2010-12-09

image 

Jonida Nika




















Intervistë: Një shoqëri, e cila nuk administron trurin dhe shpërthimet e tij progresive vonon dhe stacionon ecjen

Shkruan : Jonida Nika


   
   Kristaq F. Shabani

Me Kryetarin e Lidhjes së Krijuesve “Pegasi”Albania, me qendër në Gjirokastër shkrimtarin dhe poetin Kristaq F. Shabani, Anëtar i  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Anëtar dhe Anëtar Nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Ndërkombëtarë I.W.A (me qendër në Ohajo SHBA), Anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë W.P.S  si dhe Anëtar Nderi i Lidhjes “XASTERON Athinë (GREQI).

Shpesh, kur kthehemi në retrospektivë pyesim veten: “Si erdhëm deri këtu?”. Edhe ju natyrisht e respektoni këtë pyetje.

Kjo pyetje është e natyrshme. “Pegasi” erdhi deri këtu, duke fluturuar poetikisht dhe çuditërisht, falë aftësive të tij, u bë tepër i njohur. Tashmë në “qiellin poetik” kjo yllësi dallohet e konturuar. Në fillesë ishin vetëm 30 krijues nga Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, madje dhe të emigruar në vendet e tjera, kjo përcaktoi edhe hapësirat e shtrirjes. Shumë prej këtyre krijuesve ishin të panjohur,  apo të privuar nga sistemi i mëparshëm, për të interpretuar në “arenë”, pra,  s’kishte nga ata që u përkëdhelën e u ledhatuan nga regjimi i mëparshëm dhe që nuk të “lëshojnë” rrugën edhe sot e kësaj dite, duke mbajtur mbi supe përvojën e tyre shkrimore dhe atë konturim të krijuar me “model”. Ky situacion  i bënte këta përfaqësues të së kaluarës  mosbesues me pyetje të tipit “asgjësues”, dhe shumë shpejt aktivizuan dyzimin: “kalin fluturues” e quajtën “kalë të huazuar”. Por, që në fluturimin e parë me “Ylberin e Shpirtit” këta u thyen dhe kthyen në ! dhe ?.
Lindjet e reja mezi priten nga shoqëria jonë, e cila është e mësuar me metodën e marrjes në gojë apo të thashethemnajës. Edhe lindjet letrare, dikur priteshin me urdhër. Në rast se dua unë, ti lind, në rast se s’dua unë, nuk lejohet as aborti… Edhe sot ka konceptime të tilla, paçka nga 17 vjetët e kthesës, apo të përmbysjes, që nuk e kemi përmbysur mirë, pasi vijon “mbretëria e ëmbël “ e përcjellur. Por përmbysjet e thella bëhen, kur krijohet mundësia e re, ndryshimi i bindshëm real dhe krijohet mentaliteti i ri. Shpesh ne na motivojnë edhe “nevrikë”, kur kemi një qetësi të admirueshme.

Një shoqëri, e cila nuk administron trurin dhe shpërthimet e tij progresive vonon dhe stacionon ecjen.

“Pegasi” që të formonte fizionominë e tij ka zhvilluar veprimtari me nerv, me një kuadraturë të larmishme,  me aplikime të programimeve “ndryshe”, për të hequr “mantelin” e përsëritjes, që të merrej frymë me bronke reale. Pikësynimet tona kanë qenë: dalja në dritë të ndriçuar, luftë meititetit dhe kopjimit mekanik, zhvillimit të aftësisë krijuese në një terren dhe mjedis, ku mund të kërkosh  me spontaneitet substancën konkurruese. Në rast se veprohet brenda guackës, plasin gjithmonë rrjedhojat. Ne u përhapëm me arsyetim dhe gjetëm përkrahje me krijuesit në Tepelenë, Përmet, Sarandë, Delvinë, Fier,Tiranë e gjetkë, madje dhe jashtë vendit në Greqi, Itali, Kosovë, Maqedoni, SHBA e tjerë.
Shpesh herë të merresh me letërsi të nofkojnë, të aludojnë, të nxjerrin jashtë mode, por përvoja jonë tregoi se kur komuniteti letrar përpiqet edhe vetë arrin të administrojë vetveten, ai arrin ato objektiva dhe synime që kërkon. Janë rreth 800 libra të botuara gjatë këtij 9 vjeçari nga Krijuesit e Lidhjes sonë si dhe rreth 300 veprimtari letrare! “Pegasi” tashmë është lidhje prezente, reale dhe e provuar për intuitën intelektuale dhe shkrimore që ka, e provuar dhe në arenën ndërkombëtare, e njohur në 100 shtete të Botës, ku “luhet” ndryshe dhe bëhet vlerësim potent.  Koha po provon edhe tek ne  se lidhjet komunitare të krijuesve janë vetëvepruese, kanë dëshira të përbashkëta, bëjnë çudira të përbashkëta, janë vizionare , sepse në to nuk vendos “diktati”.

