2010-12-09

Kur çirren maskat e Kremlinit

imageEruditi dhe patrioti Prof.dr. Eshref Ymeri
Fragmenti i parë është shkëputur nga kreu i katërt i librit “Shekulli çmendurisë…” që titullohet “Kërkuesit e së vërtetës”. Kurse fragmenti i dytë është marrë nga libri “Errësirë kur del drita…”, kreu i dytë, me titull“Rjazanj. Prill 2000”...
Këtu poshtë dëshiroj t’u përcjell lexuesve të respektuar dy fragmente nga dy libra të ndryshëm të publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur amerikan David Satter. Autori i këtyre dy librave ka lindur në Çikago në vitin 1947. Ka mbaruar Universitetin e Çikagos dhe të Oksfordit. Prej vitit 1976 deri në vitin 1982, ka punuar në Moskë, si korrespondent i gazetës britanike“Financial Times”.Libri i parë titullohet“Age of delirium. The decline and fall of the Soviet Union”(“Shekulli i çmendurisë. Shkërmoqja dhe shembja e Bashkimit Sovjetik”). Ky libër është shkruar nga dora e një krijuesi që qytetarët e thjeshtë sovjetikë i simpatizon me çiltërsi dhe mundohet ndershmërisht të kuptojë një mënyrë jetese që për të është e huaj. Duke filluar nga vitet ’70 e në vazhdimësi, ai e pati përshkuar Bashkimin Sovjetik kryq e tërthor. Në përfundim, ai arriti që, me këtë libër, t’u jap në dorë lexuesve një dokument interesant për atë epokë, i cili përmban të dhëna të bollshme nga shumë dëshmitarë sovjetikë, të njohur dhe të panjohur.Nga përmbajtja e këtij libri, i cili i heq petën lakrorit të Kremlinit të periudhës së sundimit komunist sovjetik, vetvetiu arrihet në përfundimin logjik se brenda ngrehinës së kalbur sovjetike ekzistonte ajo që në gjuhën ruse quhej“tjenjevaja ekonomika” (ekonomi e fshehtë, e pistë) dhe që në gjuhën shqipe mund ta përkthejmë me termin “treg ilegal”. Në vështrim të parë, siç thekson me shumë të drejtë Thomas E. Graham, ish-zëvendësshef i Shtabit të Planifikimit Politik të Departamentit të Shtetit të SHBA, “ky lloj tregu filloi të luante një rol shumë të rëndësishëm, sepse mbyllte brimat, teorikisht, në planet e përgjithshme ekonomike dhe siguronte me mallra konsumi dhe shërbime një popullatë që ishte në urbanizim e sipër. Por, me këtë rast, thekson ai, ky lloj tregu ilegal ushtroi ndikimin e vet në lindjen e mafies dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për korrupsion në të gjitha nivelet. Por meqenëse ky lloj tregu ilegal ishte krijuar jo për hirë të “spekulimit” si të tillë, por si përgjigje ndaj nevojave të vërteta sociale, atëherë ai, deri në njëfarë shkalle, përfshinte mbarë popullsinë e vendit. Kësisoj, në njëfarë mase, që të gjithë u kriminalizuan… Çdonjeri gjithmonë do të dilte fajtor për diçka dhe një veprimtari krejtësisht e domosdoshme për mbijetesën e një qytetari të thjeshtë, vinte e damkosej me të gjitha mënyrat”. (Citohet sipas: Thomas E. Graham. “Rusia: Rënia dhe perspektivat e paqarta të ringjalljes”. Moskë. Shtëpia Botuese “ROSSPEN”. Botim në gjuhën ruse. Moskë 2007, f. 24).Libri i dytë titullohet “Darkness at Dawn. The Rise of the Russian Criminal State” (Errësirë kur del drita.Lindja e një shteti kriminal në Rusi”. Pjesa e parë e titullit përcillet përmes një figure artistike, siç është antiteza: errësia dhe drita. Për lexuesin është fare e qartë se çfarë simbolizojnë drita(vendosja e pluiralizmit) dhe errësira (kriminalizimi i shoqërisë ruse).Në këtë libër, duke bërë fjalë për ngjarjet më të rëndësishme të paradokohshme, autori është përpjekur të tregojë se si ato kanë gjetur pasqyrim në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë rusë të shtresave të ndryshme shoqërore, të na japë fakte se cilat ishin arsyet që liria dhe demokracia çuan drejt krizës shpirtërore dhe kriminalizimit të shoqërisë ruse, se pse vlerat e reja shpirtërore nuk mundën ta mbushin dot vakumin moral që erdhi duke u formuar pas shembjes së regjimit komunist sovjetik.Në këtë vepër, po ashtu, zbulohet edhe më shumë lakuriq fytyra e vërtetë e kastës kriminale të Kremlinit në qëndrimin ndaj qytetarit të thjeshtë dhe të ndershëm rus, për të cilin David Satter ushqen tërë respektin e vet, të shprehur edhe në kushtimin e tij në ballinën e librit: “Njerëzve të ndershëm rusë”.Në faqet e këtij libri del fare qartë se edhe pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, në horizontin e jetës ruse nuk u shfaq ndonjë elitë e re. Shumica dërrmuese e elitës së vjetër, pa pasur pothuajse asnjë pasojë, erdhi e u sistemua në një tjetër rend shoqëror, madje me më shumë privilegje se në periudhën e sistemit komunist sovjetik. Dhe, siç nënvizon autori i sipërcituar, “përderisa, nuk ndodhën ndryshime të shpejta fundamentale, s’ka asgjë për t’u habitur se pse Rusia hyri në periudhën e degradimit. Bashkimi Sovjetik kishte dy dhjetëvjeçarë që ndodhej në gjendje degradimi, derisa pushoi së ekzistuari. Veç kësaj, është e vështirë për t’u kuptuar se në ç’mënyrë sistemi tradicional rus i pushtetit, i trashëguar nga Rusia passovjetike prej periudhës sovjetike, mund të siguronte një rritje të qëndrueshme, përderisa ai sistem e pati shteruar efektivitetin e vet që në fundin e shek. XVIII, gjë që filloi të arrinte me ngadalësi në vetëdijen e sundimtarëve rusë të asaj periudhe. Nga ky këndvështrim, problemi shtrohej jo për faktin nëse Rusinë e priste ose jo degradimi, por për faktin se cilat do të ishin shfaqjet e atij degradimi” (po aty, f.22).Këto dy fragmente i zgjodha enkas në respekt të të gjithë atyre bashkëkombasve të mi të ndershëm, dinjitozë, të talentuar dhe me integritet moral, të cilët bën ç’është e mundur për të mbrojtur të vërtetën në kushtet e diktaturës së egër komuniste enveriane, për çka iu desh të përballonin ndëshkime të rënda, që nga uljet në përgjegjësi, pushimet nga