2019-01-02

Sevëme Fetiqi: KUJTIME TË VITEVE 90′-ta (Tregim)


Në vitin 92 s’ di cili ishte shkaku më i arsyeshëm i emigrimit tonë; papunësia (masat e dhunshme nga Serbia na perjashtuan nga puna), frika nga lufta eventuale (lufte e rreptê nê Bosnje, apo frika nga uria totale (mbetëm pa gjëra ushqimore elementare si në shtëpi ashtu edhe shitoret u zbrazën, nuk gjendej asgje për tu blerë) apo kërcnimet e serbëve që do t’na vrasin.
Me pëcjelljen e këngës “niset trimi në kurbet…” të Sinan Vllasaliut u nisëm nga aeroporti i Shkupit për në “botën e bardhê”,për në “botën e shpresave”. Mirëpo, vajin e kishim të mbështjellur në fyt e nê shpirt. Ia ngjitëm drynin shtëpisë dhe çdo gjëje që kishim krijuar me mund. Pa adresë të caktuar shkonim diku në një vend të panjohur.
I thoshim njëri-tjetrit:s’do të qëndrojmë gjatë, vetëm sa të kalojë kjo krizë dhe do të kthehemi. Në banesën tonë të vogël azilantësh nê Gjermani, ëndrronim kthimin sa më të shpejt. Në mur shkruanim datat e kthimit dhe ato data kalonin e kalonin , shkruheshin data te reja , por edhe ato kalonin dhe ne vazhdonim te jetonim aty. Bijes sime Blertës shpesh i tregoja përralla të trilluara për kthimin duke ia mashtuar mallin dhe duka ia fshire lotin per Kosoven.Keshtu kaluan si qelemshel syte 8 vite me plot malle. Qanim nga malli kur flisnim ne telefon, qanim kur na arrinte ndonje video-kasete me xhirime dasmash apo fragmente nga jeta e me te dashurve tane, qanim kur merrnim ndonje lajm te mire apo te keq. 8 vite pa letra nuk kishim drejt te udhetojme në Kosove. Më lindi edhe një fëmij. Çdo ditë e vëja në gjumë duke e përkundur e me lot ne sy duke ia kënduar këngën në vend të ninullës:
“hajde shkojna në Kosovë
se atje do të shkosh në shkollë
hajde shkojna në Prishtinë
se atje e kemi shtëpinë
hajde shkojna në Vushtrri
se atje ka lumturi”
Ne mars te vitit 98′ tryezen e shtroja të hajmë bukë, pa askend. Si e shtroja edhe e mbledhja , sepse askush nuk ulej rreth saj. Te gjithë me lot në sy percjellnim masakrat në Prekaz dhe shume vende të Kosovës. Nga dhembja asnjë fening nuk na mbetej ne xhep duke blere gjëra per te afermit dhe duke i dërguar ato në Kosovë me “çanta të mëdha azilantësh”.
Jepnim edhe kafshatën e gojës për 3% -shin dhe VENDLINDJA THÊRRET”.
Qanim, mallkonim armikun, dridheshim, tere ditën e kalonim në telefon për të kuptuar për gjendjen e të afërmve, për gjendjen e Kosovës, për popullin tonë të pafajshëm në kohën e luftës, gëzoheshim si fëmijë për paraqitjen dhe luftën e sukseset në front të UÇK-së, bombardimet e NATOS dhe në fund për çlirimin e Kosovës.
Pa u hamendur duke rrezikuar qendrimin në Gjermani u nisëm ta presim Vitin e Ri në Kosovë. Kaluam male te Zvicrës, rrugët e gjata përgjatë Italisë, detin Adriatik deri në Durrës e nga Durrësi nëpër Tetovë të Maqedonise e deri në kufi të Kosovës ku pritëm në kolonën tepër të gjatë te automjeteve tri ditë e dy netë pa bukë e pa ujë. Unë isha shtatzanë me fëmijën e tretë.
Shqiptarët tetovarë na sollën bukë dhe ujë. Tërë ata njerëz nga diaspora mbetën gjallë te kufiri duke iu falenderuar vëllezërve dhe motrave tetovare.
Çdokush shkonte t’i vizitonte të afërmit. Pasi kaluam rrugët malore dhe gjarpërore të Brezovicës të tëra me akullnaja, kah mëngjrsi i hershëm, u ndalëm në një qebaptore te hajmë bukë. Bukën që e ngrënëm aty e lagëm me lot te mallit tetëvjeçar. Jashtë u përkulëm dhe e puthëm tokën e Kosovës. Vajzat së pari na shikuan me habi, por shpejt vepruan edhe ato në të njejtën mënyrê.
Tërë udhëtimin deri në Vushtrri secili lot qe rridhte nga sytë tanë ishte edhe më i hidhur se i pari nga pamjet që shihnim. Shtëpia të djegura, njerëz të piklluar por plot shpresë se do të bëhet mirë. Kryesorja u çliruam.
Edhe ne menduam: Kosova u çlirua dhe së shpejti do të kthehemi në vendin tonë.
Kjo është pranvera e 26 – të e mërgimit tonë. Kurrë s’kisha besuar se pas tërë këtij malli dhe vuajtjesh për Kosovën tê vie vera e 26- të dhe unë të them:
Nuk më tërheq zemra më ta vizitoj Kosovën apo të kthehem në Kosovë.
E dua Kosovën, e ëndrroj Kosovën, por…
Ndoshta do të gjendet një copë dhè për të më mbuluar kur vdes, që malli im të përfundon aty.
Sevëme Fetiqi

