2010-12-09

Vullnet Mato : GJITHÇKAJA JETËSORE BRENDA ASGJËSË MODERNE

IMPRESIONE NGA LIBRI POETIK “KOHËBOTA” I FATMIR TERZIUT


image 

Vullnet Mato

Mësues letërsie, poet dhe prozator,autor i 17 Librave të botuara.


GJITHÇKAJA JETËSORE BRENDA ASGJËSË MODERNE


IMPRESIONE NGA LIBRI POETIK “KOHËBOTA” I FATMIR TERZIUT

Vajtja në Anglinë e mjegullës së përjetshme, nga vendi plot diell i Shqipërisë, me kthjelltësinë e burimeve malore dhe me kaltërsi qiellore të qelibartë, nuk ka si të mos i pengonte fushëpamjen, poetit të talentuar shqiptar FATMIR TERZIU. Domosdo, shkulmin e parë të shpirtit të tij prej emigranti, ai do ta zbrazte patjetër te ky fenomen karakteristik i këtij vendi të huaj, ku ka shkuar të zgjojë ëndrrat e fjetura të jetës së tij. Prandaj dhe dorën kalon ashtu nxitimthi mbi kokën “gjysëm-lakuriq” por plot me mendime të bukura që shpie në Mbretërinë e Bashkuar nga atdheu i tij i largët. Ndonëse nga e kaluara e vuajtur, instinkti i fikson vetëtimthi “tre qime të mbetura ‘iriq“ Por në Viktoria, ai deshifrohet dhe bymehet në përditësinë e tij poetike të lodhur, të mërzitur, të stërmunduar, të përhumbur mes poteres së këtij qyteti të madh. Të kësaj hapësire të pamatë, ku poeti lë shenjat e tij të përditshme, duke hyrë “Si fije kashte në çdo stinë” Por kjo fije kashte figurative, është një fije e artë në poezinë “PËRDITËSIA IME” që çel vëllimin e tij me titullin krejt origjinal “KOHËBOTA”. Syri i mprehtë i këtij talenti me ndjesi të holla artistike, e gjen hartën e grimave poetike edhe te damarët e qelqtë të një gote me birrë, ku shpërthejnë flluskat e hallakatura me bardhësi trishtuese. Ku qenia e tij fillon të udhëtojë në përfytyrimin riprodhues të vendlindjes, te çastet kur luhet vallja e lashtë nën tingujt e fyellit baritor. Poezia “BEFAS” Por jeta në qytetin e vrullshëm Perëndimor ka edhe peripecitë dhe rreziqet e saj. Ku poeti fantazist, duke lexuar retë në ndriçimin e vetëtimave me “qiell rrokadash të therrta” mund t’i digjen “ferrodat nën rrotat” e automobilit, nga frenimi i rapid në çastet kur puthja i ngec “nën valva aortash”te poezia e ndërtuar me metafora befasuese “AKSIDENTI” Ky njeri i ikur nga nata simbolike për shkak se nuk duronte tjetërsimin e “një elektroni të paaftë” fillon të numërojë nga e para 365 a 366 netët e përgjimit nga “grushtkodrat” e djeshme në një natë ndryshe, në një botë ndryshe, me liri të plotë njerëzore. Poezia me tension dramatik të brendshëm “365 a 366 NETË NGA E PARA PRAPË”.