puna, transferimet në zona të largëta, internimet, burgosjet e deri te pushkatimet dhe zhdukja e eshtrave pa nam e pa nishan. Në të njëjtën kohë, me përkthimin e këtyre dy fragmenteve, dëshiroj të shpreh gjithë respektin tim edhe për të gjithë ata qytetarë të ndershëm shqiptarë, ish-të përndjekur politikë, ish-pronarë të ligjshëm, të cilëve, edhe tani, në kushtet e pluralizmit, u është nxirë jeta nga ecejaket e pafundme nëpër dyert e gjykatave, e hipotekave e zyrave tëadministratës shtetërore dhe sidomos nëpër zyrat e ndonjë kompanie private (siç është OSSH-ja, e cila, pë mbarë qytetarët e ndershëm shqiptarë, është shndërruar në një kompanisë-oktapod), në kërkim të drejtësisë, të së vërtetës, por që atë nuk e kanë gjetur edhe sot e kësaj dite. Për fat të keq, duhet pranuar se në Shqipërinë pluraliste janë kryer shumë krime, por autorët e tyre në mjaft raste kanë mbetur pa u zbuluar. E vërteta për shumë nga ato krime vazhdon të mbetet mister ende. Për të qenë i hapur me lexuesit e nderuar, më duhet ta pranoj se shkak për përkthimin e këtyre dy fragmenteve u bë artikulli i zotnisë së nderuar Ksenofon Dilo, me titull “Fjala e lirë, e drejta e burgosur”, botuar në “Tribuna Shqiptare” më 07 dhjetor 2009.Që asokohe pata menduar për të shkruar diçka për atë artikull aq interesant të zotit Ksenofon. Por kur lexova dy librat e lartpërmendur, mendova që reagimin tim ndaj shkrimit të zotit Ksenofon, megjithëse me vonesë, ta përcjell përmes përkthimit të këtyre dy fragmenteve, ku, në të parin, del qartë poshtërimi që komunizmi i djeshëm sovjetik i bënte njeriut të ndershëm, poshtërim ky që u imitua në përmasa të paimagjinueshme edhe nga banda kriminale komuniste e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe e shovinizmit serbomadh në Kosovë, kurse në të dytin zbulohet lakuriq fakti se si në Rusinë “pluraliste” jelciniano-putiane,shteti kriminal, për të justifikuar agresionin e vet kundër popullit të vogël çeçen, i vret qytetarët e vet pa iu dridhur fare qerpiku, sikur ata të ishin kavie eksperimentale, kurse e vërteta e krimit shtetëror mbetet e groposur thellë në humnerat e shërbimit sekret rus. Në këtë mënyrë, qytetari i thjeshtë, qoftë në Rusinë cariste kur ishte bujkrob, qoftë në Bashkimin Sovjetik, qoftë në Rusinë pluraliste, pra, në vijimësi, është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet si një material inert, me të cilin kastat sunduese mund te silleshin dhe të sillen si të duan. Por, në periudhën e sundimit carist, çifligari, së paku, mund të bënte çfarë të donte me bujkrobin, por nuk kishte të drejtë ta vriste. Kurse në periudhën e sundimit komunist sovjetik dhe tani, në pluralizëm, qytetarit të thjeshtë i është marrë dhe vazhdon t’i merret jeta sipas tekave të Kremlinit dhe askush nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje të zbulojë të vërtetat e krimit shtetëror.[Idesë themelore që zbulohet në këto dy fragmente, si edhe në shkrimin e zotit Ksenofon, për mjedisin shqiptar, i jep një tingëllim shumë më aktual edhe artikulli më i fundit i zotnisë së nderuar Jakup B. Gjoça, që titullohet “Kur atdheu…fillon dhe mbaron te…OSSH-ja”, i botuar po në“Tribunën Shqiptare”, në numrin e saj të datës 06 shtator 2010. Kur mbaron së lexuari këtë artikull, çdo qytetar i ndershëm i Shqipërisë sonë hallemadhe, duhet të vërë duart në kokë për padrejtësitë skandaloze, me të cilat ai përplaset në realitetin shqiptar: një qytetar i thjeshtë, i ndershëm, që familjarisht banon në Greqi, një herë në vit, kur vjen në atdheun e vet, e ka të pamundur të gjejë të vërtetën. Dhe kur një qytetari të tillë i mohohet e drejta për të zbuluar të vërtetën, atij, automatikisht, i mohohet liria.E kam të vështirë ta imagjinoj nëse anëtarët e qeverisë së zotit Berisha, vetë zoti Berisha, si kryeministër i vendit, presidenti Topi, zonja Jozefina Topalli dhe kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, provojnë ose jo ndonjë emocion në qenien e tyre kur lexojnë këto rreshta nga artikulli i zotit Jakup B. Gjoça, i cili zbulon lakuriq hajdutërinë që karakterizon Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili po i rrjep për së gjalli qytetarët e thjeshtë me energjinë e mbifaturuar:“Dhe, veç këtij mundimi e shqetësimi shpirtëror, fëmija im , që ka lindur në emigrim dhe që në Atdheun e babait e të nënës, në Atdheun e gjyshërve, vjen vetëm 10 ditë në vit, duke më parë në mërzitjen time, më pyeti:- Përse vijmë atëherë këtu në Tiranë, babi? Që të na detyrojnë të paguajmë mijëra lekë? Shite fare shtëpinë e të mos vijmë më kurrë në Shqipëri!Edhe pse 20 vjet në Shqipëri ka pluralizëm politik, edhe pse në Shqipëri partitë politike çirren dhe demagojnë se përpiqen për demokratizim, barazi shoqërore e drejtësi qytetare, a mundet kush - nga politikanët shqiptarë - ta bindë një fëmijë shqiptar, të lindur në emigrim, që t’i japë një shpresë që, të PAKTËN, të vizitojë ATDHEUN?”]Fragmenti i parë është shkëputur nga kreu i katërt i librit “Shekulli çmendurisë…” që titullohet “Kërkuesit e së vërtetës”. Kurse fragmenti i dytë është marrë nga libri “Errësirë kur del drita…”, kreu i dytë, me titull“Rjazanj. Prill 2000”. Nëntitujt e të dyja fragmenteve janë të mitë.
Santa Barbara, Kaliforni
10 shtator 2010
Drejtësia e prangosur
“Në verën e qetë të vitit 1987, Valentina Romashova hyri në godinën e Telekomit Qëndor në rrugën “Gorki” dhe atje i zunë sytë ca kërkues të së vërtetës që ishin duke lexuar një artikull, të botuar në numrin e freskët të gazetës “Moskovskaja Pravda”. Autori i artikullit kritikonte dikë që quhej Sergej Grigorjanc, kryeredaktor i revistës “Gllasnost”.
- Ku është ky “Gllasnost-i”, - pyeti njëri nga lexuesit. - Ku mund ta gjejmë?
