Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/18

FALENDERIME PËR UDHËN E KOMBIT




(Shkrimi i fundit i librit “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut)

Dhe në fund falenderimet e mia! Me gojën plot falenderoj të gjithë taksapaguesit e këtij vendi me kontributin e të cilëve u bë i mundur realizimi i Udhës, falenderoj ideuesit e saj, ata të hershmit që nuk patën fatin ta shohin dhe ideuesit e rinj që guxuan t’u japin jetë ëndrrave ndër breza. Kjo Udhë është vepër e popullit dhe kombit shqiptar, realizuar me mundin, djersën dhe kursimet e tij.

Njëmijë falenderime për ndërtuesit, mijëra puntorë e specialistë të “Bechtel & Enka”, “Geci”, “Graniti”, etj., mbi të cilët u hodh jo pak baltë, por tash të gjithë pajtohen se ata me këmbëngulje e pa bujë kanë ndërtuar një vepër sipas standarteve europiane.

Falenderoj qeveritarët shqiptarë, veçanërisht Qeverinë e Dr. Berishës që vullnetin e saj e materializoi duke marrë përgjegjësinë dhe duke përballuar presionet e vështirësive financiare, presionet e dukshme dhe të padukshme dhe që brenda një kohe të shkurtër ia doli të shembë malin e pengesave. Për herë të parë metafora “dritë në fund të tunelit” u bë realitet dhe të gjithë kuptuam se përmes kësaj Udhe ne hymë në shekullin e ri krahas me popujt e tjerë të familjes europiane, me të cilët na pati ndarë dhunshëm nata otomane. Për herë të parë u bëmë krejt optimist se ne shqiptarët jemi të aftë të ndërtojmë çdo vepër sado komplekse dhe e kushtueshme të jetë.

Deri në vitet 1940, për të shkuar në Kukës duhej të udhëtoje ose nga Maqedonia, në Prizren e në Kukës, ose nga Mali i Zi, në Pejë, Gjakovë, Prizren e Kukës. Rajoni, mespërmes të cilit u ndërtua Udha e Kombit, ka qenë rajoni më i lënë pas dore, më i përbuzuri, më i braktisuri. Falë kësaj Udhe, ky rajon tashmë është i hapur për të gjithë, shqiptarë, serbë, grekë, bullgarë, hungarezë, rumunë, italianë etj.

Duke falenderuar për ndërtimin e kësaj Udhe në mënyrë të veçantë doktor Berishën, shpresoj të jem zëdhënësi i gjyshërve e i prindërve të mi dhe i qindra mijë shqiptarëve të braktisur në fatin e tyre në kurthin e maleve të begata që prodhonin minerale dhe dritë edhe për të tjerët, por edhe jo pak përbuzje e ironi pushtetarësh që pollën slloganin poshtërues të ndihmës për zonën e varfër verilindore.

 Dhe në vend të ndihmës reale sollën edhe dublantët komikë që shtuan varfërinë dhe kastën burokratike të regjimit komunist.

Falenderoj presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugovën, i cili, si vizionar që ishte dhe si udhëheqës që e donte fort vendin e tij, nuk reshti së kërkuari ndërtimin e Udhës së Kombit, udhë që i krijon dhe ofron mundësi Kosovës, kombit dhe gjithë rajonit.

Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që kundërshtuan ndërtimin e Udhës së Kombit, sidomos ata që përmes medias shprehën lirisht mendimet e tyre. Falenderoj ata që ndërruan mendje, u penduan dhe u pajtuan me Udhën dhe ata që nuk kanë ndërmend të pajtohen. I falenderoj sepse ata më nxitën të bëj këtë libër. Pavarësisht shkallës emocionale, polemika ime është krejt miqësore e vëllazërore.

Kjo Udhë - Urë pohoi në emër të secilit prej nesh, se aty ku bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë është një Hapsirë shqiptare e Bashkuar dhe e pandashme. Miqtë tanë që mbështetën ndërtimin e saj e kuptuan aftësinë tonë përbashkuese në kushte lufte dhe paqeje. Kjo aftësi na ka shndërruar në faktor përcaktues për fatin e rajonit. Kemi flakur kështu rolin e viktimës së planifikuar të dëbohej e të çfarosej nga trojet e veta dhe po marrim në dorë gjithnjë e më shumë fatin tonë.

