2010-12-09

Kush janë e kush s’janë kritikët shqiptarë?












Shkruan: FloriBRUQI









Ekziston ndonjë metodë vlerësimi që mund të pranohet e aplikohet si metoda më objektive, absolute? Këto janë disa nga pyetjet, të cilave mëton t’iu përgjigjet ky ese.
«Nuk ekziston kritika e mirëfilltë letrare për arsye se nuk ekziston as letërsia e mirëfilltë», kështu tha paradokohësh një shkrimtar i njohur shqiptar. E sipas kësaj teze meqë nuk ekziston e para s’ka pse të ekzistojë as ajo e dyta – e cila jetën e ka të kushtëzuar me qenien e së parës.
Interesantja e kësaj deklarate nuk qëndron tek vërtetësia e saj, gjë që mund të diskutohet deri në pambarim, por pse, kur, ku dhe si u bë ajo?
Kjo tezë e plasuar në një rubrikë gjysmësatirike të një të përditshmeje nuk është e askujt tjetër përpos e shkrimtarit dhe dramaturgut Teki Dërvishi.
Qëndrimi nihilist i Dërvishit për kritikën letrare (në këtë rast edhe për letërsinë) nuk është ndonjë fenomen i ri – dukuria ka një moshë poaq të vjetër sa edhe vetë kritika letrare – dhe ai nuk është i vetmi që mendon kështu.
Pjesa dërrmuese e letrarëve, studiuesve dhe gazetarëve që merren me letërsinë, në diskurset e tyre janë duke përsëritur deri në neveri këtë qëndrim, përherë ashtu «rastësisht», fragmentarisht e në kapërcim e sipër, pa marrë kurrë mundin që t’i qasen seriozisht kësaj çështjeje dhe gjithmonë duke harruar se nuk janë vjelësit e rrushit të Rahovecit shkaktarë për qenien apo mosqenien e kritikës letrare, por edhe ata vetë.
Teki Dërvishi shprehjen e lartëpërmendur e lëshoi në etér gjatë një diskutimi «salloneve letrare e intelektuale» të Prishtinës rreth moralit dhe saktësisë së mendimeve të kritikës letrare.
Kjo, pas publikimit të një eseu që mëtonte të rradhisë shkrimtarët e pesë dekadave të fundit në grupe e stile. Seleksionim që shkaktoi muhabete dhe që këtë shkrimtar e nxiti të reagojë në mënyrën e përfolur më lartë, pra «…s’ka kritikë letrare» dhe atë me pseudonim.
Si shumë të tjerë, ai, nuk pati kohë ose nuk ia deshti të djersisë trurin as për ta trajtuar më gjërë e më thellë këtë temë e as të argumentojë qëndrimin personal, sepse, së fundi, pra bëhet fjalë për diçka që «s’është fare». Së paku për të.
Në vete ky shmebull nuk do të ishte edhe gjithaq interesant dhe i përveçëm po që se nuk do të demostronte qëndrimin negativ dhe injorues (në rastin e Dërvishit mohues) të opinionit ndaj kritikës letrare, respektivisht kritikut.
Prej nga ky qëndrim mohues, nënçmues?
Është pasojë e mllefit të autorëve për shkak të mungesës së institucionit që do të merrej me vlerësimin e veprave të tyre?
Apo kemi të bëjmë me një divizion ekspeditorësh të zhgënjyer që e kanë neveri një zhanër, i cili i ka refuzuar ata – kur kemi parasyshë se në gishta mund të numërohen ata autorë që nuk i kanë bërë ose vazhdimisht i bëjnë hapat e parë në këtë lëmi?
Sido që të jetë imazhi i kritikës letrare si institucion është përdhé. I kritikut si person edhe më keq. As në plan universal – përtej kufinjve të mendësisë shqiptare – nuk është ndryshe. Jo rastësisht ka lindur thënia «Come here, good dog», kur bëhet fjalë për kritikun.
Gjeneza e saj daton madje edhe para lindjes së kritikut dhe kritikës si instutucion. Historia e arteve njeh vërtet simbolin e qenit të fjetur (kyon) dhe atij kafshues (kynikos) si amblemë të kritikut – i cili kur zgjohet bëhet cinik.
Kush nuk e njeh vargun shumëdomethënës të megapoetit gjerman J. W. Goethe «Mbytnja qenin!
Është rezensent» që është bërë moto e cilitdo autor sa herë që të dojë të hedhë gurrë mbi kritikën.
Po ky qëndrim degradues ndaj kritikës letrare manifestohet edhe në letrat shqipe. Vërtetë s’ka kritikë letrare shqiptare, por vetëm argatë «llomotitës» mbi letërsinë artistike, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë profesion të «denjë» dhe kanë përfunduar si deshifrues të enigmave parapoetike oborreve e klaneve letrare?
Po çka është kritika letrare?
Cila është historia e saj, respektivisht e kaluara e kritikës letrare shqiptare?
Çka do të thotë të krahasohesh me qenin?
Kush janë e kush s’janë kritikët shqiptarë?
Parasëgjithash: përse përpiqen njerëzit të intepretojnë përrallat e shpikura të autorëve; cilat janë kriteriet në bazë të të cilave vlerësojnë e gjykojnë kritikët dhe teorikët e letërsisë shqiptare librat e sapobotuar; cili është katalogu i vlerave që ata kërkojnë nga një tekst letrar?
Ekziston ndonjë metodë vlerësimi që mund të pranohet e aplikohet si metoda më objektive, absolute? Këto janë pyetjet, të cilave mëton t’iu përgjigjet ky ese.
Definimet (çka është kritika letrare)
Termi kritik si në shumë gjuhë e kultura tjera edhe në shqipe vjen nga ai latin «criticus» (vlerësues kritik). Që të dy këto terme prejardhjen etimologjike e kanë nga folja krinein, e cila ka kuptimin e ndarjes, dallimit, vendimit dhe gjykimit bashkë, pra criticus është ai që gjykon ndan të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra e kështu me radhë.
Deri në shekullin e 17-të criticus është thirrur ai dijetar që ka pasur aftësinë dhe kompetencën e vlerësimit të teksteve në gjuhën latine dhe greke. Me ardhjen e tipit të ri të kritikut të shkolluar me metodologjinë racionale (sipas René Desacrtes, Le Clerc i cili studimin filologjik të tekstit e bën adekuat për rikonstruimin e domethënies së tij dhe atë përtej dy gjuhëve të atëhershme «zyrtare») lind e ashtuquajtura «critique mondaine» ose kritiku universal (me Michel de Montaignes si idol).
Kritikë që nuk shkruan më vetëm në latinisht e greqisht dhe që nuk merret më eksluzivisht vetëm me tekstet e dijetarëve. Ajo angazhimin e saj e përqëndron dhe kufizon tashetutje më shumë në prodhimin aktual të librit dhe novatorja në këtë aksion është: komentimi në gjuhën e popujve.
