Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/17

Fragment nga libri në proces “Lufta ime për Kosovën”


13 shtator 1998. Ora 15. Tre kilometër pa hy në qytetin e Kukësit, pranë depove të karburantit të shtetit në Mamëz, te kthesa poshtë depove, një grup policësh civilë, gjashtë gjithsej, me pistoleta e armë automatike në duar ndalojnë tre makina që vinin nga Tirana.
Në makinën e parë udhëtonte Fuat Ramiqi, oficer i lartë i Kosovës që përgjigjej për trupat e Kosovës që ishin dislokuar në Kukës e Tropojë.
Image

Rexhep Shahu dhe Fuat Ramiqi

Fuati ishte i pari ushtarak profesionist i Kosovës që kishte ardhë në Kukës bashkë me oficerin tjetër të Kosovës Nehat Koçina për të studjuar e gjetur vendet ku do të instaloheshin apo vendoseshin trupat e Kosovës për t’u stërvitë e për të qenë më afër për të hyrë në luftë në Kosovë. Leja ishte dhënë nga shteti dhe komanda e Divizionit të Kukësit e dinte këtë gjë. Atëherë, në pranverë 1998 e pata parë, njohur e shoqëruar në këtë mision Fuat Ramiqin dhe pata mësuar për luftën që ai kishte bërë në Bosnje kundër serbëve, luftë me armë të vërteta e jo me pushkeë druri..

Në makinën e dytë ishte Ministri i Mbrojtjes i Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi. Në makinën e tretë ishte ushtaraku tjetër i lartë i Kosovës, Ahmet Alishani që drejtonte trupat e Kosovës në Kukës e i niste për Tropojë e Kosovë.
Policët civilë të Kukësit shkojnë me nxitim te makina e mesit dhe pa aspak mirësjellje hapin derën e makinës.
Pa komunikimin e nevojshëm dhe pa etikën më elemetare, dy policë njëherësh, si në garë kush po tregon zell më të madh, flasin me zë të lartë, të akullt: dorëzoni armën ju Ahmet Krasniqi…


Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, shtet i njohur nga parlamenti i Shqipërisë, Ahmet Krasniqi shtanget. Jo nga frika prej këtyre policëve civilë, pasi ai kishte luftuar vërtetë me ushtarë e policë serbë në Kroaci, por nga një droje, nga frohtësia e të folurit, nga akullsia e zërit të këtyre policëve civilë që i kishin sjellë nga ana e anës që të policonin në Kukës dhe ta ruanin Shqipërinë prej Kosovës, t’i ruanin shqiptarët e Shqipërisë prej shqiptarëve të Kosovës.
Me qetësi ministri fut dorën në brez dhe ngadalë nxjerr pistoletën.

Ndërkohë e kishte kapë për krahu dhe po e tërhiqte një polic ta zbriste nga makina duke i thënë : Ju Ahmet Krasniqi për armëmbajtje pa leje, duhet të vini në polici…
Sapo ministri zbret në tokë dhe po ia zgjaste pistoletën e tij “Sigsauer” 9 mm policit, mbin fluturimthi aty Fuat Ramiqi dhe e rrëmben pistoletën duke thënë me ton të sertë e të vrazhdë : është arma ime, unë marr çdo përgjegjësi.

Jo, nuk është arma juaj, është e Ahmet Krasnqit, ngre tonin polici, ai duhet të vijë në polici…
Vij unë në polici, unë arrestohem, unë bëj burg, ua kthen qetë e sertë Fuati, pistoleta është e imja.
Polici zgjat duart ta marrë armën nga duart e ministrit por duart e oficerit profesionist që ishte mësuar me armë në luftë, Fuat Ramiqi, u treguan më të shpejta e të forta se duart e policit civil të policisë së Kukësit.
U krijua një heshtje e frikshme. Armë të dyja palët.
Policët bien dakort që të arrestohej Fuat Ramiqi.

Ai hyp në makinën që po e drejtonte vetë, hypin në makinën e tij dy policë që ia kishin drejtuar njëri automatikun e tjetri pistoletën dhe në orën 16 mbërrijnë në komisariatin e Kukësit.
Ministri Ahmet Krasniqi dhe Ahmet Alishani shkojnë te Bar Amerika në Kukës dhe nga aty bëjnë gjithë përpjekjet për ta liruar nga burgu Fuat Ramiqin, por atë natë pa sukses. Edhe Musli Lleshi pronari i Bar Amerikës, me gjithë njohjet e tij, bën përpjekje për ta liruar Fuatin, por mllefi i dikujt ndaj ministrit të Kosovës Ahmet Krasniqi ishte i verbër dhe dështimi për ta arrestuar e poshtruar atë kishte acaruar dikënd shumë.
Ata ishin nisë nga Tirana për Kukës e pastaj për Tropojë. Por u doli kjo pengesë.

