Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar për viktimat nga përmbytjet në Spanjë dhe tha se Kosova qëndron me popullin spanjoll në këtë kohë.
“Lajm tronditës nga Valencia, Andaluzia dhe Murcia. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga këto përmbytje shkatërruese. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që kanë humbur të dashurit dhe qëndrojmë me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë, duke i uruar forcë dhe qëndrueshmëri të gjitha komuniteteve që punojnë për rindërtim”, ka shkruar Osmani.
Së paku 62 persona kanë vdekur si pasojë e vërshimeve më vdekjeprurëse që kanë goditur Spanjën në tri dekadat e fundit pas reshjeve të dendura që përmbytën rajonin lindor të Valencias të martën, duke zhytur rrugë dhe vendbanime të tëra në ujë, kanë bërë të ditur më 30.10.2024 autoritetet lokale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar tërë natën me gomone, duke shpëtuar dhjetëra persona të ngujuar, me pamjet televizive që kanë treguar gjendjen e qytezës së vërshuar të Utielit. Ekipet e emergjencave ende po punojnë për të arritur në vendet e thella e të goditura më së shumti,ka raportuar Reuters.
“Për ata që në këtë moment ende po kërkojnë më të dashurit e tyre, e gjithë Spanja po qan me ju”, ka deklaruar kryeministri Pedro Sanchez në një adresim televiziv.
“Fshatrave dhe qytezave të shkatërruara prej kësaj tragjedie, ua them të njëjtën: Bashkë, ne do të rindërtojmë rrugët, sheshet dhe urat tuaja”.
Carlos Mazon, lider rajonal i Valencias, njëri prej rajoneve më të rëndësishme bujqësore të Spanjës, ka thënë se njerëzit kanë mbetur të izoluar në lokacione ku nuk mund të hyhet.
“Nëse nuk do të arrinin ekipet e shpëtimit, nuk do të mund të qasej askush tjetër, për shkak të mungesës së qasjes”, ka deklaruar Mazon në një konferencë për media, duke shtuar se ka rajone ku qasja “është absolutisht e pamundshme”.
Shumë xhirime të ndara në mediat sociale gjatë natës kanë treguar njerëz të ngujuar prej vërshimeve, me disa syresh që janë parë duke u ngjitur në drunj për t’iu shmangur përmbytjes. Ka pasur edhe gra që janë nxjerrë me buldozer prej zonave të vërshuara.