Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/28

Artan Z. Haraqia-Yllka Domi, vajza që nuk deshi përmendore

 
Ishte vetëm 17-vjeçare, por ishte dukshëm më e veçantë se bashkëmoshatarët e saj. Aktiviste e gjithanshme, valltare, aktore, poeteshë e në fund edhe luftëtare për liri e dëshmore. Ishte kjo Yllka Domi, që me veprën e saj ka lënë nga një copë shpirt të vetin tek secili që e ka njohur e që nuk e ka njohur, gjatë jetës së saj të shkurtër e që u shua në lulen e rinisë.
Në këtë formë poetesha e dëshmorja Yllka Domi u përshkrua edhe të enjten, gjatë promovimit të librit “Në rrugëtim me Yllka Domin”, i cili përfshin vepra të botuara dhe të tjera të mbetura në dorëshkrim të poeteshës, por edhe poezi e shkrime që të tjerët ia kanë kushtuar asaj. Ky libër është promovuar në kuadër të manifestimit tashmë tradicional “Në rrugëtim me Yllka Domin – poete dhe dëshmore”, i cili për të dytin vit me radhë po organizohet nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”.
“Yllka, një vajzë e re me plot ëndrra, përkundër mësimeve brengosej edhe për popullin e saj të përvuajtur, për të cilin u angazhua, punoi dhe në fund e dha jetën”, ka thënë kryetarja e QKPSHA “Gjakova”, Mevlyde Saraçi, e cila bashkë me poeteshën tjetër Shkendije Hoda, kanë grumbulluar dhe janë përkujdesur për botimin e disa prej krijimeve ende të papublikuara të Yllkës.
Emocione gjatë promovimit ka përshkruar edhe bashkëluftëtarja e Yllkës, Mimoza Shala, e cila ishte njeriu i fundit që është ndarë nga Yllka. Duke i kujtuar e risjellë në memorie edhe një herë ato momente të rënda të ndarjes, Shala ka thënë se i vjen mirë që ka mbetur gjallë për të treguar historinë e Yllkës dhe dëshmorëve të tjerë.
“Ndonjëherë ndjehem keq që kam mbetur gjallë kur shumë shokë dhe shoqe nuk jetojnë më. Por, sot jam e gëzuar që jetoj, sepse jam dëshmitare e dëshmorëve dhe kam histori për të rrëfyer”, ka thënë ajo.
Shala ka rikujtuar poezinë e fundit të Yllkës, shkruar vetëm dy ditë para se të vritej, e në të cilën thoshte: ”Përmendore nuk dua, nëse në kurrizin e qytetit tim gjeni një shkop, vendoseni afër kokës sime…”, poezi e cila, sikurse edhe shumë të tjera të saj, e ka parashikuar fundin e lavdishëm të poeteshës së re.
Përveç veprës “Në rrugëtim me Yllka Domin”, është promovuar edhe kënga “Liri e pakuptuar”, kushtuar Domit, ndërsa çmimi tradicional “Yllka Domi”, të cilin Qendra e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” e ndan për çdo vit, kësaj rradhe i ka takuar veprimtares Majlinda Nushi, aktiviste dhe bashkëpunëtore e Yllkës.
Domi u vra më 7 maj 1999, në Gjakovë, nga forcat serbe. Thuhet se trupi i Yllka Domit u mbajt peng në gropat e shtetit serb, ndërsa u rivarros me ceremoni më 23 dhjetor 2003, në kodrën e Çabratit të Gjakovës.

Recension romanit të AlbartosRexhaj “ Bombë në Beograd”

Romani “ Bombë në Beograd” është një vepër letrare që përfshinë një ngjarjeje të përmasave botërore. Pasqyrimi i një ngjarjeje të madhe, të gjerë, trishtuese, tragjike, komplekse etj, ku kacafytet e mira me të keqen, paqja me luftën, liria me robërinë, jeta me vdekjen, idealja me materien, perëndimi me lindjen, pikërisht siç ka qenë rasti i shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë shekullit XX dhe në veçanti epilogu i saj në dekadën e fundit të këtij shekulli të trishtuar për shqiptarët e Kosovës, del se edhe vepra që pasqyron këtë ngjarje të jetës del e madhe.

