2010-12-09

FATMIR TERZIU :Kur Vlorën e njeh nga libri...

imageNga takimi: Fatmir Terziu dhe Vilhelme Vranari
...nga emri i shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj

Jemi mësuar t’a njohim Vlorën nga Deti, historia, kultura, tradita, lajmet, ... por edhe nga letërsia e krijimtaria. Pra, nga arti! Arti i fjalës, ky grupfjalësh filozofik, që erdhi nga goja e Plato-s, nga filozofia e hershme e fqinjit, vetëm disa kilomentra larg Vlorës historike, po aq filozofike sa shfaqja metafizike e konceptit, ishte togfjalëshi që grumbullonte në zemër të Vlorës, krijues, protagonistë të Artit në një organizim model. Një organizim që të bënte të njihje Vlorën, pse jo edhe ndryshe, edhe nga një emër tjetër, nga emri i shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj. Pra, të njihnim Vlorën edhe nga libri?! Libri...?! Ky problem ishte disi i trazuar sa edhe rruga që të trazon drejt Vlorës. Po, pse?

Nisja dhe rruga

U nisa nga Elbasani drejt Vlorës për të marrë pjesë në promovimin e romanit më të fundit të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, jo thjesht si një pjesëmarrës, por si një protagonist, pasi pata rastin të redaktoja dhe analizoja këtë roman kohë më parë se ai të shihte dritën e botimit nga Shtëpia Botuese, “Nacional” me përkujdesjen intelektuale të poetit, publicistit dhe përkthyesit të talentuar, Mujo Buçpapaj. Në makinën me targa italiane, e ngarë me kujdes të trefishtë, nga vëllai im, Bashkimi, një i diplomuar në Histori-Gjeografi, por me punë në Prato të Italisë, ndodhej ime shoqe, Luçiana, e cila kishte lënë Londrën dy javë para se unë të nisesha për këtë mision letrar drejt Vlorës. Kështu përkujdesja dhe vëmendja në timon e vëllait-shofer, më kishte lënë më tepër mundësi të kundroja deri në detaj udhëtimin dhe të fiksoja të ‘harruarat’ apo ndryshimet në këtë itinerar: Elbasan-Vlorë. Natyrshëm, ndalesa e parë ishte ushqimi. Ushqimi për makinën, pra karburanti dhe ushqimi për udhëtarët, pra për treshen në makinën shtatë vendëshe. Në të dalë të hyrjes së ish-Kombinatit Metalurgjik, në anën e majtë të rrugës që shënon 55 kilometrat për në Tiranë, pika e karburantit “Eurodrin” ishte stacioni i parë i përkohshëm. Vetëm disa minuta dhe një shumë tremijëlekëshe në dorë të ustait me uniformë dhe makina sërrish në rrugën e saj. Pas disa minutash ishte ndalesa e kafes së mëngjesit. Një kafe ekspres, të cilën vëllai im e gëlltiti gati me dy herë të ngritjes së filxhanit. Unë me time shoqe, e shijuam për disa minuta.
-          E pive kafenë shpejt? – i them vëllait.
-          Kështu e kemi ne ‘italianët’ dhe qeshi...Kështu e pimë ne në Itali ekspreson në mëngjes, se ikim me vrap tek puna, - përfundoi ai, ndërsa unë vetëm tunda kokën dhe i hodha sytë një furgoni. U afrova afër. Shoferi po kryente ritualin e zakonshëm të mëngjesit dhe të kafesë.
U përshëndeta me pasagjerët dhe si për inerci të profesionit të hershëm të gazetarit hyra në bisedë...
Në furgon, veç të tjerëve, ishin edhe dy gra, të cilat kishin banuar më parë në qytetin për ku isha nisur, por më pas kishin ardhur me banim në Elbasan. Duke qenë se kishin lindur në Vlorë e njihnin shumë mirë këtë qytet. E para, një mesogrua bjonde, më dha menjëherë muhabet e unë përfitova ta pyes për udhëtimin drejt Vlorës.
-          “Rruga është e mirë, por kujdes mos ju zërë trafiku afër Vlorës..., se pastaj për tre orë s’dilni dot...”- shtoi ajo. Tjetra miratoi me rrudhjen e ballit dhe shtoi:
“Rrugën e Vlorës, e keni deri në Fier, pastaj e keni thuajse atë që keni parë vite më parë, ... po po vite më parë...”. Për të shkuar në Vlorë duhet të tundesh e të shkundesh në rrugën për faqen e zezë”, vazhdoi ajo. Dhe kishte të drejtë. Pasi përshkuam një rrugë shumë të mirë nga Elbasani në afërsi të Rrogozhinës, na u desh të kalonim mes përmes qytetit të Rrogozhinës, në një rrugë me gropa të thella, ku diku thuhej nën tabelë shkrafanjitëse “në ndërtim” duke udhëtuar në drejtim të Kavajës, se ura dhe rruga e vjetër që të shpien në drejtim të Lushnjës ishin amortizuar dhe të pakalueshme. Në këtë pikë trafiku dhe njerëzit kalimtarë ishin personazhet më bezdisës. Ora 07.07 na gjen në fillim të kësaj proteste nervore të stresuar e shpirtërore. Shoh tabelën që sinjalizon punime në rrugë, por nuk shoh eskavatorë, nuk shoh rulat e mëdhenj që ngjeshin zhavorin, nuk shoh edhe supervizorët që bëjnë me shenjë se deri ku ka arritur puna, gjëra të cilat i kisha parë një ditë më parë kur u ktheva nga Rinasi në autostradën që lë pas Durrësin...
Eh, thashë me vete, duke kthyer sytë nga im vëlla dhe ime shoqe, ku ka guidë më të mirë se këto udhërrëfyese të sinqerta prej Vlore që dinë mirë çdo detaj. Ndërsa im vëlla, që e njeh mirë rrugën Elbasan-Lushnjë, pasi e ka nusen nga Lushnja, tundi kokën me një mosmiratim dhe i dha gaz makinës...
            -Rrugët, ah rrugët, - shtoi ai. Rrugët janë bërë tani shumë të mira, por drejtuesit e makinave, janë bërë të padurueshëm. Shih si parakalojnë. Në çast një makinë, tip benz, parakaloi në krahun tim, dhe unë në cast nuk e nuhata gabimin, pasi m’u duk se isha në Angli, ku timoni i makinave ndodhet në të djathtë. Pas, shkundjes së kujtesës në çast, tunda kokën dhe ktheva sytë nga Qielli, ku në heshtje mërmërita: “O Zot i Madh!”.
Ndërsa pas 5 minutash gëzohemi si fëmijë se rruga më në fund mori frymë, pikërisht aty ku ca baranga me teneqe, akoma janë si modele kujtese të një kohe mallkuarqofti...
Superstrada ishte e mbaruar në të dyja drejtimet. Një superstradë që të shënon në kilometrazhin e makinës 40 minuta, pra vetëm kaq pak minuta në një rrugë të mrekullueshme nga Lushnja në Fier. Më në fund në Fier, në qendër të qytetit arritëm në orën 9.20 minuta. Më saktë ishte ora që të takonim dy krijuesit e talentuar fierakë, Petraq Kote dhe Nuri Plaku, dy drejtues të krijuesve nga qyteti që tashmë ka një emër të ndjeshëm në tërë krijimtarinë shqiptare.
Nga Ura e Mifolit drejt Vlorës, rrugën ta bënin më të lehtë dhjetëra ambulantë që tregtoni prodhime natyrale të freskëta. Rrush, fiq, dardha e pemë të tjera servireshin për udhëtarët, ndërsa vëmendjen duhej natyrshëm ta kishe tek rruga dhe trafiku që sa vinte e ngjeshej...