Gjithë natën Fuatin në burg e trajtuan si kriminel. Kishin mllef të verbër ndaj tij pse ai i pengoi që ta burgosnin ministrin Ahmet Krasniqi. Dhjetra herë që e merrnin në pyetje e që i flisnin, kishin vetëm një kërkesë : veç thirre Ahmet Krasniqin të vijë këtu…

Por Fuati e kishte ndarë mendjen, do të paguante gjithçka e nuk do të lejonte ta poshtronin ministrin e mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin.
Gjithë natën nuk e lejonin të shkonte as në banjo. Aty ku ishte izoluar në bodrum te qelitë e burgut, nuk kishte banjo. Vonë pas mesnate, duke iu lutë policit, ai e shoqëron për në banjo në katin e dytë. Fuati i shprehu shumë mirënjohje policit që e shoqëroi në banjo, i cili u tremb shumë prej Fuatit.
Gjatë hetimit e marrjes në pyetje Fuatin e fyenin, e kërcënonin në mënyrë të pacipë. Ia nxirrnin Kuranin dhe e shanin, e fyenin atë e Kuranin.
I thonin do të dënohesh me 5 vjet burg. Ja po vjen gjykatësi këtu të ta japë dënimin me 5 vjet burg.

Ju të Kosovës jeni shkërdhata, jeni fondamentalistë.
Akuza jote nuk është thjeshtë armëbajtje pa leje.
Thirre Ahmet Krasniqin të vijë këtu dhe ti lirohesh menjëherë.
Gjatë marrjes në pyetje ngrihen tonet. Tentojnë ta godasin me grushte por Fuati që ishte ushtarak, reagon, mbrohet dhe u thotë: unë jam shtetas i Bosnjes dhe do të reagojë Bosnja për mua, ju nuk mund të më goditni. Jam shqiptar, shtetas boshnjak.
Kur tentativa për goditje arrin kulmin dhe fyrjet e talljet po ashtu, atëhere Fuati thotë se nëse nuk më lëshoni ju, për 24 orë goditet komisariati juaj nga trupat tona…

Me 14 shtator 1998, në orën 7.30 të mëngjesit lirohet nga komisariati i Kukësit Fuat Ramiqi. Shkon te makina e tij që ia kishin kontrolluar e bërë lëmsh. Por policët e Kukësit nuk e kishin gjetë dot pistoletën përsonale të Fuatit të cilën ai e kishte fshehur në makinën e tij. Pistoleta e ministrit Ahmet Krasniqi mbeti në komisariatin e Kukësit, një zot e di se cili shef e ka kujtim…
Mori makinën dhe shkoi te Bar Amerika. Aty e priste ministri Ahmet Krasniqi dhe Ahmet Alishani. Aty në dhomën e vogël të lokalit kanë bërë një takim me dy policë.
Ndërkohë nëpër qytet qe përhapur fjala që kishte thënë Baci, ushtari më i vjetër që ishte në Kolsh, se po nuk u lirua Fuat Ramiqi, nuk do të ketë më komisariat në Kukëks, do ta bëjmë rrafsh… Atëhere Divizioni i Kukësit nuk i kishte as 90 trupa gjithsej. Trupat e Kosovës që stërviteshin në ato kohë në Kukës ishin disa herë më të shumta e profesioniste se ushtria e policia që kishte Shqipëria në Kukës.

Në orën 12 të datës 14 shtator 1998, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi bashkë me Ahmet Alishanin shkojnë në takim në zyrën e komandantit të divizionit të Kukësit gjeneral Kudusi Lame.
Takim mjaft miqësor, pasi gjenerali kishte në ato kohë shumë nderim për trupat profesioniste të Kosovës. Lufta drejtohet e komandohet nga profesionistët dhe vetëm atëhere mund të jetë e suksesshme, deklaronte gjenerali.