Shqiptarët e Kosovës që nga tetori i vitit 1912 e deri më qershor 1999 qenë të pushtuar nga koalicioni i madh ortodoks të prirë nga serbet, ndaj të cilëve herë pas here ndaj tyre ushtrohej gjenocidi. Dekada e fundit e shekullit XX qe koha kur u ndeshën dy koalicionet e mëdha të botës pikërisht për çështje të shqiptarëve të Kosovës. Kjo ndeshje rezultojë dhe Kosova mbeti shqiptare. Mbeti shqiptare falë heroit tonë kombëtar, Bekim Berishës –Abesë , e në roman mban emrin Agroni protagonisti të veprës letrare të Albartos Rexhaj, “Bombë në Beograd”, Derisa filozofët ngrehin spiralen e asaj se çka duhet, krijuesit e artit letrar shpjegojnë detajet e asaj se si duhet vepruar deri në realizimin e asaj ... Imagjinata konstruktive e autorit në këtë vepër prek nistoret e fijeve dhe proceseve reale që shfaqen në këtë hapësirë gjeografike të botës, procese shoqërore këto që shpien në drejtim të përsosjes të historisë njerëzore.

Narratori i vetëdijshëm i romanit, vazhdimisht në veten e parë, nuk e imagjinon as nuk iluzion heroizmin e personazhit kryesor, Agronit, nw fakt të Bekim Berishës, por vetëm sa thjeshton, tiparet që posedon heroi, me qëllim që protagonisti i romanit të jetë sa më i thjesht, me i mundshëm, real e konkret. Nga kjo del se romani “Bombë në Beograd” të jetë një roman i llojit të përzier, specifik dhe origjinal. Roman ështëbiografik, historik,shoqëror, epik, psikologjik, tragjik, e mbi të gjitha roman i një praktike shoqërore reale që ngërthen në vete dhe pasqyron tiparet dhe virtytet më të mira të njeriu, në këtë rast të personazhit kryesor të romanit, që në fund të fundit formojnë strukturën e njerëzores...

Në faqen e fundit, në kopetinën të romanit është shkruar edhe kjo fjali nga një vlerësues: “Një ngjarje e imagjinuar, por megjithatë ngjashmëritë me persona dhe ngjarje reale janë të mundshme”. “Bombë në Beograd” është një rrëfim i zhanrit triller, i shkruar në stilin e prozës filmike, plot aksion, ankth dhe intriga spiunazhi ku përfshihet edhe CIA amerikane”, pa e venë re se personazhi kryesor i romanit në fund vritet, vdes qet duke menduar të ardhmen e kombit të vet, vdes ashtu siç kishe menduar te vdiste, dhe realisht, ndonëse vet nuk e shijoj produktin e punës së tij, vepra e tij u kurorëzua dhe rezultoi me fitoren e plot të shqiptarëve të Kosovës, rezultoi për atë qe kishte punuar tërë kohen duke dhëne jetën atdheu.

Subjekti i romanit është renditur në roman është siç u tha më lartë kauza e shqiptarëve përgjithësisht , në veçanti lufta e fundit në dekadën e fundit të shekullit XX. Koalicioni i madh sllavo-ortodoks i prirë nga serbet , i përkrahur, instruktuar, monitoruar etj, me tërë qenin e tyre edhe nga ruset, projekton projekte,plane më djallëzore për realizimin e gjenocidit të fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ata, serbet dhe ruset krijojnë një situatë te rreme, shiten një bombë çantë nukleare pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila bombë kurrë nuk do aktivizohet dhe lajmëruan amerikanet për rrezikun që mund ti kanoset Beogradit e më gjerë. Bomba ka pajisje shtesë të cilat tregojnë rrugën, përgjimet etj kah ajo bartet.

Duke par seriozitetin e deklaratave serbe, të tëra të rreme, serbet arrin të ngatërrojnë edhe CIN-në amerikane në këtë lojë. Fuqia e bombës është sa ajo e bombës nukleare që është hedhur në Hiroshime. Andej fillon aksioni i preventivës për ndalimin e këtij shpërthimi. Komanda supreme e UÇK-së angazhon Bekim Berishën për këtë aksion. ..Po sa arrin bomba në duar të Bekim Berishës, asaj në fillimi çmontohen pajisjet përgjuese e më vonë i dorëzohet agjentit të CIA-së, u dorëzohet amerikanëve... Kur amerikanet kuptojnë lojërat e ndyta të serbo-rusëve, vërtetë tani ata hedhin bombë në Beograd...

