2011-07-24

Debati për “vehabitë”, lloji më i ri i nacionalfolklorizmit

 
Shkruan: Dr. Petrit Mulaku

Pas protestave të komunitetit mysliman në lidhje me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, nuk ka dyshim se është krijuar një realitet pak ndryshe në lidhje me realitetin e mëhershëm sa i përket trajtimit të temave fetare në Kosovë. Nuk janë të rralla emisionet televizive e as shkrimet në gazeta që kanë të bëjnë me këtë temë e kryesisht me gjendjen e komunitetit mysliman në Kosovë.
Ajo që më shumë vret është fakti se, fatkeqësisht, aq pak i jepet rëndësi peshës së argumentit dhe aq pak i jepet rëndësi të drejtave themelore për të cilat trumbetohet vazhdimisht në media. Një emërues i përbashkët që do të mund të nxirrej nga e gjithë kjo është se ekziston një gjendje e mjerueshme e sferës akademike, një gjendje e mjerueshme e të menduarit dhe të argumentuarit të mirëfilltë, një gjendje e mjerueshme e një pjese të madhe të klasës intelektuale në Kosovë, sidomos sa i përket trajtimit të komunitetit mysliman.
Një skandal i llojit të vet ishte edhe shkrimi "Ringjallja e vehabizmit" me autor Prof. Dr. Skender Riza, një historian me nam në Kosovë, i cili me një guxim të pakuptueshëm, me një liri të paarsyeshme të ofrimit të tezave dhe konkluzioneve, e sjell para lexuesit një shkrim me karakter fetar.
Pikë së pari nuk e kam të qartë se me çfarë guximi një historian, studiues shumëvjeçar i shkencave historike hyn në interpretimin e çështjeve fetare, kur edhe vetë ai sikur edhe çdo kush tjetër do të duhej ta kuptonte se nuk është i thirrur dhe kompetent për një gjë të tillë. Dhe nga kjo aventurë e rrezikshme rrjedh edhe shkrimi i lartpërmendur.
Është bërë një traditë e përditshme se nëse dikush dëshiron të tërheqë vëmendjen nga vetvetja mjafton të shkruajë një shkrim në lidhje me vehabizmin, terrorizmin, fundamentalizmin islam, etj., në mënyrë që të zgjojë kërshërinë e lexuesve dhe të marrë një cope vëmendje në realitetin e brishtë dhe akademikisht të prapambetur kosovar. Nuk ka rëndësi nëse keni argumente apo jo, nuk ka rëndësi nëse keni mbështetje për atë që thoni apo jo, mjafton të ofendoni dike, ta akuzoni se ka lidhje me Serbinë dhe Rusinë pansllaviste, se ka lidhje me terrorizmin ndërkombëtar, të glorifikoni prejardhjen "hyjnore" të popullit shqiptar dhe ju jeni një hero i bisedave në kafene dhe bisedave të përditshme në ambientet nga më të ndryshmet në Kosovë.

Argumentet nga "Kur'ani"...
Së pari, prof. Riza nuk argumenton çështjet fetare me argumente historike, por me argumente nga libri hyjnor, "Kur'ani", dhe me porosi dhe fjalë të të dërguarit të All-llahut, Muhamedit a.s. Nuk mund të thoni se dikush është në rrugë të drejtë të fesë vetëm pse ka humbur një luftë apo ka fituar një luftë tjetër. Fati i luftës nuk është gjithmonë në anën e të drejtëve. Nganjëherë edhe të drejtët pësojnë humbje, dhe kjo është dëshmuar disa herë gjatë historisë.
Gjatë shkrimit të tij, prof. Riza i fajëson sektin e shpikur dhe joekzistent "vehabi" për shumë vepra të ndyra dhe krime, por asnjëherë nuk sjellë argumente nga Kur'ani dhe sunneti i Pejgamberit se ku në të vërtetë i kanë gabimet ky sekt "fantom". A i kanë gabimet e tyre në interpretimin e gabuar të principeve të besimit islam (akide), në fushën e të drejtës islame ( fikhut), në fushën e metodologjisë islame (menhexh), apo në ndonjë fushë tjetër. A janë vehabitë nga ata të cilët e teprojnë në tejkalimin e dispozitave të All-llahut apo janë nga ata të cilët i neglizhojnë këto dispozita? Këto janë pyetje në të cilat duhet të përgjigjet çdokush që dëshiron të emërtojë dhe të klasifikojë një sekt si të tillë. Sektet nuk janë diçka e re për pasuesit e fesë islame, ekzistojnë rreth 72 sosh, por sekti "vehabi"nuk ekziston assesi, dhe është asgjë më tepër se sa një emërtim ofendues, (njëjtë si emërtimi përçmues serb për shqiptarët "shiptari") një emër përçmues për këdo që I jep rëndësi praktimit të fesë islame më me seriozitet. Dhe kjo në fakt nuk është diçka e re. Të gjithë ata që deri më tani kanë shkruar në lidhje me "vehabizmin" as edhe një herë nuk kanë sjellë argumente të qarta se ku në të vërtetë ka devijuar ky "sekt" dhe ç'është e vërteta nuk do të munden të argumentojnë kurrë, sepse në mesin e shumë sekteve të cilat sot ekzistojnë me emër dhe janë të emërtuar si të tilla me argumente nga Kur'ani dhe sunneti i Pejgamberit nga dijetarë eminentë islamë, askund nuk është evidentuar sekti "vehabi" si një sekt i veçantë me karakteristika dhe dispozita të veta. Ky sekt fantom që nga shpikja e tij vetëm si emër dhe jo si sekt në të vërtetë, ka shërbyer si emërtim i përbashkët për çdokënd që ka mjekër të madhe dhe pantallona të shkurtër, apo që i kryen më me seriozitet obligimet fetare, pavarësisht faktit se dy njerëz mund të kenë mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtër dhe mund t'i takojnë dy grupeve të ndryshme. P.sh, një njeri me mjekër të gjatë mund t'i takojë sektit havarixh, që është sekti i parë i evidentuar në historinë islame dhe pjesëtarët e tij janë nga njerëzit më të rrezikshëm mbi tokë që kanë vrarë edhe shokët e të dërguarit a.s, vrarë dijetarë të njohur në të gjitha etapat e ekzistimit të Islamit, dhe edhe sot e kësaj dite vrasin pa mëshirë pa të drejtë njerëz të pafajshëm. Por, një njeri me mjekër të gjatë mund të jetë thjesht një pasues i sunnetit origjinal dhe të pastër i të të dërguarit a.s. që e kupton fenë islame, ekskluzivisht sipas interpretimeve të Pejgamberit a.s dhe shokëve të tij dhe është njeriu më i mirë me të cilin do të mund të takoheshe dhe të shoqëroheshe në jetën tënde. Njëjtë mund të ndodhë edhe me dy njerëz të ndryshëm që nuk kanë as mjekër e as pantallona të shkurtër, por mund t'u takojnë grupacioneve të ndryshme.

Veprat janë ato që e
përcaktojnë karakterin
Pra, pasja ose mospasja mjekër, veshja ose mosveshja e pantallonave të shkurtër nuk mund të vendosë apo të zhvendosë ndokënd në një sekt të caktuar. Ju profesor i nderuar, e shani Muhamed ibn Abdulvehabin pse hyri në Mekke dhe i rrezoi tyrbet, e kinse paska mbytur haxhilerë, por të njëjtën gjë e bëri edhe i dërguari a.s, i cili hyri në Mekke dhe i rrëzoi afër 360 idhuj ( ekuivalentë të tyrbeve të sotme) dhe e çliroi Mekën dhe tërë gadishullin arabik dhe idhujtaria, dhe në kohën e Abdulvehabit Mekka ishte shndërruar në një vend adhurimi të varrezave dhe shenjtorëve të vdekur në vend të adhurimit të një All-llahu të vetëm. Pse i mbroni tyrbet kur e dini se ato janë një nga mashtrimet më të mëdha dhe më të turpshme në historinë e njerëzimit dhe në historinë e Islamit. Pse i mbroni tyrbet kur e dini se aty ka varreza të njerëzve të vdekur për të cilat një pjesë naive e njerëzve besojnë se kanë fuqi të ndryshojnë jetën e njerëzve, se mund t'u falin fëmijë atyre që nuk kanë, se mund të pasurojnë të varfrit, se mund të t'u gjejnë nuse atyre që nuk mund të martohen, (e në fakt vetëm Krijuesi Suprem e ka këtë fuqi), dhe bazuar në këtë besim të mbrapshtë njerëzit shkojnë dhe lënë para e gjësende të ndryshme në tyrbe në shpresë të kompensimit nga "shenjtorët" e vdekur.

Cila në të vërtetë është logjika e "vehabizimit"?
Si mund ta konsideroni veten një mysliman dhe të argumentoni thëniet e juaja me ajete kur'anore, kur e dini ( apo duhet ta dini) shumë mirë se mëkati më i madh dhe që nuk falet kurrë është t'i bësh shok All-llahut në adhurim, të besosh se ndonjë krijesë apo objekt posedon fuqi, të cilën në fakt e posedon vetëm All-llahu xh.sh, dhe në të vërtetë i tërë mesazhi i Kur'anit si libër i shenjtë dhe i tërë Islamit si fe e vetme monoteiste është se vetëm All-llahu xh.sh meriton adhurim dhe Muhamedi a.s është i dërguar i tij dhe me të besuarit se të vdekurit mund të zgjedhin probleme të jetës së përditshme atyre iu bëhet adhurim në vend të All-llahut xh.sh. Si mund të t'i mbroni tyrbet dhe besimin që i përcjell ato kur e dini se aty shkelet e drejta hyjnore e Krijuesit Suprem dhe të përkrahni njerëzit që ende e kanë këtë bindje të mbrapshtë.
Juve i akuzoni "vehabitë" fantomë edhe për dy atentate të dështuara në kryeministrin turk Erdogan dhe thoni se All-llahu e shpëtoi Erdoganin( për të cilin thuhet se i takon rendit Nakshibendi, All-llahu e di më së miri) sepse ai është në rrugë të drejtë dhe është mysliman i mirë. Çfarë logjikë është kjo? Pa me thoni ju lutem çfarë do të thoshit nëse dikush, pavarësisht kush dhe për çfarë arsye, megjithatë do të arrijë të bëjë atentat në kryeministrin Erdogan në të ardhmen ( një situate hipotetike pra)? Çfarë do të thoni pastaj? Se Erdogani nuk qenka më mysliman i mirë dhe All-llahu xh.sh nuk e mbrojti më, apo do të jepni ndonjë shpjegim tjetër, sipas tekave dhe dëshirave tuaja. Apo si mund të më shpjegoni faktin se tre nga katër halifët (udhëheqësit dhe sunduesit e myslimanëve) e drejtë, Omeri, Uthmani, dhe Aliu, që janë tre nga katër njerëzit më të rëndësishëm në Islam, pas të Dërguarit dhe Ebu Bekrit, u vranë që të tre në atentate dhe pusi nga njerëz qyqarë. A thua se ata nuk paskan qenë mysliman të mirë dhe të vërtetë dhe All-llahu xh.sh nuk i paska mbrojtur ata dhe ata paskan merituar të vdesin dhe të vriten?