Në hyrje të Vlorës

Në hyrje të Vlorës, një parrullë e mbetur nga zgjedhjet e shkuara të kujtonte Çamërinë. Diku të kujtoheshin edhe ‘metastaza’ të një kohe të tmershme, edhe ..., por këto ishin vetëm risqe kohore të mbetura pas. Vlora kishte dritë. Kishte Diell dhe temperatura shënonte tridhjetë e gjashtë gradë Celcius nën kabinën e makinës. Celulari cingëroi dhe vëmendja ishte tek Vilhelmja që na priste përballë “Riviera”-s...
“Vlora “sofra e librit shqip”,  përuroi në pallatin e Kulturës “Labëria “ një qendër kulturore kjo me vendodhje në Skelë , tre libra të një prej autoreve krijuese më prodhimtare në 20 vjetët  te fundit Vilhelma Vranari Haxhiraj”, do ta niste shkrimin e tij Poeti dhe krijuesi vlonjat, ish kolegu im i ditëve të vështira në shtypin shqiptar, Gëzim Llojdia, në revistën “Nacional”.
Dhe Gëzimi, miku i mirë e i qetë vlonjat, kishte të drejtë në shkrimin e tij. Një sallë plot. Krijues nga të gjitha zhanret. Kolorit arti dhe kulture mes moshash të ndryshme. Një lajtmotiv tipik vlonjat. Një gërshetim melodioz i vlerave bashkëkohore, që ritransmetojnë mesazhin e brezave. Një atmosferë që rrezatonte kulturë dhe tingëllonte model. Fitimi, një protagonist i domosdoshëm i skenës, një emër që ka gdhendur mes vitesh talentin e tij, natyrshëm ishte ‘medalioni’ i merituar i promovimit, por jo ai i titullit të romanit më të fundit të Vranarit, bashkëshortes së tij të shtrenjtë, shkrimtares, që i ka dhuruar emrin e saj Vlorës, nëprmjet një vrulli maraton krijues, mes shtrydhjes disavjeçare të memorjes. Prapë Llojdia vazhdon duke shtjelluar në shkrimin e tij dhe duke na ardhur në ndihmë: “Ajkën  e këtij përurimi e përbënin  studiues, krijues dhe lexues të letrave shqipe.”
Tre librat e Vranarit që kishin rastin të vishnin ‘kostumin’ e nusërisë letrare ishin arsyeja që mbushej salla. Vëllimi me poezi shqip dhe rumanisht, “Rrënjët”; përmbledhja me përralla ”Kuçedra” dhe romani i mirëpritur ”Dritëhijet e medaljes enigmë” ishin një pjesë e aritmetikës së ngjeshur të krijimtarisë së autores vlonjate, tashmë me një arsye globale në krijimtarinë shqiptare.  Një arsye që vjen jo thjesht nga aritmetika, apo koha, por nga ideja dhe tema që fokusohet në një kënd trans-komunikues të përditësisë dhe difuzionit të saj me problematikën e ardhur nga shekujt, si një dialektikë e filozofi që kërkon ende shërim: patriarkaliteti dhe korrupsioni. Dy sëmundje që shërrohen dhe infektojnë sërrish qeniet njerëzore...
Patriarkaliteti gjithmonë përpiqet të gjejë forma dhe metoda të ndryshme për të pikturuar gratë me tre qëndrime diversive dhe të debatueshme. Tre qëndrimet që vetëm diktohen me ‘grua të devotshme’, ‘grua për burrë’ dhe ‘grua model’ janë vetëm pjesë e një ajsbergu me të cilin ushqehet dhe është ushqyer politika. Këto në fakt, janë qëndrimet e fshehura që bazohen tek ‘shijet’ që diktohen nga epshe mashkullore, epshe që vijnë e diktohen pas dëshirash të sëmura që shpesh riskohen pas të qënit një “femër me aromë” apo ‘perëndeshë e perëndeshës’. Thjesht objekte frymore, vetëshpallëse për syrin e mashkullit. Kjo në disa raste edhe për syrin bashkëshortor. Pra, edhe kur ky është bashkëshorti i saj (?!) Në këtë patriarkalitet shpesh gjejmë një "vetquajtje më pak njerëzore, pra një njeri që në fatin diversiv të tij, vjen si një modulitet i pakapshëm, më saktë si një ‘Perëndeshë’, duke harruar këtë femër se duhet të jetë ajo me atë që së pari lidhet me kuptimin e mirëfilltë ‘një nënë të përkushtuar’, dhe një femër tipike, pra një njeri, thjesht me sensin: njeri të pastër. Këto ide që shkrimtarja Vilhelme  Vranari  (Haxhiraj) tenton t’i fusë në kalibrin e saj dialektik me romanin e ri “Dritëhijet  e  medaljes enigmë…” janë aspekte filozofike me të cilat ajo tenton të zbulojë botën e ndrydhur femërore në lidhje me mjaft situata të zhdërvjellta, por gjithmonë nga këndi i vëzhgimit mashkullor. Duke vënë personazhin e saj, Edlirën, në rolin e paramenduar bukur, Vranari sfumon atë varg që lidhet me aspektet që sipas mendimit tim, janë mjete të politikës seksuale që patriarkaliteti i sëmurë i një sistemi të kalbur është përpjekur  t’i vendosë në siparin e tij politik e më pas me to të luajë si një modul intrigues apo si një mostër-politikë të shpallur për