Tema e romanit është justifikimi i politikës sero-ruse para faktorit ndërkombëtar se shqiptarët e Kosovës duhet shfarosur ngase ata janë terrorist. Apriori, shqiptarët e Kosovës duhet shfarosur ngase nga ata varret ekzistenca e serbëve. Shqiptaret e Kosovës do hedhin bombë nukleare në Beograd, e lloj lloj shpifje tjera...”- Nuk ka asnjë dyshim se bombën e kanë terroristet shqiptar. Dimë po ashtu se pavarësisht deklarimeve, që të gjithë, pacifist apo militarist, janë pjesë e së njëjtës lojë. Prandaj, ne dëshirojmë që për këtë të bindeni edhe ju vetë, në mënyrë që, pastaj, askush nga qeveria juaj të mos ngrejë akuza të pabaza ndaj nesh” f. 205, i thoshte shefi i sigurimit serb agjentit Smith të CIA-së amerikane gjatë një bisede të zhvilluar në Prishtinë.
Fabula e romanit apo tërësitë e ngjarjeve që janë renditur njëra pas ku kjo lidhje mban gjallë vazhdimisht reminishencën e ngjarjeve të kaluara dhe reflekton përherë tërësinë e ngjarjes që reflekton subjekti i romanit...

Në roman janë të përmendura pak personazhe individuale , e shumë më pak ato kolektive, por realisht në formë të përfaqësimit, është i përfshirë më se dy të tretat e njerëzimit .

Personazhi kryesor i romanit , Bekim Berisha- Abeja, me emra të ndryshëm si; Bekim Hasani, Agrani, Abdullah Gazi e shumë pseudonime tjera, është tipik një personalitet që posedon aftësi, shprehi e shkathtësi shumë më të larta që kanë njerëzit e tjerë. Autori i romanit ka reduktuar së pasqyruari shumë nga tiparet dhe virtytet e Bekimit, sigurisht për t’u përmbajtur stilit të posmodernes në të shkruar. Asnjë huazim , asnjë përshtatje, apo hiperbolë për të.

Figura e Bekim Berishës është një nga motivet themelore në baze të së cilit e ka ndërtuar personazhin e komandant Agronit te "Bombë ne Beograd". Ne mënyre artistike ka dashur ta paraqes zgjuarsinë, mendje mprehtësinë, sensin taktik, guximin por mbi te gjitha ndjesinë njerëzore te Bekim Berishës. Komandant Agroni, si personazh te romani, ka edhe referenca ne figura tjera te luftës, por thelbi i personazhit merr jete nga figura e Bekim Berishës.
Heroi, personazhi kryesor i romanit “Bombë ne Beograd” që është skalitur bukur e me kujdes që në këtë rast flitet dhe bëhet fjalë për Bekim Berishën që është vështirë ta gjemi edhe në një vepër të shkruar tjetër letrare të këtij lloji, ngase imagjinata e autorit përputhet plotësisht me konkreten e realen. Këtu është koherenca e artit me realitetin, këtu përputhet imagjinata me të mundshmen e menduar. Sukseset e këtij heroi në luftën e fundit në Kosovë janë të mëdha dhe nuk mund të krahasohen me ndonjë luftëtar tjetër.

Ky roman mund të krahasohet me romanet me të mita të kohës. Lexuesit mbi të gjitha do ti mbetet në mendje figura e Bekim Berishës , personaliteti më i kompletuar në fushën e artit luftarak, njeriu që më së shumti e dashi atdheun dhe me shembuj personal tregoi se si luftohet për atdhe.

Naile Demiri, can. Dr në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Vjenës

Rikthim tek kronisti kadarean

Serafina Lajçi


 “Natën, në të gjitha ato (mendjet) hynin gjithfarë mendime dhe me siguri, midis tyre, e veshur tetbil që të mos njihej, hynte marrëzia”

Romani “ Çështje të marrëzisë” i Kadaresë, sikur është lënë në heshtje në krahasim me romanet e tjera të këtij krijuesi të palodhur. Ky roman që e grish lexuesin në njohjen e jetës, në një njohje të re dhe me një këndvështrim unik, hyn në kategorinë e romaneve që kanë nivel të lartë të kreativitetit, stil unik të papërsëritshëm, ku mbizotëron subjektiviteti dhe fantazia e pakursyer.

Nëse në romanet e mëparshme Kadare e ka krijuar konceptin për botën, përmes një ligjërimi epik, tek “ Çështje të marrëzisë” e krijon kundërbotën e këtyre romaneve, duke e zhveshur ligjërimin nga karakteri epik dhe duke e dhënë shpjegimin e botës, të jetës, nga këndvështrimi fëmijëror i protagonistit të romanit.
Duke qenë vazhdim i romanit “Kronikë në gur”, në të cilin Kadare përmes botës së brishtë fëmijërore ka krijuar ‘kronikën’ e vendlindjes dhe të bashkëvendasve, të përcjellë nga rrëfimi naiv i djaloshit, protagonistit të romanit, edhe tek “Çështje të marrëzisë” rikthehet po ky djalosh, ‘kronika’ e të cilit tani është e dhënë përmes një këndvështrimi të ndryshëm nga i pari.