Pyetjet që ngelen pa përgjigje
Si mund t'i quani me atë emërtim fyes "vehabi" ata që dolën në protesta dhe kërkuan ndërtimin e një xhamie për adhurim të All-llahut dhe ende i thoni vetës mysliman dhe mundoheni të argumentoni thëniet e juaja me ajete kur'anore dhe porosi profetike për të vërtetuar tezat që kushedi se çfarë qëllimi kanë? Apo ndoshta xhamia dhe namazi për ju janë aq gjëra të pavlerë sa që nuk ia vlen as të bisedohet për to. Ju thoni, po ashtu, se nuk ka rëndësi a e falni namazin apo jo, me rëndësi është të jeni njeri i mirë, të angazhoheni për të mire, etj. Dhe i paskeni thënë një të deklaruari si ateist që nuk falë namaz dhe nuk i intereson për obligimet fetare, por kinse paska thënë se nuk ia dëshiroj të keqen askujt, iu ndihmoj nevojtarëve etj., se ai qenka mysliman i vërtetë, edhe pse i deklaruar si ateist. Pa më thoni profesor i nderuar a e njihi ju ndokënd që u kanë thënë se ai është njeri i keq, ia do të keqen njerëzve, nuk ka dëshirë t'u ndihmojë nevojtarëve etj? A dini për ndonjë fe në botë e cila thotë se duhet bërë keq, duhet vjedhur, duhet gënjyer etj? Normalisht se jo. Për këtë edhe ekzistojnë hipokritët të cilat thonë diçka tjetër e bëjnë diçka tjetër, e që sot janë një lloj që fatkeqësisht e përbejnë pjesën më të madhe të popullsisë.
Si mund të thoni se monoteist i vërtetë nuk është ai që falet e agjëron dhe i numëroni një varg ofendimesh për besimtarët dhe besimtaret, por është ai që beson në Zotin, e frenon egon e vet, pavarësisht a është budist apo hebre apo tjetër? Si mund të konsideroni monoteist një budist, ku dihet se bazë e besimit budist është besimi politeist (pagan)? Konsideroj se keni një përzierje të pakuptimtë dhe themelore të koncepteve!
Si mund të merrni në "mbrojtje" Islamin dhe principet bazë të tij, kur në anën tjetër i sulmoni dhe përpiqeni të shkatërroni bazat e Islamit, siç janë adhurimi i një Zoti të vetëm dhe mosshoqërimit të asgjëje në adhurim, namazin,agjërimin, xhaminë e cila për një mysliman është si shtëpi e dytë dhe fyeni paturpshëm besimtaret (motrat myslimane) të cilat vishen sipas porosive të Kur'anit dhe sunnetit të Pejgamberit a.s dhe gjatë të gjitha këtyre ofendimeve përdorni emërtimin e turpshëm "vehabi" për të fyer dhe sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ju dhe që janë me serioze në praktimin e obligimeve fetare.
Ju po ashtu shtroni disa pyetje sa për të plotësuar hipokrizinë tuaj nacional folklorike se ku ishin "vehabinjtë" kur Kosova pastrohej etnikisht nga serbë pansllavistë, ku ishin "vehabinjtë" që nuk morën aspak pjesë në çlirimin e Kosovës, etj. A thua vallë ne patjetër duhet të na çlirojë ndokush nga zgjedhat e huaja dhe jo vetë ne? A thua vallë patjetër dikush tjetër duhet të bëjë luftë për çlirimin e tokave tona se ne jemi ta pazotët për të çliruar vetveten?
Po ku ishim ne zotëri profesor, ku ishit dhe ku jeni ju kur Kosova po vidhet nga ata që e vodhën luftën dhe lavdinë e luftës dhe sot vodhën edhe fatin e popullit të thjeshtë të Kosovës? Ku jeni ju intelektualë e akademikë që jeni fshehur dhe keni dale në hije dhe nuk bashkoheni e të dilni e të thoni të bashkuar:" o burra mjaft më se nuk bën kështu me e vjedhë shtëpinë tuaj". Por në vend të kësaj merreni me pastrimin e ndërgjegjes suaj dhe mundoheni të shiteni si atdhetar e fetar, e në fakt nuk jeni asnjërën dhe mundoheni të bindni dikë se ne qenkemi popull hyjnor dhe të gjithë profetët kishin prejardhje pellazge, se edhe arabët dhe vetë Pejgamberi Muhamed si arab kishte prejardhje pellazge! Mjaft më ju lutem! Zbritni në tokë!
Kam edhe shumë për të thënë, por vërtet mendoj se kam thënë mjaft sa për këtë rast. E di profesor i nderuar se ndoshta kur të lexoni këtë shkrim do të më quani "vehabi" apo me çfarëdo emërtimi nga imagjinata juaj, por e vërteta është se unë jam as më shumë as më pak se një mjek i thjeshtë, një (gati) specialist i emergjencave mjekësore, që ditë e natë punoj në shërbimet e emergjencave të ndryshme dhe brenda mundësive të mia mundohem që sadopak të kujdesem për ata që janë lënë në pas dore nga ata që gojën e kanë plot patriotizëm e nga xhepat u rrjedh djersa e popullit të thjeshtë, e që në të vërtetë u edukuan dhe u shkolluan nga po ata intelektualë që sot shiten si atdhetarë e fetarë dhe në të njëjtën kohë, brenda mundësive të mia mundohem të kryej obligimet e mia fetare pa e penguar askënd dhe pa i bërë të keqen askujt.
Ju zotëri profesor mund të shkruani dhe të thoni çfarë të doni, por ju lutem ndaloni së fyeri dhe sulmuari besimtarët dhe besimtaret e thjeshtë/a që kërkojnë xhami dhe mundohen të kryejnë obligimet e tyre fetare të cilat Krijuesi i tyre Suprem i kërkon nga ta, merruni më atë punë që e dini më së miri, të paktën na i vërtetoni disa teza të çuditshme tuajat, si p.sh tezën se kinse serbët paskan prejardhje nga turqit etj., dhe ua lëni punën e sekteve dhe grupacioneve në Islam atyre që janë të thirrur për këtë punë.

RINGJALLJA E VEHABIZMIT

Shkruan: Prof.Dr. Skender RIZAJ

Çfarë është Vehabizmi?!

 Vehabizmi është një sekt fetar i krijuar në Arabi. Ky sekt është krijuar më 1764 nga shehu i quajtur Muhammed bin Abdylvehab. Sekti është pagëzuar vehabizëm sipas emrit të atit të Muhammed bin Abylvehabit. Sipas vehabinjve, feja islame nga burimi i saj është larguar, është prishur. Fenë duhet futur në kryeradhën e vjetër. Prandaj duhet mbështetur vetëm në Kur’an, gjërat të tjera duhet hedhur poshtë. Duhet ndaluar vizita e varrit të Pejgamberit (Muhammed) dhe të titullarëve të tjerë.
Me kohë vehabizmi filloi të zhvillohet - të përhapet. Vehabinjtë në Arabi krijuan një shtet. Princi Ibnussuud hyri në Mekke. Të gjitha tyrbet i rrënoi. Cigarishtet dhe veglat muzikore i dogji. Gjësendet e Profetit Muhammed, që ndodheshin në tyrben e tij në Medine, i vodhi. Njerëzit që kishin ardhur për në haxhillëk i vrau. Në këtë kohë haxhillëku u ndërpre.
Kjo ngjarje nuk ishte një kryengritje për pavarësi nga osmanët, por ishte një lëvizje për çrrënjosjen e Perandorisë Osmane. Sepse Perandoria Osmane mbështetej në Fenë Islame dhe në Kalifat [sulltani ishte perandor, po edhe kalif - Përfaqësues i Profetit Muhammed]. Vehabinjtë synonin t’i rrënonin këto dy themelata.
Meqë Perandoria Osmane ishte e angazhuar në luftë kundër Kryengritjes serbe, dhe me Rusinë, nuk kishte mundësi të merrej me vehabinjtë. Prandaj i urdhëroi valiut të Egjiptit Mehmet Ali Pashës (shqiptar) që t’i dënojë vehabinjtë. Mehmet Ali Pasha të birin, Tosunin, e dërgoi kundër vehabinjve. Tosun Pasha vehabinjtë i mundi, me ç’rast Meken dhe Medinën i shpëtoi nga këta barbarë(1813). Por, puna nuk mbaroi me këtë. Lufta vazhdoi deri më 1818. Më 1815 shefi i vehabinjve vdiq. Udhëheqjen e mori në dorë biri i tij. Mes Tosun Pashës dhe liderit të ri të vehabinjve u zbvilluan shumë përleshje. Në fund Tosun Pasha u fuqizua. Vehabinjtë i mundi, shefin e tyre e zu rob, dhe e dërgoi në Stamboll. Udhëheqësit e vehabinjve në Stamboll u varrën. Në këtë mënyrë lëvizja e vehabinjve mori fund (1818). (Shih: M. Çağatay Uluçay, Tarih Ansiklopedisi, Istanbul, 1967, 488).


Vehabizmi, dorë e zgjatur e pansllavizmit

Vehabizmi, në të vërtetë, është dorë e zgjatur e pansllavizmit. D.m.th., Sektin e vehabinjve e ka krijuar pansllavizmi, më saktë Rusia pansllaviste, me qëllim për të krijuar përçarje në botën islame, dhe për ta shkatërruar Perandorinë Osmane, e në Stamboll, për ta vendosur kryeqytetin e Rusisë. Prandaj, pansllavizmi Stambollin (Islam-boll = Boll myslimanë) e pagëzoi Carigrad = qytet i carëve rusë. Kështu, Rusia synonte për t’u bërë supërfuqi botërore.
Fatkeqësisht, në ditët tona, vehabizmi, sinonim bashkëkohor i pansllavizmit, është ringjallur, dhe, me veprimtarinë e tij barbare, kriminele, inkuzitore, ka marrë hov në prishjen e harmonisë ndërnjerëzore, nderfetare, ndërkombëtare në botë në përgjithësi, e në Botën Islame, në veçanti.
Mendoj dhe besoj se shumica e vehabinjve: për shkak të injorancës së tyre; për shkak të fanatizmit të tyre; për shkak të korruptimit të tyre, nuk janë të vetëdijshëm se veprimtaria e tyre është në kundërshtim të plotë me parimet themelore të Fesë Islame, fe kjo e cila është, siç ka dëshmuar historia përgjatë rrjedhës së saj, fe liberale, fe tolerante, fe përparimtare - qytetëruese.


Përkundrazi, vehabizmi:

1) Më 18 Maj 1981, nënshtetasi turk, kurdi Vehabi, bëri atentat në Papa Gjon Palin II, të cilin e plagosi rrënd, vetëm e vetëm pse ky personalitet i shquar, luftonte, me mish e shpirt, në krijimin e harmonisë ndërnjerëzore, ndërfetare dhe ndërkombëtare në botë, d.m.th., orvatej t’i afroj tri fetë monoteiste: islamizmin – krishterimin – hebraizmin.
2) Në Botën Islame, sidomos në Botën Arabe, vehabinjtë, në emër të Kur’anit, po vrasin njerëz të pafajshëm, po qesin bomba në xhami të synitëve dhe të shiitëve gjatë namazit të xhumasë,…
3) Në Turqi, vehabinjtë, po i japin vetës të drejtë, bile edhe kryetarin e Qeverisë së Turqisë, Rexhep Erdogan, ta shpallin për myslimanë jo të mirëfilltë, prandaj organizuan dy atentate kundër tij; shtinë me armë të zjarrta në konsulatat e shteteve të ndryshme, sidomos në atë të SHBA, aleti kryesor i Turqisë. Mirëpo, Qeveria Turke mori masa të duhura kundër këtyre kriminelëve të organizuar. Pra, pikërisht në saje të mbrojtjes së All-llahut xh.sh., Rexhep Erdogani - si mysliman i mirëfilltë - shpëtoi pa pasojë fatale, nga dy atentatët e organizuara nga vehabinjtë kriminelë.
4) Në Shkup, vehabinjtë, duke e pushtuar xhaminë, u orvatën myslimanët syni tradicionalisht, t’i konvertojnë me dhunë në sektin e tyre.
5) Në Bosnjë, vehabinjtë, bënë disa veprime antinjerëzore, antifetare, prandaj nga pushteti vendor u dëbuan.
6) Në Shqipëri vehabinjtë po bëjnë disa veprime tinëzare: përçarëse, sektare, antikombëtare, kundër të cilëve Qeveria Shqiptare duhet të merrë masa më të rrepta, përkundrazi…
7) Vehabinjtë shqipfolës, gjatë viteve të fundit, kur këta rebelë filluan të shfaqen në Kosovë, rrënuan shumë varreza myslimane dhe objekte kulturore-fetare islame shekullore; në këto ditë, në Pejë organizuan demonstrata kundër ngritjes së përmendores “Nëna Tereza”; në Prishtinë, njëherë bënë namaz në oborrin e Fakultetit Filozofik - Filologjik, përballë katedrales “Nëna Tereza”, me ç’rast në tokë i kishin paluar 4-5 Kur’ana, për t’i treguar opinionit se vetëm këta janë myslimanë të devotshëm; e pastaj (disa ditë më vonë), m’u në këtë truall, me lopata filluan simbolikisht t’i hapin themelet e një xhamie, sepse, kinse, nuk po kanë ku t’i lutën All-llahut. Jo vetëm kaq.