gratë e të gjitha moshave. Ky lloj patriarkaliteti gjithmonë tenton t’u bëjë kurth grave, me një ‘ideal’ të sëmurë, duke mohuar individualitetin e tyre. Në të gjitha këto tri qëndrime, grave thjesht u mohohet sublimiteti jetik, që është qëllimi origjinal i lirisë së tyre. Këto tre qëndrime e kanë kthyer gruan, pra atë grua që trajton shkrimtarja Vranari, thjesht në objekt. Duke udhëtuar mes këtyre detajeve sublime e të prekshme, “Dritëhijet  e  medaljes enigmë…” bëhet një bashkëudhëtar i qetë nga fjala në fjalë, nga grupfjalëshi në togfjalësh, nga fjalia në fjali dhe nga faqja në faqe. Kapitujt bëhen më të kapërcyeshëm dhe leximi të jep kënaqësi. Mes fletëve të romanit, dashuria, lakuriqësia, butësia e lëkurës, freskia dhe aroma e trupave, po aq edhe koha, aspektet që lidhet me çiftin burrë e grua, ajo që lidhet me ndjesinë, kohën, profesionin, suksesin, biznesin, fëmijën e çiftit me emrin Igli, pastaj gjeografia që lidhet me masterin e studimeve të Edlirës, e që fillon me tërë ato emra Itali, Çeki, Greqi, Rumani e përfundon në Angli, është një arsye më shumë që të lehtëson udhëtimin filozofik për të kuptuar të plotë lidhjen jetike dhe arsyen me profesionin e bukur të gazetares, të gazetares së lidhur edhe me ATSH-në. Vranari kështu luan jo thjesht me atributet e artit dramatik në prozën e saj, por në mënyrën më të përsosur të arsyes gatuan fabulën mes dramaciteteve të jetës bashkëshortore për të plotësuar mesazhin sublim. Janë këto mesazhe sublime që merren me tema të tilla dhe me interes të pranishëm për publikun, për të cilat ato janë të shkruara, ashtu si edhe të luajtura në heshtje me dramatizim të madh. Për një audiencë shqiptare të kohës sonë, marrëdhëniet bashkëshortore shfaqen me interes vital, por janë edhe marrëdhënie që diktohen me problematikën e tyre. Për një audiencë të ditëve të sotme, në rrafshin më të gjerë, lidhja e cituar nga Vranari me tërë problematikat e saj është e një rëndësie të lartë edhe për kultura të tjera. Marrëdhëniet shoqërore, të cilat janë duke u bërë gjithnjë e më të theksuara në mendjet e njerëzve, dhe të cilat mund të jenë të destinuara të jenë subjekt tjetër i madh për artin, i nënshtrohen jo rastësisht penës së mjaft penave sot në botë. Shumica prej nesh janë ende në mes të luftës së përzgjedhjes për tema të tilla në të lexuar. Aspektet morale të pyetjes, kërkesat etike dhe altruistike, po aq edhe ato kërkesa praktike janë shumë këmbëngulëse për ne që të shohim këtë përzgjedhje si një të tërë, ose për ta parë atë në mënyrë të qartë, si material për artin, për ta parë atë si të bukur në tërë kompleksin që lidhet me kulturën, identitetin, globalizmin në art, por edhe me stilin, strukturializmin, postmodernizmin dhe mjaft kritere të tjera që duhen apriori vënë në dritaren e duhur të vlerësimit. Duhen vënë në atë dritare me xham të pastruar mirë, me qëllim që koha të mos ‘qërrohet’ duke vëzhguar kohën për brezat. Në këtë pikë fjala e Vranarit në këtë roman është jo thjesht pikasje, as përzgjedhje e gabuar, por një art më vete. Dhe arti i përket artistit. Artisti, që ecën larg, shumë larg, ndoshta edhe pak përpara moshës së tij, duke treguar bukurinë dhe kuptimin, këto dy aspekte metafizike të jetikes, natyrshëm janë vetë flamuri i përzgjedhjes, që ndodhet në një majë të pakapshme. Ky artist kurrë nuk kalon pa rënë në sytë e gjeneratës së re, dhe me veprën e tij dikton vendin ku flamuri është vendosur, jo me dëshira e stile tashmë të perënduara ‘politiko-miqësore’ të rrëfimit kritik-mik. Brezat gjejnë kështu mesazhin e këtij artisti duke pritur atje ku është ngulur flamuri, për ta shijuar atë arritje si të gjitha gjërat e bukura që presin gjetjen dhe zbulimin, përzgjedhjen e tyre. Vranari është artistja, e cila jo vetëm i ka vënë pikërrëfimin rrugës së bukur prozaike shqiptare, por është edhe arsyeja që rrëfen vendin ku është ngulur flamuri në një mjedis më të gjerë krijues, e pse jo me nivel tashmë botëror për forcën e mesazhit dhe fabulës së saj. Ajo, më shumë se çdo tjetër në këtë pikërrëfim, përdor për bazë të artit të saj ndjesi të interesit jetik, jashtë moshës së saj, por në një pikëtakim me kohën, vendin dhe situatat që gatuhen nga fabula dhe mesazhi. Në këtë pikë ajo është një model!

