2010-12-09

FATMIR TERZIU:Muza didaktike në poezinë e Rexhep Hoxhës

imageRexhep Hoxha
Poezia e Rexhep Hoxhës dallohet nga tre lidhje që pasojnë formën didaktike të saj...
Fatmir Terziu
Rexhep Hoxha (1929) është një nga shkrimtarët që i dhuroi kohës debutin real të komunikimit intelekt dhe vlerës së lidhjes autor-lexues mjeshtërinë e komunikimit. Studiuesi akademik, Nehas Sopaj, një kritik dhe një shkrimtar me emër në Maqedoni, na vjen në ndihmë në këtë analizë: “shkrimtari për fëmijë, Rexhep Hoxha, është një ndër shkrimtarët më të lexuar…”(Sopaj, 2007:207). “Gjurmime Albanologjike - Folklor dhe etnologji”, numri: 34-35 e cilëson shkrimtarin të “mirënjohurin Rexhep Hoxha” dhe e radhit mes shkrimtarëve Vehbi Kikaj dhe Rifat Kukaj etj. Mexhid Yvejsi një studiues nga Gjakova e quan poezinë e këtij autori ‘poezi të shkëlyer’ teksa ai i këndon një personaliteti të një besimi fetar, duke gjetur fjalët e goditura dhe të arta, sipas studiuesit në fjalë (Yvejsi, 27 Korrik 2009: Synthasite.com). Më tej Sabit Abdyli, në një shkrim të tij aty nga mesi i vitit 2007, duke trajtuar problemin e emigrimit të shqiptarëve në Zelandën e Re, shkruan midis të tjerave edhe për emigrimin intelektual, duke cituar shkrimtarin Rexhep Hoxha mes emrave si akademiku, Enver Gjerqeku dhe Dr. Hysen Ukmata etj. Kështu ikja nga vendlindja në vitin 1999 mbetet ndoshta një arsye pse veprat e autorit filluan të lexoheshin edhe në Zelandë të Re dhe në Australi. Dy nga librat e tij “Lulëzo vendi im” (Vjersha, Rilindja 1973) dhe “Micimiri” (Rilindja 1976), jo më kot ndodhen në raftet e Bibliotekës Kombëtare të Australisë, mes autorëve më në zë të vendit dhe të Botës së letrave. Librat e këtij autori “Lugjet e verdha” (1963); “Verrorja” (Luli i Vocërr) (1983) dhe dhjetra të tjerë që formojnë strukturën e plotë të shtresë-krijimtarisë së tij, që nga poezia lirike, poema humoristike-shpotitëse dhe romani që vjen në një formë tipike me anësi karakteristike që ngjizet me modelin e përrallave, mbesin vlera të padiskutueshme në krijimtarinë shqiptare. Më tej emrin e shkrimtarit Rexhep Hoxha e ndeshim edhe në buletinet e QIK, ku ai vendoset në krah emrave më në zë të letrave shqipe në Kosovë. I lindur në Gjakovë, ai kurrë nuk e ndau zellin dhe dëshirën e tij të hershme për të gatuar vlera me fjalën shqipe. Pas shkollës së mesme në vendlindje, ai studioi më tej Albanologji në Beograd, ku arriti të ngulosë më shumë dashurinë e gjuhës shqipe në një mjedis të vrazhdë. Kjo është më tej arsyeja që QIK shkruan në një rast ku orëve letrare në Kaçanik, u shtohen edhe lëvrimet e interpretimet në Gjilan e Ferizaj, të cilat orgaizoheshin në kuadër të manifestimeve letrare "Hivzi Sulejmani", nën përkujdesjen nga vetë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës që organizonte “Orën Qendrore letrare”. Këtë Orë Letrare për të cilën QIK përmend emrin e poetit, Rexhep Hoxha, e ka  udhëhequr shkrimtari Ibrahim Berisha, ndërsa punimet e tyre i lexuan poetët Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku, Milaim Berisha, Rrahman Paçarizi, Valentinë Saraçini, Xhevdet Bajraj, Qerim Ujkani, Basri Çapriqi, Milazim Krasniqi, Hida Halimi, Miradije Ramiqi, Xhavit Beqiri, Naime Beqiraj, Selman Konjusha, Fehmi Ajvazi, Sali Bashota, Shpresa Salihu, Veli Veliu, Hajro Ulqinaku dhe Jonuz Fetahaj. (Prishtinë, 24 tetor 1997 QIK).