SPORTI NË ILIRI DHE STADIUMI NË MALET E BALLKANIT


Gëzim Llojdia*
1.
Pjesëmarrja e amantasve në lojërat olimpike, që zhvillohen në kohet e hershme në shtetin fqinj,tregon se amantit ishin njerëz me kulturë dhe sportistë të mirë, fakt që e tregon edhe stadiumi i saj. Me këtë të dhënë të rëndësishme gjejmë një çelës për të hyrë në një portë të madhe. Amantasit kane hyrë në Evropë atëherë, kur në truallin tonë, që i themi Ballkan fqinjët verior nuk ishin prezent dhe s’ishin se si te ishin. Amantasi ishin te integruar qysh në atë kohë kur ardhacakët të tjerë ishin diku në stepa a ose skanë ekzistuar ndoshta fare. Amantasit kanë treguar shenja te larta civilizimi ata në fund të fundit kishin një stadium.
2.
Ky është stadiumi i vetëm dhe i rrallë në malet e Ballkanit dhe krejt Evropës.
Stadiumi ndodhet 100 m poshtë në jug lindje të fortesës kryesore. Ai eshte i gjate 55 m dhe i gjerë 12.5 m.Pika më e lartë e Amanties është 680m ndërsa stadiumi ndodhet te 580 m lartësi mbi det.Gërmimet kane nxjerr në pah se stadiumi ishte një nga monumentet kryesore te qytetit dhe shërbente për sporte si : vrapim, hedhje e shtizës, boks, hedhje e diskut etj. Stadiumi kishte 17 radhe dhe mbante 4000 persona. Në bazë të mbishkrimeve të gjetura në stadium ndërtimi i tij është bërë në vitin 300 p.k dhe ka funksionuar deri rreth viteve 30 pas Krishtit. Gjate shek.3-2 p.e.s. kultura fizike pati zhvillim të veçante dhe u ndërtuan vepra monumentale. Stadiumi i Amantias në shek 3 p.e.s.Ky stadium ka forme antike tipike me piste 184.8 m të gjatë dhe 12.25 me të gjerë dhe ruhet shumë mirë. Ne njërën anë të stadiumit ka 17 radhë shkallësh dhe në anën tjetër 8 radhe të ndërtuara me blloqe gurë gëlqeror. Që nga koha kur Izomber tek itinerari i deshifruar i historisë së arkeologjisë së Orientit,një botim ky që i përkiste vitit 1873,në faqen 871 përshkruan zbulimin e stadiumit antik në kodrën e fshatit Ploce.Thënia e Izamberit pikërisht në shekullin e 19,përbënë trokitjen e parë në dyer të këtij monumenti antik,kishte lënë gjurmë brezash në historinë e qytetërimit ilir në lartësitë e kodrës së Plocës.
Udhëtimi arkeologëve shqiptarë u bë pas afër 70-80 vjetësh nëpër luginën e Vjosës. Ata provuan se “stomaku i kodrës” nuk e kishte tretur gjithçka ndonëse mjegulla dhe largësitë kanë kapërcyer 1000 vjet nga ekzistenca e tij.
Arkeologët i gjetën rrënojat e stadiumit antik të Amantias tek vendi në hyrjen sotme të parkut arkeologjik toponimi :” Gropa e kovaçit”.
Informata e parë:Gjatë shek.3-2 p.e.s. kultura fizike pati zhvillim.
Informata e dytë,për qytetin Amantin por të shprehur nga pena e një kërkuese si zj Falaksi ka të bëjë me kulturën fizike,ose me qartazi me sportet. Një statujë që, përshkruan një boksier,ndonëse figura ka mungesë të kyçit të djathtë si dhe ndihet mungesa tek këmba e majtë,por që nuk shpërfytyrojnë figurën për të rritur më lehtë në një përfundim,për këtë boksier .Ja përshkrimi i N. Vlorës. ”Amantia:Përsosmërinë estetike të Posejdonit ta barazojmë tani me këtë trupore ilire prej bronzi te shek IV,pr. K. që përfaqëson një boksier. Nuk mund të thuhet se është i bukur,por e gjithë përmbajtja tregon një qëllim:”muskujt e zhvilluar,shikimi i mprehtë,trupi i gatshëm për mësymje,bëjnë në mënyrë që kjo trupore të ketë fuqi komunikuese. Vetëm në këtë mënyre arti e arrin bukurinë e përsosur…” Informatat e foto që sjell N.Vlora është”Amantia:pamja e përgjithshme e stadiumit të shk.I V para Krishtit .Një fakt një prej statujave gjendet si pjesë e arkivues së Muzeut Historik Kombëtar. Një staturinë bronzi ,10cm e vitit 470 para Kr,bëhet fjalë për një fitues janë:vrapim,hedhje shtize,e hedhje disku dhe boks .Figura atletesh janë gjendur dhe kanë ekzistuar edhe në muzeun e Amantise i prishur pas ndërrimit të sistemeve, aty rreth viteve ’90 ku u morën dhe u zhduken dhjetëra gjetje,figura,statuja fati i të cilave nuk dihet ende ku kanë përfunduar dhe në cilin shtet fqinj,zbukurojnë muzetë e tyre?
Stadiumi mund të kishte një kapacitet mbajtës nga 3000-4000 vende për tu ulur spektatoret. Gjë, që nuk dallon shume nga stadiumet e kohëve te sotme. Madje stadium është monumenti i parë dhe pika e takimit e vizitorëve me botën e këtij qytetërimi në kohët para fillimit të krishterimit.
3.
Kartela
Emri:stadium i lashtë Amantia.
Adresa: Plloçë, Vlorë, Shqipëri.
Gjeografike Koordinatat N / E: 40 ° 22 ‘/ 19 ° 40’.
Kodi i ‘IMK Arkivi: 1865.
Data: Shek.III pr Kr .
Kategoria: monument i kategorisë së parë.
Përdorimi aktuale për sport.
Prona : Shteti.
Shpallja: 1948
Bibliografia: Skënder Anamali “Iliria” II.
Nën akropolin e qytetit antik të Amantias, në lindje, jashtë mureve të saj, gjendet stadiumi,kohe ndërtimi në mes të shek tretë, u ndërtua Amantia, një monument i kulturës unike në territorin shqiptar. Mbi të, ajo tregon formën e shkronjës U me palët e gjatë (së bashku anën perëndimore është 54,50m dhe 46,50m lindore) . Qëndrimet e stadiumit janë zbuluar plotësisht deri pas gërmimeve te vitit 1956 nga arkeologu Skënder Anamali. Në pjesën perëndimore janë 147 rreshta me gurrë që qëndron në anën sipas shpatit natyrore, ndërsa në lindje ka vetëm 8 rreshta. Numri është i kufizuar për shkak të terrenit. Mbështetja ndërtuar depon artificiale në të gjithë gjatësinë e anës lindore, ndërtuar depon artificial një realitet që kjo mund të ndodhë nga fundosje e blloqeve prej guri në jug të kësaj anë. Përbëresit janë të konglomeratit gëlqeror nxjerrë nga fletët shkëmbore në afërsi të provincës së Plloçes. Cilësia e tyre është e dobët dhe ka shkaktuar humbjen e stabiliteti në disa blloqe. Ai është shumë i veçantë për ekzistencën e disa mbishkrime me emrat e njerëzve. Qendra e kontestit me nr 11 dhe 13 nga ana e perëndimit. Rreshti i parë ka një gjerësi prej 12,40m dhe një gjatësi prej rreth 58 m. Në fillim të pistës janë tre blloqe, prej guri të cilat kanë shërbyer si pozicionet e fillimit për atletët. që marrin pjesë në gara. Gjendja e ruajtja: Kërkon ndërhyrje urgjente restauruese.
*Autori ka drejtuar Parkun Kombëtar Arkeologjik “Amantia”

CHARLS BUKOWSKI: JO NORMALE (Zgjodhi dhe përktheu: Leonora Buçinca)