Pas një jave u gjet përgjigjja e kësaj pyetjeje: numrin e telefonit të revistës filluan ta jepnin ca radiostacione perëndimore. Romashova telefonoi atje, mbajti shënim adresën dhe pasi arriti pranë godinës së revistës, vuri re se atje qenkëshin mbledhur një mori njerëzish, si puna e saj.Ja si qëndronte puna e Romashovës: ajo qe rritur në qytetin Gorki dhe në vitin 1979 qe shpërngulur për në Moskë, pasi pati pranuar të punonte në spitalin psikiatrik nr. 27, ku kuroheshin të sëmurë me zhvillim mendortë vonuar, të cilët të afërmit i kishin braktisur. Për të banuar në Moskë, ajo kishte pranuar që t’i bëhej pasaportizim i përkohshëm. Ky lloj pasaportizimi lejohej për të gjithë ata persona që punonin nësektorë të rëndomë të ekonomisë, meqenëse aty ndihej mungesa e krahut të punës. Megjithëse, sipas ligjit, të pasaportizuarve të përkohshëm, pas tre deri në pesë vjet pune u takonte pasaportizim i përhershëm, prapëseprapë, garanci askush nuk jepte për një gjë të tillë. Gjithçka varej nga drejtuesit e institucioneve, prandaj të pasaportizuarit e përkohshëm e ndienin veten fare të pambrojtur.Romashova e filloi punën në shkurt të vitit 1980 dhe menjëherë u përplas me ca kushte të çuditshme ku ndodheshin pacientët. Ata bridhnin zbathur dhe tërë zhele, me ta nuk merrej askush. Për më tepër, ata i shushatnin me ilaçe psikotrone të tipit haloperidol. Kur të sëmurët i përzinin nga pavionet e spitalit, për t’i hapur dritaret kanat pë largimin e ajrit të rënduar, qoftë edhe në të ftohtin e acartë, ata zakonisht i detyronin të kryenin punë të rënda fizike, si, fjala vjen, të mbartnin kova plot me ujë apo dëngje me çarçafë të lagur. Pasi ktheheshin të lagur dhe të rraskapitur, ata, me orë të tëra, ishin të detyruar të endeshin përgjatë korridoreve të ftohta, me rroba të lagura në trup.Por, më shumë se kushtet e këqija, Romashovën e shqetësonte korrupsioni në radhët e personelit të spitalit dhe shfrytëzimi i postit zyrtar për qëllime personale.Kryemjeku Aleksandër Çuprakov sillej me shoferin dhe guzhinierin e spitalit sikur t’i kishte shërbëtorë personalë. Në spitalë na ekzistuakeshin edhe “shpirtra të vdekur”, ca bashkëpunëtorë këta me pagë 80 rubla në muaj, të cilët, në të vërtetë, nuk figuronin kund. Ndërkohë, 600 të sëmurëve u shërbente vetëm një mjek, kurse një infermjere duhej të përgjigjej për 120 të sëmurë njëherazi. Duke mos pasur ndihmën mjekësore që duhej t’u jepej në kohën e duhur, të sëmurët i priste vdekja e shpejtë.Romashovën e shqetësonin poshtërsitë që bëheshin në spitalë, por, duke qenë e ndërgjegjshme se s’kishte mundësi për të ndikuar mbi ndryshimin e situatës, ishte e detyruar të mbyllte gojën. Në qershor të vitit 1981, ajo, e befasuar, mori vesh se Mihail Korsakovi, përgjegjës i zyrës së kuadrit të klinikës, paskej nisur një letër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të cilën kryemjekun e akuzonte për korrupsion. Ca kohë më vonë, qe ngritur një padi penalekundër Çuprakovit, i cili bashkëpunëtorët e vet filloi t’i thërriste në zyrë një e nga një dhe t’u kërkonte që ata të nënshkruanin letra kundër Korsakovit. Kur një gjë të tillë ai ia kërkoi edhe Romashovës, kjo nuk pranoi.Për gjashtë muaj rresht nuk u mor vesh asgjë se çfarë do të bëhej. Paskëtaj në këtë çështje u përzie Sekretarja e Parë e Komitetit të Partisë së Rajonit Alla Njizovceva dhe hetimit iu vu kapak. Çuprakovi e tregoi përsëri hapur forcën e pushtetit të vet dhe Korsakovin e përzuri nga puna. Por bashkë me të, ai përzuri edhe Naira Stepanovën, farmaciste e klinikës. Largoi edhe dy nga ata që nuk pranuan të dëshmonin kundër Korsakovit. Kurse Romashova nuk mund të largohej. Ajo s’kishte ku të vinte. Por, duke qenë me pasaportizim të kufizuar, ajo automatikisht e humbte të drejtën për të banuar në Moskë.Në klinikë u rivendos rregulli i mëparshëm. Vinin kamjonë me materiale për ndërtimin e vilës së Çuprakovit. Disa paciente të klinikës mbetën shtatzëna dhe abortuan, kurse njëherë qëlloi që Pjetër Jegorovin, mikun e ngushtë të Çuprakovit, infermjerja Romashova e gjeti në banjë lakuriq me një paciente të sëmurë.Romashova iu përkushtua punës me shpirt, duke u përpjekur që t’i ruante pacientët nga shfaqjet e agresivitetit të ndërsjellë, që ata të mos e ngacmonin njëri-tjetrin. Çuprakovi ia uli pagën Romashovës, duke i mohur edhe të drejtën e shpërblimit, por infermjeren më shumë e shqetësonte fakti se ai mund të mos pranonte të firmoste për pasaportizimin e saj të përhershëm në Moskë, pas përfundimit të kontratës me spitalin. Më në fund, në shtator të vitit 1984, Çuprakovi e thirri në zyrë Romashovën dhe i kërkoi ryshfet për punën e pasaportizimit. “Ndryshe, - i tha ai, - ju nuk mund të qëndroni dot në Moskë. Pesë vjet punë do të shkojnë për dhjamë qeni”.
Romashova e dinte se e kishte të domosdoshme lejen e tij për punën e pasaportizimit, por megjithatë ajo nuk lëshoi pe.
Ajo iu drejtua zyrës së policisë së rajonit ku banonte, ku e priti Nikollaj Novikovi, përgjegjës i sektorit të pasaportave.
- Ne e dimë, - i tha ai, - që Çuprakovi është hajdut, por do t’u duhet që problemin ta zgjidhni me të.
- Po në ç’mënyrë?
- Si të dëshironi ju, - ia ktheu Novikovi, - veçse mos harroni se ju nuk gëzoni kurrfarë të drejtash.
- Ç’doni të thoni me këtë? Në Kushtetutëështë shkruar se ne gëzojmë të drejtën për punë dhe askush nuk mund të na e heqë këtë të drejtë.
- Po ua përsëris edhe një herë. Ju nuk gëzoni të drejta, madje kurrfarë të drejtash.
Çuprakovi filloi ta ndalonte Romashovën nëpër korridore dhe t’i kërkonte para, por ajo vazhdonte të qëndronte e patundur. Ai i dha urdhër ta lironte shtratin që kishte në konvikt dhe të zhvendosej në një dhomë tjetër, në atë që ndodhej në hyrje të godinës, ku kryente shërbimin roja i spitalit. Por Romashova vazhdonte të mos tërhiqej nga qëndrimi i saj. Atëherë në dhomën, ngjitur me atë të Romashovës, Çuprakovi solli një huligan që njihej si njeri skandalesh, kurse kryetari i bashkimeve profesionale organizoi një mbledhje, në të cilën banorët e konviktit kërkuan largimin e saj.