Ky fëmijë, tani nuk është thjesht ‘kronikani i qytetit të gurtë’, siç e kishte emërtuar më parë studiuesi Tefik Çaushi, por fëmijë që përpiqet të zbërthejë enigmën e jetës, njerëzit që sillen çuditshëm dhe që optika e tij prej fëmije i përcepton po ashtu çuditshëm. Nëse tek “Kronikë në gur”, ky djalosh e ka përceptuar botën nga vështrimi i tij fëmijëror, tek “Çështje të marrëzisë” mënyra e të përceptuarit është po ajo, fëmijërore, por ndryshon koncepti për jetën, situatat e rrethanat e ndryshme të saj. Tani në këtë roman, jeta nuk shikohet nën prizmin heroik, por nga një kënd përqeshës që zhvesh edhe ato pak tipare me vlerë që e përbëjnë jetën e njeriut.

Ngjarjet e romanit zhvillohen pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania fashiste, me një sistem të ri, socializmin, në krye me Partinë Komuniste. Pikërisht në këtë sfond kohor fillon çmitizimi i jetës, që Kadare e bën përmes protagonistit të tij, i cili duke mos i kuptuar njerëzit dhe duke mos gjetur një shpjegim të arsyeshëm për pyetjet që e mundojnë, vjen në përfundim se çdo gjë në qytetin tek jeton dhe botën që e rrethon, është thjesht një çështje marrëzie. Çmitizimi merr përmasa të gjera.

Duke marrë parasysh qe romani i referohet kohës së socializmit në Shqipëri dhe çdo gjëje që lidhet me këtë periudhë kohore, Kadare vë në thumb situata të caktuara, sikurse dalja e parë haptazi e Partisë Komuniste, marrëdhëniet e saj me popullin, modeli paraprak i socializmit rus dhe ndikimi i tij në jetën shoqërore shqiptare. Çmitizimi ngërthen këtu edhe pushtetarë si Leninin dhe Stalinin, të cilët janë të dhënë përmes një përshkrimi plot humor. Qesëndia e veçantë kadareane bëhet edhe më e kulluar kur në tallje bie edhe kryeministri, ministri i punëve të jashtme, ministri i mbrojtjes, udhëheqësi i ushtrisë së vendit, i pari i Partisë Komuniste, me një fjalë i pari i shtetit, ‘shoku’ Enver Hoxha, i shoqëruar me parullat e tij bezdisëse “Rroftë populli” e “Rroftë partia”.

Ky fëmijë-narrator i këtij romani, i mveshur me tipare karakteristike, pëson zhgënjimin e rëndë, bota dhe njerëzit nuk janë siç i kishte menduar, përfshirë këtu edhe babazotin e tij, i cili i ngjan themeluesit të parë modern shqiptar, por që i harruar në kohë, rri dhe lexon libra turqisht, duke mos u kujtuar që ndonjëherë të ketë themeluar ndonjë shtet! Skenat kur djaloshi vë në pikëpyetje nëse flamurin do të duhej ta kishte ngritur ndonjë ‘martir i çartur e i zbehtë’, e jo t’ia kishin lënë një ‘plaku të Vlorës’ që ‘ me siguri i dridheshin duart’, janë ndër pjesët më të bukura të romanit, ku fillon të marrë hov humori i veçantë i Kadaresë. Ky humori i lehtë kadarean e shoqëron lexuesin që nga fillimi, ku zhveshja e shtresave mitike dhe ngjyrosja ironike dhe sarkastike e tyre, të dhëna gjithnjë përmes fjalëve të protagonistit-fëmijë, janë karakteristika që e veçojnë romanin.

Pjesë e talljes kadareane ne këtë roman, nuk janë vetëm personat apo ngjarjet e caktuara. Një ironi përqeshëse i ngërthen edhe veprat e shkruara gjatë realizmit socialist, të cilat të mbushura me lavdata mbi jetën sociale të pas çlirimit, duke mos reflektuar aspak atë që në të vërtetë ekzistonte në shoqërinë shqiptare, krijonin një boshllëk në vlerën artistike-letrare të letërsisë shqipe. Me një fjalë, Kadare përmbys ato mangësi që janë shfaqur në jetën shqiptare dhe si të tilla kanë vazhduar rrjedhën e tyre nepër kohë.