Komuna e Prishtinës vonohet në caktimin e lokacionit për xhami

Në Prishtinë, në xhumatë e fundit, vehabinjtë e bllokuan rrugën kryesore, përballë Parlamentit dhe Xhamisë së Çarshisë, duke falur namazin e xhumasë, në shenjë proteste që Komuna është vonuar me caktimin e lokacionit për xhami më të madhe në qendër të qytetit e cila do t’i përmbushte kërkesat e shumta të besimtarëve, të cilët tashmë një kohë të gjatë janë duke pritur nga Komuna e Prishtinës që të caktojë lokacionin për besimtarët, kërkesë që është shtruar edhe shumë herë nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Sipas të gjitha gjasave, vehabinjtë i kallën dy vetura të EULEX-it.
Të gjitha këto sjellje jo të hijshme, të cilat po shfaqen si rrebesh në historinë bashkëkohore të shqiptarëve martirë, po e dëmtojnë dukshëm imazhin e shqiptarëve në botë, nga një anë, si dhe veprimet e këtilla të tyre janë simptoma që po na japin mundësi të kuptojmë – të parashikojmë shfaqjen e një tërmeti të fuqishëm, pasojat katastrofike e të cilit nuk mund të parallogarisim, nga ana tjetër.
Prandaj, për t’i amortizuar, sadopak, këto dridhje të tërmetit artificial dhe shkatërrimtar të mundshëm, mendoj, që duhet të merren urgjentisht këto masa:
1) Që Komuna e Prishtinës sa më parë ta caktojë lokacionin për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës.
2) Që Ministria e Arsimit ta miratojë programin e mësimit të fesë, e kështu rinia e shqiptarëve myslimanë të edukohet dhe të arsimohet institucionalisht në frymën e Islamit Muhammedan, që daton nga shekulli VII, e jo nga sektarët vehabinj xhahilë, që daton nga shekulli XIX.
3) Që Kryesia e Bashkësisë Islame të distancohet botërisht dhe institucionalisht nga veprimet antislame të vehabinjve fraksionistë.
4) Që organet e sigurimit dhe të drejtësisë së Republikës së Kosovës të marrin masa përkatëse kundër vandalizmave të këtyre anarkistëve bashkëkohorë.
Përkundrazi, xhynahet (mëkatët) e këtyre katër institucineve të Republikës së Kosovës, për qëndrimin duarkryq të tyre ndaj këtyre dukurive të rrezikshme, nuk do t’ia falë as Zoti, po as historia, sepse Kosova martire është duke u shndërruar në Irak - në Afganistan të Evropës.

Vehabizmi, një fenomen anti-Islam

Që Vehabizmi është një Lëvizje heretike; që është një fenomen anti Islam; që ky formacion është antiqytetërues, përçarës, na dëshmon më së miri Kur’ani i Shenjtë, në të cilin, kinse, vehabinjtë po mbështetën. Në të mirë të këtij konstatimi, përveç tjerash, flasin këto ajete kuranore:

1) Ja! Unë, vetëm Unë, jam All-llah. Nuk ka Zot përveç Meje. Prandaj, Mua më adhuro, dhe, për të më kujtua Mua, fal namaz. (Kur’an: 20/14).
(Lo! I, even I, am Allah. There is no God save Me. So serve Me and establish worship for My remembrance. (The Koran: 20/14)).

[D.m.th., All-llahu është Sovran - Absolut i mirëfilltë; është Krijues i Gjithësisë; është Krijues i njerëzve; është Krijues i gjuhës njerëzore; është Krijues i kushteve optimale për të jetuar të gjitha krijesave të Tij; është Krijues i diturive dhe të shkencave; prandaj të gjitha krijesat e Tij, në mënyrë specifike, i falënderohen Krijuesit të tyre - Zotit, e njerëzit i falënderohen Zotit në shtëpinë e Tij - në faltore: në sinagoga, në kisha, në xhami… Namazi (falja) është i nevojshëm po qe se në atë rast njeriu bënë meditim transcendetal (vënë lidhje me Zotin), e nëse mendjen njeriu e çon në çështje të kota të Botës materiale, atëherë namazi shkon huq, nuk pranohet nga Zoti. Kështu, Profeti Muhammed ka thënë: “Më mirë është një minut transcendetal (vahj) sesa 100, 1.000 vjet namaz.” Zoti nuk e do formën, por përmbajtjen. Zoti, jo vetëm që di çfarë vepron, çfarë flet, po edhe çfarë mendon njeriu. Atë askush nuk mund ta mashtrojë me djallëzira].

***
2) [O njerëz!] Ju, atëherë, a keni menduar se iu kemi krijuar kot se koti, dhe se ju nuk do të ktheheni te Ne [All-llahu]?!(Kur’an: 23/115)
(Deemed ye then that We had created you for naught, and that ye would not be returned unto Us?! (The Koran: 23/115)).

[All-llahu xh.sh. njerëzit nuk i krijon rastësisht. Përkundrazi, i krijon në kohë të caktuar, në mjedis të caktuar, dhe me mision të caktuar. Ata që e kryejnë misionin e tyre me përkushtim shpërblehen dhe përkrahen nga Krijuesi i tyre, e ata që devijojnë, qoftë në këtë botë, qoftë kur do t’i kthehen Krijuesit në botën tjetër, prej Tij do të marrin dënim të merituar, kuptohet sipas shkallës së mëkatit. Pra, njerëzit lindin - rilindin (ringjallën - reinkarnohen) dhe vdesin - rivdesin. Kështu, sot në botë janë mbi një miliardë myslimanë fetarë - dindarë (formalisht), ndërsa myslimanë besimtarë (imandarë) janë në numër shumë të vogël. Pikërisht për këtë shkak myslimanët, marrë në përgjithësi, janë të përçarë, janë të prapambetur, janë…)].
***
3) Sikur [profeti] Ibrahim që u urdhëroi bijve [ithtarëve] të vet, ashtu edhe [profeti] Jakub [tha]: O bij [ithtarë] të mi! Ja! All-llahu iu ka zgjedhur për ju fenë (dinin) [e mirëfilltë: monoteizmin - islamizmin]; prandaj mos vdisni si njerëzit të cilët kanë kapituluar [para Tij - All-llahut].(Kur’an: 2/132).
(The same did Abraham enjoin upon his sons, and also Jacob (saying): O my sons! Lo! Allah hath chosen for you the (true) religion; therefore die not save as men who have surrendered (unto Him). (The Koran: 2/132)).

[Të gjithë profetët, natyrisht, e kanë predikuar monoteizmin - islamizmin, pra edhe profetët Ibrahim dhe Jakub para 4.000 vjetëve. Me fjalë të tjera, islamizmi nuk daton nga koha e profetit Muhammed, siç mendon shumica e njerëzve, por nga koha e profetit Adam. D.m.th., edhe feja i ka fazat e veta të zhvillimit. Të gjithë profetët, gjatë kryerjes së misionit të tyre, kanë përjetuar peripeci të ndryshme. Bie fjala, ati i profetit Ibrahim, si kryepagan, jo vetëm që nuk i ka besuar të birit, i cili e predikonte monoteizmin - islamizmin, por ka dashur atë, për këtë arsye, për ta mbytur. Porse, profeti Ibrahim, është detyruar ta braktisë vendlindjen - Mesopotaminë (Irakun) dhe të vendoset, njëherë në truallin e Palestinës së sotme, e pastaj në truallin e Arabisë Saudite të sotme, ku sot ndodhet Meka. Këtu, në shkreti, iu rrezikua jeta nga etja. Prandaj, e luti Krijuesin e tij – All-llahun xh.sh. që t’ia shpëtojë jetën. I Plotfuqishmi menjëherë e krijoi Burimin e Ujit, të cilin Profeti Ibrahim e quajti në gjuhën e tij – në pellazgjishte hyjnore Abu Zemzem – Uj Burimi, ndërsa vendin e burimit e quajti Ar-Ab = Tokë – Ujë. Me kohë, toka që ndodhet me qendër në Mekë quhet Arabia, ndërsa banorët e saj arabë = njerëz të tokës së burimit të ujit. Atdheu i Profetit Ibrahim Mesopotamia, po ashtu ka domethënie pellazgjike – shqipe: mes-o-pot-am-a = ama e brezit (pot)(tokësor) (që) o (oshtë) mes (lumenjve Tiger dhe Eufrat). Ndërsa banorët e migruar nga Mesopotamia në krye me Profetin Ibrahim quheshin hikës (ikës) = emigrantë – muhaxhirë. Siç po shihet nga ajeti në fjalë, në të gjitha fazat e historisë ka besimtarë të mirëfilltë (në pakicë), dhe ateistë, paganë (në shumicë). Besimtar i mirëfilltë është vështirë me qenë, sepse njeriu duhet ta luftojë egon e vet, duhet të ketë karakter të fortë, duhet të jetë i moralshëm, duhet të jetë vetëmohues, duhet të jetë tolerant, duhet të jetë bujar, duhet të jetë mirëbërës, duhet të jetë qytetërues, duhet të jetë respektues i të gjitha krijesave të Zotit, pa marrë parasysh së cilës kategori i takojnë ato,…].
4)1. Mirëbërësi [All-llahu]. 2. [Njeriut] ia mësoi (leximin, kuptimin, zbatimin në jetë) të Kur’anit. (Kur’an: 55/1, 2).
(1.The Beneficent [Allah]. 2.Hath made known the Qur’an. (The Koran: 55/1, 2)).

[Me një fjalë, All-llahu xh.sh., nëpërmjet të meditimit transcendetal, profetëve ua mëson t’i lexojnë, t’i kuptojnë dhe t’i zbatojnë shpalljet e Tij hyjnore. D.m.th., mësuesi i profetëve në përgjithësi është All-llahu, kurse mësuesi i njerëzve të zakonshëm janë profetët].
***
5) Muhammedi është lajmëtar (kumtar) i All-llahut. (Kur’an: 48/29).
(Muhammad is the messenger of Allah. (The Koran:48/29)).

E Ne [All-llahu] ty [o Muhammed] nuk të kemi dërguar ndryshe, përveç si prurës e lajmeve të mira dhe paralajmërues për të gjithë njerëzit; por këtë shumica e njerëzve nuk e dinë. (Kur’an: 34/28).
(And We have not sent thee (O Muhammad) save as a bringer of good tidings and a warner unto all mankind; but most of mankind know not.(The Koran:34/28)).

[Me një fjalë Profeti Muhamed është profet universal, i cili i përket njerëzimit në përgjithësi, aq më tepër që edhe ky, sikurse pejgamberët e tjerë, ka qenë pellazg me prejardhje, por i arabizuar. Meqenëse, pellazgët kanë qenë popullatë hyjnore, atëherë pa tjetër që edhe profetët kanë prejardhje pellazgjike. Bazuar në librat e Giuseppe Catapano-s: Thot – Tat – parlava albanese (Profeti Thot – Tata fliste shqip para 12.000 vjetëve); Antichità della Lingua Albanese (…anche Cristo parlò questo idioma (Lashtësia e gjuhës shqipe (…Krishti fliste në këtë gjuhë). Muhammedi është profet universal, sepse ai nuk është dërguar vetëm për ta përsosur monoteizmin – islamizmin, por për t’ua treguar njerëzve, në përgjithësi, rrugën e drejtë, rrugën e qytetërimit, rrugën e humanizmit, qoftë nëpërmjet të Kur’anit, qoftë nëpërmjet të haditheve të tij, të cilat nuk janë gjë tjetër pos komentime të mirëfillta të ajeteve kuranore.).
***
 6)Thuaj [O Muhammed, urdhëron All-llahu xh.sh.]: Unë jam [duke u mbështetur] mbi kuptueshmërinë [e Kur’anit] që mbrohet nga Zoti (Rabbi) im [All-llahu], [Kur’an ky] të Cilin ju [paganë] ndonjëherë jeni duke e mohuar (përgënjeshtuar). Unë [Pejgamberi Muhammed] nuk kam kompetencë [të foli për zbritjen e ajeteve të tjera të Kur’anit] që ju po i kërkoni me nxitim prej meje. Për këtë vendos vetëm All-llahu. Ai [All-llahu] e thotë të vërtetën dhe Ai [All-llahu] është Më i Miri nga Gjykatësit. (Kur’an: 6/57).
(Say: I am (relying) on clear proof from my Lord, while ye deny Him. I have not that for which ye are impatient. The decision is for Allah only. He telleth the truth and He is the Best of Deciders. (The Koran: 6/57)).