Me 25 dhjetor 1984 përfundoi afati i regjistrimit tëRomashovës si banore e përkohshme e qytetit të Moskës, por ajo përsëri vazhdonte të mos pranonte që të jepte ryshfet. Në janar ajo qe e detyruar t’ia dorëzonte pasaportën Çuprakovit, i cili e çregjistroi nga Moska. Më 18 shkurt atë e pushuan nga puna me argumentimin se kontrata e saj e punës kishte përfunduar.
Romashova e dinte se nuk mund të vazhdonte të qëndronte gjatë në Moskë, pa qenë e regjistruar, e megjithatë nuk dëshironte të pajtohej me pozitën e viktimës që po e pësonte për qejf të Çuprakovit. Pasi i dha karar që të kërkonte drejtësi, ajo iu drejtua me letër Sovjetit Suprem, Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Këshillit Qëndror të Bashkimeve Profesionale, Prokurorisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Sociale, duke ndjekur rrugët e shkelura nga të tjerët dhe duke u përcjellë nga njëra zyrë pritjeje te tjetra.
Një i njohuri i saj i kahershëm, Vladimir Izotovi, punëtor në depon e tramvajeve të Rajonit të Oktjabrskut, i propozoi të lidhnin një martesë, në mënyrë që ajo të gëzonte të drejtën e ligjshme për të mbetur në kryeqytet. Si vrau mendjen ca kohë për këtë propozim, megjithëse pa ndonjë entuziazëm të veçantë, ajo pranoi.
Pas regjistrimit të martesës, Romashova tani nuk i druhej dëbimit nga kryeqyteti, por një gjë e tillë nuk e zgjidhte problemin plotësisht. Ajo zuri me qira një apartament bashkë me Aleutina Kocabuçin, ish-kolege pune e spitalit. Por Romashova e dinte se po të merrej vesh që ajo nuk bashëjeton me Izotovin, atë mund ta dëbonin nga Moska për martesë të rreme. Rreziku u bë serioz, kur Viktor Sarajevi, ish-adhuruesi i saj i dikurshëm, e mësoi se ku banonte dhe e kërcënoi se do ta denonconte.
Në këtë kohë në pushtet erdhi Mihail Gorbaçovi. Në shkurt të vitit 1986, Romashova mori dijeni për punën e perestrojkës. Ajo u gëzua sidomos për premtimet që jepeshin për ndëshkimin e të gjithë kriminelëve, pavarësisht nga posti që kishin. Por, në të njëjtën kohë, mbeti edhe e befasuar: a thua se kohët paskëshin ndryshuar me të vërtetë?
Romashova sillej nga njëra zyrë pritjeje te tjetra. Shpesh herë ajo shkonte në Gorodec, ku jetonte e ëma, mandej kthehej në Moskë ku mundohej t’u jepte nxitje ankesave të veta, duke e shtyrë jetën me paratë që i jepte e ëma. Më në fund, asaj i plasi sherri edhe me Aleutina Kocabuçin, por, për të mos iu bërë barrë Izotovit, e kalonte natën nëpër stacionet e trenave. Nëpër të gjitha tribunat flitej për perestrojkën dhe luftën kundër marrjes së ryshfeteve, por akush nuk ndalej në rastet konkrete…
Nëpër zyrat e pritjes mbretëronin po ato rregulla surealiste. Gazetat ishin të mbushura cep më cep me artikuj për demaskimet publike të ryshfetçinjve dhe të të korruptuarve, ndërkohë që kërkuesit e së vërtetës vinin në Moskë plot më shpresa të mëdha. Por atje përplaseshin me qëndrimin arrogant të nëpunësve burokratë, të cilët injoronin kërkesat e tyre. Kërkuesve të së vërtetës u nxirrnin gjuhën për faktin se këta u besonin fjalëve që shkruheshin nëpër gazeta.
Prokurori e njoftoi Romashovën se deklarata e saj për faktin se i ishte kërkuar ryshfet, ishte marrë në shqyrtin, por akuzat e saj nuk qenë vërtetuar, paçka se në klinikë njerëzit ishin të mirinformuar përpërpjekjet e Çuprakovit për ta detyruar atë të jepte ryshfet. Nga Këshilli Qendror i Bashkimeve Profesionale erdhi përgjigjja, sipas së cilës nuk kishte asnjë argument për rikthimin e Romashovës në vendin e mëparshëm të punës, megjithse, edhe kur çështja kishte të bënte me pune ryshfeti, sipas ligjit, edhe ata që kishin pasaportizim të përkohshëm, gëzonin mbrojtjen e tij.
Një bashkëpunëtore e revistës “Njeriu dhe ligji” i pati thënë Romashovës:
“Përderisa ju keni pasaportizim të përkohshëm, qëndrimi që mbahet ndaj jush është në përputhje me ligjin. Kurse revista ka për qëllim jo të ndihmojë njerëz të veçantë, por të shpjegojë ligjet sovjetike”.
Gazetat dhe gjithçka tjetër nuk pranonin të merreshin me çështjen e Romashovës. Vetëm televizioni qëndror shfaqi njëfarë interesimi, megjithatë gazetarët e televizionit e këshilluan Romashovën të hiqte dorë nga lufta dhe ta linte punën në ndërgjegjen e organeve të drejtësisë.
Pasi kalo një vit me ankesa, Romashovën e priti Tropini, njëri nga funksionarët partiakë të Moskës. Ai i tha se e kishte studiuar ankesën e saj “me metoda të posaçme” dhe paskej ardhur në përfundimin se asaj nuk i ishte bërë asnjë padrejtësi. Mandej ai shtoi se nuk ekzistonte ndonjë femër me emrin Naira Stepanova, të cilën Romashova e pati përmendur në kërkesën e saj.
- Më falni, - ia ktheu Romashova, - por nuk është kështu si thoni ju. Nëse ju vazhdoni të pohoni se kjo femër nuk ekziston, atëherë biseda e mëtejshme me ju nuk ka asnjë kuptim.
- E po atëherë, mirupafshim, - i la lamtumirën Tropini, duke i dhënë fund bisedës në nxitim e sipër.
Romashova u mundua të bëhej e vetëdijshme për çka po ndodhte brenda vendit. Ajo e kishte të qartë se autoritetet kërkonin të bëheshin ndryshime, por mbarë ryshfetçinjtë dhe zuzarët vazhdonin të gëzonin përkrahjen e lidhjeve me struktrurat partiake.
