Krimi makabër në Fushë-Krujë zbardhet nga ADN-ja, ku vërtetohet se trupi i karbonizuar i gjetur brenda një makine të djegur, i përket Xhafer Osmani nga fshati Pestovë i Komunës së Vushtrisë në Kosovë. Nga ekspertiza mjeko-ligjore vërtetohet se autorët e kanë lidhur me litar dhe e lyen me benzine dhe me pas e dogjën.
Ngjarja u regjistrua në 5 maj 2018. Autor i dyshuar i krimit është një person rreth 35-vjeç, i cili është fiksuar nga kamerat e një karburanti disa metra larg vendit ku u gjet automjeti i djegur. Nga sekuencat filmike, të regjistruara rreth 2-3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit ndërsa ky i fundit qëndronte i lidhur në sedilen e pasme të automjetit.
Për të humbur gjurmët autori e ka fshehur automjetin në një zonë me kallamishte dhe më pas e ka djegur. Rezulton se familja ka denoncuar zhdukjen e të ndjerit, ndërsa deklaruan se ai ishte nisur nga Mitrovica drejt Shqipërisë në datë 29 prill dhe prej kësaj dite nuk kanë pasur asnjë komunikim.