[Kur’ani komplet iu ka zbritur Profetit Muhammed – nëpërmjet të medititim transcendetal (vahj), brenda 23 vjetëve. Meqë fjala është për ajetin (vargun) 57 të surës (kaptinës) 6 të Kur’anit të Shenjtë, paganët nuk u besonin shpalljeve hyjnore të zbritura profetit Musa (Mojsi) dhe Isa (Jezus), d.m.th., nuk i besonin pesë sureve të Kur’anit, të zbritura, deri në atë moment, Profetit Muhammed. Për këtë arsye, All-llahu xh.sh. ia ka zbritur këtë ajet Profetit Muhammed, me qëllim që ky t’u përgjigjet kundërshtarëve të All-llahut, të Kur’anit, të atij vetë - Profetit Muhammed. Paganët, në atë kohë, nuk ishin të vetëdijshëm se edhe profeti Musa dhe Isa e kanë predikuar monoteizmin – islamizmin, kuptohet fazat më të hershme të Islamizmit – Monoteizmit. Shpalljet hyjnore që iu kanë zbritur profetëve të përparm, tani, profetit universal – Muhammedit, natyrisht, iu kanë përtëritur. Pra, suret (kaptinat) e Kur’anit 1-46 janë, në të vërtetë, shpalljet hyjnore të zbritura profetëve të përparm (nga Adami e deri të Isai), kurse suret (kaptinat) tjera, nga kaptina 47, e cila quhet Muhammed, e deri të kaptina e fundit - 114, janë shpalljet hyjnore të zbritura vetëm Profetit Muhammed. Kështu është kompletuar Libri i Shenjtë – i quajtur Kur’an. Gjykuar sipas këtij ajeti kuranor All-llahu është autor i Kur’anit, prandaj Ai është edhe mbrojtës i librit të vetë, e jo vehabinjtë myslimanë fiktivë (të rrejshëm), të cilët po rrahin gjoks se këta janë, gjoja, mbrojtës të Kur’anit].
***
7) Thuani (o myslimanë): Ne [myslimanët – besimtarët – monoteistët - imandarët] i besojmë All-llahut dhe shpalljeve hyjnore që na u kanë shpallur neve, si dhe në ato që iu kanë shpallur Ibrahimit, Ismailit, Isakut, Jakubit, fiseve [të Jakubit që ishin 12], si dhe atyre që iu kanë shpallur Musait dhe Isait. Po ashtu u besojmë shpalljeve hyjnore [që iu kanë shpallur drejtpërsëdrejti të gjithë profetëve] nga ana e Zotit (Rabbi) të tyre. Ne [myslimanët] nuk bëjmë dallim ndërmjet tyre (profetëve). Pra, ne [myslimanët] vetëm Atij [All-llahut] iu kemi dorëzuar. (Kur’an:2/136).
(Say (O Muslims): We believe in Allah and that which is revealed unto us and that which was revealed unto Abraham, and Ishmael, and Isac, and Jacob, and the tribes, and that which Moses and Jesus received, and that which the Prophets received from their Lord. We make no distriction between any of them, and unto Him we have surrendered. (The Koran: 2/136)).

[Me një fjalë, myslimanët e mirëfilltë besojnë se All-llahu është Krijues i Gjithësisë, pra edhe i profetëve, të cilët janë, në të vërtetë, mëkëmbësit, zëvendësit, misionarët, lajmëtarët, të deleguarit, zëdhënësit të Absolutit – All-llahut xh. sh. Numri i profetëve – pejgamberëve, sipas një llagarije, kap 142.000 personalitete. Shumica e pejgambereve janë anonimë. Pejgamberët krijojnë qytetërime në kohë të caktuara, në mjedise të caktuara, dhe me veçori të caktuara. Edhe qytetërimet, sikurse çdo krijesë e Krijuesit, e kanë jetëzgjatjen e caktuar nga Krijuesi. Pra, edhe fetë, si një nga elementet e qytetërimeve, evoluojnë – përjetojnë batica dhe zbatica. Myslimanët e mirëfilltë u besojnë vetëm All-llahut, librit të Tij – Kur’anit të Shenjtë, dhe Profetit të Tij – Muhammedit a.s., e jo vehabinjve dallkaukë].
***
 Disa pyetje fundamentale për Vehabistët
 Le të përfundojmë:
Në dhjetëvjetëshin e fundit në Kosovën martire na zbritën, kuptohet nëpërmjet fluturakeve qiellore –UFO-ve, të vetëquajturit vehabinj të shenjtë – myslimanë të mirëfilltë – zbatues të denjë të Kur’anit, prandaj shqiptarët myslimanë syni dhe katolikë, dashur pas dashur, duhet të konvertohen në sektën e tyre – në vehabizëm – madje-madje në mënyrë revolucionare. Me këtë rast, këtyre “myslimanëve të mirëfilltë, këtyre patriotëve të flakët shqipfolës”, ua shtrojë disa pyetje fundamentale.
Pse lejuat, që serbët pansllavistë – barbarë – vandalistë, më 1999:
-ta bëjnë pastrimin fetar dhe kombëtar të Kosovës;
-të vrasin dhe të masakrojnë me dhjetëra mijë shqiptarë myslimanë dhe katolikë;
-të dhunojnë me mijëra gra dhe vasha shqiptare myslimane;
-t’i rrënojnë dhjetëra mijë shtëpia të shqiptarëve myslimanë dhe katolikë;
-t’i rrënojnë me qindra xhamia të myslimanëve suni;
-pse nuk e vizituat kampin famëkeq në Bllacë të Maqedonisë, i cili u shndërrua në varr masiv të një milionë shqiptarëve të molisur dhe të vdekur, e këtë e vizitoi kryetari i SHBA-së Bill Klinton me bashkëshorten, kryetari i Qeverisë së Britanisë së Madhe, Toni Bler, me bashkëshorten, dhe kryetari i Turqisë, Sylejman Demirel;
-pse nuk morët pjesë në çlirimin, se paku, të një pëllëmbe të tokës arbërore, nga kthetrat e barbarëve serbë, por Kosovën martire e çliruan forcat e NATO-s;
-pse e keni shtuar veprimtarinë e juaj antislame dhe antikombëtare shqiptare kur është shtuar veprimtaria diplomatike e Serbisë dhe e Rusisë pansllaviste kundër myslimanëve dhe shqiptarëve, në përgjithësi;
-pse po iu pengon ndërtimi i katedrales së shqiptarëve katolikë në truallin e ish-gjimnazit “Xhevdet Doda”, edhe pse kisha katolike e ka financuar ndërtimin e ndërtesës së re të gjimnazit në fjalë pikërisht afër katedrales;
-pse nuk po iu pengon ndërtimi i kishës ortodokse nga regjimi i kriminelit Sllobodan Milosheviq mu në truallin e uzurpuar të Universitetit të Prishtinës;
-pse Sadam Huseini i Irakut, dhe Gadafi i Libisë ishin aleatë besnikë të Sllobodan Milosheviqit në masakrimin e myslimanëve të Bosnjës dhe të Kosovës;
-pse sot Bota Arabe, marrë në përgjithësi, po heziton për ta njohur Republikën e Kosovës, popullsia e së cilës përbëhet prej myslimanëve shqiptarë, turq, boshnjakë (99%);
-a ishte rastësi apo marrëveshje paraprake pikërisht kur serbët dhe rusët (në dekadën e dytë të shekullit XIX) u ngritën kundër Perandorisë Osmane – për pushtimin e Ballkanit dhe të Stambollit, edhe vahabinjtë u ngritën kundër Perandorisë Osmane, më saktë kundër sulltanit hafife (kalif) (përfaqësues i Profetit Muhammed) dhe shejhylislamit (komentues i Kur’anit), si dhe në Meke i rrënuan të gjitha tyrbet; në Medine i vodhën të gjitha gjësendet nga tyrbja e Profetit Muhammed; i vranë të gjithë haxhillarët...?!

 Kuptimi i Kur’anit

Kur’ani është, pa dyshim, burim i pashtershëm i frymëzimit dhe i diturive. Por, është vështirë për ta kuptuar porosinë e tij, sepse arabishtja kuranore, dhe shkrimi arab i Kur’anit, janë krijuar nga vetë All-llahu xh.sh., i cili këto ia ka mësuar Profetit Muhammed. Arabishtja kuranore, baza e së cilës është pellazgjishtja hyjnore, nuk është arabishtja e beduinëve arabë. Kjo gjuhë është metaforike, figurative, simbolike dhe enciklopedike, prandaj, për t’i kuptuar plotësisht porositë e Kur’anit duhet me pas njohuri nga astronomia, fizika, kimia, matematika, gjeologjia, mjekësia, historia... Bie fjala, në kohën e Profetit Muhammed ishin kacafytur dy hafizllarë, se cili prej tyre ishte duke e lexuar mirë Kur’anin. E pyesin Profetin Muhammed, i cili ka vërejtur se asnjëri prej këtyre dy hafizllarëve nuk ishin duke e lexuar mirë Kur’anin. Porse, Profeti Muhammed, këtyre dy hafizllarëve, u ka thënë: “Të dytë jeni duke e lexuar mirë Kur’anin. Mirëpo, nuk është me rëndësi a po e lexoni mirë Kur’anin, me rëndësi është a po e kuptoni mirë atë, dhe a po i zbatoni në jetë mirë porositë e Tij. Me dijtë që Kur’ani do të shkakton përçarje mes njerëzve unë atë do ta tërheq nga përdorimi. Kur’ani është zbritur për t’i afruar, për t’i bashkuar, për t’i humanizuar, për t’i përparuar njerëzit në çdo pikëpamje. A kuptuat?!” E sot, as ulematë më të lartë arabë nuk e kuptojnë plotësisht Kur’anin, e lëre më vehabinjtë injorantë, anarkistë, pansllavistë. Kur’anin e shpjegon, siç pohohet në Kur’anin e Shenjtë, vetëm koha, d.m.th., Kur’anin e kuptojnë, e komentojnë dhe e zbatojnë në jetë vetëm pejgamberët dhe dijetarët, të cilët pajisen me dituri të duhura nga All – llahu. Pra, Profeti Muhammed dhe Kur’ani nuk i përkasin vetëm arabëve, por të gjithë njerëzve, me qëllim që këta dy faktorë me rëndësi të ndikojnë në mirëqenien e njerëzve, pa marrë parasysh cilës fe, cilit komb, cilës racë i takojnë, sepse të gjithë këta janë krijesa të Zotit. Me rëndësi është që njerëzit të jenë humanë, të jenë tolerantë, të jenë përparimtarë, e mos të jenë barbarë dhe vrasës së njerëzve të pafajshëm. Ngase, gjykuar sipas Kur’anit të Shenjtë, vrasja e një njeriut të pafajshëm është njësoj sikur të vritet e gjithë njerëzimi. Shpirti i çdo njeriut është dhuratë e All-llahut, për këtë arsye vetëm Ai atë mund t’ia marrë njeriut, kuptohet për t’ia lëshuar vendin gjeneratave të ardhshme në mënyrë evolutive. Përndryshe, do t’ishte bërë një kaos i tmerrshëm në këtë botë.
Mysliman (monoteist) i mirëfilltë nuk është ai (ajo) që mban mjekër, që mban kule treçerekëshe, që mban shami në kokë, apo ferexhe në trup, që i falë pesë vakte të namazit, që agjëron gjatë muajit të ramazanit..., por ai (ajo) që ka ndërgjegje të pastër, që ka ndërgjegje kombëtare, që ka vetëdije të plotë për All-llahun, që e frenon egon e vet, pa marrë parasysh personi përkatës a e konsideron vetën budist, hebre, i krishterë, myslimanë apo... Me një rast, një shok i imi më tha: “Unë jam ateist, sepse kurrë nuk kam shkuar në xhami për t’u falur, as nuk agjëroj, por i besoj Zotit, nuk ia dua të keqën askujt, nevojtarëve u ndihmoj në çdo pikëpamje...!” Unë këtij “atiesti” iu përgjigja: “Jooo! Ti nuk je ateist. Ti je mysliman i mirëfilltë. Ti nuk je fetar formal, por je besimtar i devotshëm. Kjo është me rëndësi...!”
Nëse nuk është kështu pse All-llahu xh.sh, tani për tani, ua ka dhanë shpullën e vet myslimanëve dindarë- fetarë (formalisht), kurse në kohën e Kalifatit të Bagdadit, të Kordovës (pas ndërrimit të jetës së Pejgamberit), të Stambollit (prej shekullit XV–XX) myslimanëve imandarë-besimtarë (të mirëfilltë) ua ka dhanë krahun ...?!!!
Atëherë pra, O All-llah i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm, i Gjithëmëshirshëm të lus , si krijesë e Juaj e devotshme, shpëto njerëzimin në përgjithësi, e shqiptarët në veçanti, prej shejtanllëqeve të vehabinjve anarkistë – pansllavistë (ateistë)...

Liria fetare në Kosovë!

Mr. sc. Flamur Hyseni


Kufijtë e ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përcaktohen me aktet ndërkombëtare, Kushtetutën dhe ligjin për lirinë fetare. Si në aspektin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, sa i përket ushtrimit të lirisë fetare ekzistojnë një mori problemesh, jo që kjo çështje nuk është e rregulluar me aktet përkatëse, por që shpesh herë ata të cilët i ushtrojnë këto të drejta dhe liri themelore i tejkalojnë kufijtë e ushtrimit të tyre dhe bien ndesh me këto akte (lidhur me këtë shih shembullin e keqpërdorimit të lirisë së të shprehurit lidhur me lirinë fetare në Danimarkë, rastin e keqpërdorimit të figurës së profetit Muhamed, i cili ishte sulm fyes ndaj figurës së profetit. Kjo e drejtë e lirisë së të shprehurit garantohet edhe në të drejtën islame, ku Islami ua jep të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes të gjithë qytetarëve, me kusht që ajo të përdoret për përhapjen e nderit dhe të vërtetës, e jo për shtimin e të ligës dhe amoralitetit).