Diskutime të mëdha e sherrnaja për vepra të tilla do të ketë gjithnjë në vendin tonë. Me sa duket kundërshtitë, mospajtimet e mospëlqimet sa të natyrshme dhe të brendshme edhe për një kohë do të nxiten nga duar të huaja që kanë hartuar memorandume çfarosje dhe ende kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët. Mirëpo mbas sherreve të rastit pasardhësit do të kthjellohen dhe do të reflektojnë duke u kujtuar për këtë Udhë që nuk zbriti nga qielli, por ua lanë trashëgim baballarët e tyre.

Ata do t’i rikthehen kësaj kohe duke hyrë në sheshbetejën e fjalëve, shpifjeve sharjeve mallkimeve, do të shohin si ndërtuesit kombdashës kapërcyen terrenin e mjegulluar nga tymi i shashkave mediatike duke përshpejtuar ritmet e punës.

Përmes këtij libri shpresoj të kuptohet më mirë se sa llogje janë bërë në kohën e luftës për Udhën – Urën e Kombit, sa nerva janë acaruar, sa qejfe të mëdha e të vogla janë prishur, sa buzë janë shtrëmbëruar, sa armata e taborre shpifësish, kundërshtarësh janë inkuadruar e motorrizuar kundër saj.

Shpresoj gjithashtu të ndriçohet një e vërtetë me shumë vlerë për sot dhe nesër : Kjo udhë u bë shkollë për shqiptarët. Shkollë për ndërtuesit shqiptarë, shkollë për politikën shqiptare, gur prove për aftësitë dhe guximin tonë. Ajo do të na japë gjithë besimin e duhur se nuk ka gjë që nuk ndërtohet në këtë vend, mjafton të arrihet vullneti i duhur i vendimarrësve.

 Tash që u shemb muri shqiptar i Berlinit dhe u ça mespërmes mali i Rrunës me një tunel 11.6 km, që duke lidhë Mirditën me Lumën, lidh edhe pjesët e ndara të kombit, tuneli përmes Kërrabës për në Elbasan duket një shaka e vogël, ngjan me një punë dukshëm më të vogël.

Udha e Kombit (epo e tillë është, mos i rrudh ende buzët ti kundërshtar i vogël…) na mbushi me optimizëm, me besim dhe shpresë.

Gjithkush e di dhe beson tani se edhe pse vërtetë në këtë vend janë bërë e bëhen edhe plot gjëra të gabuara ose të nxituara, edhe pse bëjmë e nuk bëjmë gjëra të vogla, jemi tani në të drejtën tonë e të Zotit të besojmë se këtu bëhen e mund të bëhen edhe gjëra të mëdha, punë të mëdha, nga ato që mund të bëhen një herë në njëqind vjet, siç është kjo Udhë - Urë që nuk e bashkon vetëm politikisht e administrativisht kombin shqiptar, por e bashkon shpirtërisht duke i afruar njerzit e një gjuhe e një gjaku, duke ua shkurtuar kohën dhe rritur komoditetin për të shkuar tek njëri – tjetri.

Kjo Udhë në fund të fundit tregoi forcën e shtetit shqiptar. Ajo është përmendorja e fuqive dhe aftësive tona.
Urime të ndjera zemre do të marrë përjetësisht Udha e Kombit nga gjithë biznesmenët shqiptarë e jo shqiptarë, nga gjithë prodhuesit shqiptarë e jo shqiptarë që synojnë treg rajonal, nga gjithë banorët e bregdetit shqiptar, për të cilët u çelen mundësi të mëdha, nga të gjitha periferitë e qyteteve shqiptare që do të dinë të krijojnë një agroturizëm të lakmueshëm.