 Këtu, në vendndodhjen e re, shpirti i tij aspiron në kujtime ngrohtësinë njerëzore të dashurisë së largët dhe i gufon zemra për çastin kur e dashura krehte flokun vegimtar në rrezet e dritës e i sillte frymën e saj në gji, teksa tani po e thërret me mall:“Sytë mbaji drejt qiellit/Të shohësh lotët e mi…” Poezia “LARG”. I gjendur përballë gjuhës së këtij kombi dhe gjuhëve të tjera që kanë zgjuar pasionin poliglot të intelektit të autorit, ai ballafaqohet me gjuhën e kombit të tij që : ”e para për nga A-ja renditet/aty edhe ajo midis 245 gjuhëve të tjera flitet…” Ai ndjehet krenar për gjuhën e tij të lindjes te cilën me shumë dashuri e me një enumeracion të gjatë e cilëson: ”gjuha e këngës/gjuha e nënës/gjuha e valles/gjuha e jetës/gjuha me të cilën u ngjita auditorëve/gjuha me të cilën u gjej emër lotëve./Gjuha e vendit tim!/Gjuhëbota ime që më qetëson në këtë rutinë…” Poezia “GJUHËBOTA IME”. Poezia e gjatë “ASGJË” është një perlë me vezullim modern, e cila përmbledh gjithçka nga elementet jetësore që e kanë frymëzuar poetin për t’i ngritur në lartësitë e artit poetik: “Një re, një vetëtimë” dhe më tej: “Pastaj ndizem i tëri nën jorgan. Kaploj male, fusha dhe oqean.” E gjithë kjo vjen sepse ai ka ndjerë vegimin:“jam bërë i madh, i madh...”Dhe kur ecën në këtë anë të jetës ndjehet vetëm: ”Pastaj s’kam asnjë pranë.” Kjo është vetmia karakteristike e të gjithë njerëzve që i kushtohen artit apo shkencës dhe në mbylljen e gjatë krijimtare, ndjehen pa miq te koka. Por vetmia e tij zhduket në çast, kur i gjendet pranë krijesa njerëzore e familjes: /Fshij sytë,/I fshij me dy duar/Jam prapë vet i dytë/E pa besuar!/... /Unë jam bija jote/ Më harrove…?/ Autori në pozicionin e heroit lirik mediton se në çdo lartësi të jetës të ngjitesh, njeriu i familjes të gjendet pranë dhe nuk të lë asnjëherë vetëm: /“Unë u bëra President,/Pastaj isha asgjë. Unë u bëra Kryeministër/…dhe prapë një ditë asgjë!/ Në këtë gjendje, me fëmijën në krahë në këtë anë të botës, pasi ka braktisur anën tjetër të mëparshme, ai ndjehet i plotësuar në shoqërim: ”Ecim bija ime, ecim/Ecim matanë/.... /Ti kurrë s’më fole njëmujorshja ime/... Kurrë s’më fole./Tani e di heshtjen tënde fëminore/ Ai ka të gjitha dëshirat atërore të flasë me të bijën për anën mizore të mëparshme, por edhe kjo ana e re i është ftohur dhe tani ka vetëm një dëshirë të ecin të dy pa anë, atje ku ka zbrazëtirë: “Veç ti më qëndro pranë/ Dhe vazhdon rrugëtimin e tij të përbashkët me besimin se kjo rrugë e vështirë është e vetmja rrugë e qëllimit të tyre: /Më mirë të ecim në ecjen tonë të hershme/... Një dritë vjen nën re/Drejt e në retinë/E qetë dhe me nge/Lë pas një vetëtimë…/ Poezia finalizohet me besimin te vetë drita qiellore: “Në ecjen tonë kemi këtë shans/Të ecim me dritën që vjen nga lart/Me dritën që qielli zbraz/. Në përjetimet e veta poeti vëzhgon me kujdes rrugë dhe qytete, kohë dhe hapësira, njerëz dhe ngjarje. Me tre-katër vargje të natyrës çaupjane, ai jep gjithë pamjen dhe