Komentet dhe interpretimet nuk botohen vetëm si libra që shërbenjnë si lektyrë për qarqet universitare, elitore të shoqërisë, por ato botohen qëllimisht nëpër revista duke iu ofruar edhe masave të gjëra.
Konkretisht: qëkëtej detyra kryesore e kritikut është komentimi, interpretimi i librave në gazeta, revista! (Atëkohë kjo nuk ka nënkuptuar vetëm intereptimin e letërsisë artistike, por mbarë prodhimit intelektual).
Në shekullin 18 hidhen konturet e para të kritikës letrare si institucion (disciplinë).
Tashmë bëhet një paraseleksionim ndërmjet literaturës ndryshe dhe asaj poetike si; poezia, proza, drama etj. Jo në secilën gjuhë e kulturë do të merret një për një koncepti francez (Le Clerc) i kritikës.
Në hapësirën anglosaksonike për shembull me «criticism» nënkuptohet shpjegimi i arsyeshëm, sistematik (nën diktatin e të të ashtuquajturit «common sense») i arteve, vlerësimi i veprave dhe teknikave të tyre.
Teoria e bazuar në studimet e Ivor Armstrong Richards (1924) dallon nga ajo franceze, e cila për parim ka përvojën estetiko-subjektivo në përceptim dhe vlerësim të arteve, kjo mbitëgjitha praktikon argumentimin dhe arsyetimin logjik në vlerësim e gjykim të letërsisë artistike.
Edhe pse René Wellek në librin e tij «Definicionet themelore të kritikës letrare» (1963) ndan Teorinë e Letërsisë nga Historia e Letërsisë dhe Kritika Letrare as ai nuk cënon gjithaq «metodën shkencore të interpretimit të vlerave ».
Nisur nga ky botëkuptim kuptojmë qartë vijën gati të padukshme dalluese ndërmjet shkencës së letërsisë dhe kritikës letrare në këtë hapësirë gjuhësore (anglosaksonike).
Edhe sot e kësaj dite «kritika letrare» në botën anglofone është sinonim i «intepretimit shkencor të veprave letrare».
Gjermanët kanë ndarë qartë «shapin nga sheqeri».
Me kritikë letrare gjermanofolësit nënkuptojnë tërrësinë e teksteve ose shprehjeve (të lira dhe që mund të jenë edhe subjektive) komentuese, vlerësuese, denoncuese, klasifikuese e seleksionuese mbi letërsinë artistike, të cilat publikohen kryesisht në masmedia, ndërsa shkencën e letërsisë ata e definojnë si: «tërrësi e prodhimit dhe aktivitetit në shkolla, instututet hulumtuese, univerzitetet dhe akademitë».
Troç dhe qartë.
Ndarje strikte që në botën romane është e paparafytyrueshme. Është pikërisht përvoja subjektivo-estetike (të cilët e refuzojnë anglezët dhe diferencojnë gjermanët) shtylla kryesore e komentit tradicional prohumanist italian mbi letërsinë.
Ndoshta këtu qëndron arsyeja e mungesës së një instance kritike si poeti dhe filozofi dhe profesori Giosue Carducci ose Benedetto Croce në dy gjuhët e përmendura.
Argjentinasi «Jorge Luis Borges madje ka përbashkuar veprat e gjitha kohëve dhe zonave në hapësirën e njëkohësisë imagjinative që atje t’i krahasojë dhe vlerësojë ato» (G. Seibt), ndërmarrje që, sipas të gjitha gjasave, po ta bënte i pari ndonjë studiues, kritik anglez a gjerman do të përqeshej si i marrë.
Origjina e kritikës letrare shqiptare
Ashtu si në botën romane (italo-hispanike), në historinë e letrave shqiptare vija në mes «kritikës letrare» dhe «shkencës së letërsisë» është pothuaj e padukshme. Teoriku është kritik dhe anasjelltas.
Ose më sinqerisht thënë, deri sot ende nuk është zhvilluar një diskutim konkret qoftë shkencor a medial rreth kësaj çështjeje, prandaj edhe nuk ekziston – përveç ca skicave e fragmenteve studimore aludojnë një njëren apo tjetrën shkollë – një pozicionim i qartë i studiuesve shqiptarë rreth asaj se cili, bazuar në traditën dhe të tashmen autoktone, është dallimi ndërmjet këtyre nocioneve e as që janë hedhur deritani parimet «institucionale» se si duhet definuar njërën, tjetrën apo të dyja bashkë.
«Kritika letrare» ose «Teoria e letërsisë» (le ta quajmë si të duam) ka ecur dhe ende ecën sipas binarëve pozicionues të instituteve të huaja, studimet e të cilave kemi mundur t’i përkthejmë në gjuhën shqipe.
Në Republikën e Shqipërisë modeli i kritikës letrare është huazuar nga rusët, ndërsa në Kosovë nga gjuha serbokroate (e cila ka qenë një mish-mash i instituteve të Moskës-Pragës-Parisit) e pjesërisht të shkollave frankofone.
Kjo është «historia», ndërsa fakti se dhjetë vjetëve të fundit janë përkthyer edhe teori tjera nga gjuhë angleze, gjermane etj. nuk është relavant, për arsye se nga njëra anë ndikimi i tyre nuk duket ende në horizont dhe nga ana tjetër praktika na tregon se në përgjithësi ende (dhe atë me bensikëri) punohet sipas modeleve tashmë të adaptuara.
Po ky «huazim» shumëburimor e bën situatën edhe më konfuze sa i përket identifikimit, orientimit e parasëgjithash konceptimit të kritikës letrare si të tillë dhe pengon në formulimin e saktë dhe të drejtë të kësaj fushe, në përcaktimin se do t’i dallojmë ato ose do të vazhdojmë kështu si deri më tani?
1. Faik Konica
Se kush mund të jetë shqiptari i parë që ka praktikuar formën konkrete të tekstit kritik gjatë kohës kur është shkruar latinisht e greqisht nuk dihet. Ose vetëm mund të supozohet.
Studimi i parë që ka të bëjë tërrësisht me letërsinë shqipe është ai i Alberto Stratico-s «Manuale di literatura albanese» (Milano 1896, shqip: Doracak i letërsisë shqipe) i cili megjithatë ka më shumë nivelin prezentues se sa atë vlerësues, ndërsa tekstet e para vërtet kritike (recensionet) shiptare e bartin firmën e Faik Konicës.
Tekstet si «Baba Tomori» (1902) për poezinë e Çajupit, «Rreze dielli» (1904) për Asdrenin etj. janë recensionet e para konkrete në gjuhën shqipe.
Arsyen e kësaj «vonese» e shpjegon Konica në diskursin e tij «Letërsia shqiptare» (1897) ku thotë: «E gjithë letërsia shqiptare mund të përmblidhet në pesë apo gjashtë vëllime mjaftë të holla».
Përveç praktikimit të drejtëpërdrejtë të recensionit si formë intepretimi të veprës letrare, Konica në shkrimin e tij «Kohëtore e letrave shqipe» (1906) e bën një minimanifest për kritikën letrare shqiptare.