Salla promovuese model, mesazhet dhe respekti

Dhe normalisht në sallën e mbushur plot e përplot, mes një koloriti ngjyrash të pasqyruara nga kostumet tradicionale shqiptare, që kishin veshur fëmijët e valleve, fjala e publicistes Laura Petoshati, do të sillte edhe një vlerësim enkas për këtë promovim nga botuesi i “Tribuna shqiptare” në Kanada, i diplomuari në Toronto për Politikë, Ajet Nuro, tashmë një personazh i mirënjohur në mjedisin shqiptar. Petoshati duke cituar nga fjala e zotit Nuro sillte: “Ndër librat që më shoqëruan gjatë kthimit tim nga Shqipëria ishin edhe tre librat që përbëjnë trilogjinë "Vështroni Meduzën". Sigurisht për ti lexuar ata do më duhet pak kohë për më tepër që unë kam vendosur të filloj nga romani i saj më i fundit "Dritëhijet e medaljes enigmë". Por duke hapur trilogjinë në fjalë më tërhoqi vëmendjen përkushtimi i autores ku ajo shprehet rreth trilogjisë por edhe rolit të saj ndaj bashkëkohësve të vetë dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi. Meditimi i autores del jashtë kontekstit vetiak dhe përgjithëson marrdhëniet krijues-lexues dhe krijues-shoqëri. Ju uroj lexim të këndshëm.  Vilhelme Vranari –Haxhiraj - Dy fjalë rinisë shqiptare të shekullit XXl nga autorja. Parathënie e trilogjisë "Vështroni Meduzën". Jam një grua si gjithë të tjerat. Disi e madhe në moshë për të shkruar një vepër voluminoze, një trilogji, me një shtrirje të gjërë si në hapësirë, ashtu dhe në kohë. Si çdo femër kam impenjimet e mia, si bashkëshorte, si nënë, si gjyshe dhe si pjesë e shoqërisë. Këtë vit mbusha gjashtëdhjetë vjeçe. Kushdo kur arrin një limit, pyet veten: “ Jetova, a s’jetova vallë? Kam parë apo s’kam parë? Thashë, po çfarë kam thënë? Kam bërë, po ç’kam lënë?” Jam e bindur se sa pyetje pa përgjigje, trazojnë mendjet e lodhura të atyre që kërkojnë diçka më tepër nga vetja për të qenë :“Dikushi”. Ishin pyetje, të cilat përballë realitetit të hidhur dhe të gjatë, ngelën memece, gjë që më ka munduar gjatë gjithë jetës.“Si mbiemri i shoqes sime të shkollës pedagogjike “Vranari”, e tillë, e vranët ishte dhe jeta e saj. Duhej kohë, që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta thoshte fjalën e vet. Ajo vjen në letërsi si Antigona për të qetësuar dhe mjekuar shpirtrat e lënduar të shqiptarëve”- u shpreh më 4 nëntor 2000 në panairin e librit në Tiranë, shoku i saj i shkollës pedagogjike “Jani Minga”, poeti i shquar Xhevahir Spahiu. Me këto fjalë, ai që, me poezinë e tij shëron dhe qetëson shpirtrat njerëzor, që është një nga zërat më të ëmbël, më tronditës, më ledhatues, më bindës, më mikëlues, kishte të drejtë.

