2017-07-15

Mentor Petrela : Elie Wiesel, filozofi që mbrojti shqiptarët



Elie Wiesel, filozofi që mbrojti shqiptarët

Akademik Prof.Dr. Mentor Petrela*


 Si shumë familje hebrenjsh që pësuan Holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Elie Wiesel ishte i vetmi i familjes që i mbijetoi Auschwitz Buchenwald. Jeta e tij si shkrimtar pacifist e mendimtar, përshkohet nga humanizmi aktiv në konfliktet që provokuan në botë vuajtje të qenies njerëzore.

Angazhimi i tij në krah të së drejtës së shqiptarëve në konfliktin që bëri të mundur lirinë e Kosovës është një kontribut i shquar që duhet ta kujtojmë e ta fiksojmë në historinë tonë.

Kam pasur privilegjin ta takoj dy herë në Paris në rreth miqsh, ku krahas vizionit global, urtësia dhe interesimi për shqiptarët, Ismail Kadarenë, komunizmin, Kosovën, shpjegojnë ardhjen në Tiranë për të takuar refugjatët kosovarë në Qendrën Spitalore Universitare më 1999.

Konflikti midis Millosheviqit, NATO-s dhe shqiptarëve në Kosovë kishte hyrë në fazën kritike. Elie Wiesel arriti pasdreke në Tiranë, si i dërguar i posaçëm i Presidentit Clinton. I shoqëruar nga të gjitha mediat CNN, BBC, CBC e SKY arriti në spital. Grupi i refugjatëve kosovarë, të cilët ndodheshin të shtruar në spital dhe një pjesë e familjarëve që i shoqëronin, ishin mbledhur në sallën e mbledhjeve të drejtorisë së vjetër.

Drejtori i Spitalit, prof. Mustafa Xhani, dhe një emisar i Ambasadës amerikane, më kishin ftuar të prisja e shoqëroja Elie Wieselin. Në sallë takimi me refugjatët u zhvillua me dyer të mbyllura, nën kujdesin e dy të dërguarve të Shtëpisë së Bardhë. Dëshmitë e refugjatëve kosovarë e prekën shumë Elie Wieselin. Më pas, së bashku me ambasadorin Frowick e shoqëruam në pacientët e shtruar në psikiatri dhe dializë.

Pyetjet e thjeshta njerëzore e shikimi drejt në sy, shpesh përballeshin në ndrojtjen e kosovarëve që ndonjëherë fshihnin dhunën për të ruajtur dinjitetin. Akrimonia e pamjes së tij, mënyra empatike për të kuptuar vuajtjen e tjetrit ishin mbresëlënëse.


Pas vizitës, duke ecur së bashku me ambasadorin Frowick, me zërin e ulur karakteristik thotë këto dëshmi janë çnjerëzore, kriminale e më pas bëri deklaratën, iu përgjigj pyetjeve të mediave ndërkombëtare. Të nesërmen, presidenti Clinton urdhëroi bombardimet dhe angazhimin amerikan që i dha lirinë Kosovës.

Shqiptarët dhe Kosova duhet të ndihen pak jetime me humbjen e Elie Wieselit.

****


​*Doktori dhe organizatori i madh i veprimtarisë shkencore-kërkimore, akademike dhe menaxheriale në fushën e mjekësisë, Mentor Petrela, i cili është edhe anëtar i Akademisë Botërore të Neurokirurgjisë, që ka vetëm 100 anëtarë nga gjithë bota, dhe anëtar i shumë institucioneve dhe asociacioneve profesionale-shkencore evropiane dhe botërore, ka marrë sot fletë dëshminë e anëtarit të jashtëm edhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.


Kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, i cili ia dorëzoi fletëdëshminë profesor Petrelës, tha se me propozimin e Kryesisë së Akademisë të datës 31.10.2016, prof. Petrela në Kuvendin e Akademisë, të mbajtur më 21 dhjetor 2017, u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...