A ka zbulesa poetike?

Zbulesat tona janë të shumta dhe japim një shtysë në zhvillim dhe në qëndrimet “poetike”, që mbajmë. Ne kemi lozur një rol të pakontestueshëm në zbulimin e talenteve duke pohuar se, ata, që e kanë detyrë, të cilët paguhen nga shteti s’e marrin këtë nismë, duke i parë me shikimin e njerkës. Zbulesat tona flasin vetë. Kështu p. sh. Shkolla e mesme “Siri Shapllo” Gjirokastër “mburret” me dy botimet e realizuara prej nesh, Lidhjes “Pegasi”, të Eruglina Kucit “Fluturoj me pëllumbat” dhe “Shpirti i trazuar” i Bledar Haskës, duke i pasqyruar në Historikun e saj, si zbulime të veta! Ne kemi bërë punë specifike të talenteve në Përmet  (Kosinë, Çarçovë) dhe në qytetin e Përmetit, në Këlcyrë, në shkollat e mesme të Gjirokastrës, në Universitetin “Eqrem Çabej”, Delvinë, Fier si dhe jashtë vendit, ku kemi dhe përfaqësues ndërlidhës të Pegasit. “Pegasi” tashmë është bërë shumë i njohur dhe i propaganduar.
Kemi qenë inicius të mesazheve të reja në substratet tona letrare të të gjitha gjinive si dhe historike dhe në gjitha gjinitë e Artit, duke u përplasur dhe me megalomani dhe ngacmime, por që këto janë venitur nga ecja jonë. Këto janë dhënë në të gjithë veprimtarinë tonë kudo ku janë zhvilluar, duke pasur parasysh edhe  shkëmbimin universal të vlerës.

Si paraqitet vlera e botimeve të krijuesve të Lidhjes suaj?

Në sferën e botimit, ndoshta kemi dhënë leksione për redaktime, ngritje të katedrave të  botimit dhe të përkthimit, ndërtimit të kompozicionit të jashtëm dhe të brendshëm të veprës, për ideim natyral kopertinash, për cilësi botimi, pra, për seriozitet klas. Kjo duket edhe në marrëdhëniet e krijuara me Shtëpitë botuese në vend dhe jashtë vendit: “TOENA”, “MARIN BARLETI”, “ALBIN”, “DITA 2000”, “MËSONJTORJA”, “JONALDA”, “THAMIRIS”, “RILINDJA” e tjerë si dhe me veprimimin e shtëpisë botuese “Fjalët e Qiririt” Përmet të botuesit Lumo Kolleshi, aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” dhe vetë të angazhimit të Lidhjes sonë “PEGASI” . Madje, mund të themi, që ne kërkojmë shumë në titullime të gjinive e tjera. Kemi redaktorë tashmë të sprovuar në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Fier, Tiranë e tjerë. Kjo ka bërë atë që ne të zbulojmë në hapësirën tonë të veprimit rreth  150 talente në letërsi, të cilët kanë guxuar të dalin me librat e tyre të parë, ose me libra me poezi të përbashkëta. Duke organizuar kontaktime paraprake, diskutime të librave para botimit është bërë një punë e organizuar botuese dhe lexuesi ka respektuar prurjet e reja. Kjo ka realizuar edhe atë që të bëhet edhe një lidhje universale me talentet e vendeve të tjera.
Që të dallosh duhet të jesh i zgjuar dhe të ecësh me parashikimin e ardhmërisë. Si rrjedhojë gjatë kësaj veprimtarie  të shumëanshme, shumëplanshe, publikuese, koordinuese, lidhësore, tendecioze, bashkërenduese me forma dhe metoda të reja të kohës, duke përzgjedhur edhe ato, që rezistojnë, është bërë e mundur zgjerimi dhe ngritja e kësaj lidhjeje, që i ngjan një lëvizjeje të re, të madhe të letërsisë.

Si realizohen botimet? A është vënë në lëvizje sponsorizimi për të ndihmuar botimet?

