Kryeministri i Spanjës humbi betejën përballë Kosovës
Sipas gazetës spanjolle, ElConfidencial, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy zakonisht nuk udhëheq fushatat kundër BE-së. Megjithatë, shkruan ky medium, ai e ka humbur “Luftën Ballkanike”.
Sipas këtij mediumi, përcjell Telegrafi, Qeveria spanjolle është përpjekur që Kosova të mos marrë trajtim shtetëror në samitin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje.
I vënë në presion me çështjen e Katalonisë, thuhet më tej, Rajoy e ka bërë të qartë që në fillim se partnerët e tij nuk do të ulen në të njëjtën tryezë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Megjithatë këmbëngulja e tij ishte e kotë, shkruan “ElConfidencial”.
Kryeministri Rahoy dështoi, siç thuhet, t’i bëjë partnerët e tij në BE të bashkohen me protestat në një samit të planifikuar që do të mbahet në Bullgari më 17 maj.
Kosova, e cila është pjesë e “Ballkanit Perëndimor” me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnje dhe Herzegovinën dhe Shqipërinë, do të marrë pjesë në samit.
Sipas “ElConfidencial” Rajoy do të shkojë në Bullgari, por do të jetë atje për t’u takuar me autoritetet lokale dhe do të jetë i pranishëm në një darkë me liderët evropianë, një ditë para samitit – dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.
Dhe ndërsa pritet një konfirmim zyrtar nga Madridi, një mesazh tashmë është dërguar në Bruksel se Rajoy nuk do të marrë pjesë.
Gjithashtu, sipas mediumit spanjoll, edhe burimet e qeverisë spanjolle kanë konfirmuar se Rajoy nuk do të shkojë, edhe pse pjesëmarrja e Spanjës në samitin është ende një çështje e hapur.
Gjithashtu është shtuar se Rajoy nuk pritet të ndryshojë pozicionin e tij as në minutën e fundit.
Spanja nuk është e vetmja anëtare e BE që nuk e ka njohur Kosovën, e cila deklaroi pavarësinë dhjetë vjet më parë.
Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, të gjitha për arsye të ndryshme, nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, por të gjithë do të marrin pjesë në samit, dhe Rajoy do të jetë i vetmi që do të mungojë.
Spanja, e cila aktualisht po fokusohet në Kataloninë, është vendi që ka mbajtur “pozicionin më të fortë” kur bëhet fjalë për samitin, shpjegojnë burimet e ElConfidencial.
Madje, sipas këtij mediumi, as vizita e Donald Tusk nga Këshilli Evropian në Madrid nuk e detyroi Rajoyn të ndryshonte qëndrimin e tij.
Për Spanjën “problem” mbetet Kosova, ndërsa për Serbinë “me rëndësi” Bullgaria. Ky, së paku sipas mediave serbe, do të ishte shpjegimi i mungesës së kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy me Samitin në Sofje, dhe prania e Serbisë në të njëjtën ngjarje.
Ky zhvillim, pak a shumë, siç shkruan mediumi serb Blic.rs, nuk është një surprizë, duke pasur parasysh se për mospjesëmarrjen e Spanjës është folur muaj më parë.
Si rezultat, doli që Serbia në Samitin e Sofjes të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, dhe se Spanja nga një zyrtar i nivelit më të ulët diplomatik.
Së paku siç është raportuar, në Samitin e Sofjes, kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë udhëheqësit, me përjashtim të kryeministrit spanjoll Marian Rahoy, vend që është përfaqësuar nga ambasadori në Bruksel, Pablo Garcia.
Dhe nga kjo, siç thuhet më tej, gjithçka që ndodhi në periudhën e mëparshme, është e qartë se gjërat nuk ecën mirë dhe se Spanja mbrojti me vendosmëri qëndrimin e saj lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, për interesin e tyre – Katalonjës.
Mesazhi dekurajues nga presidenti francez zt.Emmanuel Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron të enjten tingëllonte skeptik mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet nga Ballkani Perëndimor – në një samit që synonte forcimin e lidhjeve midis rajonit dhe BE-së.
Siç shkruan “Politico.eu”, përcjell Telegrafi, komentet e Macron vijnë si një zhgënjim i veçantë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilët shpresojnë për dritën e gjelbër nga udhëheqësit e BE-së muajin e ardhshëm për të filluar bisedimet për t’u bashkuar me bllokun, pasi në prill Komisioni Evropian kishte rekomanduar hapjen e negociatave për këto vende.
“Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Evropën sa herë që mendojmë ta zgjerojmë atë. Dhe unë nuk mendoj që ne bëjmë një shërbim për vendet kandidate apo veten tonë duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë drejt zgjerimit më të madh”, ka thënë Macron për gazetarët në samitin e kryeqytetit bullgar Sofje.
“Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por unë mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi”, ka shtuar tutje Macron.
“Nuk jam në favor të lëvizjes drejt zgjerimit para se të kemi të gjithë sigurinë e nevojshme dhe para se të bëjmë një reformë reale për të lejuar një thellim dhe funksionim më të mirë të Bashkimit Evropian”.
