Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë një postim në profilin e saj në Instagram, për bisedën që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, pas fotografisë së përbashkët të Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë.
Merkel shkruan se pas fotografisë familjare, gjithmonë krijohet mundësia për shkëmbime të bisedave personale.
Derisa Komisari për zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn nga Samiti i sotëm i BE-së në Sofje kërkoi normalizim gjithëpërfshirës dhe obligativ për Serbinë e Kosovën, duket se është Presidenti serb ai i cili po merr rrugë tjetër.
Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot në Sofje se shpreson se do të bëhet zgjidhja për çështjen e Kosovës e cila do të jetë e pranueshme për qytetarët e Serbisë dhe se, siç ka thënë, do t’i japë të gjitha nga vetja e do të luftojë që ajo zgjidhje të ndodhë.
"Dua të besoj se Serbia në periudhën e ardhshme do të ketë forcë të mjaftueshme, nëse ka vullnet për kompromis në palën tjetër, që të arrihet te zgjidhja e pranueshme për qytetarët e që ka të bëjë me Kosovën”, citon tanjug të ketë thënë ai.