Në këtë manifest të Konicës vërejmë nga njëra anë «amshueshmërinë» e dilemës rreth përcaktimit ose ndarjes së shkencës së letërsisë nga kritika letrare dhe në anën tjetër përballemi me realitetin e hidhur se në këtë drejtim, edhe sot i kemi po të njejtat probleme si në vitin 1906, ngase edhe 98 vjet më vonë vërejtja e Konicës «Kur del një njeri e më thotë se akësh libër është «fort i bukur», mund të ketë të drejtë, por nuk jam i shtrnguar t’i zë besë fjalës së tija.
Edhe një çaush a një dragat mund të presë me hanxharë gjykime të atilla.
Kritika është një punë tjetër, dhe ca më e vështirë. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk arrin të këcej a të fryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim…» nuk ka humbur hiçgjë nga aktualiteti i saj.
Padyshim se Konica nuk është zbuluesi i tezave që tenton të «imponojë» nëpërmjet diskursit a manifestit të tij, por vetëm përçues nga gjuhët tjera.
Kryesisht nga gjuha frënge, mirëpo me argumentimet që bën duke ftuar shembuj nga letërsia angleze shihet edhe ndikimi nga ana tjetër. Andaj edhe pozicionimi konfuz «kritika letrare është subjektive» e jo «shkencë ku çdo e thënë mund të provohet me «dy e dy bëjnë katër», e cila bie ndesh me atë që Konica kërkon në citatin lartë «…duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit apo çpëlqimit…».
Pse na qenkan të nevojshme përsetë kur çdonjëri mundëka ta ndjejë si të dojë e të shprehë poashtu si të dojë ndjenjat e përfituara gjatë leximit? E mbitëgjitha cila është ajo metodë që do ta detyronte Konicën të jetë objektiv e mos ta merrte në qafë ndonjë autor a vepër edhe në ditën kur ai do të ishte ters, me ndjenja të trazuara a me disponim të keq?
Pikërisht ato rregullat shkencore, të ftohta e të definuara që nuk dallojnë shumë nga ai kalkulimi «dy dhe dy bëjnë katër» apo? Këto pyetje bërë Konicës pa hamendje mund t’i parashtrojmë edhe sot, thjeshtë për shkak se përgjigja ende nuk ka filluar të kërkohet si duhet.
Konica është i pari që bën kërkesën pragmatike për një kritikë letrare shqiptare.
Se a mund të merret ai (ose rregullat e përkthyera nga frëngjishtja e anglishtja) si themelues (në plotë kuptimin e fjalës) i saj, siç aludon studiuesi Sabri Hamiti, mbetet çështje diskutabile. Ndërsa fakti se Konica është nismëtari i kësaj fushe është i pakontestueshëm.

2. Retrospektiva
Nonda Bulka, Justin Rota, Eqrem Çabej, Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi janë emrat që bëjnë vlerësimet e para mbi letërsinë si të tërrë dhe veprat e veçanta letrare.
Edhe pse tek shumica e këtyre emrave, kritika, vlerësimi, gjykimi dhe intepretimi konkret luan rol sekundar e qëllimi kryesor i tyre është prezentimi pozitiv i vlerave të letërsisë shqiptare, studimet dhe vështrimet (ose pjesë të tyre) munden pa dilemë të kualifikohen si kritikë letrare. Disa prej tyre, të shkolluar e formuar nëpër qendra të rëndësishme universitare disponojnë me njohuritë më aktuale rreth vlerësimit dhe gjykimit të artit të të shkruarit.
Në këtë kontekst veçohet intelektuali universal e i doktoruar në Vjenë, Eqrem Çabej.
Vështrimi i Çabejit «Mbi poezinë e Lasgush Poradecit» (Gazeta e re, 22 shkurt 1929, f.3) dëshmon jo sall për qenien e kritikës (së mirëfilltë) letrare në botën e letrave shqipe, por edhe për integritetin e pavarrur të bartësve të saj.
Ata nuk imitojnë parimet e shkollave të njohura mondane vetëm sa për t’i sjellë kulturës shqiptare «diç të re nga perëndimi», përkundrazi, nëse analizojmë dhe krahasojmë shkrimet, studimet dhe tezat e tyre vërejmë se jorrallë përvoja e përvetësuar në katedrat universitare tejkalohet dukshëm.
Synimi është formimi i një kritike letrare që do të përputhej me tipicitetin dhe specifikat e letërsisë së deriatëhershme shqiptare. Parakushtet për të krijuar institucionin e kritikës letrare shqiptare ishin po aq të volitshme si ato që kishin gjermanët, austriakët, italianët etj .
Mirëpo ashtu siç e do «fati i gjorë i të vegjëlve»; sa herë që bëhen gati të festojnë iu ndodhë ndonjë tragjedi. Në krahasim me letërsinë artistike, e cila vazhdonte hovin e saj, kritika letrare do ngec. Ose ajo bën jetë sporadike.
Çabej – shpresa më e madhe – i përkushtohet ekskluzivisht gjuhësisë dhe kulturologjisë, intelektualët tjerë që njihnin thellë shkencën e letërsisë dhe letërsinë vetë si Lasgush Poradeci e të ngjajshëm u tërhoqën krejtësisht nga skena. Pseja: ardhja e komunizmit edhe në hapësirat shqiptare. Ashtu si për sferat tjera të jetës shqiptare edhe për letërsinë e kritikën letrare nis një jetë tjetër, ndryshe nga ajo siç e kishin projektuar bartësit e saj.
4. Kritika pseudomarksiste
Gjersa letërsia, duke u lakuar dhe përshtatur sipas situatës e motit nuk ul intensitetin e saj, kritika letrare vazhdon të jetojë hajdutërisht deri në fillim të viteve të 60-ta. Paskëtaj, në Shqipëri fillon kritika ideologjike. Nis proletarizimi i artit.
Kritikë që formulohej në këtë mënyrë:
«…Letërsia e realizmit socialist ka edhe një mbështetje ideologjike të caktuar. Ajo mbështetet në botëkuptimin revolucionar të klasës puntore: në marksizëm leninizëm!
Duke pasur në themel të saj këtë botëkuptim, del e qartë vetvetiu se edhe letërsia e re ndeshet me tërë ato rryma, metoda ose shkolla letrare që kanë në thelb të tyre botëkuptimet idealiste dhe reaksionare të klasave të përmbysura.
Këtë ndeshje të vazhdueshme me këto klasa e këto ideogji e vëmë re edhe në rrugën e lindjes dhe të zhvilllimit të letërsisë sonë të re». (Historia e letërsisë shqiptare, 1977)
E qartë: Çdo rrymë tjetër letrare – e me këtë dhe çdo kritikë letrare që koketonte me ndonjë model analizimi jashtë oborrit – përpos asaj që bazohet në doktrinën marksiste-leniniste duhej të asgjësohej.