Do të urojnë përjetësisht njerzit e çdo profesioni, rrace e kombi që do të kalojnë këtej pari. Kjo është Udha që do të paqëtojë rajonin. Edhe serbët që e kanë lakmuar përjetësisht detin Adriatik do të kenë mundësi të vijnë paqësisht nëpër Udhën e shqiptarëve, të cilët do të kenë mundësi gjithashtu që përmes Beogradit të shkojnë drejt Europës Qëndrore.

Udha krijon kushte e mundësi më të mëdha për të begatuar krejt vendin, që të mos e braktisim më, të mos e shkretojmë me ikje e ikje pafund.

Mundësi punësimi shtohen, mundësi të mbërritjes lehtë te tregu shtohen. Ajo Udhë besoj do të ndikojë të na shtojë si shqiptarë, që të vijë dita të bëhemi më shumë brenda Hapësirës sonë në Ballkan se sa jemi të derdhur drejt zhdukjes në shtete të tjera për të rinuar e zdrrallur kombe që plaken me shpejtësi, për të mos u shndërruar në material gjenetik e biologjik për të tjerët.

Falenderoj ngrohtësisht redaktorin e këtij libri, mikun tim Izet Duraku, i cili për këtë libër, më shumë se për shkrimet dhe librat e tjerë të mitë, më ka kushtuar kohë, mund, përkujdesje, vëmendje të madhe, më ka nxitur të shtoj forcën e argumenteve.

Nderim dhe mirënjohje të thellë dua të shpreh për një grup intelektualësh të nderuar, miq të mi dhe miq të Udhës së Kombit, nga Vlora, Kavaja, Durrësi, Tirana, Elbasani, Kruja, Mirdita, Dibra, Kukësi, Hasi, Tropoja, Gjakova dhe Prishtina, që u solidarizuan me mua dhe falë kontributit e ndihmës së tyre financiare u mundësua printimi i këtij libri. Faleminderit!

Falenderoj fëmijët e mi, familjen time, miqtë dhe të afërmit e mi, që më kanë mirëkuptuar pse ju kam munguar teksa merresha me këtë libër.

Falenderoj përzemërsisht gjithë miqtë e përfshirë në Apologjinë e Miqve si bashkmendimtarë që më kanë frymëzuar dhe më kanë mbushur me dashuri e besim. Faleminderit të gjithëve!

Edhe atyre që i njoh përsonalisht edhe atyre që nuk i njoh nga afër.

Rexhep Shahu

Tiranë, prill, 2012

2012/05/17

Kush ishin Arnautashët, Z. Oliver Jens Schmitt?






Shkruan:Fahri Xharra

”Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë, nuk është aq i panjohur për evropianët e perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët. E megjithatë, ata janë popull kryesor, të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës. Por… ata sot nuk luajnë më ndonjë rol të veçantë.

Ata janë të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është po aq i padrejtë, sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata që nuk i ka prirë fati.” (Johan Tunman, 1774, Leipzig, “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”.)

“Ishim të panjohur, sepse nuk donin të na njihnin. ”Lahyvlevelatë” na sundonin, na shkombëtarizonin, na ndërronin fenë, me çdo lloj metode; dhe ne mbeteshim të panjohur për të tjerët. Z. Tunman e dinte këtë dhe donte që botës së civilizuar t`ia rikujtonte se në mesin e tyre ishin edhe shqiptarët. Shikoje dhe lexoje Zotin Tunman, 1774 !, hala pa u formuar serbët si serbë.

Sot bota e di se ne ku jemi dhe si jemi, por na dalin të rinjtë që mundohen në “emër të shkencës së të pavërtetës historike“ të na i rrumcullojnë rrënjët dhe të na paraqesin pak a shumë si jashtëtokësorë (E.T.) të ardhur diku në fillimin e lulëzimit të Perandorisë Osmane, apo jo zoti Schmitt?

Vala e islamizimit pas vitit 1389

Kush ishin Arnautashët? “Pas Betejës së Kosovës (1389), serbët e këtushëm u shpërndanë. Një numër i madh i tyre përfunduan në Shqipëri ku filloi vala e madhe e islamizimit të tyre. Të bijtë dhe nipërit e atyre serbëve të cilët kishin luftuar në Kosovë gjithmonë e paskan pas ruajtur kujtimin e tyre për gjyshërit e dikurshëm- shpjegon historiani Gjuretiq, duke shtuar se mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe, dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës.”