natyrën e kryeqytetit anglez: /As mal, as kodër/Vetëm fushë/erë dhe pak vapë/shi që të bën çdo stinë dush/Londër. Kjo ishte e tëra dhe doli toponimia dhe klima e këtij metropoli të madh. Qendra e botës angleze ka kapilarët e saj mbi tokë e nëntokë që bashkohen në një pikë mbi lumin Tamiz.: /Aty ditët, muajt, vitet, shekujt/dëshmojnë historinë lirshëm librave, muzeumeve/ qetësojnë të gjallë e të vdekur./ Poeti ndjen krenarinë legjitime, se aty në rrugë e në shkolla flitet edhe gjuha e tij mes dyqind të tjerave. Dhe për këtë vend që u ka bërë strehë shumë shqiptarëve, shpreh edhe mirënjohjen e tij: / Londër, të falemi përjetë./ Ai me modesti e quan veten thjesht një lëvizje digjitale që turret për t’iu bashkuar lëvizjes së kohës. Por kjo lëvizje digjitale është vet “Fjala e Lirë” që vë në lëvizje të madhe jo vetëm kohën po edhe krijuesit e artit shqiptarë në të gjithë kontinentet e botës. Poezia: “LONDËR”. Një nga krijimet, që me pak vargje risjell në kujtesë të gjithë të kaluarën e hidhur të atdheut të tij, është poezia simbolike “NJË PIKË UJI” “Vigjilenca revolucionare” e Partisë në sistemin socialist shqiptar përmblidhet në mënyrë figurative te provokimi i huaj me një pikëz ujë të hedhur në liqen.“Pastaj u bë zhurmë e bujë/Zgjoi me mace e me qen.” Dhe siç ishte në natyrën e ngjarjeve të asaj kohe, për atë pikë uji u bë alarm i madh: “Ka ardhur i huaji”/mirëqenien tonë po na e vret.” Pasojat alarmante jepen me tej me mjeshtërinë e fjalës artistike shkurt, pa përdorur shpjegimet politike për kohën” “Për atë të shkujdesur pikë uji/Gati u shua gjithë ai milet/Kazma e pushkë në duar /Ndërtoi bunkerë me forcën e vet!Dhe për të dhënë idenë e plotë të tragjedisë socialiste, poeti e mbyll këtë temë poetike me përgjithësimin që sjell mesazhi i tij filozofik: /Një grusht njërëz gjithmonë bëjnë bujë/Të ruajnë marrëzisht pushtetin e vet/Dhe pa dhimbje mbysin me një pikë ujë/kundërshtarët, qindra e mijëra vetë./. Dy dhimbjet e mëdha kombëtare Kosovën dhe Çamërinë poeti i përmbledh në dy poezi të veçanta, të trajtuara me artin e tij të mendimit të konservuar: /Koha mblodhi grusht shekujt/Odave ku plisat meditonin/ Shtatëmbëdhjetën e gatoi të hekurt/O sot, o kurrë, ngriti tonin/ “KOSOVËS” Dhe plaga e Çamërisë trajtohet me simbolin e gjetur bukur, lumin Kalamai: /Një këngë Çame ka kohë që s’pushon/Aty anës lumit durimtar, Lumit Kalamai/Ka kohë që mijëra zemra mallkojnë/‘Djallin’ që nga vatra shekullore i largoi./ Por kujtesa e këtij populli martir nuk harron kurrë se “Aty edhe gurët nën lumë pikojnë gjak…” Madje edhe lashtësia e historisë së popullit të tij e bën poetin të meditojë jo vetëm për bukurinë e tempullit të “BUTRINTIT” “Aty ka kohë që krihet Perëndesha Dea/ Aty ka mote që rri shëmbëlltyra e saj/ Aty s’ka tjetër bukuri që t’i ngjaj/ Por t’u japë edhe pseudohistorianëve nacionalistë të “magalidesë” përgjigjen e shkurtër, por me thellësinë e mendimit të artë: “Të vërtetën që ka kohë që e shtrembërojnë/Ca sythe të padala të një peme.”