Truri vijon të lutet. Një shoqëri civile është e civilizuar, në rast se mundëson në publikimin e veprave të inteligjencës së saj shkrimore, e cila ka aftësi të shkruajë kujtesën historike dhe letrare, pra substancën reale dhe fantastike të realitetit, gjendjen e të dy kahjeve të saj apo në polet. Ndaj në këtë aspekt nuk kërkohet  lutësi, por përqëndrim vëmendjeje. S’duhet të lutet krijuesi, por duhet të “lutet” biznesmeni. Tek ne ndodh e kundërta: “Truri vijon të lutet… për të publikuar veprat”. Megjithatë, në rrugën tonë të krijimit, gjenden dhe biznesmenë të nivelit, që ndihmojnë krijuesit, siç ka ndodhur në Gjirokastër, Tepelenë, Fier, Delvinë, Athinë, Prizren e ndonjë vend tjetër. Por ka dhe raste të premtimeve paradë dhe të zotimeve hiperbolike… Por krijuesit përpiqen dhe nga fondi i tyre i gjetur me shumë vështirësi  dhe i ekonomizuar botojnë librat në shtëpi botuese, të cilat vetëm formalisht quhen të tilla dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi për publikim, reklamim apo impulsim të librave të autorëve të talentuar, veçse janë rigoroze në vjeljen e “shumave totale “ të botimit, ku përftesa është e mirë nga ana  e tyre... Edhe pse një autor mund të botojë 10-15 libra në një shtëpi botuese -shtypshkronjë interesi i autorit është i nëpërkëmbur, ku në disa prej këtyre shtypshkronja- shtëpi botuese ka njerëz , të cilët nuk e kanë nivelin për të botuar, pasi u mungon arsimimi e tjerë. Kjo i hap rrugë mediokritetit letrar që vjen  si rrjedhojë e një keqtrajtimi botues. Duhet theksuar edhe ajo që disa prej këtyre shtëpive botuese kanë rënë në dorë të “njerëzve “, të cilët nuk kanë lidhje me Letërsinë, s’kanë nivelin profesional, veçse kanë logjistikën. Varfëri e madhe ekziston në ekspozimin e veprave, në organizimin e Panaireve të Librave. Ne në këtë kuadër kemi zhvilluar me sukses Panaire  dhe Ekspoze të Librit të autorëve të Lidhjes sonë “PEGASI”, por edhe të të tjerëve,  që nuk janë anëtarë të Lidhjes sonë. Një punë e efektshme është bërë dhe në ekspozimin e librave në këto Panaire - Ekspoze të të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve, të cilët kanë lidhësi dhe bëjnë shkëmbim universal vlerash me Lidhjen tonë si të krijuesve edhe mjaft prestigjiozë nga Italia, Greqia, SHBA, Brazili, Australia, India, Kina, Japonia, vendet e Evropës Perëndimore e tjera.

Cilat janë lidhësitë tuaja me pushtetin vendor?

Pushteti vendor? “Ekziston” thonë për krijuesit…. Kjo i ngjason edhe prologut të përrallës “Na ishte, seç na ishte…” Ne  bëjmë përçapje, falim dhurata babagjyshësh dhe ata s’lexojnë dhe thonë se, sa shumë u shtuan  shkrimtarët. Tashmë secili mund të shkruaj… e tjera, duke mos u thelluar në atë që thonë. Po pushtetarët, që drejtojnë u kualifikuan për të ardhur në pushtet? Ne bëjmë përçapje për të dhënë  të renë tonë, të ngrëmë probleme të ecjes në substratet tona të gjinive të letërsisë dhe qytetet tona vazhdojnë të tymta me rrugë të brendshme fshati, që lëshojnë vargan lotësh. Kujdesja  kërkohet ndaj të brendshmes, se nuk dihet se çfarë ndodh! Po të ndodh gjë do të thonë: “Ah, ky qytet “të brendshmet i kishte të grisura, me arna dhe pa lule!…” Nejse, duhet ta lëshojmë ndonjë buzëqeshje, por deri tani nuk është asgjë premtuese, pasi në Lidhjen tonë shumë pak krijues mund të jenë ndihmuar!… Krijuesi është njohës i thellë i jetës, ngacmues, i pëlqen estetika, i bën çdo gjë përshtypje nga të dy anët e medaljes, përshtypëzohet dhe reagon. Edhe me median elektronike nuk bëhet punë efikase paçka nga tendecioziteti ynë për publikim të veprave të reja. Nuk është hapursi duhet rubrika e paraqitjes së librave të rinj, apo të jepen promovimet e bukura të këtyre librave.N ëkëtë drejtim më mirë paraqitet TV “Gjirokastra” dhe Tv e qytetit të Përmetit dhe Fierit. TVSH është krejt i panjohur për ne dhe punën tonë! Ky është një prakticitet i vjetëruar, censurë  e organizaur ndaj autorëve dhe librave të rinj, autorëve tanë, të cilët po të vihen në balancim me shumë botime të tjera edhe në Metropol, s’dihet se si dilet!. Është fakt që librat tanë propagandohen në Kosovë, Maqedoni, Itali, Geqi dhe e kanë shumë zor këtë mundësi në Shqipëri. Kjo për ekzistencë mendësie… Kujtohen vetëm në rast evenimente, zgjedhjesh. Pushtetarët i shikon rrallë ose asnjëherë në këto veprimtari letrare të përgatitura me kujdes dhe art dhe ndjekin ato koncerte, apo aktivitete thatësirë. Një deputete apo deputet nuk di që në Gjirokastër ekziston një Lidhje përmase, ose e di dhe bën sikur nuk ka dijeni, që në librin e anëtarësimit të saj disa shkallësh ka shumë anëtarë. Pale mandej të diskutohet për ndihmesë a fonde për zhvillimin e letërsisë!… Ndonjeri mund të tronditet me këtë numër kaq të madh, por në Lidhjen tonë është bërë kategorizimi sipas shkallinës së ngjitjes dhe autoritetit në letërsi: shkrimtarët, poetët, fabulistët dhe artistët, piktorët, skulptorët në kuptimin vërtetësor, real dhe me përvojë, që kanë botuar, reklamuar veprat e tyre në të gjithë fushat, ndërsa talentet  reja, që janë impulsuar dhe kanë nxjerrë në dritë veprat etyre, talentet po të reja, të cilët kanë botuar krijimet e tyre dhe janë premtues si dhe nxitja e talenteve të reja në shkollat 9 vjeçare të Rajonit. Pra, kjo është  një lëvizje e fuqishme letare , e cila ka një program të detajuar, të programuar. Kështu ne mund të përmendim dalje në dritë të botimeve të reja , të nxitura dhe të impulsuar nga ne si në Shkollën e Mesme në Libohovë, në “Bilal Golemi” Kardhiq, në Lazarat, në shkollën e mesme të përgjithshme “Siri Shapllo” Gjirokastër, në Lazarat, Universitetin ‘Eqrem Çabej”, Fakultete të ndryshme në Universitetin e Tiranës, apo në Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Fier, Sarandë, Delvinë, Prizren e tjerë.