Por, islamizimi më i madh i serbëve, Z. Schmitt, sipas burimeve të tyre, qenka rritur shumë në shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII, sepse si arnautashë ata paskan pas më shumë të drejta ose sipas burimeve të tjera shumë serbë e paskan pas pranuar islamizimin si një domosdoshmëri të dreqit, duke pritur gjithmonë që një ditë do të kthehen në rrjedhën e të parëve të tyre. Shumë gjenerata të para të konvertuara në islam e paskan pas ruajtur gjuhën e tyre dhe festat e tyre fetare.

Ndoshta jam gabim; mos janë këta shqiptarët e shkretë që e pësuan këtë Fatkeqësi, Z. Schmitt?

Por, vazhdohet më tutje në shkrimet e tyre ( e që janë me mijëra), pra albanizimi i serbëve të islamizuar u bë te ata serbë që nuk ua ndiente më për ndjenjën kombëtare dhe u martuan me vajza të komuniteteve fisnore shqiptare.(?) Për një kohë të gjatë historike ata të konvertuarit u quajtën nga serbet ortodoks, si arnautashë.

Por, për çudi, ata arnautashët nuk e paskan pas ndier veten as si turq e as si shqiptarë, por ato sot nuk po e ndiekan vetën më as si serbë.

Deri në fundin e shekullit 19-të arnautashë të shumtë i mbanin mbiemrat e tyre të vjetër Në Drenicë paskan pas qenë Dokiqt, Veliqt, Marushiqt, Zoniqt, Raçiqt, Geciqt, të cilët shih që ishin me origjinë serbe. Situatë e njëjtë ishte edhe në Pejë dhe rrethinën e saj ku jetonin shumë serbë të islamizuar dhe albanizuar:Stepanoviqt, Bojkoviqt, Dekiqt, Lekiqt, Stojkoviqt etj.

A nuk është kjo vjedhje e pafytyrë e historisë?

Duke kaluar nëpër Kosovë e Metohi, S. Gopçeviq paska pas qëndruar gjatë në Prizren. Të dhënat që ai paska pas mbledhur i paskan pas treguar një shkallë të lartë të islamizimit të serbëve të Prizrenit; kurse Gjakova shënohet si vend i 4.100 familjeve nga të cilat 161 të serbëve kristian ( shkijet e rajës; shqiptarët ortodoks f. xh.), 130 të shqiptarëve katolikë e të tjerët shqiptarë të islamizuar.


Shkrime sipasinteresave serbe

Në Prishtinë paskan pas jetuar 3510 familje, nga të cilat 350 të serbëve të krishterë, 2600 (!) të serbëve mohamedan, 260 familje turqish, 70 të hebrenjve dhe vetëm 70 të shqiptarëve dhe të tjerëve.(?)

Bogdanoviqi (Knjiga o Kosovu, Dimitrije Bogdanoviq 1985) shpjegon se “populli serb ishte viktimë e jo vetë një stihijeje, por e një plani për zhdukjen fizike te tij”. Kurse për Samarxhiqin, 1989, shkruan “Arbanasit”, që në shek. XVI ishin ekspanziv dhe se turqit ishin ata që i lejuan mbi serbët që “si gozhda e ndryshkur të mbijnë mbi dheun e tyre të lashtë (të Serbisë?)”

Autorët e vjetër serbë i përshkruanin shqiptarët si “zullumqarë”, “bisha të tërbuar”( Ristiq, 1864); si dhe “arbanasët e egjër”, të cilët ishin “thjesht barinj të egjër” ( Sreçkoviq, 1888).

Thjesht shkruhej ashtu, si atyre iu shkonte për shtati.

Herë shkruhej për ne që ishim si “bisha”, “barinj të egjër”, që nuk dinim të bëjmë shtet, kur ishte në pyetje ndarja e tokave, e herë shkruhej për ne se ishim arnautashë, serbë të islamizuar dhe të albanizuar, kur iu duhej përvetësimi ynë karshi botës.