Analiza e Monica Mureşan

Më interesante mbetet analiza e Monica Mureşan (shkrimtare- analiste) rumune Në vëllimin dygjuhësh (shqip-rumanisht) të shkrimteres shqiptare Vilhelme Vranari Haxhiraj, si impresion gjeneral, lexuesi vë re një atmosferë që shkon duke evoluar nga bota intimiste përmes poezisë minimaliste, me aksente mbi sentimentin lirik, por edhe një ndryshim regjistri, ku liriku i lëshon vendin poemit narrativ, me aksente herë filozofike dhe meditative, herë auto-refleksive (shih poemin “Fytyra në pasqyrë”!). Përfundimisht mund të themi se vëllimi ka një petk tematik si dhe një unitet  nëntemash të trajtuara, ndërsa vargu i shkurtër, elegant dhe hijerëndë, i rijep ngjyrën personale kësaj poeteje fine, një zë i fuqishëm por diskret, dimensioni i brendshëm i së cilës sondon( sonda hynë thellë në tokë të gjej thesaret, në rastin tonë autorja heton gjendjen mendimet, ps :/sqarim i redaktorit) dhe zbulon njëherit, qartësitë dhe paqartësitë e një bote e cila  i nënshtrohet “kohës bastarde”. Vëllimi bilingve „Rădăcinile”/ „Rrënjët” përfshin poemat e shkrimtares shqiptare Vilhelme Vranari Haxhiraj, libër që ka dalë nga botimi më 2009, duke qenë i përkthyer në gjuhën rumune nga Baki Ymeri. Libri mban një mesazh etik dhe humanist që buron nga vetëdijësimi i rolit të cilin e ka poetja në jetë: „Lajmi i zi mori dhenë,/ nga jeta u nda një poet/ Dikush me dhembje tha:/ I ndriftë shpirti për jetë!/Meriton një panteon/ Të kujtohet jetë e mot/Për fat ai jeton/ Vetëm/ Gjysma e tij prehet nën tokë,/ Ndërsa gjysma tjetër është mes nesh (Poeti). Nga thellësia e ndërgjegjes kolektive, poetja ka përfituar fuqinë e shkrimit me bërthamë, ndërsa fuqia e pajtimit me tekstin në adresë të lexuesit zë vend dhe justifikohet pikërisht me receptimin e këtij transmetimi të ngazëllimit për të qenë trup/e/shpirt si efekt me një „Aromë dehëse të qytetit”. Autorja mëton të rijapë sa më thjeshtë dhe sa më drejtëpërsëdrejti mesazhin e optimizmit të gëzuar për të sesizuar (përcaktuar) thjeshtësinë e perfeksionimit, për të ndarë së bashku me njerëzit e saj shijen e dashurisë në vete, lexuesi duke u bërë një dëshmitar apo një bashkëbanor, drejtëpërsëdrejti dhe pa fishekzjarre livreske, pa formula të sofistikuara apo abstrakte: Mjerimi/…/Nuk trembet nga qielli i trishtë,/…/Nga thirrja e lazdëruar(ndoshta lajkatare(shën i redak) e vdekjes/…/Por e tremb nxehtësia e diellit.”(Mjerimi). Njësoj siç është dialogu poetja-natyra është i pazëvendësueshëm, po ashtu edhe vargjet shprehin përgëzimin për të qenë dhe për të dashur, duke evoluar nga një „kohë bastarde” deri te depërtimi në një „botë fisnike”, mbi një plan të kënaqësisë estetike që të josh. Dashuria e pakushtëzuar rrezaton nga një botë e madhe familjen e njerëzve që dinë ta duan të mirën dhe të bukurën, ndërsa poetja banon në atë botë të cilën e drejton zemra e saj. Librin e saj e përshkon mënjanë një rrjet i shqetësimit, i cili përbën po ashtu motivet që i ushqejnë temat qëndrore, siç janë dashuria dhe koha. Mbi dheun e plleshëm të dashurisë degëzohen kështupra motive të mirëmbajtura përmes përsëritjes apo rimarrjes parciale: rikthimi te rrënjët, në atë hapësirë arhetipale, të stërlashtë, përmes përkuljes dhe strehimit në gjirin e formulave arhietipale. Nuk është fjala për ikje nga realiteti, por për riprurjen në kujtesë, rivitalizimin, madje dhe komemorimin e disa evenimenteve, vendeve, njerëzve dhe emrave nga e shkuara e Shqipërisë. Kontraste përrallash/ Gjenden vetëm në vendin tim – pohon autorja, duke tërhequr vëmendjen se, Nëse njerëzit do të ishin/ Tolerantë e të mirëkuptueshëm/ Aëherë do ta