Një shembull i tillë mund të merret nga fjalët e nënëmadhës, njëra nga personazhet e romanit, e cila duke folur për bylmetin shprehet: “Eh ç’djath qe ai që na sillte, me nder, Kiçua”, injorim ky i mbetur nga koha e mbretërisë, kur bujqërit trajtoheshin si mos më keq dhe gjithnjë me epitetin ‘me nder me thanë’ sikur të flitej për nevojë fiziologjike dhe jo për njeriun. Duke marrë parasysh që romani është i shkruar në vetën e parë, i ndërtuar mbi rrëfimin e fëmijës, i cili përveç rolit të protagonistit luan edhe rolin e narratorit, rrëfimin e tij, ashtu siç e ka potencuar Tefik Çaushi në studimin e tij mbi romanin “Kronikë në gur”, ‘lypset ta shohim më tepër në optikën e të voglit e jo të të madhit’.

Kjo ka përcaktuar edhe gjuhën dhe stilin e veçantë të romanit. Dialogët janë të ndërtuar në bazë të një gjuhe të thjeshtë, bisedimore dhe rrëfimtare, që i mundëson lexuesit kalimin më të shpejtë nga një pasazh në tjetrin, gjithnjë në formën e një bashkëbisedimi.Protagonisti i romanit është i skalitur më një kujdes të veçantë, në mënyrë që të depërtohet më mjeshtëri në botën e magjishme fëmijërore, përmes një këndvështrimi naiv që shpalos veprime e situata që veprës i japin dramacitet dhe gjallëri.

Djaloshi i romanit “Çështje të marrëzisë”, i zbulon edhe njëherë lexuesit imagjinatën dhe kërshërinë fëmijërore, përmes së cilave ai arrin në njohjen e botës. Dhe si qenka bota në sytë e një fëmije?! E tëra e zhytur në kaos, një marrëzi e pashpjeguar.Me humorin e veçantë, fantazinë dhe imagjinatën e pasur, romani e përvetëson lexuesin, duke e shpënë atë ne qilimin e bukur të jetës, në fëmijëri, atje ku çdo gjë është e magjishme, por edhe e marrëzishme.

“Zogu fle në çinar”, libër optimist

 
I shpërblyer me Çmimin “Ymer Elshani” për këtë vit nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, libri “Zogu fle në çinar”i Nexhat Halimit, është i rrallë në shumë aspekte; për nga forma e realizimit, për mjeshtërinë e vargëzimit, tematikën mozaik të përditshmërisë e vlerën e pamohueshme artistike.
Shkrimtari Nexhat Halimi, i njohur në letrat shqipe me botime librash që nga viti 1969, kur botoi librin e parë, “Parakalimi i etjeve” ka arritur të pasurojë letërsinë shqipe me një fond librash të zhanreve të ndryshme, si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë.
Fillimisht ishte i përqendruar në fushën e krijimeve për të rritur, me kontribute të çmueshme në poezi dhe në prozë, ndërkaq viteve të fundit i është përkushtuar edhe letërsisë për fëmijë, dashurisë së tij të hershme, duke e pasuruar atë me titujt e librave: “Molla e fshehur”, “Lulja që qan”, “Fyelli i gjallë”, “Kotelja e artë”, “trëndafili me zemër”, “Vetëtima e shpatës” etj.
“Zogu fle në çinar”, kurorë sonetike - katërmbëdhjetë vjersha dhe me magjistralin përmbyllës, por edhe me vjershat e tjera të sistemuara në ciklin “Udha deri në zemër” na vjen me ngjyrime kuptimesh që grishin fantazinë e fëmijës për ta kuptuar botën me të gjitha nuancat, botën që e rrethon dhe shpesh nuk e kupton.
Autori e ka gjetur mënyrën më të përshtatshme për grishjen e kureshtjes së lexuesit, duke ia ofruar përditshmërinë si një lloj mozaiku, ku gjejnë vend edhe bleta, edhe geri, edhe mësuesi, edhe plaku, edhe postieri, edhe Skënderbeu; ku në mënyrë të përshtatshme spikaten edhe atmosfera njerëzore, dashuria për të bukurën, lirinë, madje edhe pavarësinë.
Në këtë mozaik preokupimesh, të shndërruara në ritme vargjesh, Nexhat Halimi krijon optimizëm, dashuri për jetë pas ditëve të ethshme të përjetuara nga trysnitë e luftës.

Anita Kadriu:Nëna që lutet të jetojë...

