë n`grila zëndanesh t`injorancës
shpresat varur n`iluzione ëndjesh të harbuara
sorollatur nëpër ëndërra t`kotësisë e mjerancës
*
mendjen pas kokës në revan rrugëve t`hardalisur
turma amorfe shkarë tatpjetë n`ambicie t`sëmurë
nxitur ndjenja t`pandjesisë, në ndryshkje mahisur
virtyte kënduar n`balada, flakur n`përdhosje qëkur...


PAKOHËSI

*
N`vendnumrim stagnuar kohë pakohshmërie
orgjitë revan shfrenuar, urti nën hije strukur
trokëllimë e azdisur në verbërime na shpie
togje të shëmtuara kalorësish t`paskrupull
*
Orbitë e tjetërsimit në ngjyrim të skëterrës
e kohës së sëmurë, të ngjirur nga shterrimi
ngarendje çmendurie bulevardesh t`mnerës
zgërdhima të dehurish n`kështjella vezullimi


*
N`arena të çoroditjes gladiatorët shfrenohen
gërvishtur në kamxhikosje, kullojnë vrerësi
gardianë shpirtërash n`pispillosje lazdrohen
të ngopur n`maraz egon përkëdhelin n`babëzi
*
Në shkarje marrosja, përpinë lakmueshëm
gjithë çfarë rrëmben, ç`gjenë e ç`nuk gjenë
kafshime t`dhimbëshme dhuron mjerueshëm
hapërimit t`lodhur n`tërsëllëmë i bënë benë
*
Monarkë njëmendësie fronëzuar dinakërisht
në fluska grandioze rënduar imagjinueshëm
n`argatëri djalli vullnetin qëndisur pabesisht
helmin roitur n`jetën e zaptuar tradhtueshëm
*
Ardhur shtruar, shtruar këllirë vazhdimësie
bulmet i thadruar, nga stani i vjetër rigon
nektare t`konservuara në ambalazhe ligësie
n`meny mashtrimi dhimbja n`sofër i shtron…


NË STOLIN E KOHËS

*
Rri, vështron botën, si një kërcu
në soditje ngeshëm, ngulur si hu
t`gjithë ikën, s`u panë nga vanë
e kthyen kurrizin, n`vetmi të lanë
*
S`të flet asnjëri, as përshëndetë
sytë përhumbur, mendjen tretë
koha të tejshkon, s`ta var njeri
i ngelur demode, këtë mirë e di
*
Çfarë do bësh, n`vete mbështillesh
truar, injoruar ngado që të sillesh
kurrizi dalë n`dë vuajtje t`argasur
nga jetë e përdalë, jetë e pataksur
*
Më kot llomotitë, sa flet, e bërtet
koha ikë n`vrapim, n`tallje të nget
gjithë helm e vrerë kjo jetë bizare
një çast të bukur s`të dhuron fare
*
Sillet harbuar, e ashpër, e pështirë
rrëmben, e t`privon nga çdo e mirë
përplitet shpirti mbushur n`maraz
shijon përbuzjen pa pasë një shkas
*
Thërret e çirresh, në fjalë e n`letër
jam ky që jam, s`bëhem dot tjetër
nuk i ndërron dot, andrallat e kohët
çdo gjë që vjen, n`shkuarje skadohet
*
Të tundon jeta, të tundon dhe fati
s`qëndron më dot, ky shpirt i ngrati
tundet dhe përpëlitet, hidhet përpjetë
shtrohet dhe qetësohet, e din ç`e pret...


DORA QË S`NA ARRINË

*
Nga nime të ngrohta, zhytur në luks
na dhurojnë kshilla e mendje të arta
kështu e ashtu "duhet", na vijnë fluks
porsi gjykime nga personalitete t`larta
*
Të gjithë të ditur, plotë mençurakë
vijëzojnë skenare që nga distanca
qejfin s`e kanë të zhyten n`batak
n`civilizime kanë hedhur spiranca
*
N`tribun të kombit veten e vënë
në hedhje t`fallit e nëpër fjalime
tym e plumba kurrë s`kanë ngrënë
veç ca monedha kanë bërë flijime
*
Nëpër analiza e nëpër vargënime
trimoshët e bëjnë luftën për shtet
vlerësojnë akte me paragjykime
por larg pasojës të qëndrojnë vet
*
Juve, vllazërisht iu rritët ndera
që na kujtoni me fjalë e mësime
por ne e keqja na mbiu te dera
e përplasemi edhe me hidhërime...

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...