E dumbaba, rrinte si karagjoz dhe vetëm vërente dhe se çdo gjë shkonte mirë sipas “planit”. Bota nuk na lypte, serbët na bënin jashtëtokësorë( aliena), e turku heshtte.

Na këshillove, Z. Schmitt që të kërkojmë rrënjët tona diku nga Anadolli dhe me pashatë turq ( që shumica prej tyre ishin të tanët, mjerisht) të fillojmë shpurdhje të historisë sonë.

Një burrë i mençur i Evropës ka pas thënë se vetëm atëherë kur shqiptarët e shkruajnë vetë historinë, atëherë ajo është historia e tyre.

Të vazhdojmë me arnautashët e serbëve.

Së pari një pyetje tjetër, pse turku nuk na thirri ashtu si quheshim, por na e tha se jemi arnautë? Pse kurrë nuk doli t’i shpjegojë botës se këtë racë që po e shtypi me shekuj, edhe këta e kanë origjinën e tyre? e kishte të vështirë? Jo, thjesht nuk donte.
Po, me çfarë dokumente e fakte historike serbet e morën guximin që të përvetësojnë një popull dhe t`i qitet hi syve të botës se këtu paska pasur vetëm serbë?

E ne, historia jonë që daton që nga pellazgët, ilirët, arbrit dhe shqiptarët, të heshtim dhe të pranojmë atë se çka shkruanin serbët, apo jo i nderuar?

Trojet shqiptare, në pazar

Nuk jemi fejtonistë, por letrat e shkruara janë të lexueshme, ato edhe komentohen. A nuk është e vërtetë se me shpartallimin e perandorisë osmane trojet shqiptare u nxorën në pazar nga vetë perandoria për t’i joshur apetitet sllavo-ortodokse të Moskës, Beogradit e Athinës. Prej më shumë se 100 mijë km², Shqipëria londineze ngeli vetëm me rreth 28 mijë km² , sepse të tjerat u aneksuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, me ndihmën e Rusisë dhe me pamundësinë e mbrojtjes nga shtetet perëndimore. Edhe kjo pak Shqipëri, përveç përpjekjeve dhe gjakut të derdhur, është një dhuratë e bërë për popullin shqiptar nga ana e disa shteteve mike euro-perëndimore dhe SHBA-së.

Keni të drejtë Z. Scmitt kur thoni “Demokracitë e dobëta në Kosovë dhe Shqipëri gjithnjë e më shumë po joshen nga Turqia derisa vëzhguesit shqiptarë të orientuar nga Perëndimi të shqetësuar e shikojnë strategjinë neoosmane të Ankarasë”, keni të drejtë gjithashtu kur thoni: Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo, jo të gjithë, nuk ndiheshin të tillë.

“Alfabeti me shkronja latine u miratua kundër rezistencës së ashpër të klerit mysliman.”Shkruani ju Z. Schmit; por jo vetëm për këtë, por edhe për të vazhduar ai ku kishim mbetur. Apo jo?

Ne e dimë edhe këtë që e thoni ju:“Përhapja e ideve kombëtare shqiptare ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, madje rreth vitit 1900, Perandoria Osmane ndaloi përdorimin shkrimor të shqipes ( po, ajo s`e kishte lejuar kurrë, F. Xh.) Gjuha shqipe, sipas pikëpamjes osmane, mund të dëmtonte besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë”. Pastaj vazhdoni se; të ndarë e të përçarë (1912), shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike dhe evropiane; aventurierë të llojllojshëm synonin fronin shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’duan për popullin e tyre.

Ne e dimë se edhe sot jemi në të njëjtën pozitë. Por, edhe kjo do të tejkalohet.
Por, “shqiptarë, osmanë, mercenarë, orientalë, perëndimorë, të paorganizuar, kaotikë, të degjeneruar nga komunizmi i Enver Hoxhës dhe të shtypur nga Jugosllavia e Titos: historia shqiptare është plot drama dhe absurde (E.R)“. Jo nuk është krejt e vërtetë. Kemi drama që pa fajin tonë janë luajtur mbi kurrizin tonë, por nuk jemi kaotikë dhe absurdë.