Kur isha në shkollë fillore, mësuesja na tregoj historinë e një marinari që i kishte thënë kapitenit: “flamurin … shpresoj të mos e shoh kurrë më… flamurin!”
– “Shumë mirë,” i kishte thënë kapiteni, “dëshira juaj do të realizohet!”
Dhe e kishin futur atë në bordin e anijes dhe e kishin mbyllur aty. Aty i kishin dhënë për të ngrën e për të pirë dhe ai vdiq aty pa u parë kurrë më me flamurin.
Ishte një histori vërtet e frikshme për fëmijët e tjerë, me ndikim të madh.
Por nuk kishte të njëjtin ndikim tek unë. Unë isha ulur aty dhe mendoja, eh, është mëkat vërtet, për të mos u parë me flamurin, por gjëja më e mirë do të ishte sikur mos ti shihte ata, tjerët. Sidoqoftë, nuk e kisha ngritur dorën për të thënë timen në lidhje me këtë çështje.
Kjo do të thoshte se nuk doja ti shihja as ata, gjë që ishte e vërtetë.
Shikoja drejt dërrasën e zezë që dukej shumë më e bukur ( me e bardhë) se cdonjëri prej tyre.
CHARLS BUKOWSKI
Titulli i veprës origjinale:
Bone palace ballet: new poems
Foto: A.M.
Zgjodhi dhe përktheu: Leonora Buçinca

XHEMILE ALIU: RRETH ROMANIT “DY VDEKJET E NJË JETE” TË SHKRIMTARIT FATMIR HALIMI




Romanin „DY VDEKJET E NJË JETE „ të shkrimtarit tani të mirënjohur Fatmir Halimit, e lexova me endje dhe kurreshtje të madhe. Këte e bëra pasi që vetë titulli i romanit është shumë sfidues dhe intrigues, se jeta vertet i ka dy vdekje, apo ajo është një si “shpikje “ e autorit që të tërheq drejt të papriturave të ngjarjeve në roman dhe nuk të leshon derisa ta përfundosh. Është një roman që të bën për vete nga vetë tematika, koha në të cilen shkruhet dhe koha për të cilën shkruhet, e cila kohë është ende e fresket në memorien e kombit tonë,,.
Shkrimtari Fatmir Halimi, përmes dashurisë, e cila si fenomen është arsyeja dhe qellimi i vet jetës dhe personazheve te ndertuara bukur ia ka arritur qellimit me sublim siç ishte lufta për liri me te gjitha katrahurat e saja .Astriti dhe Valbera, dy të dashuruar ne në kohë vlimesh ne Kosovë kur ishte e ndaluar nga krimineli serb e terë jeta insitucionale, ku shkollat ishin mishnuar neper shtepi private vetëm për të mbajtur gjallë një demon që e kishte tronditur vetë armikun, ku në Kosovë i ishin tundur tashme themelet e pushtetit dhe s‘kishin të ndalur akcionet legale e ilegale në këto kushte lind edhe dashuria e Astritit dhe Valberës e tronditur nga epshet e luftës për liri. Në këto rrethana edhe Astrit ndahet me Valberën. Ai në perëndim duke zhvilluar aktivitetin e tij rrethë luftës për liri deri në luftën konkrete, kur Astriti kthehet si komandant lufte duke shembur me këmbën e tij  gurin kufirit shqiptaro-shqiptar, i cili ishte vënë me dhunë nga jugosllavët, ai  bie për vdekje. Dokumentacioni i mbetet në front të luftës dhe ai pa identitet verifikohet i gjall për të vazhduar shërimin në spitalet e Italisë, por si i panjohur. Derisa në Kosovë përmes gjymtyrëve të gjetura dhe të djegura shpallet hero i luftës.Astritin e qajnë të gjithë shokët e idealit dhe sidomos Valbera, e cila kurrësesi nuk mund të pajtohet me vdekjen e tij, por mbi të gjtiha jeta vazhdon përmbi vuajtjet e saj larg familjes e ndarë në mënyrën më mostruoze nga të dasshurit e saj. Ajo merr forcë dhe një familje që i delë në ndihëm gjatë gjithë kohës fillon një jetë të re, por kurr pa e harruar Astritin.
Si në legjenda, Astriri tani i shëruar kthehet në atdhe. Krejt rrethi shoqëror, pasi familja i kishte vdekur në masakrën që ishte bërë në shtëpinë e tij ishin të tronditur. Ata nuk besonin se një i vdekur mund të kthehet i gjallë dhe të sillet në mes të të gjallëve, kur ai tash kishte hyrë në të gjitha librat e heronjeve të kombit.Mbi gjithë këtë ngjarje tronditjen më të madhe e merr Valbera, e cila megjithëse kishte krijuar familje është e tronditur se dashuria ndaj Astritit kurrë nuk ishte shuar. Pas gjithë kësaj, në momentin kur Astriti pajtohet me rrethanat e reja dhe don që në mënyrën më njerëzore të njihej me familjen e re të Valberës, ai pëson aksidentin e radhës, aksident që do ta qoj drejt vdekjes së dytë, drejt vdekjes së vërtetë. Prandaj edhe mund të themi se Astriti vërtet tani përjetoi dy vdekje të një jete. Në momentin kur para mbylljes së syve takohet me Burimin burrin e Valberës, i thotë se ti do ta ruash në këtë jetë Valberën, ndërsa në jetën tjetër do të jetë e imja.
Kjo është përmbajtja në vija të trasha i romanit “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi, i cili ai arrin qëllimit që te lexuesi të bartë ndjenjat më të fuqishme të idealit për liri dhe të iealit për një dashuri të amshueshme ndaj femrës përgjithësisht. Përmes Astritit dhe Valberës shkrimtari vënë në pah të gjitha katrahurat e një lufte frontaale e psikologjike që kishte tronditur qenien shqiptare duke vënë në pah pasojat e luftës siç ishin të pagjeturit dhe gjithë të tjerët që edhe sot nuk u dihet se ku janë, apo ku t’i qajnë familjet e tyre. Me ndërtimin e këtyre personazheve pozitive dhe gjtihë personazheve të tjera, shkrimtari Halimi vë në spikamë gjithë luftën e shqiptarëve për liri, duke filluar nga ilegalja e deri tek frontalja.
Prandaj edhe mund të them se është rast i rrallë që sot të shkruhen romane kaq të fuqishme e me vlera të larta letrare, siç është romani “DY VDEKJET E NJË JETE”, i cili tashmë gjendet në dorë të lexuesve…
Nuk më mbetet tjetër vetëm mikut tim e shkrimtarit të letërsisë shqipe Fatmir Halimit t’i uroj suksese në krijimtari, kurse romanit “Dy vdekjet e një jete” rrugëtim të mbarë.
XHEMILE ALIU