 
Foto: Driton Bublaku
(E plotësuar)Pas artikullit të botuar në gazetën “Zëri” me titull “Nëna që lutet të vdes para mëngjesit”, të botuar më 14.07.2013, familja Veliu nga Prekazi i Skenderajt, e cila jetonte në një shtëpi të improvizuar me kulm nga llamarina, i padobishëm të ndalte shiun e borën që të mos depërtonte brenda në dhomën e vetme, me dysheme nga dërrasa të kalbura, mure të vjetruara, gjësende të huazuara dhe të pamjaftueshme..., do të ketë shtëpi të re. Pas disa vitesh jetese në kushte çnjerëzore, çiftit Hetem dhe Lumnie Veliu dhe dy fëmijëve të tyre, të martën iu është konfirmuar nga Fondacioni “Besa” me seli në Munih se do të jetojnë në një shtëpi të re.

Shtëpia, do t’iu ndërtohet në oborrin e tyre në lagjen Nezaj në Prekaz duke filluar nga gjysma e muajit gusht me mjete financiare të këtij fondacioni, kurse punimet do të kryhen nga kompania “Bavaria” me seli në Ferizaj, e cila do të jetë dhe partner donatorë. Por, ky lajm për familjen Veliu ka qenë gati i pabesueshëm. Të pashpresë se do të kenë shtëpi të re pas disa kërkesave që kanë bërë për ndihmë në komunën e Skenderajt, ata janë bindur kur udhëheqës të këtij fondacioni kanë zyrtarizuar në oborrin e tyre përkrahjen për ndërtimin e shtëpisë.

“E gëzofshi shtëpinë”, ka uruar Anton Krasniqi, kryetar i fondacionit “Besa” në drejtim të Hetem Veliut, kryefamiljarit, duke ia konfirmuar kështu qëndrimin se pas verifikimit të gjendjes së shtëpisë ky fondacion do ta ndërtojë shtëpinë deri në inventarizimin e saj. Ndërsa, Veliu ka falënderuar Fondacionin “Besa” dhe kompaninë “Bavaria” për mbështetjen humanitare që t’i ndërtohet shtëpia. Ai tha se pas botimit të artikullit në “Zëri” është ndihmuar dhe me ushqime dhe disa të holla nga qytetarë të ndryshëm nga Prishtina, Malisheva, Mitrovica, Podujeva...”Unë lus Zotin që këtyre donatorëve , fondacionit “Besa” dhe kompanisë “ Bavaria” t’iu ndihmojë, dhe familjeve të tyre.

Këtë që po bëjnë këta nuk e kemi parë as ëndërr”, tha ai. Bashkëshortja e tij Lumnia tha se kjo ndihmë do t’iu shpëtojë jetën duke bërë të ditur se para tri ditësh kishte dal jashtë shtëpisë me fëmijët për shkak të defekteve me energji elektrike të cilat në shtëpinë gati të rrëzuar kanë filluar të paraqesin ambient të pasigurt për familjen. Kryetari i fondacionit “Besa” Anton Krasniqi nga Munihu dhe ai i kompanisë “Bavaria” Blerim Hyseni, kanë theksuar se kjo familje do të ketë çelësat e shtëpisë në dorë jo më larg se muajin nëntor. Ata kanë vizituar të martën këtë familje duke zyrtarizuar ndihmën e tyre për ndërtimin e shtëpisë që do të kap vlerën e 25 mijë eurove në total.