Liria fetare, rasti i Kosovës

Historikisht populli shqiptar në Ballkan ka qenë shembull i tolerancës ndërfetare dhe respektues i ushtrimit të lirisë fetare ndaj atyre që kanë respektuar rregullat fetare, pavarësisht se cilës fe i kanë takuar. Me të përfunduar lufta edhe shoqërinë tonë e ka përfshirë modeli i lirisë së pakufizuar (tejkalimi i kufijve të lirisë në përgjithësi dhe rrënimi i sistemit të vlerave dhe kritereve për vlera, ashtu siç është duke u keqpërdorur edhe koncepti i demokracisë si trajtë e regjimit politik, ku shoqëria jonë po funksionon sipas modelit të tejkalimit të kufijve të veprimit që i parasheh korniza ligjore) dhe në këtë drejtim po ndodhë edhe me shfrytëzimin e të drejtave dhe lirive themelore, siç është rasti i disa besimtarëve të fesë myslimane, të cilët me kërkesa euforike po tentojnë të realizojnë kërkesën e tyre për kushte më të mira për t’i kryer ritet e tyre fetare.
Në fillet e shtetndërtimit, shoqërisë kosovare fare nuk i duhet hapja e një debati i cili ka të bëjë me çështje fetare, ku ekzistojnë disa probleme, por ato fare nuk ka nevojë të rriten, sepse përpara këtyre “problemeve”, shoqëria kosovare ka një mori problemesh tjera të cilat janë më urgjente për t’u zgjidhur, sesa këto të cilat janë hapur nga një grup i caktuar i besimtarëve të fesë myslimane.


Realizimi i kërkesës në harmoni me rregullat ligjore
E drejta për të protestuar nuk është gjithmonë mjet kryesor për realizimin e qëllimeve të caktuara të ndonjë grupi, por janë mjetet tjera më paqësore dhe më demokratike për ta realizuar kërkesën për ndonjë qëllim të caktuar, ndërsa protesta (tubimi publik) është mjet i fundit që duhet përdorur për të arritur ndonjë qëllim të caktuar. Rasti i ditëve të fundit i një grupi të besimtarëve të fesë islame nuk është shembull i mirë, se si duhet filluar procesin për ta realizuar një të drejtë të tyre të caktuar, sepse protesta jo gjithmonë mund të fillojë dhe të përfundojë në mënyrë paqësore! Atëherë shtrohet pyetja, a është aq urgjente të ndërmerren hapa kaq euforik nga ky grup i besimtarëve të fesë islame, që përmes protestës t’i shprehin disa mllefe dhe nervozizma të tyre, se kinse atyre nuk po u krijohen kushte të mira nga ana e shtetit për t’i kryer ritet fetare? dhe këta e paskan zgjedhur që faljen e drekës/xhumasë ta kryejnë në rrugë dhe për një orë përmes ushtrimit të lirisë së tyre fetare ta kufizojnë lirinë e lëvizjes të tjerëve dhe të provokojnë forcat e rendit, të cilët kanë autorizime ligjore për ta ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Këtë fare nuk ua garanton Kurani (shih, Liria fetare në botën e qytetëruar konsiderohet dhe është e drejta më fondamentale e humane e çdo bashkësie a populli. Rol vendimtar për vlerësimin e lirisë së besimit në fenë islame luan ekzegjeza e normës kuranore “Në fe nuk ka detyrim (dhunë)” (El-Bekaretu: 256), Deklarata Universale për të drejtat e njeriut, Konventa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për lirinë fetare, nr. 02/L-31.

Liria fetare e garantuar me akte ndërkombëtare dhe kombëtare
Në aspektin ndërkombëtar liria fetare është e garantuar dhe e mbrojtur, por liria fetare është e rregulluar edhe me librat e shenjtë si Kurani dhe Bibla. Konventa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e miratuar në Romë, më 1950, garanton lirinë fetare dhe në dispozitat e saj përcakton: Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si edhe lirinë për të shfaqur fenë e tij ose bindjet e tij individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht, nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve, ndërsa në paragrafin e dytë thotë: Liria e shfaqjes së fesë së tij ose e bindjeve të tij nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato që, të parashikuara me ligj, përbëjnë masat e nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shëndetit ose të moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve (shih Konventën për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nenin 9, paragrafi 1 dhe 2, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë).
Ndërsa në aspektin kombëtar, shtetet demokratike lirinë fetare e kanë klasifikuar si kategori kushtetuese dhe e kanë të rregulluar me ligjin për lirinë fetare, ndërsa shprehimisht e proklamojnë se shteti është i ndarë nga feja sa i përket deklarimit zyrtar të ndonjë feje. Kushtetuta e Republikës së Kosovës këtë e përcakton: Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare (shih nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008).
Republika e Kosovës në Kushtetutën e saj e ka garantuar lirinë fetare, ku në dispozitat e saj përcakton, se: Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj. Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë (shih nenin 38, paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës).
Po ashtu shteti është i ndarë nga feja dhe nuk përzihet në çështje fetare, edhe këtë çështje e ka rregulluar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ku shprehimisht e përcakton, se: Republika e Kosovës siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda territorit të saj. Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare. Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligj (shih nenin 39, paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës).


Përfundim

Prandaj, ushtrimi i lirisë fetare dhe e drejta për realizimin e kërkesës duhet të bëhet me anë të mjeteve paqësore duke respektuar ligjet në fuqi, normat etike të tubimeve publike dhe normat e tolerancës ndërfetare.
Shoqërisë kosovare fare nuk i duhet të futet në raportet e organizatave ndërkombëtare si vend i cili ka probleme fetare dhe është me probleme të lirisë fetare, por duhet të vazhdojë rrugën të cilën e ka pasur deri tani, si një vend ku nuk ka shprehje të ekstremizmave fetarë, sepse në të kundërtën rrezikojmë të futemi si shoqëri dhe si shtet i cili ka grupe ekstreme fetare të cilët kanë probleme me shtetin dhe janë faktor të destabilitetit politik. Në këtë drejtim nëse vazhdohet me shprehje mllefi dhe me veprime të pakulturuara dhe jo demokratike të cilat mund të jenë në kundërshtim me ligjin, shumë shpejt mund të radhitemi në rangun e shteteve të cilat kanë probleme të brendshme fetare (shih raportin e Komisionit të Qeverisë Amerikane për liritë fetare, i cili rekomandon që Egjipti të futet në listën e shteteve që kanë probleme fetare. Disa nga vendet ku ekzistojnë probleme të lirive fetare janë, Kina, Uzbekistani, Turkmenistani, Irani, Iraku dhe Pakistani).
Me provokim të situatës, është e pashmangshme të mos ketë ndërhyrje nga forcat e rendit publik, e kur kjo bëhet, atëherë në shoqëritë me demokraci të brishtë hapet debati shumë shpejt dhe shumë dimensional dhe mekanizmi për zgjidhjen e problemit është shumë i vështirë për t’u gjendur, ndërsa në aspektin ndërkombëtar reflekton si problem shtetëror.
A na duhen problemet fetare dhe debatet fetare në këtë kohë...?

(Autori është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)

Antiislamizmi i fshehur

 

Dr. Skender Rizaj, një personalitet publik, një historian i rrallë jo vetëm për rajonin, por një kalibër botëror, i cili rrjedh nga një familje e pastër islame, familje me moral të lartë si nga babai ashtu edhe nga e ëma, një familje me vlera fetare, kulturore, atdhetare e morale, e cila i shërbeu këtij vendi me vite të tëra si me dijeni ashtu edhe duke mbrojtur vendin edhe në kohën më të vështirë gjatë historisë së vendit tonë. Kontributi juaj në lëmin e historisë ishte kontribut i pashembullt, ishte dhe është një thesar me vlera, një burim i pashtershëm me fakte dhe përshkrime të sakta e të veçanta që për shumë shkencëtarë botërorë ishin frymëzim, inspirim e mësim. Besimi dhe dituria e shëndoshë e bëjnë njeriun të ngritur si në këtë botë (dynja) ashtu edhe në botën tjetër (ahiret), ndërsa mosbesimi dhe injoranca e ulin imazhin e njeriut dhe e zbehin vet epitetin e të quajturit njeri. Ndonjëherë përzierja në atë që nuk të takon të bënë të shihesh në syrin e të tjerëve si injorant, sepse secili njeri vlerësohet me atë që posedon, ku ngrihet me të me aq sa ai di dhe ka njohuri, e në momentin që del nga kornizat e fushës së tij dhe tenton të behet diçka çfarë realisht nuk është , nga ky çast e tërë vlera e tij humbet.
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) në një ndër thëniet e tij të shumta përmend:"Veprat shpërblehen në bazë të qëllimit. Ndërsa, në po të njëjtën formë ka ardhur edhe thënia tjetër e tij: "Veprat shpërblehen sipas përfundimit."
Atë që përmban qëllimi (nijeti) i një personi, atë e dëshmon dhe vepra tij. Njeriu mund të mbanë në veten e tij me vite të tëra parime, të cilat nuk i shfaq deri në kohën e caktuar, e kur të vjen ajo kohë shfaq gjithë realitetin e tij që përmban në zemrën e tij sikur që shfaqen kërpudhat pas shiut, ku nga ato mund të gjesh të shëndosha, por shumica e tyre janë helmuese.

Kush mbjell urrejtje ndërfetare në vendin tonë
Karnavali i shkrimeve antiislamike nga islamofobët në kohën e fundit janë bere sikur serialet latinoamerikane, të cilat shfaqen nga njerëz të pamoralshëm, njerëz të llojit të ultë pavarësisht çfarë grade intelektuale ka, ku për qëllim kanë mbjelljen e antivlerave dhe çrrënjosjen e moralit dhe vlerave të cilën nuk arriti komunizmi me shekuj të realizojë, ndërsa pasardhësit e komunizmit po e vazhdojnë të njëjtën shkollë, vetëm me emër tjetër
"Nxitësi është më i keq sesa vrasësi", parim i zbritur nga Allahu i Lartmadhëruar për të gjithë krijesat, për të gjitha racat dhe kombet, për të gjitha besimet, e kush mund të quhet nxitës? Ai person, i cili flet për diçka që nuk është kompetentë, fut mendimet e tij aty ku nuk është vendi e as koha, vlerëson diçka me gënjeshtra dhe shpifje. Personat të cilët bëjnë këto lloje shkrime mund t'i përshkruajmë në këto mënyra:
a) Personi që bën këtë shkrim me të vërtetë ka këto bindje në zemrën e tij, pavarësisht sa të ulëta mund të jenë ato;
b) Ose është i korruptuar për të bërë një përshkrim sa më tendencioz;
c) Ose është i kërcënuar, ku detyrohet të bëjë një përshkrim për gjëra që edhe ai është kundër tyre;
d) Ose personit të tillë ka filluar t'i ikën mendja si pasojë e pleqërisë apo ndonjë sëmundje psikike.

Të thënat e pavërteta të dr. Skender Rizajt

1) "...Demonstrata e realizuar në qytetin e Pejës kundër bustit të Terezës"
-Në qytetin e Pejës nuk ka ndodh as në të kaluarën e as në të tashmen një demonstratë e tillë, e gjitha çfarë ka ndodhur dhe e cila është zyrtare është një peticion ku qytetarët e këtij qyteti kanë shpreh pakënaqësinë për bustin, si bust e jo si personalitet, duke u nisur nga ajo që qyteti mos të shndërrohet si një vend pagan i stërmbushur me buste të ndryshme që i ngjajnë idhujve.

2) "...Shkatërrimi i dy veturave të EULEX-it"
-Historiani i nderuar ka ngatërruar ndoshta emrat e lëvizjeve në Kosovë, ku në vend qe t'i dedikohet kjo fyerje "Vetëvendosjes", të cilët shkatërruar makinat e EULEX-it në të kaluarën e jo për këtë të etiketohet dikush tjetër.

3) "...Kundër ndërtimit të Katedrales"
-Ne si mysliman të Kosovës deklarohemi dhe jemi deklaruar edhe më herët se nëse kërkohet nevoja për Katedrale prapë, ku njerëzit të zbatojnë besimin e tyre në vendet e tyre që kërkohet, në jemi ata që do i përkrahim në çdo aspekt, jo vetëm në kryeqytet po në çdo vend të Kosovës dhe asnjëherë nuk kemi qenë e as nuk jemi kundër asnjë objekti fetar në vendin tonë, ku këtë e kemi dëshmuar me shekuj.