Që këtej çdo prodhim letrar do të intepretohet nga këndi ideologjik marksist – leninist. E kjo nuk ishte çorbë e gatuar vetëm nga shqiptarët, por i njejti qëndrim ku më pak e ku më shumë u mor në të gjitha vendet ku orgjitë e cenzorëve fillonin me himin e internacionales.
Madje edhe në Rusi e të mos flasim më për vendet tjera si Çekosllovakia, Hungaria, më vonë pjesë të caktuara të Jugosllavisë (Sllovenia, Kroacia) etj.
Qarqet letrare e sidomos kritika gjenin mundësitë, që aq sa mundnin të shpëtonin artin nga vënia e tij totale në shërbim të politikës, sistemit, respektivisht diktatorit.
Nga ajo luftë e sipër prej modelit primitiv të vlerësimit në baza të doktrinës politike (duke përjashtuar çdo instrument tjetër si jorelevant) të artit u kalua në metodën shkencore materialiste – marksiste, në të ashtuquajturën «Teoria e reflektimit» të realitetit e themeluar nga György Lukàcs.
Mund të debatojmë se sa objektive e dëmshme, degjeneruese a fitimprurëse mund të jetë kjo teori, mirëpo nuk mund t’ia injorojmë kualitetet që përmban ajo në segmente të caktuara të vlerësimit.
Ajo si metodë është poashtu një formë vlerësimi si të tjerat: previligjon këndvështrimin socrealist gjatë vlerësimit, por megjithatë pa përjashtuar procesin empirik!
Në Shqipëri nuk ecej me kohën. As me kohën e bllokut që i përkiste e lere më me atë jashtë saj. Kritika letrare shërbente klasën politike më me besnikëri se sa «qeni t’zotin».
Saherë që ndonjë interpret të humbëte rrugën jashtë oborrit dhe hapaqorras të bënte ndonjë kritikë pa përmendur mëmë partinë dhe burrin e saj deplacohej në logore.
Kur analizojmë «teoritë», «historitë», «recensionet», «studimet» e periudhës 48 – 90 të nënshkruara nga Dalan Shapllo, Koçe Bihiku, Dhimitër Shuteriqi, Klara Kodra, Jorgo Bulo, Razi Brahimi, Jakup Mato e shumë të tjerë nuk përballemi vetëm me një soldateskë ideologjike e të përbetuar (ndryshe ndoshta as që kanë e mundur, përveç se të përfundonin në logore), por edhe me një «elitë» sharllatane, shamateske, pa fije energjie së paku (nëse jo tjetër) për të arrirë të bëjë një kritikë kualitative sipas metodës ortodokse marksiste. Domethënë një kritikë letrare ndryshe nga ajo që kanë bërë; pa fije strukture, rregulla që u përngjajnë interpretimeve të atyre falltoreve (duke përjashtuar zotësinë e parashikimit që e kanë pasur) të kohës së Faraonit.
Se kritika letrare e asaj kohë s’ ka poseduar fije kualiteti shihet kur po të njejtët kritikë – edhe pse kanë pastruar fjalorin e tyre nga partishmëria, heronjtë pozitivë dhe nuk e kanë kokën më nën kamxhikun e diktaturës – shkruajnë tekste: ato nuk janë asgjë tjetër përveç se mozaiqe përsëritjesh, riprodhime fjalësh të autorit pa guximin për të konkluduar apo vlerësuar argumentativisht.
Atyre u mungon metoda, ngase atë që ata kanë ushtruar pesdhjetë vjet s’ka qenë e bazuar në ndonjë shkollë me liçensë shkencore, por ka lindur si model për keqpërdorimin e artit në favor të sistemit dhe diktatorit të saj.
Fillimisht edhe në Prishtinë, përkundër se kërkesat e sistemit ndaj kritikës letrare nuk kanë qenë aq të egra si në RPSSH, bëhet vetëm ajo lloj kritike si në Tiranë.
Model që, edhe pse më vonë kritikët letrarë të Prishtinës do të marrin udhë të tjera, ka pasur dhe ka ithtarët e vetë. Ndoshta me një masë më të modifikuar dhe përparuar por me thelb të ngjajshëm.
Emrat e rëndësishëm të kësaj fryme në Kosovë janë:
Ali Demë Jasiqi, Gani Luboteni, dhe më intensivi Ali Aliu etj. Ky i fundit edhe pse vepër pas vepre zhvillohet (sidomos me përkthimin e studimeve nga serbokroatishtja) në kuintesencë nuk largohet nga formula që ia bën vetes në shkrimin e tij themelor «Angazhimi» (1969). Citat: «…letrari e ka fare të qartë se e vetmja rrugë shpëtimi nga kjo gjendje …drejt një ardhmërie të lumtur; mandej se shansa ma reale dhe e vetmja për të realizuar këtë besim dhe ideal është doktrina marksiste» dhe ai letrar që bën ndryshe nga ajo që sugjeron Aliu është «…i papjekur dhe nganjëherë edhe menatlitet i sëmurë dhe mikroborgjez».
Edhe sot kur mund të spekulohet se kritiku Ali Aliu ka pësuar transformim dhe ka braktisur këtë metodë vlerësimi, nga tekstet e tij nuk mund ta vërejmë këtë gjë, ose po, atë që e vërejmë tek kritikët e tjerë të kësaj «shkolle»: tekstet e tij nuk janë vlerësime, interpretime që zbërthejnë veprat e përgojuara, të pajisura me vlerësime, konkluzione dhe informacion, por më shumë ato kanë karakter autist – biseda me vetveten mbi patosin e autorit.
5. Akademik Rexhep Qosja
Historiani, studiuesi dhe romancieri i njohur shqiptar Akademik prof.dr.sci. Rexhep Qosja është ai që e krijon kritikën letrare shqiptare dhe ia jep asaj përmasat e «institutit» serioz, të bazuar në parimet universale të vlerësimit.
Librat «Kritika letrare», «Episode letrare», «Dialogje me shkrimtarët» etj. janë veprat kryesore ku hidhen themelet e kritikës së angazhuar, pra shembujt e parë se si duhej të dukej kritika letrare.
Qosja dallon nga kritikët dhe teoricientët e tjerë të bllokut socrealist, sidomos sa i përket konceptit teorik të estetikës reflektive që kishte marksizmi ortodoks.
Ky nuk e sheh artin thjeshtë vetëm si refleksion të rrethanave shoqërore, përkundrazi, studimet e tija historike, kritika praktike letrare e zhanre tjera të letërsisë ku ai angazhohet, janë një Antithesis e asaj që mbizotëronte ose kërkohej.
Më saktë formuluar; kritika e tij aludon në racionalitetin autonom e vetjak të artit e jo në kushtëzimin e paskajshëm të tij me racionalitetin e përvojës shoqërore.
Kjo troç dhe shqip do të thotë: Qosja funksionon kundër synimit të idologjisë për të vënë artin në shërbim total të saj dhe atë pa deformuar metodën e analizës dialektiko-marksiste, por duke e hapur këtë metodë (së paku në botën shqiptare) edhe ndaj modernës deriatëherë të refuzuar.