. I trazuar shpirtërisht nga kënga “Janinës ç’i panë sytë” poeti e ndërton poezinë e vet ”JANINËS IA PASHË SYTË” me vargun e kursyer, por edhe me një origjinalitet të përkryer: “Janinës ia pashë sytë/Nga larg si në errësirë/.../ Janina luajti qerpikët. Në retinë i pashë Alinë.” Frymëzimi i Terziut gjen terren edhe para një copë pasqyre, ku me iluzionet e veta poetike ndërton një parabolë të madhe kohore: “Kush e shpiku pasqyrën?/Kush ia dha Arkimedit në dorë?/Të mbledhë në një pikë dritën,/E të bëj anijet blozë?/Kush ua dhuroi vajzave magjinëT’i falen përditë bukurisë/Të duken si lule në çdo stinë/T’i thonë zhduku dhe pleqërisë?”Por ajo që e shqetëson para pasqyrës është dhe: “Aty ku shoh veten qeros/Aty ku s’e qas më modën./.../ Aty ëndrra ime ka ngrirë/Aty kam lënë pas rininë.” Pra te ky krijim poetik, shihet qartë se si autori merr shkas nga një detaj fare i thjeshtë për të dalë në përgjithësime jetësore e filozofike të mëdha. Poezia “PASQYRA”. Ndonëse autori e mban objektivin të drejtuar kryesisht te temat e mprehta shoqërore, fokusi i tij kthehet shpesh edhe te dashuria e kërkuar nga masa e lexuesve. Ndjesitë intime ai i shprehen edhe te një kafe me njeriun e zemrës.“Kafenë që pi pa ty/Të ftohtë, të ngrohtë, apo “Moka”/E kuptoj përditë e më mirë./Pa TY asnjë kafe nuk shkoka.” “PA TY E DASHUR” Poezia me nëntekst metaforik “TRUNG” aludon tërthorazi për tipa njerëzor, pa e venë theksin te gjinia, që frutat e tyre i kanë te padobishme për shoqërinë.“Nxjerr frutat por s’piqen/.../ Pastaj kalben dhe bëhen pleh.” Plehu i shkon rrënjëve/ Dhe trupit/Që gjethet të krekosen/Modën të ndërrojnë çdo stinë” Sytë e kaltër dhe flokët biond janë bërë detaje të bukurisë femërore të lakmueshme nga shumë meshkuj. Por nuk i kanë shpëtuar as syrit poetik që i ruan në kujtesë qysh prej kohës rinore: ”Vitet kalojnë, rrudhat shtohen/Të kaltrën kam filluar të ngatërroj/Por ato dy sy s’më harrohen/Edhe pse e di se kurrë s’do ti shikoj.” “ATA DY SY TË KALTËR”. Një numër i konsideruar poezish i janë kushtuar Liqenit te Ohrit dhe rrethinave te banuara nga njerëz, të cilët autori i ka njohur nga jeta e nga shpirti i tyre fisnik: “Kaçurela, stërkala e kaltërsi qielli/Bëhen më pas një ngjyrë/Si në telajo t’a fikson Dielli/Këtë portret Struge në fytyrë.” Këto janë penelatat e shpejta prej piktori të Terziut për këtë qytet buzë liqenit.”Qytet poetik, i vargut/Mbete nga lindja në vdekje/Trup e buzë të lagur/Kurrë nuk ndjen etje.” Apo peizazhi fantastik i shpendëve: “Një trumcak, një qukapik dhe një galë/Deftera, çanta, lapsa e pena kishin marrë/Pranë Liqenit të Ohrid bënin fjalë:/Anëtarë të një ‘Komisioni të Rrallë’. Po kështu shkurt dhe bukur zhvillohet dialogu i elementeve qiellor me liqenin: ” Puthmë fort në sy/I thotë Liqeni, Diellit/Dhe fap një veri/Zë hapësirën e Qiellit.” Ndërsa në poezinë tjetër autori zbulon ndërhyrjet sllave mbi gjurmet e vjetra të shqipes që u kristalizua në këtë krahinë shqiptare: “Në tregun e hapur u ngatërrova për një çast/Mbi ca pllaka, mbi ca gurë në gjuhë tjetër/Por pranë në ndihmë më erdhi një plak:/“Këtë peshqesh, - më tha, - e kemi nga Mortja e Vjetër”. Pikërisht te poezia “VALËVE TË JETËS” ka shumë përvoja dhe dëshira njerëzore të shkrirë nëpër hapësira te gjera oqeanike dhe pafundësi qiellore, ku heroi lirik ka kohë që endet dhe: ” Pastaj mbetem me ta për pak kohë!