Shëngjin

Rovena Shuteriqi: Disa fjalë për romanin e Sabit Gashit me titull JAPONEZI


Dashuria për Kosovën gjithmonë më rritej dita ditës, që nga vegjëlia. Kurioziteti fëminor, më çonte në fantazitë, nga më të ndryshmet. Jetesa dhe mbijetesa e shqiptarëve të përtej kufirit, kundër dhunuesve serb, për mua ishte diçka heroike, që më shtonte urrejtjen, për pangopësinë e shteteve grabitqare e të padrejta, që u kishin mohuar të drejtat gjysmës së shqiptarëve të ndodhur në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, të cilët kishin aspirata, si çdo popull tjetër liridashës.U kishin mohuar më shumë se çdo gjë të shtrejtë që e ka njeriu, LIRINË!
Unë rritesha, e kureshtja sa vinte e shtohej për të njohur nga afër këto vise shqiptare përtej kufirit kaq shumë ironik, që na ndante prej një shekulli afërsisht.
E si të mos afronte kjo ditë kaq e pritur për të gjithë? Një popull, që ka në gjak dashurinë për lirinë, do i bënte ballë edhe armikut më të egër e më barbar.
“Vullkani” kishte kohë që digjej në vetvete. Priste çastin e volitshëm. Priste shpërthimin e shtrirjes ngado. Dhe ja, s’vonoi!Viti 1998, do shënonte luftimet e para, të armatosura kundër okupatorit serb, të etur për jetë njerëzish. Aktivizimi dhe dëshira e ushtrisë më të zëshme, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të parë vendin të lirë, bëri që t’u dridhej toka nën këmbë falangave serbe. Në përkrahje të luftëtarëve të paepur, të cilët po luftonin për ta çliruar vendin nga okupatori serb, nuk mungoi as ndihma e vet popullit, që prej kohësh
priste vetëm një shenjë, një shkëndijë, për t’u aktivizuar me gjithë forcën e vet, kundër okupatorit serb.
Dihet tashmë, që liria e takuar dhe nga vetë mëma natyrë, erdhi pasi u derdh gjaku lumë dhe pas shumë vuajtjesh e sakrificash, por me dhimbje krenare, pasi dolën fitimtarë. Fitorja e çlirimtarëve, të ndihmuar nga aleatët, u theu hundët një herë e përgjithmonë, pushtuesve gjakatarë, të cilët ua mohuan të drejtat popullit shqiptar për më shumë se me dekada.
Para ca kohësh, biseda me një mikun tim të mrekullueshëm, do më shtonte më shumë kuriozitetin, për më shumë detaje rreth kësaj lufte të popullit tim, që padrejtësisht ndodhej shpirtërisht, larg trungut të Shqipërisë. Flas për luftëtarin dhe romansierin, pra autorin e mrekullueshëm, të këtij romani, z.Sabit Gashi. Duke ditur dëshirat e mia për më shumë hollësi të kësaj lufte, më ofroi të lexoj dhe ta redaktoj romanin e tij, pak para se ta botonte atë. Pranova me dëshirën më të madhe, pasi isha tepër kurioze që të mësoja më shumë për luftën çlirimtare në Kosovë. Njëkohësisht ishte një nder për mua, që ta redaktoja një libër të tillë, i cili e pasqyron luftën e drejtë të UÇK-së, së bashku me aleatët, si dhe e paraqet krenarinë tonë kombëtare.
E pyeta, si e ke emërtuar librin? Dëgjoni ju lutem se si m’u përgjigj!
– E kam titulluar”Japonezi”! U habita tej mase! – Si ka mundësi? – i them. Ç’kërkon një japonez në luftën e Kosovës, e më tepër, në rradhët e UÇK-së? Ai, qeshi lehtë e më tha: – Lexoje romanin së pari, e pastaj flasim, sepse nuk po dua që të ta prishë befasinë e leximit!
Të them të drejtën, sa ma dërgoi materialin, s’prita më gjatë. U ula të lexoj pa hezitim. Kurioziteti më shtynte të dija, se ç’rol ka patur një japonez në këtë luftë, ku po luftohej për çlirimin e trojeve shqiptare. Përpija si e çmëndur rreshtat e përshkrimit, sa të thjeshtë, po aq edhe të bukur! Organizimi i luftëtarëve dhe vështirësitë në kalimin e karaullave dhe postoblloqeve serbe, më shtonte ankthin dhe emocionet, gjatë leximit të këtij romani. Mënyra se si autori na i bën përshkrimet e këtyre çasteve delikate, kalimet përtej maleve të larta nga kolonat me luftëtarë, në kufirin shqiptaro-shqiptar, duke u gjendur përballë pusive dhe të papriturave që u dalin atyre, të gozhdon në lexim, e nuk mund të ndalësh së lexuari, duke e mbajtur frymën, për ngjarjet e radhës që do të ndodhin. S’ke dëshirë të të ndërpresë askush, ngjarjet që njëkohësisht kanë filluar të krijojnë fantazinë, duke u bërë dhe ti pjesë e një prej atyre luftëtarëve heroik. Aq shumë të rrëmbejnë përshkrimet, thua se po i jeton në realitet dhe mishërohesh me personazhet e librit.
Ashtu papritur, përballesh e befasohesh me ardhjen e një luftëtari nga…..Japonia! U çudita! Pyetjet e panumërta të kalojnë në kokë, duke i menduar ato nga më të ndryshmet. Ç’mund të bëj një i huaj në këtë luftë, që as gjuhën shqipe nuk e njeh? A është e vërtetë, që një luftëtar vullnetar, pa pagesë, të vijë në luftë nga një kontinent tjetër? Kësi lloj mendimesh dhe të tjera, nuk më linin rehat! Mundohesha të përpija rreshtat si një e marrë.Thua se nuk kisha lexuar edhe më parë romane të tjera. Ngadalë, nga një ngjarje në tjetrën, fillova të ndërtoj karakterin e personazhit kryesor të veprës. U bëra një me të. Ndodhesha në çdo skenë të luftimit, pranë tij. I jepja guxim, e njëkohësisht habitesha me shkathtësinë dhe zgjuarsinë e tij. Gëzohesha, qaja, nga lumturia për çdo fitore të tij dhe të çlirimtarëve. Japonezi, nuk më shihte, por unë e përjetova në çdo veprim që bënte. Isha aty, pranë tij, edhe e heshtur, edhe krenare, “zhurmëmadhe”që shijonte fitoret e popullit të vet.
Artet marciale, që janë karakteristikë për një popull, si ai i Japonisë, I jepnin atij përparësinë dhe e shpëtonin sa e sa herë këtë hero trim, të ardhur prej andej. Ai shpaloste në çdo betejë, dëshirën e një populli luftarak, që edhe pse në vështirësi, përdor zgjuarsinë dhe dëshirën për Liri. Autori i këtij libri na jep të dhëna të rëndësishme për luftën çlirimtare në Kosovë, përmes përshkrimeve të vendeve, të cilat i ka emërtuar në gjuhën shqipe, pastaj përshkrimin e luftimeve, të aksioneve luftarake kundër forcave serbe, si dhe lidhja artistike që ia bën autori këtij libri, të bën që t’i qepesh librit dhe ta lexosh atë me një frymë.
Autori e paraqet protagonistin kryesor të librit, Japonezin, si një luftëtar trim, me përvojë të madhe luftarake dhe si një njeri që flet pak, por vepron shumë. Pra përmes figurës së Japonezit, mundohet që ta paraqesë një popull fisnik, me tradita të përafërta me popullin shqiptar, i cili historinë e vet e kishte të mbuluar me lavdi, për lirinë e popullit të vet. Poashtu e tregon një popull mjaft solidar ndaj popujve të tjerë, ndaj të cilëve historikisht kishte treguar miqësi e besnikëri të skajshme. Figura e Japonezit na paraqitet shumëdimenzionale dhe tregon aftësitë dhe shkathtësitë e tij në artet luftarake, ku ai tregon rezultate të shkëlqyera nëpër të gjitha aksionet të cilat ky i ndërmerr.
Një roman, që përveç historisë së luftës heroike për çlirim, të ofron edhe respektin, për dashurinë e bashkëpunimin e popujve të vuajtur për lirinë e mohuar, nga pushtuesit e pangopur sllav, të cilët ua mohonin lirinë popujve të tjerë. Një libër, që të ndez shpirtin luftarak brenda vetes.Të jep vetëbesim në forcat e tua.Të thotë: – nëse je i okupuar, mos rri duarkryq, por angazhohu, lufto! Mjafton dëshira dhe lufta për liri dhe lirinë do ta arrish!
Një roman, që do të japi kënaqësi në të lexuar dhe njëkohësisht do të bëj krenar për historinë e popullit tënd! Unë i uroj rrugëtim të mbarë romanit “Japonezi” dhe lexim të këndëshëm juve artdashësve, miq të librit, kurse romansierit Sabit Gashi, suksese të mëtejme në krijimtarinë e tij letrare!