Metoda se si vepron akademik Rexhep Qosja në vitet e gjashtëdhjeta – dhe kjo është interesante – do të «legalizohet» veç më vonë edhe në hapësirat tjera përreth e më gjërë.
Para spekulimit, se Rexhep Qosja mund të ketë qenë i ndikuar nga neomarksistët apo teoria dialektike kritike e «Shkollës së Frankfurtit» dhe kryevepra së saj «Dialektik der Aufklärung» (1944-47) që ka për autorë Max Horkheimer dhe Theodor Adornon, më bindëse është teza se qëndrimi i tij mund të ketë rezultuar nga përgjegjësia intelektuale që ka ndier ndaj artit e sidomos ndaj etnisë që i takon (të mendojmë në romanin «Vdekja më vjen prej syve të tillë»).
Edhe diçka tjetër shkon në favor të këtij konstatimi: estetët e analizës së tekstit sipas metodës ortodokse marksiste refuzojnë kategorikisht artin abstrakt dhe «absurd» modern dhe kapen fortë për realizmit të shekullit 19-të, filozofët dhe sociologët e shkollës së Frankfurtit përqëndrohen më shumë në modernë dhe nuk i përfillin gjithaq teoritë e realizmit.
Studiusi shqiptar Rexhep Qosja, ndryshe nga shkollat e përmendura, trajton e analizon në mënyrë të barabartë dhe pa nënvleftësuar ose mohuar (me përjashtime të diktuara nga ideologjia = shih «…Romantizmi») konceptet e realizimit dhe të modernës.
Rexhep Qosja është themeluesi i institucionit «kritikë letrare shqiptare» dhe njëkohësisht bartësi i teorisë neomarksiste e të ashtuqujatur «metoda dialektiko-kritike» në letrat shqipe.
Kritika letrare e akademikut tonë të mirënjohur R.Qosja megjithatë nuk do marr përmasat e shkollës. Dhe atë për dy arsye:
1. Ajo nuk përfillet atëbotë nga Tirana dhe
2. Asnjëri nga studentët dhe pasardhësit e tij në Prishtinë e gjetiu nuk arrin t’i afrohet profilit të «profesorit». Ca madje spekulojnë se gjëja Rexhep Qosja ka ndërmarrë gjithçka për të penguar shfaqjen eventuale të ndonjë konkurence, me qëllim që të jetë i pazëvendësueshëm.
Nëse shikojmë përtej murreve të këtij spekulimi vërtet habit fakti se ata që kanë ndjekur gjurmët e Qosjes dhe teorisë së tij ose kanë përfunduar në epigonë të zbehtë të tij (me prof.dr.Agim Vincën në krye) ose janë avulluar.
Kryesorja; prej tyre nuk ka dalur ndonjë format kritiku me rëndësi relevante(përpos Agim Vincës).
6. Akademik dr prof.Ibrahim Rugova dhe Akademik prof.dr. Sabri Hamiti
Dy kritikët Akademik Ibrahim Rugova dhe Akademik Sabri Hamiti (vitet e 70) nuk i bashkangjiten synimit për të përparuar metodën ortodokse marksiste në favor të lirisë dhe autonomisë të artit. Ata e injorojnë atë komplet.
Dhe praktikojnë teori tjera moderne të letërsisë.
Ibrahim Rugova në fillim të veprimit të tij si kritik letrar e deri tek studimi i shkëlqyeshëm «Vepra e Bogdanit – Cuneus Prophetarum» (1982) përdor (jo vetëm, por theksueshëm) metodën hermeneutike.
Model që parasëgjithash bazohet në «teorinë e të kuptuarit» të tekstit e që bazën e ka në interpretimet e teksteve të Bilblës që i bëri reformatori gjerman Martin Luter(…….): mënyrë interpretimi që më vonë do të definohet si «interpretimi i botës» nëpërmjet objektit në analizim e sipër (Gadamer: për të kuptuar një tekst, paraprakisht duhet pasur një parafytyrim se ç’është ai tekst, në cilën kohë është e situuar, kush është autori i saj e kështu me rradhë). Në filozofi kjo metodë për pionerë ka filiozofët Wilhelm Dilthey dhe Martin Heidegger.
Akademiku dhe studiuesi gjerman Robert Elsie në librin e tij «Historia e letërsisë shqiptare» për Sabri Hamitin thotë «si kritik ai ka sjellë nocione dhe koncepte të reja në studimin e letërsisë shqiptare, duke këmbëngulur në një intepretim të pavarur nga proceset jashtëletrare» E njejta gjë, pra, para mund të thuhet për Rugovën ose për të dy bashkë dhe më shumë: Rugova dhe Hamiti janë themeluesit e Hermeneutikës dhe Strukturalizmit në letrat shqipe – për shkak të krijimit (zbulimit) të formulave interpretuese pa të cilat do të përjashtohej tipiciteti dhe natyra e karakteristike e letërsisë shqiptare, nëse këto teori do të merreshin një për një, dy studiuesit e përmendur nuk mund të konsiderohen thjeshtë vetëm si përçues të këtyre metodave nga gjuhët e huaja, siç aludojnë indirekt dhe me gjysëmzë ca kritikë.
Rugova dhe Hamiti – për dallim nga kritikët ideologjikë të Tiranës, të cilët analizën e mbështetshin në luftën e klasave dhe neomarksistët e Prishtinës, të cilët përpiqen të zbulojnë formulën e fekundimit apo ç’fekundimit të reales me imagjinaren dhe anasjelltas – «nuk çajnë kokën» me faktorët jashtëletrarë siç bënin neomarksistët ose nuk vërdallen pa cak e qëllim siç bënin teoricientë të ndryshëm në planin universal për t’i dhënë primatin njërës nga metodat e shumta intepretuese (hermeneutike, biografike, psikanalitike etj), por në këtë aspekt ata bëjnë ashtu siç bënë formalistët rusë dhe përqëndrohen ekskluzivisht në tekstin letrar, të ashtuquajturit «fakt letrar».
Themeli i kësaj lloj analize qëndron në pyetjen: Çka e bën një vepër artistike të tillë?
Mëtej metoda e tyre interpretuse shihet se për bazë ka teorinë strukturaliste të Claude Lévi Strauss, Roland Barthes, Claude Bremond, Gérard Genette etj, e të iniciuar nga gjuhëtari gjenevas Ferdinand de Saussure (…….) sidomos me «Cours de lingusitique générale» (në shqip «Kursi i Gjuhësisë së Përgjithshme», përkthyer nga Akademik prof. dr. Rexhep Ismajli, Prishtinë 1977).
Strukturalizmi niset nga parimi themelor se fenomenet nuk shfaqen të izoluara, por në lidhshmëri me fenomet tjera. Detyra kryesore e metodës është që të zbulohet kjo lidhshmëri: Fenomenet gjatë shfaqjes së tyre krijojnë një lidhshmëri të strukturuar. Në këtë e sipër struktura konstruohet nga vëzhguesi (intepretuesi) në model. Sipas kësaj teorie, struktura nuk ekziston në nivel të realitetit, por vetëm në nivel të modelit vetë.