/Liqenit i marr borxh qetësinë/Lumit ecjen dhe pagjumësinë/Detit zhurmën dhe freskinë/Oqeanit i pranoj pafundësinë/Yjeve largësinë. Diellit dritën dhe ngrohtësinë “ Dhe duke përdorur të gjitha këto energji të fuqishme, ai dëshiron t’i kthehet ditës normale që pas agimit të dritës, të endet mes valëve te jetës së zakonshme me fuqi të shumëfishuara pune. Poezia “CA PIKA LOTI MBI EPITAF” tejet interesante për gjetjen artistike e trajton temën e korrupsionit duke marrë shkas nga varri i një ish profesori, doktor i shkencave, i cili gjithë jetën u lodh së foluri brezave për termin “Korrupsion”, duke u tretur së koti: “Në vend të draprit’ një mekanizëm po ulërin si kosa/Korr’ djersën tuaj si bereqetin në arën e mbirë/Mbushen xhepa, thasë, nga seksera e monstra.” Shquhet për origjinalitetin e saj dhe për mundësinë që i ka dhënë poetit, një copë letër e stampuar fare pa peshe, për të zbrazur të gjithë rëndesën e peshës së vërtetë të saj në kurriz të njerëzimit, poezia “KARTMONEDHA” “Aty dëgjoj fjalë/Shoh djersën që kullon rrëke/Vështroj gjak, mund, lodhje edhe fat.”.../ Gishta mbretërish,/pamje bedenash,/shfaqen binjakë/rrugë të pabitisura/kolona Tempujsh/diku rrënuar, diku në flakë.” Tradita e fisnikërisë njerëzore që ka krijuar emrin e mirë të dyerve fisnore e ka frymëzuar poetin për ta nderuar atë edhe në vargjet e poezisë së tij: “QËLLOFSH NË DERË TË MIRË”: “Në dëgjofsh të thuhet “nga derë e mirë”/Turresh me vrap të trokasësh në atë derë/Por kur t’i harron veten nga ç’derë vjen/Dera ku troket të bëhet veç barrikadë.” Sigurisht, këtu nuk bëhet fjala për dallime klasore, por për formimin e njerëzve me nivel të përbashkët në sjellje të kulturuar: “Mos harroni trokitjen në derë/Kur derës ia keni nevojën/Dera e shtëpisë nuk është thjesht derë/Që vetëm zëvendëson rojën.” Gjesti fisnik i njeriut të artit duket edhe te poezia dashamirëse që bën poeti për poetin A.Shehu me këto vargje të skalitur sipas stilit të tij : “ Në thinja lexohen vargje/Në rrudha krihen mendime/Në vite shënohet mosha/Një jetë nën pushtet rime!” ”NJË BUQETË”. Ikona e këngës shqiptare, këngëtarja e papërsëritshme Tefta Tashko Koço ka gjetur nderimin e zërit të saj edhe në vargjet mjaft emocional të Terziut te poezia “NJË ZË LARTËSOHET MAGJISHËM” : “ Një simbol që mbeti Meshë e muzikës/Nga breza dashamirës që e mbajnë gjallë/Një lajtmotiv legjende që sfidon ecjen e kohës/Zëri i Teftës, i veçantë, tipik dhe i rrallë!” Malli i poetit për Elbasanin e viteve të rinisë, krahas kënaqësisë për zhvillimin e tij qytetar, pëson zhgënjim kur vë re katastrofën urbane të këtij qyteti të ngjeshur me