shihnit/ Se si do të dukej vendi im.” Poemat kanë një farë solemniteti, ndërsa atmosfera i përgjigjet kësaj gjendjeje të derdhjes në vorbullën e kujtimeve, si plan i përgjithshëm, nën hijen madhështore të së shkuarës, duke reflektuar te „Identiteti” faktin se: Pasaportë/ kemi eshtrat e të parëve tanë/ Varret e lashtë/vlejnë si karta identiteti,/…/ Endur me gjak zemre atdhetari/ me qumësht gji-nëne ëmbëlsuar,/ gjuhën e hyjneshave ilire,/ si pasuri trashëguam. Nganjëherë poemat duken si do stampa, herë të tjera shndërrohen ndërkaq në do vizatime virtuale, të gjalla e të eksponuara në magjinë e dritës së plotë. Ballafaqohemi me të njëjtin proklamim të identitetit përmes ndërlidhjes me të njëjtat projektime, prej nga buron edhe konkretizimi i titujve, duke filluar madje me kryetitullin e vëllimit „Rrënjët”. Ky konkretizim shpjegohet, ndoshta, përmes faktit se poetja është e motivuar nga prejardhja e saj fisnike, si pasardhëse nga familja e Princit Gjergj Arianiti, si dhe nga fakti se e ka mbajtur që nga fëmijëria peshën e persekutimeve për motive politike.  Në të njëjtën kohë, ndërkaq, titujt e zgjedhur janë edhe transparente, psh: „Frika” apo „Urrejtja”, „E Vërteta” apo „Jeta”, „Prehje”, „Rikthim në vite”, „Identiteti”, „Errësira”, „Vetvetja”, „Poeti” etje... duke u bazuar mbi instinktin e vet të natyrshëm, dhe me këtë regjistër numërimi kemi parashtruar edhe një anë nga subjektet e trajtuara. Një emocion i gjallë e motivon poeten kur shkruan te poema „Rikthim në vite”: Ty Perëndi të adhuroj,/ më rikthe në lashtësi,/ nëpër skuta të gërmoj,/ errësirës t’i hedh dritë./ Të shikoj çfarë nuk kam parë,/ të dëgjoj ç’nuk kam dëgjuar,/ të njoh atë që dot s’e njoha,/  historitë që s’janë treguar.//Më rikthe, të kuvendoj,/ me të parët, si kanë jetuar,/ ndër legjenda ende jeton,/ fisnikëria e trashëguar.Si impresion gjeneral, lexuesi vë re një atmosferë që shkon duke evoluar nga bota intimiste përmes poezisë minimaliste, me aksente mbi sentimentin lirik, por edhe një ndryshim regjistri, ku liriku i lëshon vendin poemit narrativ, me aksente herë filozofike dhe meditative, herë auto-refleksive (shih poemin “Fytyra në pasqyrë”!). Përfundimisht mund të themi se vëllimi ka një petk tematik si dhe një unitet  nëntemash të trajtuara, ndërsa vargu i shkurtër, elegant dhe hijerëndë, i rijep ngjyrën personale kësaj poeteje fine, një zë i fuqishëm por diskret, dimensioni i brendshëm i së cilës sondon( sonda hynë thellë në tokë të gjej thesaret, në rastin tonë autorja heton gjendjen mendimet, ps :/sqarim i redaktorit) dhe zbulon njëherit, qartësisë dhe paqartësitë e një bote e cila  i nënshtrohet “kohës bastarde”.Mjeshtri i Sportit Mexhit Haxhiu  solli një përqasje të shkëlqyer kritike për veprën dhe lirinë munguar të autores .Diskutuan Meto Hoxha poet, A. Abazi, Q.Meminaj. Grupi i valleve të Asamblit “Aulona Folk” me mjeshtrin Jani Gjergji e zbukuron sallën me motivet e melodive më të bukura të trevave shqiptare. Këngëtari i estradës së Vlorës M. Qëndro përzgjodhi atmosferën vlonjate me krijimet e këngës popullore qytetare të Vlorës.
Pas promovimit një drekë në një nga restorantet vlonjate. Një drekë mes miqsh vlonjatë, por edhe drekuesish pushuesh nga të katër anët e vendit. Një grup shkodranësh ftojnë dhe tërheqin vëmendjen mes autografeve të Vranarit. Pastaj në një cep të restorantit të zë syri Prefektin e Vlorës, Hasan Halilin, që ishte në një ‘drekë pune’. “E ftuam thanë organizatorët, por ishte i zënë me punë...” Të zënë me punë ishin edhe disa të tjerë, madje edhe disa krijues, që sidoqoftë, me fjalët e tyre ishin disi të pranishëm...


