Flori Bruqi
Vetëm gjatë këtij muaji, mbi 1 mijë kosovarë që gjenden jashtë vendit kanë bërë kërkesë që të kthehen në Kosovë. Më së shumti kërkesa ka nga Gjermania, Zvicra e Kroacia. Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se po e presin miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të organizuar fluturimin e radhës. Të gjithë të kthyerit do të vendosen për dy javë në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë. Kjo Qendër ka kapacitet vetëm edhe për 100 persona.
Shtetasit kosovarë që gjenden jashtë vendit duan të kthehen në Kosovë, pas situatës së krijuar në gjithë botën nga koronavirusi. Një numër i madh i tyre tashmë u janë drejtuar autoriteteve kosovare me kërkesa për kthim.
Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit Prof.dr.Lumir Abdixhiku, i ka thënë se vetëm gjatë këtij muaji kanë pranuar mbi 1 mijë kërkesa.
Sipas tij, më së shumti kërkesa ka nga Gjermania, Zvicra e Kroacia.
“Kërkesat janë të mëdha. Janë diku mbi 1000 qytetarë të Kosovës që kanë kërkuar të kthehen në vend. Prej të gjitha vendeve të Evropës. Por, kërkesat më të larta janë nga Gjermania, Zvicra, Kroacia, Belgjika, Skandinavia”, ka thënë Zogaj.
Zogaj thotë se po punohet për kthimin e tyre, por se kjo varet edhe nga hapësirat që janë në dispozicion në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.
Disa prej tyre pritet të kthehen gjatë kësaj jave, nëse një kërkesë e tillë miratohet nga Ministria e Shëndetësisë në krye me Dr. Arben Vitinë.
“Kthimi i tyre varet shumë nga hapësirat që kemi në Qendrën e Karantinës. Në momentin që të kemi aprovim nga ana e Ministrisë së Shëndetesisë, do të organizojmë fluturimin e radhës. Jemi në diskutime për të organizuar një fluturim këtë javë. Nuk e dimë saktë, varet nga hapësirat në Qendrën e Karantinës”, thuhet në përgjigjet e Zogajt .
Për kapacitetin e konvikteve është deklaruar drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.
Sfishta ,ka thënë se aktualisht në këtë qendër janë të strehuar 430 persona. Sipas tij, në konvikte ka vend vetëm edhe për 100 persona.
Të kthyerit janë strehuar në konviktet III, VI, VII dhe VIII.
“Aktualisht në konvikte janë të vendosur 430 persona. Në këto konvikte mund të vendosen vetëm edhe 100 persona, sepse vetëm konviktet në të cilat janë të vendosur i kanë banjot e ndame. Instituti nuk ka lejuar që ata të vendosen në konviktet e tjera ku banjot janë kolektive”, ka thënë Sfishta .
Ndërkohë, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Prof.Dr. Lumir Abdixhiku, në vazhdimësi i ka lutur shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat e Kosovës nëpër botë.
“I lus shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat tona nëpër botë. Si shtet i ri kemi nevojë për ndihmën tuaj; për durim. Po patët mundësi, kudo që jeni në botë, qëndroni në shtëpi”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, para tri ditësh.
Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus. Deri tani, në gjithë vendin janë konfirmuar 94 raste. Më së shumti raste ka Malisheva, Gjilani dhe Prishtina.
“Sot më 29.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 45 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim.
Për gjendjen e të infektuarve ka dhënë detaje Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, QKUK-ja ka njoftuar se pesë pacientë të prekur me koronavirus po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv në Klinikën Infektive.
“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, përveç infermieres së infektuar me COVID-19, e cila është në gjendje të përmirësuar dhe e vetizoluar në shtëpi, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Instituti i Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve, “Torlak” në Beograd analizon mostra nga mjediset serbe në Kosovë. Institucionet shëndetësore në komunat më shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë. Të infektuarit nga këto zona janë transferuar për trajtim në Nish të Serbisë. Kjo ka ndodhur me rekomandim të Ministrisë se Shëndetësisë së Serbisë.
Zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë në Kosovë, ndërkaq pohojnë se Klinika Infektive kujdeset për të gjithë pacientët në vend pavarësisht përkatësisë etnike. Megjithatë, ata kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se në Klinikë nuk është lajmëruar asnjë pjesëtar nga komuniteti serb.
“Deri më tani nuk është asnjë rast me COVID-19 i raportuar nga institucionet shëndetësore të zonave të banuara nga komuniteti serb, edhe pse sipas Ligjit për Parandalim dhe luftim te sëmundjeve ngjitëse, janë të obliguar të raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik-IKSHPK”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Të gjitha rastet që rezultojnë pozitive, IKSHPK i teston në kontaktet e tyre pas një periudhe të caktuar kohore, por në mungesë të të dhënave dhe raportimit deri më tash, nuk ka pasur asnjë kërkesë për testim në zonat e banuara nga komuniteti serb dhe në mungesë të informacionit nuk janë bërë testime”, thekson Ministra e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës.
Në Ligjin për Parandalimin e sëmundjeve ngjitëse thuhet se “mbikëqyrja dhe raportimi i sëmundjeve ngjitëse është obligim ligjor i të gjitha niveleve të sistemit të kujdesit shëndetësorë të Kosovës, duke filluar prej punkteve të mjekësisë familjare deri në nivelin tretësor”.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thonë se të dhënat për rastet e të prekurve me COVID-19 në komunat e banuara me shumicë serbe, do të përfshihen në shifrat zyrtare të Kosovës atëherë kur autoritetet komunale në këto komuna do t’i raportojnë këto raste te në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës apo në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Milan Ivanoviq kishte deklaruar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka asnjë komunikim të drejtpërdrejtë dhe asnjë kontakt me sistemin shëndetësor të Kosovës.
Ndërkaq, në një konferencë për shtyp në Mitrovicën e Veriut, të dielën, ai tha se rastet e para ishin rezultat i “joseriozitetit të njerëzve” ndaj kësaj sëmundje, që sipas tij infeksionet nga koronavirusi “ishin rezultat i një mbledhjeje masive në periudhën e hershme”.
Epidemiologu, Aleksandar Antonieviq, në të njëjtën konferencë ka thënë se janë marrë të gjitha masat për të ndaluar përhapjen dhe se jane marrë kontakte të linjës së parë dhe të dytë dhe kontaktet e të gjithë atyre që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e sëmurë.
“Ky numër i regjistruar mund të rritet dita ditës pasi ne po hetojmë të gjitha ato kontakte dhe kemi shumë informacione”, tha Antonijeviq.
Sipas tij, një person pozitiv me COVID-19 nga Kragujevci i Serbisë është vënë ne lidhje me dy rastet në veri të Kosovës, të cilët kanë qenë në të njëjtën ngjarje.
Në anën tjetër, në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës thuhet se “testimet për COVID-19 bëhen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i përmbushin kriteret për testim, sipas protokollit që nënkupton se ata kanë ardhur nga vendet e prekura ose kanë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara dhe të dyshimta.
Ndryshe nga data e 08 deri më 29 shkurt 2020 , në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë janë testuar 1082 raste të dyshimta, prej tyre 94 kanë rezultuar pozitiv, kurse një person ka humbur jetën.
No comments:
Post a Comment