Kush është ajo pjesë e shoqërisë aktuale që interesohet për Letërsinë ?

Më pyesni se kush është interesuar për letërsinë? Detyrimisht intelektualët, ata që janë të  lidhur me kulturën, por u mungon ana financiare për ta tërhequr, pasi edhe krijuesi vuan shumë për të “sponsorizuar” vetveten. Një krijues nga Përmeti, poet i njohur, kur i thanë se kush e sponsorizon këtë libër. Ai u përgjegj çiltërsisht: “Vreshti”. Qeshën me përgjigjen e tij, por ishte fakt. Ai kishte një vresht, i cili atë vit kishte prodhim të bollshëm. Krijuesit edhe të trevës së Jugut  të Shqipërisë dhurojnë librat e tyre në Bibliotekat e Shtetit. Shteti nuk është në gjendje të blejë libra të krijuesve të afirmuar dhe të talentuar. Ka biblioteka, që kanë disa vjet, që mbeten me fondin e dikurshëm! Pse të ndodhë kjo? Ky është një shtet, i cili nuk plotëson sa duhet fondin e tij të kujtesës! Unë duhet të flas në thirroren, që tashmë është “hequr”: “Pushtetarë, caktoni fonde për të blerë libra, që të pasurohen bibliotekat me fondin libror të nevojshëm….”

Cili është veprimi gjeografik i “Pegasi”-t

Tashmë ne kemi degët tona edhe jashtë vendit, të cilat i përmendëm edhe më lart. Nëpërmjet gazetës letrare “Pegasi”, e cila  po mbyll vitin e gjashtë të botimit dhe gazetës tjetër “Intelekt 2001…” si dhe gazetave të tjera periodike të Trevës së Jugut të Shqipërisë, është  realizuar një njohje e madhe të Lidhjes sonë, të substancave letrare në të gjitha gjinitë letrare nga: poezia, novela, skica, tregimi, romani, monografia, epigrami, esse, fabula e tjera. Kryesorja është se me veprat e autorëve të “Pegasi”-t tashmë janë njohur edhe lexues në rang ballkanik si dhe në SHBA, ku edhe është organizuar dhe promovim për vepra të krijuesve tanë. Përkthyesit tanë kanë përkthyer vepra serioze të shkrimtarëve botërorë si: Heminguejt, Agath Krist  apo dhe libra të miqve tanë poetë nga Greqia si vëllimi “Galopimi i kalit bojë blu” të poetes së talentuar greke Panajota Zaloni- Hristopullu, apo librit tjetër të saj “Paqe… Frikohem…”, një libër ky universal për prezencën e poezive në 12  gjuhë, midis tyre, siç shprehet poetja dhe gjuha e bukur shqipe ka vendin e saj të merituar (Këto përkthime dhe shqipërime janë realizuar nga Kristaq F. Shabani dhe Kosta Gaxhoni, filolog); po kështu evidente janë përkthimet e Murat Memallaj, tentativa të bukur të përkthimit nga gjuha ruse të poetit të madh Esenin te vepra e sukseshme e titulluar “Eseniane” , apo puna e organizuar nga stafi i Lidhjes sonë për të sjellë në shqip veprën “Gruaja , të cilën dashuroj” të Poetit rus të kohës së sotme Adolf Shvjedçikov tjerë. Të sukseshme kanë qenë përkthimi i organizuar nga një grup përkthyesish të kryesuar nga Elefter Fotiu të librit “Seli në qiej” të poetit Kristaq F. Shabani, dedikuar ish presidentit të SHBA, zotit Bill Klinton, libër ky i kërkuar dhe i dërguar në shumë vende të botës.  Është punuar që shumë libra të jenë në Biblioteka të veçanta të disa vendeve si Kosovë, Itali, Maqedoni, SHBA, Brazil, Greqi, Angli, Gjermani, Rumani, Spanjë, Australi, Mongoli, Indi e tjerë. e tjerë. E rëndësishme është se janë realizuar shumë përkthime në gjuhët anglisht, italisht, greqisht, rumanisht e tjerë , duke realizuar shkëmbimin universal të vlerave.