Në këtë takim, gjeneral Lame premton, pas kërkesës që bëri ministri Krasniqi, se do të shohim për baza të reja stërvitore për trupat e Kosovës, që të shtohen ato.
Pasi e pyesin, ai thotë se takohem me Xhavit Halitin, por s’kam gjë më të.
Në këtë takim mjaft miqësor dy Ahmetat i tregojnë gjeneralit Lame për incidentin që kishte ndodhë një ditë më parë dhe që Fuat Ramiqi kishte kaluar natën në burg.
Gjenerali revoltoret dhe shprehet i lënduar që nuk i kishin kërkuar ndihmë.

Ministri Krasniqi i lë gjeneralit një stekë më cigare, por ngaqë gjenerali pinte duhan me të dredhme, shumicën nga ato cigare që ai i quante duhan i butë, i kam pirë unë, pasi mi jepte herë pas here gjenerali. Dhe unë sa herë ndezja nga ato cigare, thoja me zë, t’u rrittë ndera Ahmet Krasniqi!
Gjenerali ishte mjaft i gëzuar nga kjo vizitë e ky takim me ministrin Ahmet Krasniqin e ushtarakun Ahmet Alishani.
Veç është pezmatuar dhe është nxirë kur ka dalë të flasë në televizion Sali Berisha.
Në Tiranë po zhvilloheshin ngjarjet e 14 shtatorit 1998.


*****************



From: Eshref Ymeri <eshrefymeri@gmail.com>
To Flori Bruqi<floribruqi@yahoo.com>

 Today at 15:49

I dashur Flori,


Publicistika atdhetare e zotërisë Rexhep Shahu, për mendimin tim, shërben si stoli për faqen internetike "Agjencioni Floripress" dhe për krejt publicistikën shqiptare me orientim nacionalist. Si intelektual me formim nacionalist, zotëria i nderuar Rexhep Shahu qëndron në pararojë të atyre intelektualëve të paktë me formim nacionalist, meqenëse shumica e tyre zvarriten pas partive politike dhe kanë harruar detyrën kryesore të çdo intelektuali, e cila është dhe duhet të jetë pikërisht mbrojtja e interesave kombëtare dhe jo mbrojtja e interesave të partive politike, të cilat as që kanë menduar ndonjëherë të vënë në programet e tyre Çështjen e Ribashkimit të Trojeve Tona Etnike


Ahmet Krasniqi.jpg

Ata që vranë ministrin Ahmet Krasniqi, ashtu siç thoni ju, i dashur Flori, do të mbeten pleh historie, por vetëm nëse do të dalin në dritën e diellit emrat dhe mbiemrat e tyre. Por një gjë e tillë dyshoj se do të jetë e mundur të zbulohet, se rrënjët e atij krimi të rëndë duhet të jenë fshehur thellë. Ata që vranë ministrin Ahmet Krasniqi*, dhanë sinjalin e luftës vëllavrasëse në Kosovë, e cila të kujton luftën vëllavrasëse që shpërtheu Enver Hoxha në fillimvjeshtën e vitit 1943, duke pasur mbi kokë kryeregjizorët e asaj vëllavrasjeje - Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën. Ajo ishte shembulli më tragjik i vrasjes së shqiptarit nga shqiptari, për interesat e sllavogrekëve në gadishullin tonë. Pasojat e saj i kemi konkrete në mbarë trojet shqiptare, pasoja që mishërohen aq dukshëm në përçarjen tragjike brenda vetes sonë.

Prof.Dr.Eshref Ymeri


Kolumbus, Ohajo


17 shtator 2016


*************

Nga Flori Bruqi :


Image result for kush eshte ahmet krasniqi


*Ahmet Krasniqi nga Zhilivoda, Vushtrri, Dardanisë ushtarak shqiptar, hero.Ahmet Krasniqi iu kishte bashkuar forcave shqiptare të (Forcat e Armatosura të Republikës së Dardanisë FARD-ut), si Ministër i Mbrojtjes, që luftonin kundër forcave Jugosllave për çlirimin e Dardanisë dhe për lirinë e shqiptarëve. Ai u vra tradhëtisht në vitin 1998 në Tiranë nga persona me veshje të policisë shqiptare, por rasti ende nuk është zbuluar se kush e kishte dhënë urdhërin për atentatin.


Image result for kush eshte ahmet krasniqi
Vrasja e kolonelit

Në flakën e luftës në Kosovë, në kohën kur makineria serbe ia kishte vënë flakën pothuaj krejt Drenicës, Dukagjinit e pjesëve të tjera të Kosovës, në kohën e ofensivës së fundit të gushtit e fillimit të shtatorit të vitit 1998, një vrasje në Tiranë ka prekur thellë shqiptarët kudo që jetonin, në tmerret e luftës në Kosovë dhe në ethet e luftës jashtë Kosovës. Një vrasje papritur.