Forma didaktike
Poezia e Rexhep Hoxhës dallohet nga tre lidhje që pasojnë formën didaktike të sajLidhja e parë e saj është një arsye që vjen nga shkrimi me energji dhe vrull nëpërmjet rrjedhave të jetës si një pasqyrë e reales sublime ku diktohet forma dhe hapësira si një mekanizëm sintaksor në hapësirën e komunikimit me lexuesin. Lidhja e dytë është ndikimi i ardhur mes arsyes së lidhjes së mesazhit me faktorin lexues, ku komunikimi didaktik i saj kalkulon dhe pohon termin kohë dhe hapësirë duke e kthyer qëllimin poetik në një periudhë të ndikuar, ku udhëzimi, mbetet për një kënaqësi. Lidhja e tretë, ajo më kryesorja që shihet tek ky poet është e lidhur me faktin që ka vetë misioni i poezisë së tij si një ‘muzë didaktike’ për moshat që ai e referon atë. Çfarë lexohet mes këtyre lidhjeve të analizuara, natyrshëm mund të shihet se poezia e tij, si një lidhje me poetët që dallohen për këto lidhje të veçanta - të tillë si Nemerov, Hecht, Ginsberg, Pinsky, Ammons, Rich, dhe Merrill, pra, ndër të tjera është mrekullisht nje mesazhiere e brendshme, e lexueshme. Për më tepër, këtë lidhje me punën e këtyre poetëve, mund ta nënvizojmë si mënyrën se si ai e merr elementin didaktik, nga ndikimi fjalë për fjalë mes poezisë së tyre, ku dallohen edhe dy konceptet bashkëkohore që kanë lidhje edhe me poezitë e gjeneratës së poetëve Eliot, Pound, Stevens dhe Williams. Në letërsinë shqiptare, ngjashmëria dhe lidhja didaktike e këtij autori vjen në përmasa të ndryshme dhe në forma disi jo të njëjta. Një lidhje mund të shihet me poezinë e krijuar nga Dedja, Mamaqi, Kikaj etj. Ndryshimi ndodh rishtas por lidhja shihet apriori e qarte, sidomos tek poezia “Lepuroshi”, në të cilën ai e identifikon në lidhjen tërësore të mekanizmit të jetës dhe dëshirave vrullore, duke udhëtuar në kohë, hapësirë dhe vend, na sjell didaktikën gjeografike në mendje. Ai paraqet këtë ‘Lepurosh’ tipik dëshirëjetik, duke i diktuar nevojën e produktit, ku janë teshat, ora, mes një këshille mësimore ‘për të ndejtur mirë dhe për të qenë korrekt në jetë’. Kjo poezi që karakterizohet nga një muzë didaktike na kujton lidhjen në mesin e poetëve të njohur tradicionalisht që kanë vënë funksionin e tyre të vargut si varg-mësues, duke ardhur si një metaforë që nga këshillat e Horacit, ku na mësoi qetësisht mes vargut se poezia duhet të lutet dhe të udhëzojë mes aforizmit atij që më vonë na e diktoi mrekullisht, Robert Frost në poemat e tij. Në poezinë e tij të mirënjohur “Nënë, o Nënë” vargu dhe mesazhi fillojnë me përjetime e kënaqësi dhe përfundojnë me urtësi. Në këtë mënyrë qaset një lloj përqafimi mes dy rymave, tradicionales dhe bashkëkohores, duke na sjellë një paradigmë klasike në poezi.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...