Epiqendra e strukturalizmit shkencor është analiza e shemës formale të renditjes së figurave, analiza e kompozicionit rrëfyes dhe domethënieve retorike e figurative në tekst e parasëgjithash – siç u cek më lartë – hulumtimi i letraricitetit specifik në tekstet estetike dhe dallimi nga tekstet e natyrave të tjera.
Dyshja prishtinase përveç se është shkaktarja e thyerjes së monopolit të kritikës marksiste e neomarksiste (dialektikës materialiste) dhe sjellësja e dy metodave të elaboruara më lartë, ajo siç shihet fut edhe pluralizmin si mundësi të re studimi në «pallatin e institutit të kritikës letrare».
7. Ramadan MusliuSi kritik i rëndësishëm me stil të vetin, pas këtyre dyve, dalllohet Ramadan Musliu me recensionet e botuara viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta (pjesërisht të përmbeldhura në librin: «Konfuguracione narrative», Prishtinë 1996) për romanin shqiptar.
Analizat diskursive të Musliut janë shembulli tipik se si mund të harmonizohen metodat e ndryshme të interpretimit në një katalog unik vlerësimi.
Interpretimet e Musliut varrësisht nga tema, lënda dhe autori i referohen herë njërës e herë tjetrës metodë vlerësimi e gjykimi. Është kjo mënyrë vlerësimi rezultat i formimit universal të autorit apo aksion i qëllimshëm i tij për të krijuar një «metodë personale vlerësimi» duke përzier suksesshëm elementet e shumë shkollave në një, nuk ka fare rëndësi. I rëndësihëm në këtë plan është efekti i kësaj mënyre intepretimi. Që në kritikën shqiptare shfaqet për herë të parë si e tillë.
Këtë metodë, që tek shumëkush ka dështuar në fazën e eksperimentimit, Ramadan Musliu (me tekstet e përmbledhura në librin «Konfiguracione narrative») e finalizon dhe «legalizon» si sistem të suksesshëm vlerësimi.
Pikërisht për këtë – që nga zanafillat e saja, nëpër baltën e banalitetit ideologjik, në institucionalizimin dhe pluralitetin e saj – metoda e Musliut, që akumulon dhe përbashkon shkollat në favor të një sistemi specifik për vlerësimin e një letërsie poashtu specifike, është me rëndësi shumë të madhe për qenien, zhvillimin dhe studimin e kritikës letrare shqiptare.
8.Shefqet Dibrani
Libri voluminoz i venerimeve letrare “Libra dhe mbresa” i autorit të mirënjohur Shefqet Dibrani(Albanjsches Institut,St.Gallen,2005) i prezentohet lexuesit në formë të kompletuar dhe gjithsesi me prirje për një koncept letrar i përfshirë mbi 120 vepra dhe revista letrare dhe me qindra emra krijuesish dhe me shumë shenime bibliografike.Për ti berë shkrimet me të realizueshme studiuesi Shefqet Dibarni,i ka shoqëruar me recensione autoriale,ballina të librit,shënimet përcjellëse për botuesin dhe kodin përkatës,kurse në fund janë”shënimet për autorin”,ndërsa për librat e përkthyer”shënimet për përkthyesin”.Në përgjethësi libri “Libra dhe mbresa” lëjnë gjurmë të madhe për lexuesin dhe studiusin pasionantë shqiptar,megjithë mangësitë shumë të vogla që e përcjellin librin ,qoftë si koncept apo edhe si përmbajtje.
9. Të tjerët
Natyrisht se kritikët që përmendëm më lartë nuk janë të vetëm. Numri i autorëve që janë marur dhe po meren me vlerësimin dhe interpretimin e letërsisë është gati po aq i madh sa edhe numri i autorëve të gjinisë më të përhapur ndër shqiptarë – ai i vjershëtarëve!
Përveç brigadës së sporadikëve ekziston edhe ajo e atyre që janë marë ekskluzivisht me këtë «zanat» të përvetësuar nga mjeshtër të ndryshëm, por pa lënë gjurmë të dukshme, pa sjellë ndonjë praktikë të veçantë studimi e analizimi të arteve.
Tashmë të përballur me këtë aksiomë, me këto informacione ne nuk mund të shesim poza duke mohuar ekzistencën e institucionit të kritikës letrare, por mund të debatojmë për zhvillimin e saj qëkëndej e tutje, pozitën, gjendjen dhe rëndësinë saj aktuale.
Me rëndësi kapitale në këtë kontekst është që të dijmë se cilat janë funksionet qenësore të kritikës letrare në kushtet e së sotmes. Çka e arsyeton ekzistencën e saj?
Funksionet e kritikës
A luan si duhet kritika letrare shqiptare rolin që ka? Assesi! Pse?
Pas viteve të nëntëdhjeta, që atëherë kur de facto u hoq cenzura ideologjike, filloi një prodhim i pakontrollueshëm dhe masiv i veprave «letrare».
Erdhi koha e «të shtypurve»?! Si pasojë e kësaj çdo autor, magazinier e parelinj ngriti një ndërmarrje botuese, fillimisht më shumë për të botuar shkirmet e veta e pastaj edhe për të luajtur rolin e botuesit.
Pas një heshtjeje jo edhe të shkurtë me reagimet e tyre u shfaqën të previligjuarit e hierarkisë së vjetër kundër vërshimit të kiçit, shundit që përlau bibliotekat gjysmëtërrënuara shqiptare. Alarmet e këtyre autorëve dhe të tjerëve në lidhje me rreziqet që sjellte akulturimi u morën si «britmë e fundit e kalit para se të ngordhë».
Në realitet reagimi i tyre ishte me vend edhe pse shumica e tyre do t’i kishin bërë vetes më mirë të mbanin gojën mbyllur, sidomos ata që në të kaluarën kanë qenë tepër aktiv si «redaktorë e recensent» në vijë të proletariatit e partisë.
Kjo gjendje orteku i përheshti edhe ato pak kritikë të specializuar që ishin. Nga njëra anë për arsye të prodhimit masiv e nga ana tjetër për shkak të kushteve të reja sociale e ekonomike me të cilat u ndeshën krijuesit pas deformimit të shoqërisë – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Kritika letrare si shumë segmente tjera të jetës kulturore u vu në pozitën stand by.
Edhe sot pas pesmbëdhjetë viteve gjendja ka mbetur pothuaj e njejtë.
a) Edhe sot kritika letrare ende nuk ka arritur të luaj rolin e saj informues e orientues duke dhënë një pasqyrë mjaftueshme mbi botimet e reja. Edhe po qëse ky qëllim të ekzistonte ajo një gjë të tillë do ta kishte të pamundshme si për shkak mungesës së mediumeve të specializuara ashtu për shkak të mungesës së një sistemi koordinues ndërmjet botuesve e mediave.
b) Si pasojë e së parës ajo nuk mund të luajë rolin e seleksionimit, duke veçuar e zgjedhur vepra që meritojnë të recensohen, vlerësohen e t’iu ofrohen lexuesve poetencial si literaturë e vyeshme që duhet blerë e pasur në bibliotekë.