Siç shkruan tutje ky medium, Ballkani ka mbështetur agjendën e BE-së pasi liderët janë alarmuar për ndikimin e fuqive të tjera, veçanërisht të Rusisë.
Kriza e migracionit 2015, në të cilën qindra mijëra njerëz hynë në BE nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor, gjithashtu dha një kujtesë të theksuar të rëndësisë së rajonit për stabilitetin e bllokut.
Por anëtarët e BE janë të ndarë për të deklaruar se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samit – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – mund të bashkohen një ditë me bllokun. Ata kanë divergjenca gjithashtu edhe rreth afatit potencial për pranimin e anëtarëve të rinj nga rajoni.
Serbia dhe Mali i Zi tashmë janë në bisedimet e anëtarësimit dhe Komisioni ka sugjeruar që ata të mund të hyjnë në BE deri në vitin 2025 – një objektiv i konsideruar me skepticizëm të konsiderueshëm nga disa zyrtarë në Bruksel dhe qeveritë e BE.
Ballkani Perëndimor ishte i rrënuar nga lufta dhe trazirat civile në vitet 1990 dhe Brukseli ka thënë se të gjithë anëtarët e mundshëm nga rajoni duhet të godasin korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të përmirësojnë standardet e tyre demokratike për të krijuar një shans për t’u bashkuar me bllokun.
Kryeministri sllovak Peter Pellegrini ka thënë në parlamentin sllovak në Bratislavë – përpara samitit të Bashkimit Evropian në Sofje – se askush nuk i kërkon Sllovakisë të njohë Kosovën.
Ai ka shtuar se madje nuk do të ishte sinjal i mirë që bisedimet e nesërme – në samitin e Sofjes – të ishin në një format të ndryshëm, “e jo me të gjithë 28 liderët”.
Këtë deklaratë të fundit, Pellegrini e ka thënë duke aluduar në vendimin e kryeministrit të Spanjës për të bojkotuar samitin dhe se nuk do të ulet në Sofje me të njëjtën tryezë me përfaqësuesin e Kosovës.
Në adresimin e tij për delegatët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit sllovak, kryeministrit sllovak ka treguar se me çfarë mandati shkon në samitin dhe në bisedimet e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Samiti i BE-së do të jetë rreth zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Aty nuk do të ketë vendime, diskutimet do të jenë më tepër në nivel teknik. Takimi do të duhej të jepte një sinjal të qartë se BE-ja e sheh të ardhmen e vendeve brenda Unionit” , ka thënë Pellegrini.
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviç thotë se Presidenti Aleksandar Vuçiq po përpiqet të transferojë përgjegjësinë në qeverinë e mëparshme për të njohur pavarësinë e Kosovës.
“Është e vërtetë se Partia Demokratike shkaktoi dëme të mëdha për interesat e Serbisë dhe e vështirësoi qëndrimin e saj në procesin e zgjidhjes së problemeve të Kosovës, por është një gënjeshtër kur Vuçiq, duke u shmangur nga përgjegjësia duke thënë se ky gabim i madh ‘vuri vulën në zarfin e pavarësisë së Kosovës’”, thotë Jovanoviç.
Siç shkruajnë mediat serbe, Jovanoviç shtoi se “zarfi i pavarësisë së Kosovës” u formua në vitin 2013 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, por se do të vuloset vetëm duke pranuar shkëputjen e Kosovës nga Serbia, duke nënshkruar një marrëveshje ligjërisht detyruese.
The Guardian: Vuçiq do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, vetëm nëse Serbia merr diçka konkrete në këmbim
Kur NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999, Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Informacionit, duke zbatuar rregullat e censurës për presidentin e vendit, Slobodan Milosheviç, i cili më vonë do të paditet për krime lufte.
Gati dy dekada më vonë, vetë Vuçiq është kryetari i Serbisë. Duke pretenduar se është “zhveshur” shumë nga pikëpamjet e tij të mëparshme nacionaliste dhe duke u larguar nga akuzat për autoritarizëm, ai tani shihet nga bashkësia ndërkombëtare si njeriu që mund të nënshkruajë një marrëveshje që përfundimisht do të sjellë pajtimin me Kosovën.
Kosova ishte nën mbikëqyrjen ndërkombëtare pas fushatës ajrore të NATO-s dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia ende e konsideron si territor të saj.
Në një intervistë për The Guardian në Beograd këtë javë, përcjell Telegrafi, Vuçiq ka thënë se besonte se tanimë ka një interval kohor prej “gjashtë muaj apo një vit” në të cilën mund të jetë e mundur të nënshkruhet një marrëveshje.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje të vetme, jemi gati të marrim parasysh çdo propozim të vetëm që do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”.