Migena Arllati: Vёshtrim mbi romanin “Japonezi” tё autorit Sabit Gashi


JAPONEZI, BIR I NJЁ POPULLI ME SHPIRT TЁ MADH, LUFTOI PЁR LIRINЁ E KOSOVЁS
Prof. Migena ARLLATI
I ardhur nё luftёn e Kosovёs pas pjesёmarrjes nё disa luftёra tё vendeve tё tjera, mes tyre edhe ajo e Kroacisё, e Bosnjës etj., personazhi kryesor i romanit, Japonezi, uniformohet dhe hyn vullnetarisht nё luftёn e kёtushme, nё tё cilёn ai do tё luftojё me mish e me shpirt kundёr ushtrisё serbe, nё mbrojtje tё fatit tё popullit shqiptar. Ai ёshtё njё person qё kishte pёrjetuar raste tё shumta tё pёrballjes me luftёra dhe konflikte tё armatosura, kishte parё luftimet dhe pasojat e tyre, rёniet nё luftё tё luftёtarёve, vrasjet e njerёzve tё pafajshёm, pёrndjekjet ndaj popullatёs sё pambrojtur, dhunimet dhe deportimet.
Duke qenё bir i njё populli me shpirt tё madh, sikurse ёshtё populli japonez, ai i ndjen nga afёr luftёrat e padrejta, sidomos kur ato bёhen ndaj popujve tё vegjёl, ndaj pёr kёtё arsye paraqitet vullnetarisht nё Kosovё, pёr tё marrё pjesё nё luftimet mes Ushtrisё Çlirimtare tё Kosovёs (UÇK) dhe forcave ushtarake tё pushtuesit serb. Ai vjen bashkё me njё grup prej 130 luftёtarёsh qё kanё ardhur enkas nga Zvicra, Gjermania e vende tё tjera pёr tё luftuar nё Kosovё. Pёr dy muaj, Japonezi tashmё i uniformuar nёn UÇK-nё, do tё marrё pjesё intensivisht nё beteja pёr mbrojtjen e territorit tё Kosovёs, bile qё natёn e kalimit tё kufirit nga Shqipёria nё Kosovё ai do tё pёrballet me betejёn e parё, kur ai dhe grupi i furnizuesve me armё tё ardhur nga Shqipёria ranё cak i goditjeve serbe. Kjo ishte “pёrshёndetja” e tij e parё me ushtrinё serbe, kundёr sё cilёs nga ai moment ai do tё luftojё vazhdimisht me menҫuri dhe trimёri, deri ditёn e plagosjes fatale, si pasojё e sё cilёs do tё detyrohet tё tёrhiqet nga lufta pёr t’u pёrballur me operacionin nё spitalin ushtarak nё Shqipёri.
Autori Sabit Gashi, nёpёrmjet njё skenari tё thjeshtё na vё pёrballё njё historie qё nё vendin tonё ёshtё parё dhe dёgjuar nga kёndvёshtrime tё ndryshme, pasi lufta e Kosovёs i pёrket qindra ushtarёve dhe mijёra banorёve, dhe kёsisoj pёr tё ka pёrplot rrёfime realiste dhe tё dhimbshme njёkohёsisht. Pёr kёtё luftё kanё rrёfyer dhe kanё shkruar sa e sa dёshmitarё tё drejtpёrdrejtё nё tё, dhe pikёrisht kёto pёrjetime dhe rrёfime shumё shpesh janё bёrё pjesё e pёrmbajtjeve artistike (letrare, kinematografike etj.). Edhe ky rrёfim nё prozё i autorit Gashi, nuk ёshtё gjё tjetёr veҫse njё pёrjetim mes mijёra tё tillёsh, por qё pikёrisht kёtё e bёn tё veҫantё fakti se kryepersonazhi pjesёmarrёs nё luftёn e UÇK-sё ёshtё njё banor japonez, i cili me vullnetin e tij vjen dhe bёhet pjesёmarrёs i kёsaj ushtrie.
Ёshtё fakt i pamohueshёm se ushtrisё vendase tё Kosovёs nё ditёt e zjarrta iu bashkuan me qindra bij shqiptarё qё jetonin nё diasporё. Ata lanё familjet dhe komoditetin e atjeshёm dhe erdhёn tё bёhen krah pushke nё luftёn e madhe pёr liri. Po ashtu, ёshtё fakt i pamohueshёm se kёsaj ushtrie i janё bashkuar dhjetёra shtetas tё huaj tё cilёt, nuk janё mjaftuar thjesht me solidarizimin me popullin shqiptar nё Kosovё, por edhe janё bёrё pjesёmarrёs tё drejtpёrdrejtё tё luftёs pёr mbrojtjen ushtarake tё vendit. Edhe kryepersonazhi ynё ёshtё njё nga kёta. Ai me gojёn e tij rrёfen se vazhdimisht nё jetё ka marrё pjesё nё luftёra, edhe nё rajonin tonё, duke qenё krah popujve tё pushtuar. Njё ndёr to ishte lufta e Bosnjes, ajo e Kroacisё, luftёra nё tё cilat ai e ka njohur pёr sё afёrmi se kush ishte ushtria serbe dhe deri ku shkonte fuqia dhe ҫmenduria e politikёs qё e udhёhiqte atё. Ndaj ai kishte nё vetvete njё vendosmёri tё fortё pёr tё ardhur nё Kosovё dhe edhe njёherё tё luftonte kundёr Serbisё. Normalisht, njeriu duhet tё ketё njё arsye tё madhe pёr t’u paraqitur vullnetarisht nё njё luftё, aq mё tepёr nё njё luftё tё huaj, siҫ konsiderohet tё jetё pёr shtetasin japonez lufta e Kosovёs. Ai e arsyeton kёtё me faktin se populli i tij ka pёrjetuar fatkeqёsi nga Rusia, aleatja e Serbisё, ndaj njёsoj si nё thёnien: “Miku i armikut tim ёshtё armiku im!”, ai e sheh Serbinё njёsoj agresore si Rusinё.