Ato pakë kritikë të specializuar pa pasur shteg tjetër i janë përshtatur ligjit të xhunglës dhe janë detyruar për shkaqe ekzistence të shlirojnë nervat dhe të vlerësojnë sipas «vendit e kuvendit», kështu duke përjashtuar çdo parim serioz profesional.
c) Funksionin e saj didaktiko-ndërmjetësues kritika letrare e ushtron (?!) vetëm nëpër shkolla, institute e fakultete. Publikut më të gjërë një mundësi e tillë i është uzurpuar qëmoti nga rrethanat mbizotëruese.
Opinioni, pra masa e lexuesve jashtë katedrave, nuk do e marë vesh kurrë (nëse vazhdohet kështu) se ç’risishë vijnë në letrat shqipe, cilët autorë e autore trajtojnë një problem të përgjithshëm që duhet njohur e ditur e që është me rëndësi për çdo qytetar apo për shtresa të caktuara të shoqërisë.
Lexuesit nuk i bëhet e qartë se cili autor është vërtet «gjeni i lindur», e cili imitator i pararendësve dhe shkrimin bukur e trajton si zeje.
Masa nuk merr shpjegime nga kritika se si duhet kuptuar veprat e reja dhe ato të retushuara të Kadaresë; ç’na sjell të re Dërvishi me dramat e tij ekcesive; si duhet kuptuar famën e madhe të Ardian Kristian Kyçykut në Rumani e gati mospërfilljen e tij në atdheun e tij; pse është interesant për t’u përkthyer romani «Shkëlqimi i huaj» i shkrimtarit prilepas Beqë Cufaj në gjermanishte e jo i shumë autorëve tjerë që shqiptarët i konsiderojnë elitorë, e shumë, shumë çështje të tjera.
d) As në rolin e saj didaktiko-sanksionues që për prodhuesit e letërsisë (autorët dhe botuesit) është e një rëndësie të madhe kritika letrare nuk luan asnjë rol. Kritikët nuk merren parasyshë si referencë që do të ndihmonin në dallimin e prodhimit kualitativ letrar dhe atij të pavlerë dhe të pasuksesshëm në treg, gjë që do të ndihmonte dukshëm në përmirësimin e kualitetit të botimeve të reja.
Janë të rralla ato shtëpi botuese që në redaksinë e tyre kanë lektorë profesional ose recensentë që do të bënin vlerësimin dhe gjykimin e veprës para se të vendosej botimi apo mosbotimi i saj. Shumica e shtëpive botuese përbehen vetëm nga pronari i saj e në të shumtën e rasteve nga një staf redaktorësh që vallëzojnë sipas xhepit të pronarit e jo sipas kriterieve të vlerësimit profesional.
Këto janë vetëm disa nga kushtet që duhej t’i plotësonte kritika letrare për tu pranuar si institucion koherent dhe serioz si dhe për të arritur që të stimulojë masat për më shumë lexim dhe të rikthejë imazhin e humbut të letërsisë artistike.
Sferat e angazhimit të kritikës
Për të përfituar nga kritika – në favor të përmirësimit të kualitetit të letërsisë si dhe popullarizimit të letërsisë në masë – duhet që asaj t’i mundësohet pjesmarrja në institucionet e prodhimit letrar si dhe mbikqyrja në procesine punës së këtyre institucioneve.
Kritiku duhet të jetë pjesë vitale dhe e pashmangshme e institucioneve të prodhimit letrar: ai është i vetmi kompetent që mund të vlerësojë autorin konkurues dhe t’ia oforojë botuesit, i cili pastaj e drejton për në shtypshkronjë dhe kujdeset që produkti i tij të plasohet e trajtohet si e sa duhet në mediat masive.
Prezenca e kritikës në zgjedhjen, botimin dhe vlerësimin publik të një vepre letrare ndikon edhe në punën e institucioneve të distribuimit: libraritë informohen për prodhimet e reja dhe vihen në kërkim të mallit për konsumatorët e vetë.
E njejta gjë vlen edhe për stendat trotuareve nën shi në qytet tona shqiptare si dhe për bibliotekat rajonale dhe atë nacionale .
Është deytrë e kritikës që të luajë rolin primar në instuitucionet e zhvillimit siç janë konkurset, shpërblimet e bursat e jo e autorët vetë dhe kryesitë e shoqatave siç ndodhë aktualisht. Sidomos aty ku synohet legalizimi dhe popullarizimi i një çmimi ose ruajtja e seriozitet që ka një çmim tradicional.
Edhe në institucionet e komunikimit si univerziteti, shkollat e larta dhe institutet tjera kritika letrare ligjërohet pa sistem, në mënyrë konfuze dhe e papërcaktuar, për të mos thënë edhe më troç se janë pikërisht këto institucione që nuk kanë arritur ose nuk arrijnë të kualifikojnë kuadro të përgatitura që do të ndikonin në zhvillimin e kritikës letrare shqiptare.
Teoritë që ligjerohen aty nuk kanë ndonjë sistem që do të mund të formonin kritikun e shkolluar, shkencor dhe praktik.
Prej aty dalin do melezë (në kuptimin profesional) që nuk e dijnë se për ç’janë formuar saktësisht për teorikë, gjuhëtarë apo për mësues të letërsisë nëpër shkollat e mesme, kështu që më në fund përfundojnë në vjershëtarë ose komentatorë politikë.
Ato pak emra që dallohen si kritikë të specializuar nuk janë të tillë për shkak të fakultetit që kanë kryer, por më shumë falë angazhimit të tyre personal e autodidakt.
Një arsye tjetër që ka sjellë në këtë gjendje institucionet e komunikimit është edhe mungesa e metakritikës.
Të krijohet përhstypja sikur asnjëri nga kritikët (me përjashtime) nuk merr guximin të vë nën dioptri punën e kolegëve të tij.
(Kjo është e rëndësishme, sepse roli dhe funskioni i kritikës nuk është vetëm intepretimi dhe vlerësimi i prodhimit të letërsisë artistike, por edhe i vetë kritikës letrare si të tillë: si shkruhen recensionet?
Nga cila pozitë gjykojnë kritikët e veçantë dhe ata të angazhuar në media etj. etj.)
Teoria dhe praktika sot
Studiuesit e sotëm të letërsisë shqiptare – ata që ligjërojnë ose punojnë në universitete – luajnë poaq roilin e kritikut praktik sa edhe gazetarët dhe fejtonistët nëpër media.
Po tu bëjmë një analizë punimeve të të dyja grupeve do të konstatojmë se dallimet janë minimale. Si studiuesi ashtu dhe gazetari, fejtonisti pretendojnë ta ekspozojnë veten me të dyja funksionet; atë të shkenctarit që di të bëjë kritikë praktike dhe atë të gazetarit të pajisur me dijen shkencore.