Sipas këtij mediumi, Kosova njihet nga më shumë se 100 vende, por ende ekzistojnë pesë vende të BE që nuk e njohin atë, kryesisht për shkak se ata kanë frikë se mund të krijojë një precedent për mosmarrëveshjet e tyre territoriale. As Kina, India dhe Rusia.
Siç thuhet më tej, shpresa në Bruksel është se mund të arrihet një marrëveshje që do të çonte, edhe nëse jo zyrtarisht, në pranimin pavarësinë e Kosovës dhe do të hapë rrugën që Kosova të marrë një vend në OKB dhe që të dy vendet të fillojnë një rrugë drejt anëtarësimit në BE.
E Vuçiq, siç shkruan ky medium, në këmbim kërkon një paketë përfitimesh për Serbinë.
Ai është përfshirë tashmë në dialogun e rregullt të mbikëqyrur nga BE në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përpiqet të zbatojë dispozitat e një marrëveshjeje të përkohshme të nënshkruar pesë vjet më parë.
Thaçi i tha gjithashtu Guardian javën e kaluar se ai priste një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të arrihej këtë vit.
Vuçiq ka kaluar edhe muajin e kaluar duke u angazhuar në një numër takimesh me udhëheqësit perëndimorë, duke u përpjekur t’i bindë ata se ata duhet të ofrojnë një zgjidhje kompromisi që sjell përfitime konkrete për Serbinë në vend që thjesht të pranojë faktet në terren.
Se Vuçiqi mund të ishte ai që nënshkruan marrëveshjen do të ishte e jashtëzakonshme, duke qenë se në vitet 1990 ishte pjesë e partisë Radikale, e cila kërkoi një Serbi të Madhe dhe mbështeti formacionet politike dhe ushtarake serbe që luftonin në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Vuçiq, megjithatë, është një njeri kontradiktash, shkruan tutje The Guardian, përcjell Telegrafi. Ai dominon skenën politike të vendit, duke e transformuar presidencën nga një rol kryesisht ceremonial në qendër të pushtetit pasi u transferua nga vendi i kryeministrit vitin e kaluar.
“Jam i ‘shtrydhur’ çdo ditë”, citohet të ketë thënë ai. “Kam investuar të paktën 400 ditë deri më tani në katër vitet e fundit që kur u bëra kryeministër, vetëm në Kosovë. Ajo merr energji, dhe njerëzit nuk e shohin atë, ata nuk e kuptojnë këtë”.
Pas takimit me Angela Merkel në Berlin këtë muaj, ai tha se nuk kishte qenë në gjendje të fle natën më parë dhe nuk ishte në gjendje të hante gjatë takimit, sepse ai ishte aq nervoz për fatin e Serbisë.
Ndërkohë, kritikët e Vuçiqit thonë se kjo është pjesë e një imazhi të ndërtuar me kujdes të një “luftuesi vetëmohues” për Serbinë që maskon një përpjekje për të konsoliduar pushtetin.
“Ky është një lloj stili i ri në politikën botërore, duke krijuar një imazh publik si ‘njeriu më i mirë’ në Serbi”, vlerëson Boban Stojanoviç, i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit. “Por në të vërtetë kemi korrupsionin, pak media të lira dhe jemi në rrugën drejt një sistemi njëpartiak”.
BE dhe institucionet e tjera gjithashtu e kanë kritikuar Vuçiqin për një shtypje mediatike, duke thënë se atmosfera e medias është partizane në të dyja anët dhe duke u ankuar për një “fushatë 24/7 kundër meje” nga mediat e pavarura.
Gjithsesi, The Guardian shkruan se udhëheqësit evropianë mund të jenë të gatshëm të japin kredi edhe për Vuçiqin.
Dhe kjo do të bëhej për të ofruar një paketë kompromisi për Kosovën, një udhëheqës i dobët nuk do të ishte në gjendje të “bindte” opinionin publik serb – dhe për shkak të dëshirave për të kundërshtuar ndikimin rus në rajon.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili ishte në Beograd për të takuar Vuçiqin të mërkurën, tha pas bisedimeve të tyre se ai e shihte presidentin serb si një bashkëbisedues dhe se Vuçiq ishte “dëshmi e gjallë se mund të jeni njëkohësisht një patriot i fortë dhe një pragmatist i arsyeshëm”.
Sipas The Guardian, në një kohë kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe perëndimit janë në një pikë të ulët, Vuçiq ndoshta më shumë se çdo udhëheqës tjetër botëror është duke ecur në një “litar” në mes të dyjave, duke këmbëngulur se integrimi evropian është një prioritet për Serbinë dhe duke mbajtur një lidhje tradicionale me Moskën.
Vuçiç është ende vetëm 48 vjeç dhe shumë thonë se me oreksin e tij për pushtet dhe ndjenjën e misionit historik ai mund të planifikojë të qëndrojë për një kohë të gjatë.
“Unë mund të garantoj se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq, duke qeshur shkurtimisht. Ai tha se do “mbase nuk do të” qëndrojë për presidencën përsëri në vitin 2022: “Nuk kam atë lloj energjie”.
F.B