NGA FLORI BRUQI
Një makinë luksoze përshkon autostradën që lidh Romën me Milanon.Në të ndodhet kontI Lamberto Rizotoja, pronar i një industrie metalurgjike të rëndësishme që e drejton me sukses, pavarësisht krizës ekonomike të vendit. Burri pret me padurim që të kthehet në shtëpi për ta mbyllur sa më parë çdo lidhje me Armandën, gruan e tij të pashme, ngaqë porsa ka zbuluar marrëzinë e saj të fundit. Gjendja e zymtë shpirtërore fashitet nga kujtimi i shkurtër me një të panjohur - "shumë e re, shumë e bukur e me elegancë" - që më kot i shpëtoi nga duart. Po atë mbrëmje, një burrë tjetër udhëton përgjatë së njëjtës autostradë nga Jugu në Veri, vetëm, me automjetin e tij të pluhurosur: është Xhovani Rankati, sindikalist. Ka përshkuar kilometra të tëra për të takuar punëtorët që i ka aq shumë për zemër e me të cilët ndan shqetësimet dhe ua mbron të ardhmen. Në Milano po e pret Bruna, partnerja e tij që punon si parukiere e që, pas shumë vite sakrificash, arrin të hapë një sallon të vetin. Jetojnë së bashku në një banesë të vjetër, në njërin nga pallatet e mëdhenj që nxjerrin në pah gëzimet e hidhërimet e gjithsecilit, një realitet në të cilin vështirë se dalin të ardhurat për ta shtyrë muajin dhe realizimi i një ëndrre mund të kërkojë kursimet e gjithë jetës. Lambertoja dhe Xhovani përfaqësojnë dy botë të kundërta e të largëta, por rrugët e tyre do të kryqëzohen pak nga nevoja e pak falë rastësisë. Nga takimi i tyre nis e formësohet një gërshetim magjepsës fatesh, ku pasqyrohet Italia e sotme, ende e ndarë nga kundërshti dhe beteja shoqërore, por e bashkuar nga një nevojë e thellë dhe e padiskutueshme për drejtësi dhe dashuri.