Tё gjithё lёndёn autori e pёrmbledh nё katёr kapituj dhe rreth 230 faqe. Rrёfimi ёshtё i qetё. Ngadalshёm dhe rrjedhshёm para lexuesit formёsohet karakteri i personazhit kryesor, dhe paralelisht me tё vijnё edhe personazhet e tjerё, tё cilёt qё tё gjithё janё dytёsorё, pjesёtarё tё ushtrisё pёr ҫlirimin e Kosovёs.
Nё libёr nuk ka mё shumё se dhjetё personazhe tё pёrmendur me emёr. Personazhet e tjerё ekzistojnё por ata dalin me emra tё pёrgjithshёm. Konkretisht, shqiptarёt: fshatarёt, banorёt, ushtarёt, togeri, komandanti, snajperisti, sinjalizuesi etj.; serbёt: ushtarёt, komandanti, tankisti etj. Kjo skemё mundёson qё e gjithё vёmendja tё pёrqёndrohet tek Japonezi, ndaj dhe romani fillon dhe mbaron me rrёfimin pёr tё. Por,
pavarёsisht kёsaj, lexuesit nuk i jepet asnjё e dhёnё mbi jetёn e tij nё Japoni, mbi familjen ose punё e atjeshme. Ai mbetet thjesht, Japonezi qё erdhi vullnetarisht nё Kosovё pёr tё luftuar kundёr Serbisё, meqё ajo ёshtё “e pёrkedhelura” e Rusisё, dhe kjo e fundit disa herё nё histori kishte qenё nё konflikt me Japoninё. Autorit i mjafton kaq pёr t’i bindur lexuesit rreth pranisё sё kёtij japonezi nё luftёn e Kosovёs, ndёrsa mё tej veprimet e kёtij personazhi bindin hap pas hapi pёr karakterin e njё njeriu me zemёr tё madhe, me iniciativё pёr t’u admiruar dhe tepёr trim e tё patrembur: “…Ne pёr kёtё punё jemi kёtu, pёr tё rrezikuar. Mos harroni zoti komandant, se ai qё rrezikon mund edhe ta humbё luftёn, por ai qё nuk rrezikon, veҫ e ka tё humbur. Ne jemi pёr luftё kёtu, prandaj edhe rrezikojmё…”, thotё Japonezi nё njёrin prej dialogjeve me eprorёt e tij. Ai mes faqeve tё tёra paraqitet jo vetёm trim me zemёr tё fortё por edhe njohёs e pёrdorues i llojeve tё shumta tё armёve, si atyre tё sofistifikuara, ashtu edhe atyre artizanale. Bile, guximi i tij ndikon fort nё ngritjen lart tё moralit tё luftёtarёve tё cilёt pёrballen me njё ushtri shumёfish mё mirё tё armatosur e po ashtu tё shumёfishtё nё numёr.
Nga fillimi deri nё fund, autori trajton vetёm njё vijё tё zhvillimeve, atё tё betejave dhe veprimeve tё armatosura. Nё kёtё vijё rrёfimi, na dalin vazhdimisht nё plan tё parё dhe tё dytё personazhe tё ushtrisё shqiptare, tё cilёt karakterizohen nga guximi deri nё vetёmohim: “…Ёshtё e dhimbshme qё sot tё vritemi nё lulen e rinisё por kjo dhimbje ёshtё krenare, sepse po japim jetёn duke luftuar me nder e trimёri pёr atdheun tonё, pёr familjet tona, pёr fёmijёt tanё, qё ata tё rriten tё lirё e tё jenё tё barabartё me tё gjithё popujt e tjerё tё botёs. Nё tё vёrtetё, nuk e duam luftёn e as shkatёrrimet, por pёr fat tё keq kjo luftё po na imponohet, sepse ne jemi tё robёruar dhe duhet patjetёr tё luftojmё qё tё ҫlirohemi prej okupatorit serbosllav, sepse kjo na ka mbetur e vetmja rrugё pёr t’u ҫliruar pёrgjithmonё prej tij…”, shprehet njёri prej eprorёve tё grupit tё luftёtarёve teksa varrosnin njё ushtar tё rёnё nё betejё.
Me tё tillё bindje, shqiptarёt tё vetёorganizuar thyen mitin e rrejshёm se me Serbinё nuk mund tё luftohet mё tepёr se disa orё.
Mes dialogjeve, autori ndёrmjetёson shpeshherё edhe fjalё tё urta, si: “Nё luftё hyhet pёr tё fituar”, “Kundёrshtari njё herё tё qet nga loja e mё nuk mund tё kthehesh nё tё”, “Ai qё rrezikon mund edhe ta humbё luftёn por ai qё nuk rrezikon veҫ e ka tё humbur atё” etj.
Libri nuk ёshtё gjё tjetёr veҫse njё dёshmi dokumentuese mes qindra e mijёra tё tillave pёr luftёn e fundit nё Kosovё, luftё e cila llogaritet tё ketё marrё rreth 10 mijё jetё, ndёrsa nё pranverёn e vitit 1999 nga Kosova u shpёrngulёn rreth njё milion njerёz. Mes faqeve tё tij paraqitet kurajo e forcave tё mobilizuara tё shqiptarёve tё Kosovёs, rezistenca e tyre nё pёrballimin e njё prej fuqive mё tё forta ushtarake nё Europё sikurse ishte Serbia. Librit i mungojnё rrёfimet mbi frikёn dhe dёshpёrimin e popullatёs civile, horrorin e pёrjetuar gjatё vrasjeve tragjike, durimin heroik tё tё shpёrngulurve nga shtёpitё e tyre. Etja shtazarake e serbёve pёr tё vrarё shqiptarё del nё pah nё momente tё ndryshme: “…Pas pak kohe, gjuajtjet u relativizuan dhe forcat serbe po vazhdonin me plaҫkitjen dhe djegien e shtёpive tё fshatit. Ata pёrveҫ shtёpive, po digjnin gjithҫka qё u dilte pёrpara, si odat, ahuret e kafshёve, ushqimet e tyre etj.