“Pas leximit të artikullit në gazetën “Zëri”për këtë familje ne vendosëm që ta përkrahim me ndërtimin e shtëpisë”, ka theksuar Krasniqi, duke bërë të ditur se është kontraktuar kompania që do të kryejë punimet. “Kompania “Bavaria” do të bëjë ndërtimin e shtëpisë si dhe do të participojë po ashtu me mjete shtesë”. Ai ka bërë të ditur se fondacioni “Besa” është një shoqatë e themeluar në Munih në vitin 2010 me qëllim që t’iu ndihmohet materialisht familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe shëndetësore në Kosovë.
Prej vitit 2011, kur ka nisur së zbatuari misionin e saj, e deri tash ky fondacion ka në përbërje të vet 40 anëtarë, të cilët Krasniqi tha se janë pjesëtarë të diasporës shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Gjermani sikurse individ ashtu dhe afaristë. Fondacioni “Besa” ka ndihmuar mbi 20 fëmijë që kanë kërkuar shërim, e që familjet e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale t’i plotësojnë këto kërkesa. Secili prej anëtarëve të fondacionit, ai tha se ndan nga përfitimet  e veta mjete financiare të cilat derdhen në xhirollogarinë e fondacionit për t’u ndihmuar rastet kur ka nevojë.
Krasniqi tha se në këtë ndihmë materiale për ndërtimin e shtëpisë familjes Veliu bënë pjesë dhe kompania gjermane “Wegu-Systembaustoffe” nga Munihu që merret me material ndërtimor, në të cilën kompani Krasniqi punon dhe nga menaxhmenti i kompanisë i është deklaruar se çdo shtëpi që do të ndërtohet në Kosovë për familje skamnore, kompania “Wegu-Systembaustoffe”  do të participojë me nga 2 mijë euro.
Blerim Hyseni nga kompania “Bavaria” tha se shtëpia do të nis së ndërtuari më 13-14 gusht për të përfunduar pas dy muaj e gjysmë. Hyseni tha se deri tash nga “Bavaria” me partner janë ndërtuar tri shtëpi për rastet me gjendje të rëndë ekonomike, dhe se plani për ndërtimin e këtyre shtëpive, i cili do të jetë në dispozicion edhe për familjen Veliu përfshinë një hapësirë prej 90 metër katror, që përbëhet nga dy dhoma gjumi, sallon, kuzhinë dhe dhomë tualeti.
Aktivistja e të drejtave të njeriut dhe drejtoresha ekzekutive e OJQ-së, Qendra e Gruas “Prehja” në Skenderaj, Ajnishahe Halimi ka thënë se përkrahja e fondacionit “Besa” duhet të merret shembull për të gjithë individët që kanë mundësi materiale, shoqatat, institucionet…që të përkrahen këto familje, numri i të cilave që kanë nevojë për ndihmë jo vetëm në Skenderaj, por edhe në gjithë Kosovën nuk është i vogël.
“Ata rrezikohen urie, nuk kanë medikamente të mjaftueshme, shtëpi me kushte njerëzore iu mungojnë...prandaj, të gjithë që kanë mundësi duhet të përkrahin këto familje, pasi gjendja në të cilat jetojnë ato është tejet e rëndë gati e pakapshme për mendjen njerëzore se një njeri mund të jeton në kushte të tilla”. Familja Veliu jeton nga ndihma sociale prej 65 eurove, të cilët ndahen për ushqim dhe medikamente që i duhen Lumnijes për trajtim mjekësor, e operuar kohë më parë nga kancer i gjirit.

Artan Haraqia:Jeta e mjerueshme në barakat e “Erenikut”

 
I lindur pak ditë pas çlirimit të vendit, prindërit e kishin pagëzuar me emrin Çlirim, me dëshirën e madhe që liria e sapoardhur t’i sillte një jetë të lumtur si çdo bashkëmoshatari të tij në Evropë. Por, sot jeta e Çlirimit 13-vjeçar është e kundërta e asaj që e kishin menduar prindërit e tij dhe e kundërta e asaj që e kishte imagjinuar çdo shqiptar, atyre ditëve kur po e festonte lirinë e shumëpritur.
Një nxënës i shkëlqyeshëm, Çlirimi detyrohet që herë pas here të punojë punë të rënda në mënyrë që të sigurojë të ardhura për familjen e tij. Ndonëse ende i papjekur si duhet, ai tashmë e ka kuptuar se nevojitet edhe krahu i tij që familja të mbijetojë. “Na ka falur dikush këto hekura.
Jam duke i larguar mbeturinat e panevojshme nga to dhe pasi t’i kem pastruar mirë do t’i shesim në hekurishte e të marrim ndonjë para”, tregonte ai, teksa nga turpi, krenaria por edhe egoja e një fëmije, mezi pranonte të fliste për gazetën e të fotografohej në “vendin e tij të punës”, që realisht gjendej në oborrin i barakës ku jetonte.

Jetë të vështirë sikurse të Çlirimit, bëjnë edhe rreth 40 fëmijë të tjerë, familjet e të cilëve që nga paslufta jetojnë në baraka të improvizuara, në “lagjen” e quajtur “Barakat e Erenikut”, vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjakovës.
Përpos varfërisë thuajse ekstreme, 13 familje nga fshatra të ndryshëm të Gjakovës përballen çdo ditë me rrezikun, madje edhe atë më fatal. Në barakat e ndërtuara rreth 40 vjet më parë e të drobitura nga koha, vdekja është më e mundshme se gjithçka tjetër.
“Tash e sa vjet vetëm presim se kur do të shembet tavani e të na zërë përfundi me gjithë familje. Sa herë që fryn era, bie shi apo borë, ne detyrohemi të dalim jashtë. Frikohemi se mos po vdesim krejt familja”, tregon Sadete Sadiku, nëna e Çlirimit.
Por, jo vetëm në mot të keq këto familje ndihen të rrezikuara. Jetesa me gjallesa nga më të rrezikshmet tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë për ta.