Ju e keni zgjeruar hapësirat tuaja të krijimtarisë mund të na bëni një panoramë të saj? Në këtë kuadër një rol të veçantë luajnë dhe përkthimet. Ju lutem të më bëni një ekspoze të veprimtarisë suaj.

Po i mëshohet fort përkthimit të veprave të autorëve të Pegasit, jo vetëm në vepra të plota, por edhe me cikle të veçanta. Një punë e mirë në këtë drejtim është bërë me krijimet që janë dërguar në konkurset e Letërsisë të zhvilluara me tema të larmishme në Greqi e Itali, ku krijuesit e Lidhjes “PEGASI” gjatë ekzistencës së vetë kanë marrë mjaft çmime të para, të dyta të treta dhe çmime speciale. Madje duhet thënë se në këto konkurse janë ballafaquar në konkurim me poetë të dimensioneve ballkanike, evropiane edhe botërorë. Ne jemi fitues edhe të një çmimi të rëndësishëm në Kongresin e e Olimpiadës së Shkrimtarëve nga gjithë Bota në vitin 2004, të organizuara në Greqi, të përftuar nga poeti ynë i talentuar dhe i njohur, Anëtari i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë Petro Dudi, por edhe të dy çmimeve të tjera të rangut të lartë. Duhet të theksojmë se gjithë pegaistët kërkojnë të dalin në det të hapur për shkëmbim universal të vlerave dhe tendenca jonë kohët ë fundit ka qenë impulsimi i botimeve në disa gjuhë, përveç gjuhës refrektare mëmësore shqipe. Kjo ka realizuar që në kontaktimet me poetë dhe shkrimtarë të huaj, në kontaktet direkte  me ta në Shqipëri apo në me lidhjet elektronike kemi arritur që rreth 25 krijues potentë të Lidhjes sonë të fitojnë të drejtën e anëtarësimit në Lidhjen e Poetëve bashkohorë, ku marrin pjesë 549 poetë nga 83 vende të Botës(98 prej tyre janë amerikanë) dhe për nga numri Shqipëria renditet në vendin e gjashtë, duke siguruar të gjitha parametrat. Kështu krijohet mundësia e  rritjes së njohjes se ç’përparime janë arritur në Letërsinë dhe Artin  e sotëm botëror dhe ç’vend lozim ne. Po kështu ndeshemi me një konkurrencë të gjallë dhe efektive. Krijimi, vepra rrit përmasat e njohjes dhe të publikimit, njihet, konkurron, thellohet stili, aftësia, niveli si dhe përsoset më tej  kontaktimi me rrymat e sotme të Letërsisë nga më prestigjiozet, pasi në këto Lidhje poetësh, shkrimtarësh, artistësh merr pjesë “ajka” e përfaqësuesve të letërsisë botërore,  të cilët janë të prirur drejt një zhvillimi dinamik , elastik të saj të madh dhe që kanë vënë mundin, djersën dhe potencialin e vet financiar në të mirë të Letërsisë dhe Artit. Përveç kësaj Presidenti i Lidhjes është edhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Ndërkombëtarë  më qendër në Ohajo të SHBA me Presidente të saj poeten amerikano-braziliane Teresinka Pereira. Po kështu tani së fundi, duke parë se në shumë lidhje të përmasave botërore, ku “militojnë” poetë nga shumë vende, ne kemi përfaqësuesit tanë edhe në lidhjet e krijuara ndërkombëtare në SHBA, Brazil, Rumani, Indi e tjerë. Është një fluturim i bukur e dinamik  ky yni. Ne në këtë aspekt jemi të parët që krijojmë kaq lidhësi letrare në Shqipëri. Të gjithë këta krijues kanë dërguar krijimet e tyre të përkthyera në gjuhën angleze, ku do të futen në antologjitë letrare, sipas radhës alfabetike që do të fillojnë të dalin këtë vit. Duhet të theksojmë se pjesëmarrja në këto Antologji ka qenë edhe më parë si në antologjitë e dala në Greqi “Në flakën e krijimit”, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Poetëve “Zbardhësi - Zaloni” Greqi. Pjesëmarrje e madhe me krijime të botuara në revistat letrare si “Keleno” Greqi,  “POMEZIA NOTIZIA”, “Rassegna Internazionale di Pittura” (Citta’ Di Mottola, ITALI), “Pensa a qui” Brazil etjerë  apo lidhësitë me revistën moderne letrare “Anterem” Itali, “Zëri i Salaminës” i poetit Dinos Kubatis e tjerë, kanë rritur përgjegjësinë e krijimit dhe të konkurrimit si dhe përmasat e sadisfaksionit shpirtëror poetik. Duhet theksuar se në këto revista janë prezantuar dhe ekspozuar librat tanë të botuar, janë bërë zbërthime analitike për subjektin e veprave ndërsjelltas, pasi edhe ne kemi realizuar përkthime në shqip të rreth 250 poetëve nga gjithë bota, ku shumica e tyre është ekspozuar dhe publikuar në gazetën tonë letrare, dhe tani së fundi në revistën tonë modeste “PEGASI” , organ i letrar i Lidhjes sonë. Kemi zgjeruar lidhjet dhe po krijojmë mundësinë për të marrë pjesë në mjaft konkurse që zhvillohen këtë vit në Itali  nga: L’ACCADEMMIA INTERNAZIONALE ”IL CONVIVIO”, CIRCOLO CULTURALE “IL SOFFIO”, A.L.I..A.S. Australi, Lidhja e Festivalit Ndërkombëtar të Poetëve e tjerë. Po kështu këtë vit shumë poetë e sidomos më kryesorët janë futur në shumë antologji deri në SHBA dhe Franca e tjerë. Karakteristike është se ne kemi lidhësi edhe me përfaqësues tipikë të letërsisë eksperimentale apo paradoksale. Ky është një sukses që na bën të jemi  edhe më të vëmendshëm.