Për hir të transparencës nga aspekti teologjik
a) Muhamedi (paqja qoftë mbi të) prej kohës kur ka vdekur e deri në ditën kur do të ringjallet ka qenë në atë varrë e do të jetë deri në ringjallje, kurrë nuk ka ekzistuar TYRBE në emër të tij dhe në vendin e tij dhe kurrë nuk është dëmtuar apo vjedhur diçka nga varri i tij.

b) Haxhi kurrë nuk është ndaluar për dikë prej momentit që është obliguar për myslimanet dhe nuk do të ndalohet, sepse Muhamedi (paqja qoftë mbi të ) ka lajmëruar se dy gjëra nuk do të ndalen deri në ditën e fundit të kësaj bote, njëra nga të dyja është: Tavafi - sjellja rreth Qabesë.
Ndoshta dr. Skender Riza, haxh e quan edhe sjelljen rreth varreve të sekteve të ndryshme të devijuara, ku këto sekte janë kundërshtuar edhe nga vetë Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të).

c) Konflikti në mes të Perandorisë Osmane dhe Abdul Vehabit nuk ka ndodhur asnjëherë, kjo ka qenë propagandë nga propagandat e armikut të asaj kohe, britanikëve, ku dëshiruan të fusin në konflikt myslimanët në mes vete, shkollë të cilën i nderuari dr. Skender Riza është duke e luajtur tani në këtë kohë në vendin tonë.

d) I etiketon myslimanët që falen namazin në hapësirë te xhamia e çarshisë si njerëz të paguar dhe ia mveshin dhe emrin Vehabi, e nëse ata janë të paguar dhe janë Vehabi, atëherë edhe Bashkësia Islame e Kosovës qenka Bashkësi Vehabiste, sepse ata përkrahën iniciativën e xhematit mysliman që kërkonin objekt për t'u falur e hiq më shumë, e ky xhemat pranon plotësisht institucionin e Bashkësisë Islame dhe Bashkësia Islame është institucion për çdo mysliman jotendencioz dhe ujin kah Bashkësia Islame dr. Skender Riza e çon për shkak të konflikteve personale që kishte në të kaluarën Dr. Skenderi me Bashkësinë Islame.

Kush është kompetent për të sqaruar parimet kur'anore
Të flasësh për një fushë të caktuar duhet të dihet baza e saj si fillim e pastaj të futet studimi i detaleve. Në këtë rast dr. Skender Riza i jep vetës së tij prioritet që të komenton versetet dhe parimet Kur'anore nga qejfet dhe egoja e tij. Tani si është e mundshme të kuptoni dhe komentoni Kur'anin kur nuk keni njohuri për Gjuhën Arabe, ndërsa të gjitha komentimet (tefsiret) janë në këtë gjuhë, a thua vallë nxirrni konkluzione duke u bazuar në komentimet e përkthyera në gjuhën shqipe?

- Çfarë shkolle teologjike ka të kryer dr. Skender Rizaj?

- Nëse rridhni nga një familje hoxhallarësh, kjo nuk të inkurajon që të merrni këtë epitet edhe ju, sepse ata kanë dëshmuar vetën e tyre me studime të kësaj fushe, ndërsa ti ke një lëmi tjetër ku mbështet mendimet tua për historinë qofshin ato iluzione apo reale, ku edhe nëse gabon nuk çon shumë peshë, por të gabosh në teologji do devijosh mbarë njerëzimin.


Kush është mysliman i mirëfilltë?
Allahu i Lartmadhëruar kur e krijoi njerëzimin i vendosi një rrugë dhe rregull që duhet ndjekur, ku ai që i përmbahet kësaj rruge do shpërblehet, ndërsa ai që është përbuzës do të ndëshkohet. Allahu i Lartmadhëruar i obligoi myslimanët me namaz, agjërim, zekat, haxh dhe obligime të tjera, ku Allahu i Lartmadhëruar thotë: "Nuk i krijova njerëzit dhe xhinët për tjetër vetëm se të më adhuroj e mua ", e ky adhurim si mund te kryhet tjetër vetëm se duke përfillur obligimet me të cilat jemi të angazhuar. Me çudit fakti kur dr. Skender Rizaj injoron namazin, agjërimin, zekatin, haxhin, për faktin se rrjedh nga familja myslimane e mirëfilltë dhe është vetë veprues dhe falës i namazit me më shumë se 20 vjet, e nëse kjo është e pavlerë, atëherë përse harxhove mbi 20 vjet në diçka të pavlerë? Pastaj, babai i të nderuarit dr. Skenderit mbante mjekër dhe kule të veshura, ndërsa nëna e tij mbante mbulesën dhe ishin praktikues të pashembullt të islamit. A thua edhe prindërit e tij futën nën termin antiislamik, se paku kështu dr. Skenderi i përshkruan në shkrimet e tij. Nga i gjithë shkrimi tendencioz i dr. Skender Rizës mund të mësojmë se ky person është kundër fesë islame si fillim, pastaj ia humb vlerën dhe meritat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku i falënderohet vetëm NATO-ja që ne sot jemi të lirë e shqiptarët që u vranë e masakruan nuk paskan vlerë sipas tij, është jofalënderues dhe jorespektues për vetë familjen e tij si për prindërit po ashtu edhe familjes së gjerë, e ai i cili nuk i falënderon dhe nuk i respekton njerëzit, nuk e falënderon e as nuk e respekton as Zotin. Këshilla jonë si OJQ "Forumi i të Rinjve Myslimanë për dr. Skenderin do ishte që më reale dhe më produktive do të ishte që të anonte kah besimi i familjes së tij Suni, sesa të anojë kah besimi dhe parimet e kota të familjes së gruas së tij bektashi!
Forumi i të Rinjve Myslimanë - Behar Beqiri, Noli Zhita

Më t’korruptuar se burokratët e UNMIK-istanit - janë vetëm këta kosovarët “tanë”!

 
Shkruan: Bardhyl Metaj

Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZGJK), gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) gjatë vitit 2010 ka evidencuar parregullsi bizare dhe të turpshme për një vend me buxhet aq të vogël, e një vend me krizë të jashtëzakonshme financiare, si dhe shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë.
Në fotot që përshkruajnë lajmin kishin dalë të dy ministrat e Ministrisë së Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, nën mandatin e të cilit kishin ngjarë keqpërdorimet bizare e të turpshme, si dhe ky aktual, Bedri Hamza! Aferim redaktorit të fotografisë, ngase një foto flet më shumë se një mijë fjalë. Fotoja fliste se një e njëjta shkollë administrimi e menaxhimi vazhdon të jetë edhe sot...

Çanta "Prada" e "Gucci" për lap-topët e burokratëve shpenzues!

Në raportin e Auditorit lexova absurde nga më t'përdalat: Dy çanta për llap-topë ishin blerë në një vlerë marramendëse prej 700 eurove! Dy nga tri ofertat e pranuara për këto çanta magjike lap-topësh e kanë vulën e të njëjtit ofertues. A thua të jenë çanta të markave "Gucci", "Prada", apo "Versace"! Në këtë vlerë, në tregun kosovar blihen lap-topë, e jo çanta!?
Edhe në tenderin për furnizim me vetura, Auditori kish gjetur - e si t'mos gjejë, kur sillen si n'bahçe t'babës, apo edhe ma zi - favorizim të kompanisë së caktuar nga Ministria në fjalë. Gjatë rishikimit të tenderit "Blerja e veturave", Auditori ka vërejtur se specifikacioni teknik i tenderit është përgatitur në mënyrë preferenciale, duke e përshkruar tipin e veturave, ku vlera financiare e dy veturave ishte, as më pak e as më shumë, se 98 400 euro.
Me gjasë, n'këtë Ministri, sikur edhe në Qeveritë Thaçi, përgjithësisht, është etabluar mendësia e boss-ave dhe magnatëve botërorë, andaj - veprojnë në stilin, kur ke lap-top të 3000 eurove, të duhet edhe çanta për të e 300-400 eurove. Paj, nuk bënë bre pa të hiç! Paramendojeni situatën, me pas Sekretarja amerikane e Shtetit, çantën ma të mirë e ma të shtrenjtë të lap-topit, se sa aparatçiku ynë n'Ministrinë që ndan para të krejt Kosovës! S'e rrok, hiç...! Por, këtu s'mbaron:
Dorën në zemër, kur ke veturë të 50 000 eurove, lap-top të 3 000 eurove, çantë lap-topi "Prada" prej 400 eurove - atëherë duhet të kesh edhe iPhone të 1 200 eurove - dhe natyrisht, kur i ke të gjitha këto, s'mund të shtegtosh në udhëtime zyrtare ulur afër, me turli qytetari n'aeroplan:
Në këtë ministri, Auditori ka gjetur kur në tri raste të atestuara, d.m.th gjithherë (tri janë testuar, e në të tria rastet është vepruar njëjtë) - Ministria e Ekonomisë dhe Financave i ka paguar biletat e udhëtimit për klasën e biznesit, e jo ato "economy": vlera e një bilete të paguar për person, në secilin rast, ishte 3 091 euro, 3 087 euro, dhe 3 042 euro!!! Kah kanë udhëtuar, Zoti e di! Me aq t`holla, shkohet edhe n'Honollullu n'pushim dy javësh, inkluziv hotelin, ushqimin dhe udhëtimin!!!
Auditori Gjeneral ka gjetur keqpërdorime e përvetësime makabre edhe në pagesën lidhur me botimin e broshurave, ku është hasur mospërputhje midis sasisë së kërkuar të broshurave, shumës së faturuar dhe asaj të pranuar. "Pagesës së datës 22.11.2010, në vlerë totale prej 15 537 €, i janë bashkangjitur dy fatura, njëra në vlerë prej 8 444€ dhe tjetra 7 093€. Faturat e bashkëngjitura tregojnë obligimin ndaj Operatorit Ekonomik për publikimin e 5 500 broshurave. Ndërkaq, auditori ka marrë dëshminë për pranimin e vetëm 800 broshurave nga Ministria!!! Si rrjedhojë, Auditori ka hasur diferencën mes broshurave të kërkuara - porositura, dhe atyre të pranuara e të faturuara dhe të paguara. Diferenca është 4 700 copë, në vlerë prej 8 787", thuhet në raport: që shqip i bie - Ministrisë i janë dashur 800 broshura, sa edhe ka pranuar, kurse në "financa" janë paraqitur fatura të fryra, nja 10-fish! Mazën dhe dallimin, pasi janë tundë "letrat", e ka hangër "terri" e nata ballkanike, e cila në këto troje di të zgjasë edhe 500 vjet!
Njëjtë ka ngjarë edhe në tenderin "Relacionet me publikun dhe botimet për nevojat e MEF-it". Është konstatuar se dy nga këta tre ofertues nuk i kishin plotësuar kriteret e përzgjedhjes...
Auditori Gjeneral i Kosovës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, natyrisht, ka gjetur dosje të pakompletuar të personelit! Më shkurt, prej kafes, restorantit a ceremonisë së çajit, te ndonjë dajë a teze, janë futur njerëz në punë: "Auditori - "Ne kemi vërejtur disa raste kur dosjeve të personelit u mungojnë dokumente dhe të dhëna personale bazë, siç janë: aplikacionet për punësim, dëshmi për shkollimin e mbaruar, dokumente dhe vendime të komisionit të pranimit, vlerësimi vjetor dhe përshkrimi i vendit të punës".
Pse i solla këto hollësi keqpërdorimesh?
Thjesht, ngase flasin më shumë se "dosjet" e tenderëve të mëdhenj! Te këto "cikërrime", z. Ahmet Shala thjesht shpalon kulturën e tij të punës, ndërgjegjen e tij, etikën e moralin ndaj parasë publike e asaj të taksapaguesve kosovarë! Natyrisht se te tenderët e mëdhenj, "letrat" janë më të sofistikuara, të retushuara më me kujdes, të paketuara më mirë...! Por, kam uzdajë se s'ka me mbet megjithatë askush pa u përballë me drejtësinë dhe përgjegjësinë!
Këto hollësi keqpërdorimesh i solla edhe nga fakti i thjeshtë se në gjithë botën për këso keqpërdorimesh: e para shkarkohen shefat e departamenteve përkatëse, ata që nënshkruajnë lejen për shpenzime e investime t'kota, t'pa asnjë kandar e krejtësisht makabre dhe t'ankthshme, sikur që shkarkohen me automatizëm edhe ata që udhëheqin me prokurimin - kurse e dyta, pas pushimit të tyre nga puna, vetë Ministria apo kompania i paraqet rastet në Prokurori dhe nis procedurë penale...
Pse s'ngjan e njëjta n'Kosovë? Me gjasë, ngase kanë t'gjithë, fillue nga ministri e teposhtë, të njëjtën pakulturë, apo t'njëjtën "kulturë uzurpimi"! Ku karshi keqpërdorimeve t'shefit të madh, e mbyllin gojën, sytë e hundën, shefit prej të cilit ndërvaren - kurse ata më poshtë, ndërkaq, mbyllin sytë gojën dhe prapanicën karshi të bërave e të pabërave të të gjitha llojeve të shefave!
***
Pse ngjan kështu në Kosovë? Çfarë populli qenkemi? Si s'ekziston aspak ndjesi për paranë publike, paranë e kontributet e taksapaguesve? A bëhet më mirë sikur të vijnë ministra të tjerë? Po sikur të vijnë parti të tjera në pushtet, a ka shenja se do të gjuhen në mbeturina, e të dërgohen me pranga keqpërdoruesit e tillë? A ka gjasa që të tjerët që vijnë t'mos jenë kaq uzurpatorë, kaq të pamëshirshëm? Kush mund ta ndalë, e si mund të ndalet kjo theqafje nacionale? Çfarë po bën prokuroria dhe gjyqësia? A ka gjasa që ajo të ngjallet, të këndellet, apo të dyja, prokuroria dhe gjyqësia janë në ndërvarshmëri personale, materiale e meskine me politikën dhe bosët e tregtisë, dhe po flirton me të gjithë bashkë?
Ka aq shumë pyetje pa përgjigje në këtë vazhdë, por që si të tilla, janë bërë temë bisedash, e spirale, e cila po e çon në depresion kolektiv këtë vend!
***
A i blen vetes një biznesmen relativisht i kamur kosovar, i cili ka edhe vila në Brezovicë e gjetiu - çantë lap-topi prej 300 eurosh, a udhëton në Business-Class dhe paguan për një fluturim në Evropë 3 091 euro?
Natyrisht, se jo! Natyrisht se jo, ngase s'bëjnë as biznesmenë dhe as shefa koncernesh botërore! Mos po flas muhalife, e po nënqesh ministri Shala, duke thënë 'eh more Bardhyl, s'e di ti si shkojnë këto punë'?
Nëse po, atëherë e ka shumë keq! Në kohën kur ministri Shala ka mbajtur kurse të lodhta t'anglishtes, kam qenë për vite drejtor ekzekutiv i shtëpisë më të madhe medieve në botë, në Bertelsmann - për Zvicër! Isha aty si drejtor, bashkë me 357 drejtorë të tjerë kompanish te Bertelsmannit, të shtrirë në gjithë globin e botës! Dhe kishim rregulla strikte se çfarë makinash na blinte kompania (asnjëherë mbi 30 000 euro), dhe të gjitha makinat bliheshin nga i njëjti prodhues, ku kompania e kishte siguruar zbritjen prej 30%! Alamet drejtorësh botërorë të kompanisë më të madhe të medieve botërore edhe lap-topët i kishim të gjithë të njëjtë, gjithashtu të siguruar me zbritje marramendëse! Të gjithë ne, qoftë unë, si drejtor i Zvicrës së vogël (me qarkullim vjetor 112 milionë, 300 punëtorë), çoftë drejtori i "Random House", që e kishte një qarkullim vjetor prej 2,5 miliardësh, apo ai i RTL-it Group (TV), që kishte qarkullim vjetor prej 5,6 miliardësh, kur udhëtonim në Gütersloh për raportim 6-mujorë te pronari dhe Bordi, e kishim të njëjtin hotel, të njëjtat bileta aeroplani, e të njëjtën kulturë kursimi...! Me 104 419 punëtorë, diku afërsisht 357 drejtorë gjeneralë, dhe afërsisht 5 400 të tjerë, drejtorë kreativë e financiarë, të gjithë ne kishim rregulla të njëjta prokurimi, status të njëjtë e privilegje krejtësisht identike! Natyrisht, dallonin të ardhurat dhe bonuset, në varësi të suksesit menaxherial!
Se si ngjau që te ne të udhëheqë një kastë që punën e parë në CV t'i kenë postet si kryeministër e ministra, dhe si ngjau ky mallkim që zanatin e burokratit keqpërdorues, ta mësojnë nga aparatçikë të OKB-së, të cilët pa pikë rahmeti e trajtojnë paranë e kësaj organizate - këtë nuk e di! Si mund të riparohet ky defekt nacional, as këtë s'e di! Se po presin n'rend me i kërcye kësaj makinerie, e me keqpërdor më profesionalisht se paraardhësi, këtë e di unë dhe e gjithë Kosova! E di gjithashtu, sikur edhe ju të dashur lexues, se më t'korruptuar se burokratët e UNMIK-istanit - në gjithë rruzullin, janë vetëm këta kosovarët tanë qeverisës!