Ndërkohë ajo mori vesh se Viktor Sarajevi e paskej informuar policinë se ajo nuk bashkëjetonte me Izotovin. Sarajevi ishte në dijeni për konfliktin e Romashovës në klinikë, kurse disa nga ish-shoqet e saj të punës i rrëfyen se Sarajevi na qenkej bërë aleat me Çuprakovin. Pas ca kohësh, në apartamentin e Izotovit erdhi një njoftim për paraqitjen e Romashovës në gjykatë, kështu që ajo shkoi të takohej me shefin e policisë. Ai e pyeti nëse ajo bashkëjetonte me të shoqin dhe nëse kishte marrëdhënie seksuale me të apo jo.
- Unë jam i bindur se ju nuk keni marrëdhënie të tilla, - i tha ai.
- Mos u sillni në mënyrë të pahijshme, - ia ktheu Romashova,- mos kërkoni të futeni me gjithë çizme në shpirtin e tjetrit.
Romashova i grumbulloi të gjitha përgjigjet që kishte marrë për kërkesat e veta dhe vendosi t’i çonte në Sovjetin Suprem, në mënyrë që ta vërtetonte me fakte se ja cila na qenkej perestrojka që po praktikohej në Bashkimin Sovjetik. Kur ajo u fut në ndërtesën e Telekomit Qëndror për të nisur një tjetër kërkesë për në Sovjetin Suprem, atë e ndali njëe njohura e saj dhe e pyeti se ku do të shkonte me atë kërkesë që donte të bënte. Kur dëgjoi përgjigjen e saj “në Sovjetin Suprem”, ajo psherëtiu dhe i tha:
- Vetëm kini parasysh që atje të mos shkoni fillikat. Atje njerëzit i flakin përjashta dhe prej andej i nisin për në spitalin psikiatrik. Po shkuat, merrni ndokënd me vete.
Pas kaq vjet pune në klinikën psikiatrike, Romashova e dinte shumë mirë se çfarë i punojnë njeriut në një qendër kurative për të sëmurët mendorë në Bashkimin Sovjetik. Paralajmërimin e shoqes së vet për rrezikun që e kërcënonte në Sovjetin Suprem, ku mund ta ndalonin si të sëmurë mendore, ajo e quajti plotësisht real dhe i dha karar që atje të mos shkelte fare.
Romashova e ndiente veten të këputur. Ajo gjithmonë e më shumë po i hynte luftës në mbrojtje të të drejtave të veta, duke u gdhirë nëpër stacione trenash dhe duke e torturuar veten me kërkesa të vazhdueshme, për t’u takuar me nëpunës burokratë, pa marrë kurrfarë përgjigjeje prej tyre përsëri e përsëri. Më në fund, ajo mori vendimin se e vetmja shpresë mbetej në kërkesën për t’iu drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Prej dikujt mësoi se përfaqësia e OKB-së i paskej zyrat në rrugicën Llunaçarski.
Romashova u nis për atje, por mori vesh se edhe atje shërbyekeshin ca nëpunës burokratë sovjetikë. Megjithatë ajo shkoi dhe ua dorëzoi kërkesën e vet. Duke qenë e bindur se nuk do të merrte ndonjë përgjigje të shpejtë, ajo u nis për ta kaluar verën tek e ëma në Gorodec. Kur u kthye në Moskë, mësoi se po e priste një letër në postën restante. Në të thuhej se OKB-ja nuk i ka kompetencat e duhura për zgjidhjen e çështjes së saj dhe e këshillonin që t’u drejtohej organeve përkatëse sovjetike.
Pas kësaj përgjigjeje, Romashova u bind përfundimisht se davanë e kishte të humbur. Pikërisht asokohe ajo mori vesh në Telekomin Qëndror për punën e asaj revistës së re “jozyrtare”. Revista jozyrtare iu duk si një rreze shprese në peripecitë e jetës së saj
Romashova ua rrëfeu historinë e vet botuesve të revistës “Gllasnost”, histori kjo që u bë publike në numrin 16 të saj. Ajo i nisi përsëri ecejaket nëpër zyrat e pritjes dhe, më në fund, vuri re ca ndryshime.
Procesi i liberalizimit gjithsesi paskej filluar në të gjithë vendin. Me afrimin e vitit 1988, policia nuk i kapte njerëzit në rrugë dhe nuk i rraste nëpër spitale psikiatrike. Njëherë, një mikesha e saj, e çoi Romashovën në një takim me Ekaterina Arsenjevën, e cila po shpërndante peticione, ku shprehej protesta kundër autoriteteve që nuk pranonin t’i shqyrtonin kërkesat e njerëzve sipas ligjit. Pas një jave ajo grumbulloi 500 firma.
Edhe Romashova e nënshkroi protestën dhe disa ditë më pas u bashkua me pjesëmarrësit e një demonstrate që u organizua pranë ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Një nëpunës burokrat i Këshillit të Ministrave premtoi t’u organizonte një takim me “ca shokë me përgjegjësi”. Takimi u zhvillua që të nesërmen dhe, për habinë e kërkuesve të së vërtetës, nëpunësit burokratë dukeshin shumë të sjellshëm.
Kaluan ca javë, por nga Këshilli i Ministrave s’po vinte kurrfarë përgjigjeje. Më në fund, Romashova mori një përgjigje, në të cilën thuhej se çështja e saj qenkej shqyrtuar dhe qe vlerësuar si e paqenë. Po e njëjta përgjigje u erdhi të gjithë atyre që kishim marrë pjesë në demonstratë.
Pasi e humbi davanë në Këshillin ë Ministrave, Romashova mendoi se kishte ardhur koha për t’u çlodhur ca. Por nuk qe thënë: më 16 tetor të vitit 1988 asaj i erdhi një njoftim për t’u paraqitur në gjykatë. Viktor Sarajevi vazhdonte t’u shkruante letra pa pushim autoriteteve zyrtare, duke deklaruar se martesa e saj me Izotovin ishte e rreme. E megjithëse autoritetet në fjalë s’po bëheshin fort merak për akuzat që i bëheshin Çuprakovit për korrupsion, ato manifestuan tërë zellin e tyre për të argumentuar se Romashova, duke dashur të bëhej banore e përhershme e Moskës, paskej lidhur një martesë të rreme me Izotovin. Një ditë në mëngjes, Izotovi e takoi Romashovën në redaksinë e revistës “Gllasnost” dhe e paralajmëroi se policia paskej shkuar në apartamentin e tij në kërkim të saj dhe se ajo qenkej shpallur person në kërkim në mbarë Bashkimin Sovjetik.
Asaj iu desh të hiqte dorë nga ecejaket nëpër zyrat e pritjeve. Tani ajo u gjend ballë për ballë me një rrezik të vërtetë. Në muajin nëntor, gjykata e rajonit Zhdanov e vlerësoi martesën e saj të rreme. Ajo apeloi në gjykatën e qytetit, e cila ia përcolli përsëri gjykatës së rajonit për rishqyrtim. Izotovi nënshkroi një deklaratë, ku ngulte këmbë se ai me Romashovën kanë lidhur martesë të ligjshme. Gjykata e rajonit e injori këtë deklaratëdhe po përgatitej për zhvillimin e njëseance gjyqësore për marrjen e vendimit për dëbimin e Romashovës nga Moska”. (Citohet sipas: David Satter. “Shekulli i çmendurisë. Shkërmoqja dhe shembja e Bashkimit Sovjetik. Shtëpia Botuese “OGI”. Botim në gjuhën ruse. Moskë 2005, f. 99-104).

