2010-12-09

Triumfi i fjalës dhe mendimit shqiptar

Pikëpamje përkitazi me veprën e Flori Bruqit:”Triumf Shqiptar”,botoi shtëpia Botuese“Rugova Art”, Prishtinë 2010

Nga: Naim KELMENDI

Blogu virtual, tashmë i njohur për mijëra lexues të tij, Floart Press, i formuar dhe i drejtuar tash e sa vite nga poeti dhe shkrimtari, autori i shumë romaneve e veprave poetike, Flori Bruqi, po luan rolin e tij, e të një rëndësie të veçantë, në shumë fusha të krijimtarisë dhe ato informimi, por jo vetëm kaq. Në këtë webfaqe mund të lexohen shumë e më shumë tema, shkrime e prezantime fushash dhe autorësh të ndryshëm, por që në këtë drejtim kanë një interes, jo vetëm për lexuesin e kategorisë më të thjeshtë, që aty “hyn” për “vizitë” informative. Pikërisht në këtë blog, janë botuar mjaft shkrime, jo vetëm letrare e poetike, por edhe mjaft shkrime me tematikë nga historiografia shqiptare, me tematikë nga gjuhësia shqiptare, me tematikë nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore, janë prezantuar mjaft personalitete të jetës sonë publicistike e letrare, janë botuar shumë poetë të zgjedhur nga hapësira gjithëshqiptare, prej nga vijnë akëcilët prej autorëve që veprojnë e krijojnë në ato hapësira jetësore gjithëkombëtare.