Këndi Zotëri Schmitt, këndi, varet nga cili kënd i shikoni gjërat. Të jeni real, ne nuk jemi arnautashë.

Jusuf Buxhovi e akuzon ministrin e arsimit Ramën: Më hoqi nga lista!


Historiani Jusuf Buxhovi, edhe pse ishte ftuar të ligjëronte në kuadër të Javës së Shkencës në Kosovës, nuk do ta bëjë këtë. Ai është larguar nga lista, dhe lajmi për largimin atij i ishte dërguar nëpërmjet postës elektronike një ditë para fillimit të Javës nga drejtori i Departamentit të Shkencës në kuadër të MASHT-it. Për këtë veprim të MASHT-it, Buxhovi e ka akuzuar personalisht ministrin e kësaj ministrie, Ramë Buja. Buxhovi ka thënë se kjo është një hakmarrje e ministrit Buaj ndaj vërejtjeve që ai i kishte dhënë për ministrin Buja, kur ky i fundit, sipas Buxhovit, ishte shprehur se ishte dakord me një ministër turk që kishte kërkuar rishikimin e teksteve të historisë sa i përket trajtimit të marrëdhënieve shqiptaro-osmano-turke. “Unë pata reaguar ndaj ministrit që ishte pajtuar me ministrin turk për ndërrimin e historisë, duke kërkuar edhe largimin e këtij ministri”, ka thënë Buxhovi. Për ta vërtetuar largimin nga agjenda e Javës, Buxhovi e ka përcjellë edhe një lajmërim elektronik që atij i ishte dërguar nga MASHT-i më 15 maj, në orën 18:48:04, ku i bëhej e ditur se nuk do të mbajë ligjëratë. “I nderuari profesor Buxhovi! Me keqardhje më duhet të ju informoj se jam i detyruar ta anuloj marrëveshjen tonë lidhur me ligjëratën tuaj të paraparë për datën 17, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Kërkoj ndjesë për këtë jokorrektësi!”, thuhet në njoftimin elektronik, që i është dërguar Buxhovit nga Murteza Osdautaj, drejtor i Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë në MASHT.
Në anën tjerë, MASHT-i ka reaguar, duke deklaruar se anulimi i ligjëratës së Buxhovit nuk ka të bëjë fare me ministrin Buja. Nëpërmjet një komunikate, MASHT njofton se ministri Buja, duke ardhur nga bota akademike, ka respekt të veçantë për shkencën dhe kërkimet shkencore, andaj ai asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk na duhet historia e Jusuf Buxhovit. “MASHT është kundër politizimit të historisë dhe kujdesshëm bën hartimin e planeve mësimore, teksteve shkollore të historisë, duke evituar ndërhyrjet politike. Java e Shkencës bëhet nga Departamenti i Shkencës dhe Këshilli i Shkencës, e jo politika”, thuhet në komunikatë e lëshuar nga MASHT-i.

Arbër Zeka,konkurrent ideal për t’u shpallur fitues


Konkurrenti i “Big Brother Albania” nga Kosova, Arbër Zeka, këtë javë që po lëmë pas ka shkëlqyer me lojërat që ka treguar dhe pa dyshim që mbetet konkurrenti më serioz për t’u shpallur fitues. Gazeta “Kosova Sot” për disa ditë ka marrë mendimet e artistëve të ndryshëm, të cilët e kanë përkrahur lojën e Arbërit, duke thënë se është kandidati më serioz, së bashku me Liamin, për t’u shpallur fitues.
description
Kësaj radhe këngëtarja e re, Lendita Destani, thotë se ai meriton të hyjë në finale, pse jo të shpallet edhe fitues i edicionit të pestë. “Aq sa më ka rënë ta përcjell kam vërejtur se është lojtar i mirë me plot kuptimin e fjalës. Natyrisht se kam dëshirë që ai të shpallet fitues dhe do të ishte gjë shumë e mirë që në të ardhmen më shumë kosovarë do të merrnin pjesë në këtë reality shou. Arbëri është konkurrent i zgjuar, i nuhat gjërat mirë dhe si i tillë bën shou, gjë e cila është pëlqyer deri tani nga shikuesit. Them se mund të jetë në finale, por shpresoj se do ta fitojë këtë edicion”, tha Destani.