E vërteta e varrosur

Errësira u bë pus, makinat shkonin e vinin me shpejtësi në rrugën Novosjellov, në periferi të qytetit Rjazanj, duke u vërtitur para pallatit 14/16. Blerësit ishin grumbulluar në dyqanin e ri të ushqimoreve me tabelë“24 orë” në katin e parë të ndërtesës, ndërkohë që banorët ktheheshin nga puna, formonin kodin e apartamentit të tyre dhe hapnin portën e re, të rëndë e metalike.
Në këtë skenë asgjë s’të ngjallte dyshim se më 22 shtator të vitit 1999, në këtë vend, ku tani ndodhet pallati, mund të gjendej një gropë e humnershme dhe shumë prej atyre banorëve që janë duke u nxituar gjithsekush në punët e veta, mund të përfundonin të varrosur poshtë tonelatave të tullave të pallatit, po të mos kishte ndodhur një mrekulli që i shpëtoi nga vdekja e sigurt.
E vetmja gjë që të sjell ndër mend këtë ngjarje, është dera metalike, e montuar disa muaj pas zbulimit të një bombe në bodrumin e pallatit, çka bëri që të evakuonin 250 banorë të tij. Qytetin e pllakosi paniku, deri kur Shërbimi Federativ i Sigurimit (SHFS) deklaroi se ajo na paskej qenë jo bombë e vërtetë, por një imitim bombe.
Pas këtij incidenti, banorët e pallatit, në një intervistë që dhanë për televizionin dhe për organet e shtypit, deklaruan se pas kësaj ngjarjeje atyre u kanë lindur probleme me gjendjen shëndetësore, kurse fëmijët e tyre kishin frikë të shkonin të flinin. Ata lanë të kuptohej se nuk e besojnë faktin që ata i evakuan nga apartamentet e tyre për shkak të kryerjes së një stërvitjeje mësimore dhe ishin të bindur se dikush, dhe pikërisht vetëSHFS kërkonte t’u hidhte hi syve.
Një grua e moshuar, duhe hyrë në pallat, tha:
“Kjo madje është e llahtarshme ta thuash me gojë, por mua më duket se kjo nuk ishte stërvitje mësimore”.
Një banor 67-vjeçar i pallatit u shpreh:
“Çfarë të besoj unë, atë që thotë qeveria, apo atë që ndodhi në bodrumin e pallatit tonë? Atëherë shtroni pyetjen: kush mban përgjegjësi për luftën?Kujt i duhet kjo luftë? Natyrisht, qeverisë”.

[Banori 67-vjeçar e ka fjalën për luftën e parë që Kremlini ndërmori kundër Republikës së Çeçenisë. Republika Autonome e Çeçenisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991, shpalli pavarësinë. Moska hëpërhë nuk reagoi, duke pritur që të përgatitej për një agresion të përmasave të mëdha. Agresioni filloi në fundin e vitit 1994 dhe fillimin e vitit 1995. Në atë agresion barbar kundër popullit heroik çeçen, u vranë 4400 ushtarë rusë, 1400 prej të cilëve, deri në fundin e vitit 1997, konsideroheshin të zhdukur pa asnjë gjurmë, kurse 400 kufoma të tyre, të paidentifikuara ende, gjendeshin në qytetin e Rostovit, të shpërndara nëpër vagona frigoriferikë. [Këto të dhëna David Satter i ka nxjerrë nga shtypi rus i asaj kohe dhe i ka botuar në librin e dytë, f. 252]. Në fillim të qershorit të vitit 1995, ca luftëtarë çeçenë, nën komandën e Shamil Basajevit, pushtuan qytetin Budjonovsk në jug të Rusisë dhe morën peng më shumë se 1 000 njerëz në spitalin e qytetit. Më 17 qershor, ca trupa speciale ruse bënë dy orvatje të pasuksesshme për pushtimin me sulm të ndërtesës së spitalit. Nën presionin e fuqishëm të opinionit publik rus për shpëtimin e pengjeve, kryeministri Çernomëjrdin nënshkroi një marrëveshje për ndalimin e zjarrit, largimin e lirë të luftëtarëve çeçenë dhe fillimin e bisedimeve paqësore. Kur Boris Jelcini, ne vitin 1966, u zgjodh president për herë të dytë, dërgoi në Çeçeni gjeneralin Lebed, asokohe Kryetar i Këshillit të Sigurimit të Federatës, për të zhvilluar bisedime me autoritetet çeçene. Me pëlqimin e presidentit Jelcin, gjenerali Lebed nënshkroi një marrëveshje me autoritetet çeçene, sipas së cilës Çeçenia, në vitin 2000, do të zhvillonte një referendum për pavarësi. Në shtator të vitit 1999, kur kryeministër i vendit (një muaj më parë) qe emëruar Vladimir Putin, u hodhën në erë tre pallate banimi, respektivisht në qytetet Moskë, Vollgodonsk dhe Bujnaksk. Këto tre shpërthime Kremlini ua faturoi luftëtarëve çeçenë, në mënyrë që të përgatiste opinionin publik për fillimin e luftës së dytë kundër Çeçenisë. Ndërkohë Jelcini, me qëllim që të lante duart nga marrëveshja e nënshkruar me Çeçeninë për punën e referendumit, pa e përfunduar ende mandatin e dytë, më 31 dhjetor 1999 dha dorëheqjen dhe kompetencat e presidentit ia kaloi Vladimir Putinit, i cili Çeçeninë e mbyti në gjak. Një truk djallëzor ky i Jelcinit, tipik për politikën ruse të periudhës së carizmit, sovjetizmit dhe të pluralizmit, politikë kjo, e cila përherë është vërtitur në qerthullin e pabesisë - E.Y.]

Të nesërmen e asaj dite të incidentit në fjalë, qeveria, duke akuzuar luftëtarët çeçenë për hedhjen në erë të pallatave të banimit në Moskë, Vollgodonsk dhe Bujnaksk, filloi bombardimin e kryeqytetit të Çeçenisë Groznëj.
Një tjetër banore e pallatit, Tatjana Boriçeva, deklaroi:
“Autoritetet po mundohen t’i vënë kapak këtij incidenti dhe të vërtetën ta mbajnë të fshehur nga populli. Unë mendoj se në këtë mes kemi të bëjmë me një lojë të madhe politike. Këtu bëhet luftë për pushtet, kurse jeta jonë nuk vlen asnjë qindarkë. Autoritetet deshën t’i detyrojnë çeçenët të nisnin operacionet luftarake dhe të rrëmbejnë për vete pushtetin”.