      
          Në foto:Flori Bruqi

 Por, në këtë Blog virtual, ka pasur edhe mjaft tema me natyrë debati, reagime, shumëherë polemika të natyrave të ndryshme e për çështje të ndryshme etj, që pikërisht me këtë polarizim dhe me këtë natyrë paraqitjeje, këtë blog virtual, e ka bërë më të vizitueshëm dhe më të lexueshëm nga mijëra lexues në ditë. Nisur nga ky diversitet temash e preokupimesh krijuese të paraqitjeve, në të shumtën është paraqitur mendimi, sipas drejtuesit të saj, që të akumulohet një lëndë, kuptohet e zgjedhur dhe e sistemuar, që të botohet si libër, duke pasur kështu një rëndësi tjetër për një lexues tjetër, duke i dhënë kështu kënaqësinë estetike dhe mundësinë edhe një tjetër kategorie lexuesish, që të kenë mundësi t’iu qasen këtyre shkrimeve dhe temave, interesante dhe të nevojshme për lexim edhe për lexuesin e librit. Nga kjo doli libri i parë i këtij lloji, i shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur, Flori Bruqit, vepra me titull: “Guxim shqiptar”, që zgjoi interesimin e duhur tek lexuesi ynë, jo vetëm në Kosovë, ku u botua dhe u promovua kjo vepër e autorit, por edhe më gjerë. Poashtu pas një pune të kujdesshme dhe sistematike të Bruqit, vjen edhe vepra e dytë, me titull:”Olimpi shqiptar”, gjithashtu një vepër me interes, për lëndën e saj të pasur, jo vetëm poetike e letrare, por edhe publicistike dhe për shumë tema dhe shkrime të një tematike fushash të ndryshme. Kështu pason edhe libri i tretë, e që tashmë e kemi në dorë, me titull”Triumf shqiptar”. Mbase kjo sintagmë e emrit shqiptar, është një simbiozë, që i lidhë të tri këto vepra, por duke i krijuar jo vetëm si një ndërlidhje të brendshme përkah tematika dhe gama e natyrës së shkrimeve në mes vete, por edhe si një trilogji, do të thoshim, të një tërësie të nivelit shkrimor, sipas shijes, vrojtimit dhe sistemimit të autorit Bruqi. Libri më i ri, “Triumf shqiptar”, i autorit Bruqi, sjell gjithashtu një konglomerat temash e shkrimesh, sikur janë edhe të ndara në disa kapituj programatik, do të thoshim, që nga temat me përmbajtje historike, e ku zënë vend ato me temë nga historiografia shqiptare, e që ndër këto shquhen edhe ato për autoktoninë tonë, sikur janë p.sh “Shqiptarët dhe Ballkani”, apo “Ardhacakët sllavë, armiq të përbetuar të kombit tonë”apo “Përpjekjet sllave për shfarosjen e shqiptarëve”, pastaj ato për prejardhjen e shqiptarëve në këto hapësira, si “Etnogjeneza e shqiptarëve nga ilirët”, pra me përmbajtje shkencore, dhe të autorëve të mirënjohur botëror,apo edhe mjaft tema të tjera të kësaj natyre, si p.sh “Pashallaku i Beogradit gjatë sundimit osman”, që sjell mjaft të dhëna dhe fakte historiografike për krijimin e shtetit serb që në viti 1800 e tutje, duke argumentuar se serbët kanë ndjekur një politikë tejet agresive dhe ekspansioniste ndaj racave tjera në Ballkan, për t’i asimiluar, sidomos ndaj shqiptarëve, e që janë në hapësirat e veta autoktone prej shekujsh. Ky shkrim të kthen të historia jonë e hershme, sa tragjike por edhe sa e dhimbshme,duke mbetur në kujtesë për atë hapësirë të etnisë shqiptare, pra Sanxhaku i Nishit, vetëm toponimet e vendbanimeve shqiptare. Sidomos ky shkrim me karakter studimor sjell mjaft të dhëna për krimet dhe tmerret serbe ndaj shqiptarëve autoktonë që nga Sanxhaku i Nishit, deri ku shtriheshin shqiptarët në trojet e tyre etnike. Disa shkrime në këtë kapitull shkojnë edhe më larg, që në lashtësinë ilire, duke sjellë fakte të tjera nga shtrirje dhe jeta e ilirëve në hapësirat ballkanike, siç është shkrimi me titull, ”Emrat ilirë të vendeve e të lumenjve në Serbi”. Janë edhe mjaft shkrime të tjera, që përbëjnë lëndën e pasur të kësaj vepre publicistike të Bruqit, siç është ta zëmë,”Helena e Trojës,legjendat dhe të vërteta 2,500 vjeçare”, që flet për lashtësinë e miteve greke, apo “Ataturku dhe rilindja e një kombi”, që flet për një pjesë të historisë së Turqisë dhe për reformatorin e saj Kemal Ataturkun, e që ky, siç e vërtetojnë edhe faktet historike ishte me prejardhje shqiptare. Lënda e kësaj vepre sjell edhe mjaft shkrime të fushës letrare, siç janë ato nga letërsia botërore, me theks të veçantë tek disa autorë tashmë klasikë të kësaj letërsie dhe nga ajo shqiptare, duke veçuar kështu autorë dhe nivele të mirëfillta shkrimore të letërsisë sonë më të re, kësaj të modernes dhe post modernes. Kur jemi tek letërsia shqiptare, në kapitullin me titull:”Letrare”, zënë vend shkrimet si: “Albanologët austriakë zbulojnë një libër shqip, para Buzukut, nisin verifikimet”, pastaj shkrimi: “Jeta e emigrantëve shqiptarë në Sh.B.A në shek.XX”, apo shkrimi tjetër: “Ç’shkruante Agolli, Çabej, Shuteriqi, Çaçi, Spasse, Buda, Paço, Gjata, kur vdiç Fan S.Noli”, apo: “Grekët,Viliam Mayer, Ali Pasha dhe Bajroni”, e që kështu përbëjnë gjerësinë dhe thellësinë e veprës përkah tematika e shtjelluar në këto shkrime e artikuj të natyrave historike, letrare, gjuhësore, poetike etj. Në një kapitull tjetër zgjojnë interesin shkrimet tjera të natyrës psikologjike, ku në to shtjellohen mjaft tema edhe nga seksologjia, etj, të elaboruara dhe të shtjelluara me profesionalizëm. Shkrime të kësaj natyre veçojmë, sikur janë:” A është stimulimi seksual i njëjtë si për mëshkujt ashtu edhe për femrat”, “Puthja për femrat,më e rëndësishme se seksi”, “Tradhtia e ka emrin burrë apo grua?!…”, e ndonjë tjetër. Edhe te kapitulli me titull: “Tematike”, mjaft shkrime zgjojnë interes për shkak të natyrës së tyre dhe për tematikën që rrahin. Do të veçonim këtu shkrimet, sikur janë ato: “Bota ka 15 milionë shqiptarë”, “CIA për republikën e Kosovës”, “Carla Del Ponde dhe shqiptarët”, “Kur’ani në letërsinë shqiptare”,”Kuvendi i Isniqit,i një shekulli më parë, solli besëlidhjen shqiptare”,” Vizioni nacional i dr. Ibrahim Rugovës”,“Lideri historik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova”.
Edhe në kapitullin “Poetike”, prezantohen në këtë pjesë të librit, disa nga poetët tanë dhe krijimet e tyre, sikur janë disa emra të shquar, gjithandej gjeografisë sonë etnike, ku veprojnë e krijojnë, si: Ramiz Kelmendi, Xhevahir Spahiu, Ramadan Musliu, Naim Kelmendi, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Basri Çapriqi, Kozeta Zavalani, Julia Gjika, Aleksandër Gera, Prend Buzhala, Adem Zaplluzha, Lekë Gjoka, Nexhat Çoçaj, Ilir Borova, etj. Në fund libri “Triumf shqiptar” jep gjithashtu një pasqyrë të disa nga veprat e botuara nga autorët tanë,apo disa zhvillime letrare te ne, promovime veprash, botime etj, nën titullin “Ciceroni letrar”. Kështu, libri “Triumf shqiptar” i shkrimtarit, publicistit, dhe poetit, Flori Bruqi, përbën, me një fjalë, tërë atë gamë temash e shkrimesh që veprës i japin peshën e veçantë, jo vetëm përkah gjerësia e karakterit shtjellues tematik, por edhe përkah cilësia strukturore, përmbajtësore, si dhe përkah kuptimi metaforik.
Naim Kelmendi, Prishtinë, prill 2010.

http://kosova.info/2010/05/triumfi-i-fjales-dhe-mendimit-shqiptar/

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...