Policia e Kosovës raporton për dhjetë raste të vrasjeve në nivel vendi gjatë tre muajve të parë të këtij viti.


Policia e Kosovës raporton për dhjetë raste të vrasjeve në nivel vendi gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Krahasuar me statistikat për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri shënon rritje.

 Policia thotë se ka intensifikuar angazhimin në konfiskimin e armëve ilegale nga popullata, si masë parandaluese për vrasjet. Rastet e vrasjeve vazhdojnë të jenë prezente dhe paraqesin shqetësim për qytetarët.

description

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, thotë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë ndodhur 10 vrasje me motive të ndryshme.

 Nga këto raste, 9 janë zbuluar dhe 13 persona janë arrestuar.“Vlen të ceket se në 9 prej këtyre 10 rasteve janë kryer me armë zjarri. Është shqetësues fakti sepse ka një ngritje në raport me tremujorin e kaluar ku ka pasur vetëm 8 raste”, tha Sadriu .

 Ndërkaq, sa i përket aktivitetit të Policisë në konfiskimin e armëve ilegale, të cilat gjenden në duart e popullatës, Sadriu thotë se gjatë këtij tre mujori janë iniciuar 309 raste.

 “Këto raste janë iniciuar në forma të ndryshme, qoftë nga informacioni që ka marrë policia nga qytetarët dhe nga rastet kur policia ka pasur aktivitete të veçanta, sidomos planet policore ku kanë bërë bastisje”, tha ai.


Ndryshe, në rritjen e efikasitetet të policisë dhe luftimin e krimeve, çfarëdo qofshin ato, sipas zyrtarëve të saj, ka ndikuar edhe zbatimi i strategjisë, Policia e Udhëhequr nga Inteligjenca.

Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna lirohen nga akuzat për korrupsion


Trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i ka shfajësuar Naim Huruglicën dhe Lulzim Rafunën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
description
Naim Huruglica, ish-drejtor i përgjithshëm në Doganën e Kosovës dhe Rafuna, ish-drejtor i Departamentit Ligjor në Doganën e Kosovës, ishin akuzuar për lejimin e importeve shtesë të duhanit në Kosovë, që i tejkalonin kufijtë e lejuar të importit për vitin 2008.

Vendimi për t’i lejuar importet shtesë të duhanit pretendohej se ishte bërë në bazë të ndikimit politik dhe në kundërshtim me çdo arsyetim të mirëfilltë ligjor. Kjo gjë u ka mundësuar kompanive që ta importojnë duhanin me shkallë më të ultë të akcizës, duke i shkaktuar humbje financiare buxhetit të Kosovës në vlerë prej më shumë se 5.000,00 Euro.

Trupi gjykues i shfajësoi Naim  Huruglicën dhe  Lulzim Rafunën sepse nuk u arrit të vërtetohet nëse ndonjëri nga të akuzuarit e ka kryer veprën për të cilën akuzoheshin. Prokurori i EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Besarta Kastrati pranon krimin, vrasjen e kreu e vetme


Orhan Basha, avokat i Besarta Kastratit, të bijës së të ndjerit Sali Kastrati, i cili vdiq nga plagët e marra nga një shpërthim në Pejë, thotë se klientja e tij ka pranuar se ka kryer vrasjen e Fidan Shabit, por ai e përshkruan atë si një femër të brishtë, me një fizik të dobët, gjë që e bën të dyshimtë mundësinë e përballjes se saj me një djalë fizikisht shumë të fuqishëm.