Disa banorë të pallatit deklaruan se kanë ndër mend të ngrejnë padi gjyqësore kundër SHFS. Të tjerët ishin shumë më të kujdesshëm. Banorja e pallatit Tatjana Llukiçeva u shpreh:
“Mendimi i përgjithshëjm është se do të qe më mirë që ne të mos ngrejmë akuza, se, për ndryshe, herën tjetër autoritetet shtetërore do të na hedhin në erë me të vërtetë”.
Pallatin 14/16 në rrugën Novosjellov e kishte ndërtuar në vitin 1987 uzina për prodhimin e radiove dhe shumica e banorëve të tij punonin atje. Në tërësi, këta banorë ishin qytetarë me formim atdhetar, jo të prirur për të kritikuar qeverinë. Por pas “stërvitjes mësimore” dhe ngjarjeve që pasuan më vonë, ata krijuan bindjen, në disa raste për herë të parë, se jeta e tyre nuk kishte asnjë vlerë në sytë e autoriteteve shtetërore. Rrahja e kësaj situate filloi që atë mbrëmje, të cilën banorët e pallatit nr. 14/16 në rrugën Novosjellov e konsiderojnë si jetë të dytë.
Në orën 22-30 të datës 22 shtator, Aleksej Kartofelnjikovi, shofer i autobusit të qytetit, u kthye në qytetin e Rjazanjit, pas pushimeve që kishte kaluar në vilën e vet. E parkoi autobusin jo afër pallatit dhe u nis më këmbë për në shtëpi. Kur u afrua pranë hyrjes së pallatit, atij i tërhoqi vëmendjen një veturë e bardhë e markës “Lada”, e parkuar pranë saj, dhe një burrë që po rrinte në ndenjësen e fundit. Dy shifrat e fundit të targës ishin të mbuluara me një rrisk letre, ku lexoheshin shifrat 62, që ishte kodi i qytetit të Rjazanjit. Përballë hyrjespo rrinte më këmbë një bjonde e re që po hidhte vështrimin rreth e rrotull tërë nervozizëm.
Duke pasur parasysh hedhjen në erë të katër pallateve të banimit 18 ditë më parë në Bujnaksk, Moskë dhe Vollgodonsk, kjo skenë Kartofelnjikovit i ngjalli dyshime. Pasi hyri në apartamentin e vet, ai formoi numrin “02”.
Në këto e sipër, Vladimir Vasiljevi, me profesion inxhinier, banor i katit të tetë,po kthehej në shtëpi dhe, në ecje e sipër, i zunë sytë veturën në fjalë. Rrisku i letrës mbi targën e pasme të makinës qe hequr dhe në të lexohej numri 77, kodi i Moskës. Vasiljevi vuri re se numri në targën e pasme ishte i ndryshën nga ai në të përparmen. Bjondja, që i kishte tërhequr vëmendjen Kartofelnjikovit, tani po rrinte ulur bashkë me atë burrin në makinë. Vasiljevi u ngjit me ashensor në apartamentin e vet dhe, po ashtu, i telefonoi policisë.
Kartofelnjikovi vazhdonte të formonte pa pushim numrin “02”, por ky dilte vazhdimisht i zënë. E bija e tij, Julia, studente 23-vjeçare e fakultetit të mjekësisë, kishte dalë në ballkon për të marrë vesh zhvillimin e ngjarjeve. Ajo vuri re se nga bodrumii pallatit doli njëtjetër burrë i panjohur, hodhi sytë e pa orën e dorës dhe hipi në veturë, e cila paskëtaj u nis me shpejtësi me tre pasagjerëbrenda. Në këto çaste, Kartofelnjikovi arriti të lidhej me policinë.
Ai i përshkroi asaj gjithçka qëi kishin zënë sytë, por në fillim policia nuk pranoi të vinte në vendin e ngjarjes. Por ai nguli këmbë dhe policia pranoi të vinte. I ati dhe e bija i pritën policët në hyrje të pallatit në orën 21-30. Julia u propozoi të zbrisnin në bodrum për t’u bindur se njerëzit që ikën me makinë mos kanë lënë gjësend atje. Endacakët që sillen poshtë e përpjetë e shfrytëzonin bodrumin e pallatit për nevoja personale, prandaj policët nuk kishin qejf të shkonin atje, por Julia nguli këmbë dhe ata, më në fund, vendosën të zbresin.
Pas pak, njëri nga policët u ngjit lart turravrap dhe dha alarmin: “Atje është vendosur një bombë!” Dy të tjerët u ngjitën lart me një frymë pas tij dhe njëri prej tyre i tha Kartofelnjikovit: “Duhet t’i evakuojmë banorët e pallatit!”.
Brenda pallatit filloi rrëmuja. Policët filluan të trokisnin derë më derë, duke u dhënë urdhër njerëzve t’i braktisnin apartamentet. Prindërit nxitonin t’i merrnin nga shtrati fëmijët e gjirit, të rrëmbenin dokumentet dhe të hidhnin krahëve ndonjë pallto. Ata që ishin shumë të sëmurë dhe s’mund të dilnin dot me këmbët e veta, vazhdonin të mos lëviznin nga vendi. Policia rrethoi pallatin, ndërkohë që banorët, tek rrinin më këmbë përjashta, po ndiqnin me sy se si policët, përfshirë edhe Juri Tkaçenkon, drejtuesin e skuadrës së xhenierëve, po zbrisnin në bodrum. Turma kishte mbetur si e ngrirë, në pritje të ndonjë njoftimi për ndonjë alarm të rremë. Në bodrum Tkaçenkoja çaktivizoi një aparat shpërthyes me një mekanizëm të kurdisur, kurse paskëtaj, me anë të një analizatori portativ gazi MO-2, kontrolloi tre thasë me një lëndë të bardhë kristaline. Analizatori tregoi se në thasë gjendej heksogjen, një lëndë shpërthyese kjo që qe përdorur për hedhjen në erë të pallateve të banimit në Bujnaksk, Moskë dhe Vollgodonsk. Tani nuk kishte mëdyshime se dikush paskej pasur si qëllim që pallatin ta hidhte në erë. Makinat e policisë, makinat zjarrfikëse, si edhe ato të ndihmës teknike, qenë turrur drejt vendngjarjes nga të gjitha anët e qytetit, kurse më pas, kur lajmi mori dhenë se në bodrumin e pallatit 14/16 të rrugës Novosjellov qenkej zbuluar një bombë, banorët e pallateve fqinje, në frikë e sipër, po ashtu, i braktisën banesat e veta. Puna arriti deri aty, saqë 30 mijë banorë të rajonit Dashkovo-Pesoçnja, ku ndodhej pallati 14/16 në rrugën Novosjellov, tërë natën e kaluan jashtë.
Policët morën në pyetje Kartofelnjikovin, të bijën dhe Vasiljevin dhe, mbi bazën e dëshmive të tyre, përgatitën fotorobotin e personave të dyshuar. Ndërkohë, 1200 policë qenë vënë në gjendje gatishmërie luftarake, filloi patrullimi i stacioneve hekurudhore dhe i aeroporteve, kurse në të gjitha autostradat në dalje të qytetit qenë ngritur pika kontrolli. Policia ndalonte dhe kontrollonte çdo veturë të bardhë të markës “Lada”.