Image result for kush eshte ahmet krasniqi
Për kolonel Ahmet Krasniqin janë shkruar e janë thënë shumë artikuj e fjalë. Përveç atyre që kanë madhëruar figurën e këtij strategu të luftës për liri, ka pasur edhe asish që kanë bërë përpjekje ta baltosin këtë emër të veçantë të fushës së strategjisë ushtarake për liri të Kosovës.
Kur sekuencat e pakta të TVSh-së së vitit 1998 dhanë lajmin për emërimin e kolonel Ahmet Krasniqit për ministër të Mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës në ekzil, shumica e shqiptarëve që ëndërronin lirinë edhe në frontin e luftës, e pranuan këtë lajm si një shpresë më shumë se liria nuk është larg.
Me shumicën bashkëpunëtorëve të Ahmet Krasniqit me të cilët kam biseduar, e kanë përshkruar kolonel Krasniqin si një njeri të dashur, të sinqertë, patriot që kishte vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Askush prej bashkëbiseduesve të mi nuk më ka thënë as edhe një fjalë të pathënë për Ahmet Krasniqin.

Image result for kush eshte ahmet krasniqi

Gjithçka që kam dëgjuar e lexuar për Ahmet Krasniqin më ka shtuar dhembjen për atë burrë, për atë strateg të luftës dhe për atë shqiptar patriot. Kjo dhembje pastaj më është shtuar me një lloj mllefi që shpërthente atëherë dhe herë pas here edhe sot: kush e vrau Ahmet Krasniqin? Pse e vranë Ahmet Krasniqin? Pse nuk arrestohen vrasësit e Ahmet Krasniqit?

Eshtrat e kolonelit…

Në përvjetorin e 16 të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, familjarët dhe bashkëluftëtarët e strategut të luftës për liri, kanë një kërkesë shumë njerëzore dhe modeste. Ata duan që eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit të kthehen në atdhe, në Kosovën e lirë. Ai prehet në varrezat në Tiranë, atje ku u vra. Por ai tash duhet të kthehet në Kosovën e lirë, në Kosovën që e ëndërronte.

Image result for kush eshte ahmet krasniqi
Iniciativa për kthimin e eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit është familjare por edhe miqësore. Nuk është iniciativë institucionale. Por kjo iniciativë duhet të realizohet në mënyrë institucionale. Do të duhej që institucionet e Kosovës të merren vesh me institucionet e Shqipërisë dhe të realizojnë këtë ëndërr të parealizuar sa ishte gjallë kolonel Ahmet Krasniqi.
Image result for kush eshte ahmet krasniqi
Familjarët e kolonelit e presin të kthehet në vendlindje birin e tyre të vrarë jo në frontin e luftës por në errësirën e natës së 21 shtatorit të vitit 1998 në Tiranë.

Vendlindja e kolonelit e pret kthimin e eshtrat të bashkëvendësit të tij që të prehet në amshim në “prehrin” e vendlindjes.

Image result for kush eshte ahmet krasniqi

Kosova e lirë e kërkon që ta mbajë pranë luftëtarin e lirisë, kolonel Ahmet Krasniqin!
Është koha kur kolonel Ahmet Krasniqi duhet të kthehet në vendlindje, në atdhe.

Heshtja vrastare për kolonelin…

Po të mos ishin përkujtimet familjare, do të harrohej edhe dita e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit. Por familja ende e mban gjallë…
Image result for kush eshte ahmet krasniqi

Por pse kjo heshtje e rëndë, heshtje institucionale në Kosovë për Ahmet Krasniqin?! Një rrugë, madje një rrugë larg qendrës në Prishtinë mban emrin e Ahmet Krasniqit. Asgjë më shumë!
Derisa ishte gjallë presidentit Ibrahim Rugova organizoheshin akademi përkujtimore për kolonel Ahmet Krasniqin. Viteve të fundit as akademi të tilla nuk mbahen.

Image result for kush eshte ahmet krasniqi
A janë thënë të gjitha të vërtetat për kolonel Ahmet Krasniqin? Të gjitha të vërtetat për strategjinë e luftës së tij, për ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqin, për shqiptarin e vërtetë Ahmet Krasniqin?
A është thënë e gjithë e vërteta për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit?

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...