 E arrestuar Besarta Kastrati ndodhet tani në burgun e Lipjanit dhe ajo po hetohet lidhur me këtë vrasje. Avokati Basha për  media  ka thënë se Besarta para hetuesve në detaje e ka shpjeguar rastin e vrasjes se Fidanit, duke filluar ngjarjen nga vendtakimi te varrezat e Kakariqit, shkuarjen në banesë te stacioni i trenit e më pas në tavanin e banesës kur Fidani po ngjitej lart në tavan, ka hyrë në kuzhinë, ka marrë një thikë të madhe me vete dhe kur Fidani ka hequr revolen nga brezi dhe e ka vënë në tavolinë, ajo e ka marrë revolen e tij dhe e ka kryer vrasjen. Sipas avokatit, ajo më pas e ka mbështjellë me qese plastike dhe me batanije, kurse revolen me shurdhues e ka gjuajtur në lumin e qytetit në Bistricës të Pejës për t’i fshirë gjurmët e saj. Avokati ka thënë se Besarta u ka treguar familjarëve të saj se e ka vrarë Fidanin dhe se kufoma e tij gjendej në tavanin e banesës së burrit të saj në stacionin e trenit, të cilën më pas e ka gjetur policia rreth orës 13.30 të shtunën.

“Dhunimi afër stadiumit”

Në intervistën e saj, të dhënë para hetuesve, Besarta ka thënë se në vrasjen e Fidanit ka qenë e vetme. Ajo ka thënë se para një viti Fidani ta ketë dhunuar në vendin afër ish-stadiumit të basketbollit në qendër të qytetit, i cili kishte edhe një shok të tij, por ai nuk e paska prekur me dorë Besartën, përkundrazi e ka qortuar Fidanin për veprën që po i bënte. Avokati Basha tha se ai po e përgatit kërkesën për ekzaminim mjekësor të Besartës, ngase dyshon se klientja e tij ka probleme psikike.

Prokurori i Qarkut të Pejës, Ali Uka, ka konfirmuar se Besarta Kastrati e ka marrë përsipër vrasjen e Fidanit. Ai ka thënë se janë duke u nxjerrë bisedat telefonike dhe se rasti po hetohet. Uka ka thënë se sipas asaj që ka deklaruar Besarta, këtë vepër e ka bërë për shkak se para një viti ka qenë e dhunuar nga Fidani. Në prokurori ajo ka thënë se rastin nuk e ka paraqitur ngase nuk ka dashur t’i shkaktojë probleme babait të saj, Sali Kastratit, i cili ishte i ngarkuar me shumë probleme të tjera.

Joshja për ta kryer krimin

E ëma e Fidan Shabit, Floria, nuk beson se djali i saj ta ketë përdhunuar Besartën. Floria thotë se i kanë thënë se Besarta Kastrati dhe shoku i Fidanit, Arian Lluka, e paska joshur Fidanin për të kryer një vepër të pistë krimi. “Fidani nuk paska pranuar të kryejë atë vepër me njëfarë bombe, atëherë Besarta ka dashur ta mbulojë atë që ka kërkuar nga ai dhe dyshoj se ajo bashkë me personin tjetër që po ashtu është i dyshuar dhe burgosur për një shpërthim të paradokohshëm, Arian Llukën qëndrojnë prapa kësaj vepre”, thotë e ëma Floria. Ajo është e bindur se Fidanin nuk ka mundur ta ketë vrarë e vetme ajo. “Besarta Kastrati, këtë vepër duhet ta ketë kryer së bashku me dikë tjetër”, shpreh dyshimin nëna Floria.

Në familjen e Sali Kastratit as të martën nuk ka dashur askush të flasë lidhur me këtë rast. Një familjar i tyre tha se as vëllai i Besartës, Kastrioti, e as nëna e saj Suzana nuk janë në gjendje të flasin lidhur me rastin. I njëjti familjar tha se askush në familje nuk beson që Besarta ta ketë kryer këtë vepër dhe nuk duan të flasin për implikimin e saj të mundshëm. Përmes interfonit, një zë femre tha se e ëma e Besartës është në gjendje të rëndë shpirtërore dhe nën ndikimin e qetësuesve dhe se nuk është në gjendje të flasë me askënd.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...