“Ka gropa në të gjitha anët e barakës dhe hyjnë gjithfarë gjallesash. Gjarpërinj, bolla e gjithfarë insektesh. Bile para dy ditësh fëmijët desh më vdiqën nga frika pasi i kanë gjetur tre gjarpërinj në dhomë. Erdh burri nga puna dhe i mbyti”, vazhdon ta tregojë kalvarin e vuajtjeve të saj dhe të familjes Sadetja. Ajo tregon se hallin më të madh e ka për fëmijët, të cilët po i sheh t’i shkatërrohen çdo ditë e më tepër.
“Na mbyti lagështia. A po m’i sheh fëmijët, sarih si limoni, më shumë po rrinë të sëmurë se shëndosh. Boll po mundona me e mbajt pastër shtëpinë, por nuk po ka mundësi. Lagështia që po krijohen po na mbyt”, vazhdon ajo.
Sadetja bashkë me burrin e saj Seferin dhe katër fëmijët e tyre jetojnë në gjendje të mjerueshme edhe financiare. Seferi që tash së voni ka filluar punë në një kompani private tregon se merr shumë pak para, aq sa nuk i mjaftojnë as për bukën e gojës. Edhe e zonja e shtëpisë thotë se copëtohet duke punuar punë dore, por njësoj sikurse i shoqi të ardhurat janë mjaft të vogla karshi mundit që e bën duke punuar tërë ditën e tërë natën.
“Veç sa për me i ngi me bukë … kurrgjë ma shumë”, thotë mes emocionesh Sadetja....

Prokurori i Tribunalit të Hagës Serge Brammertz: Vendimet e Hagës tronditën Ballkanin



Foto: Reuters
Tribunali Ndërkombëtar për Krime Luftë në ish-Jugosllavi pritet që të përfundojë punë pas pak vjetësh, mirëpo vendimet kur të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, kanë nxitur disa, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor të vënë në pikëpyetje punën e Gjykatës së Hagës, tha prokurori i këtij Tribunali, Serge Brammertz.
“Fakt është se tribunali apo zyra jonë ka padi kundër 161 personave. Shumica e këtyre proceseve janë përfunduar dhe unë besoj se një numër i madh i vendimeve tashmë janë marrë. Tani, askush nuk mund ta mohojë se vendimet e fundit e kanë lëkundur, nëse mund të them kështu, tribunalin”, ka thënë Brammertz, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se “si pjesë e këtyre proceseve, ne duhet të pranojmë vendimet që merren prej gjykatësve, por ne e kemi bërë shumë të qartë se ne nuk mendojmë që ato kanë qenë vendime të duhura dhe se nuk mendojmë se ato vendime e reflektojnë realitetin e dëshmive, por, siç e thashë, ne jemi pjesëmarrës në ato procese. Se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i trashëgimisë së tribunalit, kjo mbetet të shihet, por zyra ime është kryesisht e përqendruar në një numër të proceseve të apeleve ku e njëjta pyetje e drejtimeve specifike që ka çuar deri te lirimi në rastin e Perishiqit, diskutohet prapë”.
“Pra, ne e kemi përqendruar energjinë tonë në përpjekjet për të ndryshuar jurisprudencën e ankesave dhe, natyrisht, se ne kemi tri procese shumë të rëndësishme që janë duke u mbajtur, atë të Karaxhiqit, procesin e Ratko Mlladiqit dhe ish-liderin e serbëve të Kroacisë në kohën e luftës, Goran Haxhiq. Ne, natyrisht se do të sigurohemi që këto procese të vazhdojnë dhe se jemi të sigurt se ato do ta kenë rezultatin e duhur”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë mund të thotë rreth letrës së dalë në media të gjykatësit, Frederik Harhoff, ku ai e akuzon Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Brammertz tha se zyra e tij ka reaguar publikisht ndaj kësaj letre, në njërën anë duke thënë se ne nuk duan t’i hyjnë një debati në lidhje me ato dyshime specifike, por në të njëjtën kohë ka thënë se ne gjithashtu nuk jemi shumë të kënaqur me disa vendime, porse natyrisht se u përmbahemi të gjitha metodave ligjore që i kemi në posedim për të sfiduar ato vendime.
“Unë gjithashtu në një mënyrë kam bërë komente që, siç e dini, tërësisht ndaras nga letra e Harhoffit, ka pasur shumë kritika në media, ka pasur me dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike në lidhje me ato vendime dhe s’e besoj që si Tribunal ne nuk duhet të injorojmë ato kritika dhe duhet t’i lejojmë ato”, tha ai.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...