Duke shijuar Vlorën  nga apartamenti i poetit Gjata

Një vizitë me time shoqe dhe vëllain tim me ftesë të bashkëshortes së poetit vlonjat Arqile V. Gjata, Xhenit, dhe me këmbënguljen miqësore të tij, në shtëpinë e bukur dhe komode të familjes Gjata, që e kanë blerë me kursimet e punës në shtetin helen, në ballë të plazhit ishte më shumë se një pasqyrë për të shijuar Vlorën nga një lartësi afër Plazhit. “Ka shumë mundësi që Vlora të jetë qyteti bregdetar më i gjatë në Shqipërinë tonë”, - më thotë Bashkimi, teksa e kundron gati me një sy gjithë hapësirën bregdetare të Plazhit të Vlorës, nga ai kat i dhjetë i apartamentit me dritë dhe frymëmarrje të bollshme, ndryshe nga apartamentet e tjera të ndërtuara kohët e fundit. Pastaj nga qendra deri tek Rrapi në Ujë të ftohtë, siç i thonë vlonjatët, u desh një dy-orësh i mirë për ta përshkuar. Ishte mirë të ecje në këmbë, sidomos pasdite kur dielli po fillonte të perëndonte e kur pushuesit po shkrehnin çadrat për t’i thënë plazhit lamtumirë, të paktën për atë ditë. Sytë më kapën, në Plazhin e Ri nja dy “vendroje”, që u ishin lënë rojeve të plazhistëve. Por çe do që ishin bosh. “E kanë bërë shumë mirë plazhin këta të bashkisë por rojet e plazhistëve i kanë harruar t’i vendosin. Ishallah na ruan zoti se nuk i dihet detit”, më thotë një miku im, që rastësisht e takuam aty dhe që vinte çdo ditë për të pushuar në Vlorë. Por ai bën shyqyr që kishte gjetur një nga ato çadrat e bashkisë, të cilat u ndahen falas pushuesve, se zakonisht zihen shumë shpejt.

Kur vjen radha e librit dhe...