Veҫmas i vrisnin kafshёt apo i digjnin tё gjalla. Aty po bёhej njё mizori e pashoqe. Japonezi po i shikonte tё gjitha kёto dhe po mendonte me vete: Si mund tё jenё kёta njerёz kaq barbarё? Kёta nuk kursjenё asgjё tё gjallё. Kёta janё njerёz pa ndjenja , apo edhe mё tё kёqinj se sa kafshёt, sepse kafshёt vrasin pёr t’u ushqyer, kurse kёta vrasin e dёmtojnё tё udhёhequr nga urrejtja etnike, apo kёnaqёsia pёr tё vrarё…”, thotё autori nё njёrёn nga momentet pёrshkruese.
Rrёfimi bazohet nё dialogjet dhe monologjet, ndёrsa atё e pasurojnё edhe pёrshkrimet e shumta mbi natyrёn, vendbanimet, fshatrat dhe qytetet kosovare, fushёbetejat, dhe qё tё gjitha kёto mundёsojnё krijimin e njё tabloje tё qartё mbi atё qё autori ka si cak zhvillimi. Po ashtu, duhet vёnё nё dukje qёllimi i autorit qё ҫdo zonё, qoftё fshat e qytet, ta emёrtojё me emёr tё pastёr shqip, gjё e cila na jep tё kuptojmё pёr rёndёsinё qё i jep ai emёrtesave tё qarta tё toponimeve nё gjuhёn tonё. Krahas vendbanimeve, duket dёshira e tij pёr tё pёrzgjedhur emra nga trashёgimia jonё autoktone edhe tek emrat e personazheve, duke u larguar prej emёrtimeve dhe emrave tё huaj.
Autori Gashi përforcon idenë e komunikimit dhe ndihmesës mes popujve, sidomos mbështetjes së popujve të vegjël. Ai e konsideron pjesëmarrjen e Japonezit në luftën tonë si një mision përtejhumanitar, në emër të humanizmit dhe të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj akti personal dhe vullnetar i këtij individi mishëron konceptin e lartë humanist në mbrojtjen e kauzave të drejta, pra dhënies së krahut ndihmues njerëzve dhe popujve, pavarësisht largësisë gjeografike
I gjithё libri lexohet shpejt dhe me njё kёrshёri se si do tё ecin mё tutje zhvillimet. Lexuesi joshet nga kurioziteti pёr tё ditur mё tej pёr fatin e Japonezit, i cili tё bёn pёr vete me faktin se ёshtё njeri fjalёpakё dhe ushtar tepёr i zhdёrvjellёt. Nuk mungojnё as situatat komike, tё cilat edhe pse janё tё rralla, sёrish kanё rolin e tyre pёr tё treguar se personazhi kryesor ёshtё njeri i veprimit dhe jo i fjalёve. Bile ёshtё pёr t’u ҫuditur se si eprorёt dhe ushtarёt kosovarё kuptohet aq mirё me kёtё njeri i cili vjen nga njё vend i largёt dhe me mentalitet ndryshe, por pavarёsisht kёsaj ai bёn shokё e miq edhe nё kёtё rreth tё ri si i sapoardhur. Pёr autorin ёshtё e rёndёsishme tё kompletojё figurёn e kёtij personazhi, dhe brenda njё kohe tё shkurtёr tё qёndrimit nё Kosovё, ne mёsojmё shumё pёr karakterin e njё luftёtari tё pashoq, tё cilit askush nuk mundi t’ia mёsojё emrin e vёrtet. Megjithatё, nofka e tij ёshtё e veҫantё dhe e tipizon atё shumё mirё.
Duhet vёrejtur se autori nuk ka si qёllim tё tregojё nё tёrёsi pёr rrjedhёn e luftёs nё Kosovё ndaj nuk e pёrfundon romanin me mbarimin e luftёs. Ai dёshiron qё nёpёrmjet njё pjesёmarrjeje fragmentare nё luftё, sikurse ishte pjesёmarrja e personazhit tё ardhur nga Japonia, tё tregojё pёr pёrmasёn e kёsaj lufte, sfidat e tejkaluara, njerёzit qё e mbёshtetёn atё, mёnyrёn e furnizimit me armё, pёrballjen me armikun shekullor tё shqiptarёve, rёniet e ushtarёve nё frontin e luftёs, vrasjet e civilёve tё paarmatosur e shumё e shumё tё tjera. Kёtij qёllimi ai ia arrin shumё mirё pasi gjithҫka del qartё nё pah. Me njё gjuhё tё kuptueshme dhe tё rrjedhshme, materiali prozaik lexohet lehtё, duke bёrё qё lexuesi tё marrё kёnaqёsinё e dёshiruar gjatё leximit. Kthimi nё 16 vendlindje e kryepersonazhit, pasi mё parё ai ёshtё plagosur rёndё dhe operuar, na bёn me dije se pavarёsisht pёrkrahjes sё tё huajve, lufta e Kosovёs u bё nga UÇK-ja dhe u fitua nga djemtё e saj.
Gjithsesi, histori tё tilla tё bёjnё pёr vete dhe arrijnё tё krijojnё efektin e pёrshtypjes, efekt tё cilin e ka si qёllim ҫdo material artistik. Ndaj, autori Sabit Gashi duhet pёrgёzuar pёr kёtё realizim tё kёndshёm dhe me efekt tё lartё pёrjetimi.