Keni lidhësi me simotra në Ballkan e më gjerë?

Ne kemi lidhësi me shumë simotra dhe me personalitete të shquara të letërsisë në disa vende. Këtë mund ta shprehim me Kosovën, por efektprurëse kanë qenë lidhjet me simotrat në Greqi, ku kemi një angazhim disavjeçar dhe madje  shumë nga librat tanë janë propaganduar në organe të Lidhjeve simotra si revista tremujore “KELENO”, janë botuar fragmente, shënime tona kritike për librat e autorëve grekë, janë realizuar përkthime të këtyre autorëve, të cilat janë botuar në gazetën tonë. Lidhja e Krijuesve grekë, që publikon edhe revistën “Keleno”, së bashku me disa simotra të tjera organizuan në Athinë Kongresin “Olimpiada e Shkrimtarëve” Athina 2004, ku ishte ftuar edhe delegacioni i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” Gjirokastër, ku ishte planifikuar edhe  një kumtim prej 15’ për zhvillimin e Letërsisë shqipe, ku unë isha planifikuar në drejtimin e Kongresit. Duhet theksuar se këtë vit krijuesit tanë konkuruan me dinjitet dhe u çmuan për veprat e tyre konkuruese me çmime. Ky ishte një sukses i plotë. Lidhjet midis Lidhjeve simotra nuk janë vetëm në plan bilateral, por edhe me Lidhje të tjera në Botë, po kështu funksionon edhe lidhja midis Krijuesve kudo që ndodhen, të cilët shkëmbejnë librat e tyre, dërgojnë mesazhe e përkthejnë njëri – tjetrin. Një sukses këtë vit patën krijuesit e Përmetit, që botuan krijimet e tyre në Itali. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e punës së mirë botuese me rreth 60 tituj të shtëpisë botuese “Fjalët e Qiririt”. Për të realizuar këtë dinamikë Lidhja është kthyer në veprimtari  një lidhje panballkanike, por thelbësore është se krijuesit zhvillojnë kudo që ndodhen veprimtari individuale poetike, botuese, promovuese e tjerë. Për të drejtuar lidhjen tashmë ka dhe një N/Kryetar në Kosovë, në Maqedoni, në Greqi, Itali. Përveç kësaj në lidhje janë anëtarësuar dhe krijues me shtetësi të huaj, të cilët lozin një rol të madh në shkëmbimin universal të vlerave dhe si të gjithë anëtarët kanë kartë identiteti shqip ( anglisht). Po kështu Lidhja jonë ka flamurin e saj, simbol i komunitetit tonë të madh letrar. Lidhja jonë, parasëgjithash, ka vlerësuar edhe veprimtarinë e shkëmbimit universal të shumë poetëve të njohur nga Bota , të cilët janë nderuar me stimulin e madh “ANËTAR NDERI I LIDHJES “PEGASI” ALBANIA”, midis të cilëve edhe  shkrimtari i madh  i shquar me origjinë gjirokastrite Ismail Kadare.  