Pak para mesnate, gjenerali Aleksandër Sergejev, shef i SHSF për qytetin e Rjazanjit, erdhi në hyrje të pallatit 14/16 në rrugën Novosjellov dhe aty u takua me banorët e tij. Ai tha:
“Mund ta quani fat që sot në darkë ju keni pasur një jetë të dytë”.
Para se të largohej, ai premtoi se të gjithë do të mund të kthehen nëpër banesat e tyre, sapo të sqarohet situata se rreziku ka kaluar. Pas kësaj ngjarjeje, ai i tha Kartofelnjikovit:
“Paskeni lindur me këmishë”.
Në orën dy pas mesnate, thasët dhe detonatorin Shërbimi Federativ i Sigurimit i ngarkoi në një kamion të vogël dhe i mori me vete. Banorët e pallatit vazhdonin të endeshin poshtë e lartë në të ftohtë, deri në orën tre të mëngjesit, kur u hap dera e kinoteatrit “Oktjabr” që ndodhet matanë rrugës dhe kur përgjegjësja e tij solli nga shtëpia ca enë dhe të gjithëve u dha të pinin çaj. E megjithatë, çaji nuk i ndihmoi banorët e gjorë për të qetësuar nervat e trazuara. Për të gjithë ata që vuanin nga zemra ose nga tensioni i gjakut, kohë më kohë thirrej “ndihma e shpejtë”.
Shumë prej banorëve që ndodheshin në kinoteatër mezi po vinin në vete. Ata e kishin të qartë se në bodrumin e pallatit të tyre dikush paskej vendosur një bombë, por ishte e vështirë të imagjinohej që vetë ata dhe familjet e tyre mund t’i priste vdekja. Në orën 5 të mëngjesit ndezën radiot dhe banorët dëgjuan pasqyrën e lajmeve të Radios “Rusia” për orvatjen që qe ndërmarrë për hedhjen e pallatit në erë. Folësi, tek po rrëfente për incidentin, njoftoi se bomba do të shpërthente në orën 6 të mëngjesit. Pas këtij njoftimi, në kinoteatër ra qetësia, meqenëse të gjithë e merrnin me mend se sikur bomba të mos qe zbuluar, atëherë atyre do t’u kishte mbetur për të jetuar vetëm një gjysmë ore.
Erdhi mëngjesi. Rjazanji përngjasonte me një qytet në rrethim. Rrugët qenë mbushur me patrulla policore të armatosura dhe me kursantë usharakë. Policët, të veshur me jelekë antiplumb dhe me automatikë në duar, kishin rrethuar të gjitha daljet nga qytetit. Radhë të gjata veturash dhe kamionësh zgjateshin me kilometra të tëra gjatë rrugëve të ndryshme dhe policia kontrollonte çdo makinë dhe ço udhëtar. Portretet e të tre terroristëve qenë afishuar në çdo shtyllë dhe trung peme.
Në orën 8 të mëngjesit, televizioni rus njoftoi për orvatjen që ishte bërë për të hedhur në erë një pallat banimi në qytetin e Rjazanjit dhe citoi njoftimin zyrtar të degës së punëve të brendshme të këtij qyteti, ku thuhej se në atë bombë gjendej lëndë shpërthyese heksogjen. Po në mëngjesin e asaj dite, në televizionin e qytetit të Rjazanjit doli Aleksandër Sergejevi, i cili i uroi banorët e pallatit që shpëtuan shëndoshë pas atij akti terrorist. Ca kohë më vonë, në televizionin shtetëror doli ministri i punëve të brendshme Vladimir Rushajllo që deklaroi se u shmang orvatja e terroristëve për të hedhur në erë një pallat banimi, i pesti në radhën e atyre që ishin hedhur në erë deri asokohe. Në këto ngjarje e sipër, kur nëpër qytetin e Rjazanjit patën qarkulluar fjalë se qyteti qenkej zgjedhur si vend për kryerjen e një akti terrorist për shkak të dislokimit aty të regjimentit desantoajror nr. 137, Pavell Mamatovi, kryetar i bashkisë së Rjazanjit dha urdhër për vulosjen e gjithë mbitrazave dhe bodrumeve të qytetit.
Në orën 19-00, në lajmet e darkës doli në ekranin e televizionit kryetari i qeverisë Putin që deklaroi se aeroplanët rusë paskëshin filluar bombardimin e qytetit Groznëj. Ideja e deklaratës së tij në mbarë vendin që ndodhej në pritje të akteve të tjera terroriste, ishte e qartë: terroristët kryen atentat kundër jetës së njerëzve të pafajshëm, prandaj ata do të ndëshkohen.
Në mbrëmjen e 23 shtatorit, në një parkim qe zbuluar ajo “Lada” e bardhë. Pas ca kohësh, qe regjistruar një bisedë telefonike me Moskën: një ndërlidhëse, e cila qëndroi mjaft gjatë në linjë, arriti të regjistronte një fragment bisede. Telefonuesi njoftonte Moskën se ata nuk paskëshin pasur mundësi të dilnin nga qyteti pa u vënë re. Një zë në anën e kundër të linjës ia ktheu:“Ndahuni nga njëri-tjetri dhe dilni nga qyteti veç e veç”.
Ndërlidhësja-telefoniste për këtë telefonatë njoftoi policinë, e cila përcaktoi numrin e telefonuesit. Për habinë e tyre, telefonata ishte bërë nga një zyrë e SHFS.

Pas një kohe të shkurtër, policia e Rjazanjit, me ndihmën e popullatës vendase, arrestoi dy terroristët. Kur u bë identifikimi i tyre, doli se ata punuakeshin në SHFS. Por, me urdhër të Moskës, ata shumë shpejt u lanë të lirë. Shpjegimet nga ana e SHFS të Federatës Ruse tani ishin të pashmangshme.

Të premten, më 24 shtator 2000, kreu i SHFS Patrushev, pasi doli nga një mbledhje në Kremlin, njoftoi një gazetar se evakuimi i njerëzve nga një pallatë në qytetin e Rjazanjit, ishte pjesë e stërvitjeve mësimore dhe bomba ishte thjesht një imitim dhe qe vënë me dijeninë e tij. Madje Patrushevi shtoi se nëpër thasët që zbuloi skuadra e xhenierëve, nuk kishte asgjë tjetër veç sheqerit pluhur. Të dhënat e analizatorit të gazit për praninë e heksogjenit në thasë kanë qenë të gabuara. Edhe në qytete të tjera janë zhvilluar stërvitje mësimore analoge, por vetëm në Rjazanj banorët e pallatit e kapën situatën para kohe. Ai shprehu admirim për banorët e pallatit për vigjilencën që treguan.

(Pergatiti per botim Flori Bruqi)

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...