Në pjesën tjetër ishte libri. Jo thjesht libri, por interesimi dhe shitja e tij në Vlorë. Në një nga libraritë kryesore në qendër të qytetit, u ndalëm dhe i adresuam disa tituj nga botimet e mia. I themi se “Kritika Ndryshe: Një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare” është në planin e Ministrisë së Arsimit për librat shkollorë, por ajo na e kthen...: “A keni ndonjë libër të ndonjë autori të huaj?”. Ne pamë njëri-tjetrin në sy dhe ..., kaq mjaftoi të mos vazhdonim më. Por, ndërsa ne heshtëm, ajo filloi bisedën: “Mirë, pa para në dorë, me 25 përqind të shitjes, unë ju mbaj nga pesë copë nga gjashtë artikujt...”. Ndërsa pyesim për romanet e librat e autorëve vlonjatë, ajo shprehet se ata i shesin vetë... Ndërsa autorët shprehen: “Librat nëpër librari jepen me qira për lexuesit”?! Librat me qera?! E pabesueshme, por ja që ndodhka. Prandaj librat nuk shiten?!Eh, nejse, thashë me vete, Vlora njihet më shumë për plazhet e bukura edhe pse unë doja të shihja e të diktoja të tjera gjëra. Pyetëm se ku ndodhej Muzeu Historik dhe Muzeu i Pavarësisë. Ia nisa me atë të historisë se e kisha edhe më afër. Por çfarë të shihje nga jashtë, mure me lagështirë që të thoshin t’ja fusje vrapit e ta lije për njëherë tjetër vizitën. Por ne u futëm brenda. Ciceronia na tha se kanë kërkuar fond në bashki e do ju vijnë, që t’i rregullojnë muret. Në Muzeun Historik ka objekte prehistorike e deri tek ato të viteve 1924, si arkëmorti i vërtetë i Avni Rustemit. Thonë se kur Avni Rustemi vdiq, ia ndërruan arkëmortin, duke e vënë në një tjetër kështu që ai i pari u bë pjesë e këtij muzeu. Objekti që përsëritej më shpesh në këtë muze ishin amforat, vazo të bëra me gur apo baltë që nga banorët e Aulonës përdoreshin për të transportuar ushqim. Kushedi sa herë ciceronia e përsëriti fjalën “amforë”. Nuk pamë asnjë turist të hynte në muze, të paktën për një orë qëndrimi. Po kështu la të kuptohej edhe ciceronia, e cila më pohoi me gjysmë zëri se numri i vizitorëve nuk është i lartë. Nga qendra në Skelë pas 7 minutash u gjendëm para rezidencës së qeverisë së parë shqiptare, Muzeut të Pavarësisë në Skelë. Gjendja ndryshon. Nuk ka të krahasuar me Muzeun Historik. I vogël por i këndshëm dhe tepër i mirëmbajtur. Që prej dy-tre vjetësh na thanë se ka vënë dorë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me që ky muze është monument kulture duhet një kujdesje më e madhe për historinë tonë të afërt.
Vendi ku ka punuar Ismail Qemali me 10 ministrat e tij, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 është me të vërtetë shumë i vogël, i ndarë në 7 dhoma dhe 2 sallone. Menjëherë shkuam tek dhoma e “kabinetit” qeveritar. Kjo po që është qeveri në dietë! Një tavolinë e vogël me ca karrige rreth. Në një nga dhomat e tjera, që fatkeqësisht nuk e mbaj mend se cila qe, se vëmendjen ma tërhoqi një detaj nga një firmë, pashë Aktin e Pavarësisë. Albiona, ciceronia e muzeut që ishte e zhdërvjellët në të folur, shjegon se ky akt është dhuratë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit për muzeun. Krahas 40 firmave të vitit 1912 nga të pranishmit kur u nënshkrua akti i pavarsisë, qëndronte edhe firma e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli. Albiona më thotë se ky është një akt i dhuruar nga Znj. Topalli, sepse ajo ka mundur ta gjejë në origjinal dhe të paretushuar aktin e pavarësisë, ndryshe nga ç’ishte i njohur në ish-regjimin komunist ku mungonin firmat e Mustafa Krujës, Mithat Frashërit dhe Lef Nosit. Madje Albiona më thotë se muzeu e ka pranuar këtë dhuratë nga kryetarja e Kuvendit dhe nuk e sheh me aq vërejtje një firmë shtesë fare të freskët. Po ne si duhet ta shohim?!
Para se të nisesha në Tiranë, ku duhej të planifikoja një intervistë në studiot e televizionit “Ora News” me gazetarin Andi Bici, të brin e Valentinës, poetes së njohur, doja të vizitoja lokalet e Skelës. Qëndroj në njërin prej tyre. Prej andej duket Vora si në pëllëmbë të dorës, por edhe Porti...
Diku një pulëbardhë u shfaq, cikërriu dhe u zhduk. Dielli kishte notuar e notuar mes valëve të detit derisa na kishte dhuruar të kripurën në këmishat tona. Librat e dhuruara nga Vranari, disa krijues të tjerë të dashur e të përzemërt vlonjatë ishin miqtë e mi të shtuar të udhës. Vlora më dhuroi një plejadë të ngjeshur miqsh, por edhe një fabulë të rinjohjes së Vlorës, nga shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj. Nesër, nesër është koha e brezave..., thuhej diku në një nga këto libra të dhuruar miqësisht...


Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...