Ç’keni bërë për institucionalizimin e Lidhjes suaj?

Lidhja e Krijuesve “Pegasi” Gjirokastër” është një lidhje krijuesish, e cila e ka ngritur nivelin e saj nga viti në vit, është institucionalizuar dhe ka funksionim sipas programit dhe statutit të saj. Më 15 janar 2005 është zhvilluar Konferenca e Lidhjes , e cila zgjodhi organet e saj drejtuese, krijoi një strukturë dinamike për të realizuar programin e saj dhe për të harmonizuar punën në të gjithë gamën e veprimtarisë së saj krijuese, promovuese, përkthyese dhe shkëmbim vlerash. Ne do të vijojmë për t’i bërë sa më funksionalë elementët e ndryshëm të Lidhjes. Edhe në vendet që nuk kemi Degë, ne zhvillojmë veprimtari për të bërë të njohur punën dhe veprimtarinë shkrimore, duke dhënë një kontribut të madh në Letërsinë shqipe.

 Ç’lidhësi keni me Lidhjen e Shkrimtarëvedhe Artistëve të Shqipërisë?

Kemi një Lidhje të heshtur pa ngacmime me Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi nëj pakicë jona është dhe anëtare  e saj, por kemi shumë ndryshime me të.  Megjithatë dirigjenti ka shkop dhe dirigjon. Ne kemi konceptime të tjera, që burojnë nga dimensionet tona dhe qëndrimet tona si krijues të lirë të Shoqërisë civile dhe jo të ndërvarur nga idetë dhe ngjyrimet. Ne krijuesit jemi krijues “pa pushtet” në aspektin institucional, por kemi pushtet shumë të madh në hapësirën shkrimore e krijimore. Ne kemi shpëtuar nga pozicionet revoltues për të gjithë këtë prurje letrare, duke u shkëputur nga mendësia arkaike “jo të gjithë bëhen poetë dhe shkrimtarë”.  Ne kemi një koncept tjetër: “Të gjithë kanë hapësirë për të shkruar dhe Koha të sit dhe përzgjedh precipitatin…”

Duhet thënë se një pjesë e krijuesve tanë janë edhe anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke filluar  që nga unë. Ne, qysh në krijim, vendosëm lidhje me Lidhjen e Shkrimtarëve, kur ishte në krye të saj poeti Xhevahir Spahiu, por kjo lidhje u fik vetëm me një njohje të përciptë. Ne tentuam më vonë në “kohën” e Limos Dizdarit, duke organizuar disa veprimtari të përbashkëta si “Lulet e Verës” në Përmet, por koncepti i kryesuesve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ka qenë i kundërt me tonin dhe ne shumë herë këtë Lidhje e shihnim dhe e shohim si ineksistente, e cila ka nevojë të reformohet në mendim dhe në organizim, pasi është prezente forma e vjetëruar, ndërsa ne jemi përfaqësues tipikë të krijuesve të dalë nga një Shoqëri civile e emancipuar dhe me ide progresiste. I njëjti tipizim edhe me Degën e kësaj Lidhjeje në Gjirokastër, e cila është në ineksistencë të plotë, paçka nga një zgjedhje jo funksionale e bërë para disa vitësh. Lidhja e Krijuesve “Pegasi” është plot vitalitet dhe do ta zgjerojë hapësirën e saj në të ardhmen më shumë.

A mund të na përmendni disa krijues, të cilët kanë bërë emër ?