Popullsia e botës po plaket gjithnjë e më tepër

 
Shkruan:Sami Behrami


Moshnimi demografik dhe ngrohja globale

Një tekst në "Ekonomist"-in londineze fillonte me këtë paralajmërim për qendrat e vendosjes "harrojeni Irakun, Kjoto, Gjyqin Ndërkombëtar!". Ekziston një fushë, e cila mund të jetë më e rëndësishme se të gjitha këto. Ajo është demografia.
Niveli i ndryshëm i zhvillimit ekonomik të pjesëve të ndryshme të botës është përcjellë me ndikim të ndryshëm të aspekteve demografike dhe zhvillimin e shoqërive. Zhvillimi ekonomik dhe demografik në mes veti janë të kushtëzuar, edhe pse zhvillimi pozitiv i njërës komponentë nuk implikon gjithherë stimulim të zhvillimit edhe të komponentës tjetër.
Në kuadër të zhvillimit të popullsisë një ndër strukturat më të rëndësishme është struktura e popullsisë sipas moshës, nga e cila në masë të madhe varet zhvillimi i përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik i një popullate të caktuar.
Ekzistojnë disa klasifikime të popullsisë sipas moshës, por ndarja më e shpeshtë është ndarja në: popullsia e re (0-14 vjet), popullsia e pjekur (15-64 vjet) dhe popullsia e vjetër (mbi 65 vjet). Duke u bazuar në këtë ndarje në varshmëri nga pjesëmarrja e popullsisë së vjetër në popullsinë e përgjithshme dallojmë katër lloje (tipa) të popullsisë: popullatat e reja (pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është nën 4 për qind), popullatat e pjekura ( ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është në mes 4- 6 për qind), popullatat e vjetra (ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është mbi 7-10 për qind) dhe popullatat shumë të vjetra (ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është mbi 10 për qind të popullsisë se përgjithshme) - klasifikimi sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara.
Në radhë të parë, rëndësi e strukturës së moshës qëndron në faktin se popullsia e botës po shkon me ritme të përshpejtuara drejt plakjes (moshënimit demografik), duke e shndërruar mos-shënimin në fenomen, i cili ka përfshirë gati të gjitha vendet e botës (mund të flitet për moshnimin si proces botëror), i cili më pas do të përcillet me perkusione demografike, social dhe ekonomike. Kështu moshënimi demografik është shndërruar në temën më të rëndësishme të botës moderne, sidomos në vendet e zhvilluara, në radhë të parë të kontinentit të Evropës.
Për mos-shënimin demografik si proces ekzistojnë definicione të ndryshme, por më i përhapuri në literaturën demografike është definicioni i cili nënkupton rritjen e numrit të popullsisë së grupmoshave mbi 65 vjet në popullsinë e përgjithshme - koeficienti i vjetërsisë. Për dallim nga definicioni i parë, mos-shënimi demografik shprehet edhe me nivelin e ngarkesës së kontingjentit të punës (15-64 vjet) me popullsi të vjetër - koeficienti i ngarkesës së popullsisë së punës me të moshuar, ose numrin e popullsisë se vjetër në raport me popullsinë e re (0-14 vjet) - indeksi i moshnimit.

Treguesit kryesor të moshnimit te popullsisë
Procesi i moshnimit demografik në aspekt global, në vendet e zhvilluara dhe të pazhvilluara do të trajtohet nëpërmjet këtyre treguesve:
- Rritja e numrit të përgjithshëm të popullsisë sipas grupmoshave
- Koeficienti i vjetërsisë dhe
- Indeksi i moshnimit.
1. Faktet kryesore të cilat e vërtetojnë konstatimin se popullsia e botës gjithnjë e më tepër po plaket janë trendët e rritjes së numrit të përgjithshëm dhe popullsisë sipas grupmoshave. Në periudhën 55-vjeçare (1950-2005), popullsia e përgjithshme e botës është shtuar për 2,6 herë. Në të njëjtën kohë popullsia e grupmoshës 0-14 vjet ka treguar rritje për 2,1 herë, grupmosha 15-64 vjet për 2,7 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet për 3,7 herë. Pra, shikuar në përmasa globale, ritmi i shtimit të popullsi së grupmoshave 0-14 vjet ka qen më i ulët se ritmet e shtimit të popullsisë së përgjithshme, grupmoshat 15-64 vjet kanë pasur ritëm të njëjtë të shtimit, kurse grupmoshat e vjetra mbi 65 vjet kanë pasur ritëm shumë më të shpejtë të rritjes së të gjitha grupmoshave dhe numri i përgjithshëm i popullsisë.
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara në periudhën e njëjtë, popullsia e përgjithshme ka treguar rritje për 3,1 herë, grupmosha 0-14 vjet ka treguar rritje për 2,5 herë, grupmosha 15-64 për 3,3 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet ka treguar rritje për 4,4 herë.
Pra, popullsia e moshuar është rritur për 2 herë më shpejt se popullsia e re dhe 1,1 herë më shpejt se popullsia e përgjithshme, që tregon se nga ky proces janë përfshirë edhe vendet në zhvillim dhe ato të pazhvilluara.
Në vendet e zhvilluara si pasojë e moshnimit në periudhën e njëjtë, popullsia e përgjithshme është rritur për 1,5 herë, grupmosha 0-14 vjet ka treguar zvogëlim për 9,7%, grupmosha 15-64 vjet për 1,5 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet është rritur për 2,9 herë.
Në 25 vjetët e ardhshme, trendi i moshnimit pritet të përshpejtohet. Kështu, me përmasa globale popullsia e re pritet të rritet për vetëm 3,6%, popullsia e pjekur pritet të rritet për 29,5%, popullsia e grupmoshave të vjetra do të dyfishohet (rritet për 104,9%).

Koeficienti i vjetërsisë
Edhe në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara trendet e rritjes priten të jenë shumë më të favorshme për grupmoshat e vjetra. Popullsia e re pritet të rritet për vetëm 4,9%, popullsia e pjekur (moshës së punës) për 37,8%, kurse popullsia e vjetër do të rritet për gati 2,5 herë, ose për 137,9%.
2. Pjesëmarrja e grupmoshave të vjetra në kuadër të numrit të përgjithshme të popullsisë - koeficienti i vjetërsisë, tregon se popullsia e botës po shkon drejt plakjes me trend të përshpejtuar, i cili do të përshpejtohet edhe më tepër në 25 vjetët e ardhshme.
Përqindja e grupmoshave të reja me përmasa globale ka pësuar zvogëlim nga 34,2% (1950) në 28,3% (2005) dhe pritet të zvogëlohet në 23% (2030), grupmosha 15-64 ka pasur dhe pritet të ketë ngritje të lehtë nga 60,7% (1950) në 65,3% (2030), kurse pjesëmarrja e grupmoshave të vjetra (mbi 65 vjet) e ka rritur pjesëmarrjen nga 5,2% (1950) në 7,3% (2005), ndërsa në 25 vjetët e ardhshme trendët e rritjes së kësaj grupmoshe do të jenë edhe më të shpejta, për të arritur në 12% të popullsisë së përgjithshme (2030).
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, grupmosha 0-14 vjet ka treguar ulje të pjesëmarrjes nga 37,4% (1950) në 30,9% (2005), për t'u përshpejtuar dhe arritur në 24,4% (2030), kurse grupmosha mbi 65 vjet ka treguar rritje të pjesëmarrjes nga 3,9% (1950) n, 5,5% (2005) për të arritur në 9,8% (2030).
Vendet e zhvilluara karakterizohen me pjesëmarrje të ulët të grupmoshave të reja dhe pjesëmarrje të lartë të grupmoshave të vjetra. Kështu, grupmosha 0-14 vjet e ka ulur pjesëmarrjen nga 27,4% (1950) në 17,0% (2005) për të vazhduar në 15,2% (2030), kurse grupmosha mbi 65 vjet e ka rritur pjesëmarrjen nga 7,9% (1950) në 15,3% (2005) për të vazhduar në 22,4% (2030).
Përderisa vendet e zhvilluara (në përgjithësi) në fazën e moshnimit janë futur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara janë në fund të etapës së pjekurisë dhe pritet që në vitin 2017 të futen edhe këto në fazën e parë të moshnimit.
3. Indeksi i moshnimit, i cili paraqet pjesëmarrjen e popullsisë së vjetër në popullsinë e re, gjithashtu tregon se popullsia e botës po plaket, kurse trendi do të përshpejtohet në 25 vjetët e ardhshme. Vlera kritike e indeksit të moshnimit është 40%. ose 0,40 (llogaritet kur moshnimi i kalon këto vlera, popullsia e atij vendi ose regjioni është në proces të moshnimit).
Në aspekt global, indeksi i moshnimit në vitin 1950 ishte 15,1%, për të arritur në 25,9% (2005) dhe pritet të vazhdojë me intensitet të përshpejtuar, për të arritur në 51,1% (2030).
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, gjendja sa i përket indeksit të moshnimit kishte këto tende: 10,4% (1950), për të arritur në 17,8% (2005) dhe në 40,5% (2030).