Raif Gashi: Skënderbeu nëpër kohë dhe Gjergj Kastrioti i kohës sonë



(Vështrim për librin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” i Prend Buzhalës, i botuar në Prishtinë më 2018 nga SHB “Lena Grafik”, 419 faqe)
Raif Gashi
Raif Gashi
Sado që ka qindra e mijëra libra për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, vëllimi me ese, studime e këndvështrime ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” i Prend Buzhalës, ka të veçantën e tij. Janë refleksione e trajtesa të ngritura mbi fakte të historiografisë sonë, sidomos mbi vepra e krijime të letërsisë sonë. Por gjithashtu, dhjetëra shkrime të këtij vëllimi, merren me çështje komplekse të kohës sonë, si shprehet autori, me doktrinat e ripohimit kombëtar dhe me vetëdijen moderne që ekziston sot për këtë hero- te cikli i parë “Skënderbeu: kthimi i madh dhe referencat e tij”. Lirisht thotë shkrimtari duke dialoguar për Skënderbeun: Ndodhi islamizimi, por nuk ndodhi braktisja e figurës së Skënderbeut edhe pse dënimet, po të përmendej emri i tij nga arbënori dhe shqiptari dënoheshin me heqje koke. (vërejtje: faqe 35)
  1. Skënderbeu, shtyllë e fortë dhe e përhershme e identitetit dhe qenies sonë
Në vazhdim, edhe cikli i dytë përmban një risi tematike: për herë të parë trajtohet në letrat tona retorika në fjalimet e Skënderbeut e që i ka përfshi Barleti në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut”. Në fakt, autori vitin që shkoi, botoi po ashtu një libër voluminoz me titullin “Gojëtaria, mbretëresha e fjalës së shqiptuar (Ese, trajtesa, studime. Antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare)”, vëllimi i parë; e që po ashtu, duket të jetë teksti i parë që merret me studime të fjalimeve më të njohura nga gojëtaria shqiptare. Dhe nga ky vëllim u mor edhe ky kapitull, por kësaj radhe me zgjerime analitike e tekstore nga aspekti i analizës retorike në kontekstin historiko-letrar.
Pra, te dy kapitujt e parë, si një bosht tematik, ka identitetin tonë kombëtar, të mbështetur te kryeheroi ynë, si një shtyllë e fortë dhe e përhershme e qenies sonë, ku lirisht mund të themi se Epoka e Skënderbeut në shekullin e XV dhe vet figura e Gjergj Kastriotit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Ishte model i atdhedashurisë, urtësisë dhe mendjehollësisë.
Dy kapitujt tjerë. “Letërsia për Skënderbeun: nga Barleti deri te Fishta” dhe “Nga kodet letrare e tekstuale të kohës së sotme për Skënderbeun”, janë analiza e shkrime studimore letrare të veprave të autorëve tanë që nga Marin Barleti, Marin Segoni, Dhimitër Frangu- bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, e Frang Bardhi e deri te Kristoforidhi, Kadare, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Rifat Kukaj etj. janë edhe një varg shkrimesh të tjera që e trajtojnë personalitetin e Skënderbeut në artet figurative e në film, duke e përcjellë gjithnjë rrjedhën e kohës në vijimësi.
Disa tipa shkrimesh, që vijnë prej viteve ’70 e këndej, sado që autori thotë se janë shkruar për nevoja të shkollarëve të mesëm, apo shkrime që janë lexuar nëpër tubime përkujtimore kushtuar Skënderbeut deri në vitet ’90, megjithatë ato janë dëshmi e shoqërimit të gjatë nëpër dekada me preokupimet me këtë personalitet të madh historik.
  1. Preokupimi me gjenezën historike e mitologjike rreth nocionit të heroit
Autori e karakterizon vëllimin e tij me zhanret diskurzive ese, studime dhe këndvështrime. Por brenda këtij vëllimi hasim edhe kronikën me interes (një kronikë reagimesh, do ta quanim si kronikë shpirtërore dhe polemike), hasim edhe analiza kritiko-letrare për vepra të veçanta të letërsisë sonë; hasim edhe tipin e ligjëratës përkujtimore sintetizuese.
Do theksuar se Prend Buzhala përdor një gamë të gjerë të koncepteve edhe letrare, edhe të fushave të ndryshme nga fushat e shkencave humanitare, si filozofike, sociologjike, historiografike, retorike, kulturologjike, gjithnjë duke ia nënshtruar filtrit meditues intelektual. Kur e lexon këtë shkrim, të duket se lënda është mjaft komplekse, por autori ka prirjen që komunikimin e tij me publikun lexues ta ketë të qartë, shpesh të drejtpërdrejtë, e kund e kund edhe me depërtime të thella.
Në fillim të librit autori preokupohet me gjenezën historike e mitologjike rreth nocionit të heroit:
“Nëse etimologjia e fjalës HERO nga greqishtja antike kishte kuptimin e një qenieje gjysmë-perëndie, apo të secilit burrë që ngrihej në rang të gjysmëperëndisë; kjo do të thotë se burimet e këtij koncepti rrjedhin nga mitologjia, me rrëfimet për heronjtë mitologjikë, me të cilët është populluar literatura antike greke apo romake, ashtu sikundër konceptime të tilla mitologjike vijnë edhe në mitet ilire-arbërore-shqiptare.
Në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medalje. Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të pandarë, theorisis-in. Nga ky këndvështrim, trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e ka memorizuar në kujtesën e kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të krijimtarisë.”
Duke e bërë prerjen paradigmatike e sintagmatike të këtij koncepti nëpër kohë, si vetëdije e pranishme historike në kuadër të kombit shqiptar, ai nxjerr edhe togfjalëshin vlerësues “arketipi i heroit nëpër kohë”.
Edhe koha jonë e ka Skënderbeun e vet, e ka Kujtesën e Motit të Madh. Kohës sonë i takon Modeli kritik dhe heroi si vetëdije historike, si dhe Modeli arketipor i heroit. Këtë të fundit e argumenton me analizën që ia bën poemës “SKËNDREBEU” të Beqir Musliut, botimi i parë i saj më 1968, të plotë e botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004. Autori thekson:
“Poeti Beqir Musliu e shpërfaq pikësynimin e tij, mendimin udhërrëfyes si rregullator ekzistencial-historik. E pra, ideali lëviz në kuadrin e përsosmërisë së shëmbëlltyrës historike. Ideali poetik-historik i Musliut realizohet e lëviz në metafizikën lirike: në entitetin e gjërave, në labirintet e realitetit vetë, e që i kundërvihet asaj që është e pashme/e dukshme; e formëson botën e objekteve (si tek Platoni) ose botën e përvojës njerëzore (si te Kanti); apo pse ideali është harmonia në/me njohjen e qenies (J Fries); apo endëzohet në frymën e lindjes e të ringjalljes së të bukurës (Hegel).”
Kah fundi vjen një shkrim kushtuar Arben Xhaferit: “ARBËN XHAFERI: GJERGJ KASTRIOTI NUK U BË ATLET I SULLTANIT” dhe thekson autorin:
“Në këto luftëra Skënderbeu nuk mbronte vetëm interesin e tij e as të popullit të tij, por thjesht manifestonte një ndjenjë të përkatësisë, të epërsisë qytetëruese kundër një hordhie ushtarake që gjithsesi duhet ta ketë përbuzur. Është thuaja e pashpjegueshme se si një prijës i popullit të vogël me aq arrogancë e sfidonte superfuqinë ushtarake dhe ekonomike të asaj kohe. Do të ishte pretencioze të thuhej se gjenerator i moralit të lartë luftarak të tij dhe të luftëtarëve të tij ishte vetëm populli shqiptar, prandaj duke marrë parasysh lëvdatat që i bënin këtij të gjithë mbretërit evropianë të asaj kohe në krye me papën, duke marrë parasysh famën e tij jo vetëm në periudhën derisa luftonte, por edhe gjatë kohë pas vdekjes së tij, mund të konstatohet se gjeneratori i moralit të tij të lartë ishte qytetërimi perëndimor.”… Lufta që bëri Skënderbeu kundër osmanëve, ishte e pakushte, kur ballkanasit tjerë u bënë vasalë.”
Dhe e përfundon me dy shkrime me titullin e përbashkët “Heroikë e tragjikë shqiptare (nga nëntori në janar… )”. Autori thekson se Nëntori shqiptar shënon ngjarjet kryesore historike me emrin e Skënderbeut, ashtu sikundër që edhe Janarin e shënon emri i tij. Këto ngjarje i shquan fryma e kastriotizmit shqiptar: me emrin e tij lidhen luftërat liridashëse, pavarësia, ngjarjet e figurat… kastriotizmi është thelbi i i identitetit arbëror-shqiptar.
  1. Shtrija botërore dhe kombëtare
Pra, rrallë ka ndonjë emër që ka shtegtuar dhe ka zënë vend, duke u bërë banues i përhershëm, pothuajse në të gjitha metropolet botërore me kaq shtrirje të gjerë. Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën aq shumë sa Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe atë në formë të përmendoreve, statujave, muraleve e pikturave te ndryshme anë e kënd botës, monumenteve, librave, gravurave në metal dhe dru, emërtimeve të shesheve, shkollave, fshatrave, rrugëve e deri te përtëritja e emrit të tij në Gjergj, Kastriot, Skënder e tjera e tjera, të paktën njëherë në secilën shtëpi. Dhe këto fakte gjerësisht paraqiten te ky vëllim, si te trajtesat për figurën e kryeheroit në letrat botërore, në artet figurative, etj.
(Kjo kumtesë u lexua në përurimin e librit, më 1 shtator 2018, në Prishtinë)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...