Poetët dhe shkrimtarët janë të shumtë, por gjithmonë ekziston dhe veçimi,  i cili krijon dallimin. Unë mund të përmend disa prej syresh si:  Petro Dudi (Tiranë), Sazan Gjomema (Tiranë- Athinë), Izet  Çulli (Tepelenë), Novruz Shehu (Tiranë), Dino Çiço (Gjirokastër), Jorgo Telo (Gjirokastër), Lumo Kolleshi(Përmet), Agron Shele(Përmet), Riza Lahi (Tiranë), Dhimitër Miti (Përmet), Aleksandra Shabani (Gjirokastër), Mirela Dudi (Gjirokastër), Majlinda Rama (Fier), Haxhi Kalluci (Fier), Iljaz Bobaj (Delvinë, Korinth),  Muharrem Gashi (Prizren), Elona Gashi (Prizren), Murat Memallaj (Gjirokastër) , Yllka Ponde, Osman Buzo (Gjirokastër), Dashamir Malo (Sarandë),  Fran Uckama (Fier), Luan Meta (Tepelenë), Çerçiz Myftari (Memaliaj), Ligor Shyti (Përmet), Hadër Mevlani (Gjirokastër), Fejzi Murati (Kuçovë), Florentina Skendaj (Delvinë) e tjerë. Përveç kësaj duhet përmendur se  është formuar një  brez i ri talentesh , të cilët janë mjaft premtues për të ardhmen. Mund të veçojmë: Besa Avdiu (Tiranë), Matilda Tare (Gjirokastër), Luljeta Xhaxhiu (Gjirokastër), Elefteria Kallojeri (Gjirokastër), Spartak Proda (Delvinë), Anila Kruti dhe Anila Mihali (Përmet), Elidjona Shukollari (Tiranë),Theodhori Nikolla (Gjirokastër), Andromaqi Pulla (Athinë), Silvana Hazati (Gjirokastër), Laureta Sahitaj  (Prizren), Mimoza Llavdaniti (Gjirokastër), Alketra Ponde (Gjirokastër). Në këtë kuadër ne nuk mund të lëmë pa përmendur edhe artistët, piktorët dhe skulptorët, kompozitorët, që janë të shumtë dhe mjaft të talentuar për të cilët duhet të jepet një intervistë tjetër. Kryesorja është se lëvizja jonë letrare: “Për një lëvizje letrare  dhe kulturore ndryshe” e hedhur qysh në vitin 1998, më 23.07., kur ne u miratuam  fillimisht si një Shoqatë Letrare me vendimin Nr. 661 nga Gjykata e Faktit në Gjirokastër, është vepruese,  aktive dhe e pamohueshme.

Cilat janë objeksionet tuaja në  të ardhmen?

Shkurt: Ne duam të organizojmë këtu në Gjirokastër, në këtë qytet magjik e të çudimtë një kuvend të madh me pjesëmarrje të poetëve dhe shkrimtarëve nga Bota, të cilët në sajë të punës sonë ka shprehur dëshirën e madhe të realizohet  një i tillë në Shqipëri. Do të jetë dhe një manifestim i madh letrar, por njëkohësisht njohje me mjedisin e virgjërt të Shqipërisë së Jugut. Gjithashtu në këtë vit do të organizojmë edhe Konkursin e Parë INTERNACIONAL “PEGASI  2007” si dhe në vitin 2008 do të botojmë Antologjinë e poetëve të talentuar të “Pegasi”- t dhe të Miqve tanë nga gjithë Bota. Vetëkuptohet edhe kjo e përzgjedhur. Me këtë rast doja të falenderoja në emër të Lidhjes, nëpërmjet gazetës suaj të nderuar, në mënyrë të veçantë, të gjithë ata që e kanë ndihmuar Lidhjen e Krijuesve “PEGASI” për ecjen e saj: Panajota Zaloni- Hristopulu (Greqi), Dino Kubatis, Aristidh Kolja Greqi (pas vdekjes), Teresinka Pereira (SHBA), Dimitris Kraniotis (Greqi), Domenicco Defelice (Itali), Zaharula Gaitanaki (Greqi),Adriana Kless (Brazil),  Dr. Ramadan Sinani.(Maqedoni), Papa Antonio Bellushi (Itali), Prof. Qemal Murati (Maqedoni), Punonjësit shkencorë të  Institutit Albanologjik Prishtinë (Kosovë): Sadri Fetiu, Zymer Neziri, Rustem Berisha, Emin Kabashi, poetin Kadrush Radogoshi, Din Mehmeti, Albert Shala (Gjakovë, Kosovë), poeten Mimoza Ahmeti, shkrimtarin Pjetër Arbnori (pas vdekjes), Vasiliki Kalahani(Greqi), Jose Roberto Seki (Brazil), Dorin Popa (Rumani), Fiorentin Skamarache (SHBA, Beniamin Yzon (SHBA), Antoneta Mosela, Flavia Lepre(ITALI), Maria Hamilton (SHBA), Hadaa Sendoo (Mongoli), Tholana Ashok (Indi), Giova Lombardi (Australi), Dew Bhardwaj (Indi) , Adolf Shvedchiov (Rusi-Los Anxhelos), Alexander Cang (Kinë) të cilët kanë impulsuar dhe kanë propaganduar veprimtarinë shumëplanshe të Lidhjes sonë.
Zoti Kristaq ju faleminderit për intervistën .

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...