pallate pa sistem që kanë mbuluar traditën e shtëpive tipike elbasanase, aq të njohur në arkitekturën ndërtuese: “ Shkon takon Kristoforidhin/Abetaren për t'ia parë/Dhe s'di ku t'a zësh fillin/Lotë nga sytë të kanë shkarë.” Poema “KOHA E NJERIUT” është një radiografi poetike e kohës që jetojmë duke e marrë zanafillën te e kaluara, kur kohën na e kishin grabitur dhe tani në agimin e lirisë iu turrëm kohës si dema të uritur kur dalin nga vathi dhe u vumë në garë për ta copëtuar për interesat private:”Kohën e gozhduam mureve/E futëm në dosje/E kyçëm në sirtare, sënduqe /E flijuam stendave, muzeumeve Në parcela, kënde e qoshe /Si kohë blu, laramane,rozë, apo të kuqe./Iu qepëm kohës së prapthi./... /I vumë Kohës, emrat e hajdutëve të saj/Dhe e thirëm kohën si pronë të tyre /S’e kuptonim se bënim të njëjtin faj/S’e kuptonim se kishim rivrarë Kohën./Koha nuk shahet, thotë populli /“Koha është flori”/Ajo është Tempulli ku filli i jetës bëhet fli.” Dhe poeti e mbyll mesazhin e tij poetik me thirrjen, se ne tani duhet te turremi për ta kapur kohën, që të na japë krahë dhe shanse zhvillimi për kombin: ”Është Koha e shekullit të ri... Është Koha jote o Njeri!” . Një varg poezish që pasojnë, trajtojnë temën aktuale për problemet e mëdha të botës dhe shtetit tonë, të trajtuara me art të fuqishëm poetik, ku mendimi jo vetëm përqendrohet te shqetësimet por edhe koncentrohet në mënyrë figurative te shkaktarët e ngecjes në ecjen përpara: “ Nxitojmë të ndezim ekranin/Të kapim lajmin e lënë në mes/Po “Burrat e Shtetit” veç shanin/Dhe prapë asgjë në thes!/ Poezia “BURRAT E SHTETIT”. Me mall të përndezur, prej poeti aktiv në jetën shoqërore, Terziu e mbyll ketë temë me kontributin e tij intelektual, jo vetëm për t’a pasqyruar jetën por edhe për të ndikuar në ndryshimin cilësor të saj: “Unë, që dy sy kam ngulur mbi ta e s’i heq/vetminë përplas nga dritarja në qelq./.../Unë, që shtrëngoj laps e penë në duar/lëvizjen në letër tentoj të shkruaj.” Poezia e Fatmir Terziut artikulon të vërtetat e jetës me gjuhën metaforike të paradokseve në shumë fusha te veprimtarisë njerëzore, duke përdorur sa gjuhën e qartë figurative, aq edhe e shprehjen me anën e formës moderne. Ndonëse unë vetë jam i prirë nga kthjelltësia e vargut në poezi, më la përshtypje impresionuese të thella abstragimi poetik i këtij autori. Dhe ashtu si toka ka në sipërfaqen e saj lëndina të blerta, kodra gjelbëroshe, shpate dhe maja malesh të larta, edhe një libër me poezi ka të gjitha nivelet e veta. Gjykuar nga relievi i gjerë i vëllimit poetik “KOHËBOTA” më duhet të pohoj se majat më të larta të nivelit artistik, ku arrijnë pjesa më e madhe e poezive të veçanta, tregojnë se kemi të bëjmë me një poet alpin që meriton përgëzimet dhe urimet me të mira për një ardhmëri të shkëlqyer në krijimtarinë e tij.

“KOHËBOTA”

Botoi "Emal"

Redaktor: Pandeli Koci

Recensent/Lektor: Prof Dr Zyhdi Dervishi

Faqe: 150

Viti: Qershor 2010

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...