Indeksi i moshnimit shënon rritje
Vendet e zhvilluara qysh në vitin 1950 ishin afër futjes në procesin e moshnimit me indeks të moshnimit, 28,8%. Në vitin 2005, popullsia e moshuar dhe popullsia e re në vendet e zhvilluar ishin afër nivelizimit (89,7%), kurse në vitin 2030 popullsia e moshuar do të jetë dukshëm në numër më të madh (indeksi i moshnimit 147,5%), ose popullsia e moshuar do të jetë për 47,6% më e madhe se sa popullsia e re.
Në këtë aspekt, popullsia e Evropës, veç në fillim të këtij shekulli kishte numër më të madh të popullsisë mbi 65 vjet, se sa popullsi të re, 0-14 vjet.
Siç shihet nga të dhënat e prezantuara, mund të konstatohet se moshnimi i popullsisë është proces konstant, i cili do të përshpejtohet në 25 vjetët e ardhshme, kurse kulminacionin pritet ta arrij rreth viteve të '30-ta të këtij shekulli.
Shumë vende të zhvilluara me procesin e moshnimit janë ballafaquar që nga shekulli XVIII (vendet e Evropës Perëndimore), ndërsa sot ato janë futur në moshnim të thellë, ku grupmosha mbi 65 vjet përbën me tepër se 15 e 20% të popullsisë së përgjithshme, kurse në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim procesi i moshnimit paraqitet në fillim të shekullit XXI. Pra, me fillimin e shekullit të ri, procesi i moshnimit ka përfshirë edhe vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, të cilat përbëjnë mbi 80% të popullsisë së përgjithshme dhe të cilat paraqesin potencialin kryesor demografik botëror.
Shikuar në aspektin regjional, në pozitë më të pavolitshme sa u përket trendëve të moshnimit të popullsisë, ndodhet popullsia e kontinenti të Evropës si kontinenti me i zhvilluar. Popullsia e Evropës qysh në vitin 1950, me 8,2% të popullsisë së moshuar ishte futur në procesin e moshnimit. Nga numri i përgjithshëm i shteteve të Evropës (2008), 56% karakterizohen me moshnim të thellë, ku grupmosha mbi 65 vjet përbën 15-20% të popullsisë së përgjithshme, në 31,7% të shteteve niveli i koeficientit të vjetërsi ishte mes 12-15%, kurse në 12,2% të shteteve, kjo shifër lëvizte në mes 9-12%. Në vitin 2030, në Evropë pritet që çdo i 5 banor i Evropës të jetë i moshës mbi 65 vjet.

Edhe Kosova po "plaket"
Shikuar nga ky aspekt, as popullsia e Kosovës nuk mund të jetë përjashtim. Edhe pse mungojnë të dhënat për popullsinë sipas moshës (të dhënat e regjistrimit 2011 ende të papërpunuara) për një periudhë të gjatë kohore sa i përket strukturës së popullsisë sipas moshës, zvogëlomi i numrit të lindshmërisë për afro 40% në vitin 2006, në krahasim me vitin 1988, tregon se popullsia e Kosovës ka filluar të plaket nga baza (zvogëlimi i grupmoshave të popullsisë së re si pasojë e uljes së nivelit të lindshmëri).
Moshnimi demografik ka implikime negative dhe afatgjata në zhvillimin e mëtejmë demografik, shoqëror dhe ekonomik.
Sa u përket perkusioneve demografike të moshnimit të popullsisë, ato në radhë të parë ndikojnë në: shkallen e rritjes së popullsisë, në nivelin e natalitetit (me zvogëlimin e kontingjentit fertil), në nivelin e mortalitetit, në lëvizjet migruese, në ndryshimet e strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë etj.
Në aspektin ekonomik, perkusionet negative të moshnimit të popullsisë shprehen nëpërmjet zvogëlimit të numrit të popullsisë së moshës së punës, në nivelin e aktivitetit ekonomik, plakjen e fuqisë punëtore (zvogëlimi i produktivitetit), rritjen e presionit në fondet personale, shëndetësore etj.
Si pasojë e ritmeve të shpejta të moshnimit të popullsisë botërore, Instituti Ndërkombëtar i Analizave Sistematike me seli në Vjenë ka konstatuar se rritja e popullsisë botërore gjatë këtij shekulli do të jetë dukshëm më e ngadalshme se në shekullin e kaluar dhe nuk do të përputhet me parashikimet demografike të mëhershme, të cilat parashikonin që popullsia e botës do të arrijë në 10-12 miliardë banorë në fund të shekullit XXI (Divizioni i Popullsisë i OKB-së, 2000). Rritje të vazhdueshme të popullsisë botërore, sipas këtij instituti, do të ketë deri në vitin 2075, kur popullsia botërore pritet të arrijë në 9 miliardë banorë, kurse në fund të shekullit pritet që ky numër të zvogëlohet në 8,5 miliardë banorë. Pra, zvogëlimi i numrit të popullsisë pritet të ndodhë brenda këtij shekulli.
Shekulli XXI do të jetë shekull i të moshuarve me tendenca intensive të moshnimit, i cili si proces deri më sot nuk është shënuar në historinë e njerëzimit. Ndryshime e tilla të strukturës moshore të popullsisë do të paraqiten si faktor (më) i rëndësishëm, si për vendet e zhvilluara, e po ashtu edhe për ato në zhvillim, i cili kërkon përgjigje sa më të shpejtë, si në nivelin global, po ashtu edhe në atë lokal, siç është angazhimi në lidhje me ndryshimet klimatike - moshënimi demografik = ngrohja globale.
Kombet e Bashkuara në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, me qëllim të përmirësimi të kushteve jetësore dhe zhvillimit të qëndrueshëm demografik në nivel global, por edhe në atë lokal, shpallen Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit me orientim në drejtim të plotësimit, që do të ndikonte në përmirësimin dhe ngritjen e standardit të popullsisë, mirëpo vetëm kjo qasje nuk mjafton. Këtë më së miri e ilustron rasti i vendeve të zhvilluara, të cilat, edhe pse i kanë plotësuar të gjitha Objektivat e Mileniumit, nuk kanë arritur të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm demografik.
Autori është magjistër i shkencave të Gjeografisë-Demografisë.
e-mail: sami_behrami@yahoo.com

Cila është feja e shqiptarit?

Shkruan:Fadil Lepaja

Javët e fundit, përkundër shirave dhe temperaturave të ulëta, ishin të nxehta në kuptimin politik nëpërmjet ngritjes së një lëvizjeje, e cila shpreh pretendimet se në Kosovë dhe veçanërisht në Prishtinë ka një numër të pamjaftueshëm të xhamive dhe, sidomos, ka deklarata se besimtarët islamë me qëllim dhe me politikë të paramenduar janë diskriminuar duke refuzuar kërkesat e vazhdueshme për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të qytetit. Një xhamie që përpos vend ku do t’i luteshin Zotit, do të ishte edhe simbol dhe legjitimim i pranisë së besimit islam në Kosovë.

Orientimi ynë evropian
Në fakt, në qendër të Prishtinës, vetëm Katedralja katolike u ndërtua pa kundërshtime serioze. Në njëfarë mënyre në heshtje ishte pranuar fakti se ajo e përfaqësonte orientimin tonë evropian. Më problematike u paraqit situata me kishën ortodokse, e cila edhe sot e kësaj dite është jashtë funksionit, nëse nuk llogaritim përdorimin e saj për nevoja fiziologjike, apo nga grupet e ndryshme të të rinjve. E filluar me motive politike, nga ish-pushteti i instaluar serb në Kosovë, dhe me një vendimmarrje krejtësisht të kontestueshme, ajo pas largimit të policisë dhe ushtrisë serbe për të ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje përfundimtare nga pushteti kosovar, apo ai ndërkombëtar. Kërkesa për xhami ndërkaq nuk është krejt e re. Organizata të fuqishme financiare arabo-islamike edhe më herët kishin shprehur kërkesën për një qendër të madhe islamike. Nuk kishte deri tash ndonjë lëvizje autoktone për këtë çështje. Se objektet aktuale nuk i plotësojnë kërkesat, kjo shihet me sy gjatë çdo feste fetare, e mbase edhe në çdo të premte. Falja publike e xhumasë nëpër sheshe dhe rrugë, e cila degjeneroi në konflikt ndërmjet besimtarëve dhe shtetit (policisë) e shtroi këtë çështje për zgjidhje para vendimmarrësve administrativë dhe politikë. Kur një grup i të rinjve, krye në vete e zgjodhi hapësirën se ku do të ishte vendi më i përshtatshëm për Xhaminë e Qendrës, si e quajtën ata, çështja mori karakter të lëvizjes qytetare për xhami. Dorën në zemër, menjëherë u lajmëruan edhe ata që synojnë për të krijuar fronte edhe aty ku nuk ka dhe i akuzuan organizatorët për hiç më pak se lidhje me terrorizmin islamik. Pra, këtu mbyllet rrethi, dhe detyrimisht hapet procesi për zgjidhjen e përfaqësimit dhe rehabilitimit publik të besimeve në këtë vend. Isa Mustafa, si kryetar i zgjedhur i këtij qyteti, ndodhet para një vendimi të madh. A do ta rrënojë një çerdhe, a do ta falë ndonjë truall pak më tutje, në periferi, apo do të japë leje të ndërtohet xhamia ballë për ballë me katedralen e madhe, në mes kishës ortodokse dhe katedrales katolike? Vendimi i administratës së tij do të jetë njëkohësisht edhe shpallje e strategjisë së tij për bashkëjetesën fetare në Kosovë, raportin ndërmjet tyre dhe raportin e tyre me shtetin. Pra, i kemi tri objekte me specifika të veçanta dhe të cilat duhet të rehatohen brenda një strategjie afatgjatë. E kemi një katedrale të madhe katolike, në pjesën më të dukshme të qytetit, e cila, sipas disave, ka gjasë t’i zërë krejt besimtarët katolikë në këtë vend. R kemi një kishë ortodokse në një vend qendror po ashtu, aktualisht jashtë funksionit dhe pa “xhemat”, edhe pse në Kosovë ka malazias, maqedonas, shqiptarë (shumë pak) dhe serbë të besimit ortodoks.

Mungesa e hapësirës
Në anën tjetër, e kemi një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit mysliman, i cili ka problem me hapësirën dhe ende nuk ka një xhami reprezentative në kryeqytet. Tash me këtë lëvizje ka shprehur aspiratat që ajo të ndërtohet pikërisht midis dy kishave. Derisa çështja e kishës ortodokse është tashmë e natyrës politike, çështja e xhamisë do të ishte mirë të mos rrëshqasë në atë terren. Nëse besimtarët myslimanë do të ndihen të viktimizuar dhe të pabarabartë, kështu do të bartet problemi në terren politik dhe do ta krijojë bazën për lëvizjen autoktone të islamit politik në Kosovë, e cila paraqet mënyrën më të sigurt për largim nga rruga evropiane. Por, me një qasje të mençur, të sinqertë dhe civilizuese, krejt kjo mund të përfundojë thjesht si një lëvizje, e cila e ngriti një xhami, në mesin e objekteve të tjera reprezentative fetare dhe të cilët janë pjesë e identitetit të këtij vendi, i cili synon integrimet në Evropën e lirë, e cila njeh, respekton dhe afirmon liritë qytetare dhe të besimeve. Intelektualët dhe vendimmarrësit e këtij vendi gjithsesi do t’i japin drejtim çështjes se cila do të jetë rruga autentike e Kosovës lidhur me këtë çështje. Ata të cilët jetojnë nga fondet e majme antiterror, do të ishte mirë të heshtin dhe ta luftojnë terrorizmin aty ku realisht ekziston, e jo të përpiqen për ta krijuar atë me çdo kusht.

Rusia i përgjigjet Donald Trump, tregon kushtet për një armëpushim me Ukrainën dhe situata globale në botë

Kërko brenda në imazh                  Shkruan Flori Bruqi, PHD Për Rusinë, refuzimi i Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n është një eleme...