Në të dyja rastet rezultatet janë maksimalisht modeste e në të shumtën e rasteve servohet një sallatë mendimesh që më shumë eksponon snobizmin e autorit sesa vlerësime rreth objektit në trajtim e sipër.
Për të qenë kritik letrar natyrisht se nuk nevojitet vetëm një dije elementare nga shkencat e letërsisë, por edhe një specializim në metodat e vlerësimit si dhe njohje të llojeve të shumta të intepretimeve. Pikërisht mungesa e këtij vetëdijësimi, sistemi dhe mungesa e diskurseve që do të qartësonin kompetencat e roleve ndërmjet shkencës edhe kritikës letrare praktike e zmadhojnë konfuzitetin dhe nuk lënë zhvillimin e asnjërës prej këtyre dyjave në nivel të nevojshëm.
Ndoshta këtu duhet kërkuar arsyen se pse kritika shkencore letrare ka mbetur vetëm në nivelin e eseistikës historike mbi epokat, mbi stilet e rrymat apo në nivel të reportazhit monografik për shkrimtarë të caktuar të historisë së letërsisë së arteve( mund të veçohën për të mirë kritikët e historisë së artit prof.dr.Hivzi Muharremi,prof.dr.Fejaz Drançolli,prof.dr.Jahja Drançolli ,Flori Bruqi,Naim Kelmendi  etj)
Natyra eseistike, monografike e reportazheske e trajtimit të letërsisë nuk lejon që të bësh fjalë për kritikë shkencore, por maksimalisht për diskurse hipotetike mbi sfera, çështje dhe personalitete të caktuara të letërsisë shqiptare. Kështu siç edhe e kemi.
Në emër të kritikës shkencore, teorike pra bën jetë stili fejtonistik i (para)gjykimit, (mbi ose nën)vlerësimit dhe (gjoja)interpretimit e në vend të kritikës praktike vepron anarakia e hobi-interpretëve, gazetarëve pa fije përvojë teorike, që ta shpifin cilindo libër që përgojojnë – edhe pse duken si «akte subjektive» të një lexuesi të sinqertë ato tekste s’përmbajnë asnjë argument të vetëm, përpos emrit dhe mbiemrit të autorit me pasionin për t’u bërë publik.
Ngushëllimi i ca prej teorikëve dhe altoparalantëve të tyre se «le të bëhet letërsi e mirë atëherë do të ketë edhe kritikë të mirëfilltë» është infantil dhe poashtu një përpjekje për të gjetur një «fajtor kujdestar» për paaftësinë personale, të cilin edhe e gjejnë qysh në stacionin e parë: shkrimtarët (vetja) se kush tjetër!
Kritikët me talent që mund të bënin e bëjnë analiza objektive dhe kualitative nuk mungojnë në Kosovë dhe Shqipëri (Prof.dr.Shyqri Galica, prof.dr.Agim Vinca, Prof.Mr.sci.Kadrush Radogoshi) dhe Shqipëri-Diasporë(Prof.dr.Eshref Ymer,Fatmir Terziu,Prof.dr.Begzat Baliu,Vasil Qesari,Kolec Traboini,Kozeta Zylo,Rajmonda Moisiu,Beqir Elshani,Fadil Shyti,Gëzim Ajgeraj,Namik Shehu.Faik Smajli,Beqir Sina,Valtër Lazëri,Ajet Nuro,Luigj Shkodrani,Pandeli Simsia,Fatime Kulli,Rajmonda Maleçka,Engjëll Koliqi,Baki Ymeri,Sokol Demaku,Abdullah Zeneli,Ragip Sylaj,Isa Vatovci,Nexhat Rexha, Ilir Berisha,Arjeta Çobaj,Fatlume Gashi,Xhemail Ahmeti,Naim Kelmendi,Rrustem Geci,Bajram Kabashi,Paul Tedeschini,Ilirijana Sulkuqi,Agim Baceli,Senad Guraziu,Kadrush Radogoshi,Vullnet Mato,Jorgo Tello, Artan Mëzini,Përparim Hysi,Gjekë Marinaj, Prend Buzhala,Prof.dr.Shefkije Islamaj,Llemadeo Llesh Dugagjini,Thani Naqo,Akademik Akil Koci,Prof.dr.Vedat Shehu,Riza Lahi,Vilhemne Haxhiraj,Haqif Mulliqi,Frrok Kristaj,Daut Demaku,Drenushë Hoxha,Demir Reshiti,Namik Selmani …etj)
Ajo që mungon është procesi i konceptimit të kritikës letrare brenda zhanrit, dallueshmërisë ndërmjet të të ashtuqujturës kritikë praktike (recensioni, fejtoni, eseu, polemika etj) dhe asaj shkencore (studimore, teorike).
Këtu, si duket ekziston një keqkuptim që edhe ka rezultuar në një degradim ku mungon ose dyshemeja ose kulmi.
Format e vlerësimit: Recensioni
Kritika letrare nëpër media (ose praktike) shërbehet me tipe të ndryshme tekstesh që synojnë intepretimin dhe vlerësimin e veprave, epokave, problemeve letrare, autorëve e të ngjajshëm.
Gjersa portretet, letrat e hapura, intervistat, esetë, dialogjet e imagjinuara janë raritete dhe sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit kanë marë statusin e «species» në vdekje e sipër, recensioni dhe «vitirina e librit» (përshkrimet e shkurtëra për veprat e sapobotuara që i praktikojnë shumica e gazetave të përditshme shqiptare) vazhdojnë të mbijetojnë fjala vjen në Kosovë më tepër me In memoriama dhe Shpallje publike(Kosova Sot,Infopress,Epoka e re,Bota sot,Prishtina post,Tribuna shqiptare  etj)
Ato bëjnë jetë të hendikepuar, ama megjithatë po mbahen.
Recensionet që i lexojmë në të përditshmet shqiptare si:,,Kosova Sot”,”Koha ditore”,”Lajm”"Tirana Observer”, «Shekulli», «Koha jonë», «Zëri i ditës»,”Nacional”,”Fakti”  si dhe në revista e website të «specializuara» për letërsi (Fjala  e jonë ,nga  Fatmir Terziut,Agejncioni Floart-Press nga Flori Bruqi )në përgjithësi lënë shumë për të dëshiruar.
Tekstet që vijnë të mbititulluara si recensione ose që sugjerohen si të tilla nuk përmbajnë në vete elementet themelore që duhet të kenë. Të rrallë janë ata autorë që marrin mundin për të përfshirë të gjitha segmentet e nevojshme që kërkon recensioni për të qenë i kompletuar, si:
1.Të dhënat biografike për autorin (ky segment mund të lihet anash vetëm në rastin e autorëve shumë të popullarizuar, mirëpo përsëritja e biografisë është prapseprapë me rëndësi për shkak se biografitë ndryshojnë).
2. Informata në lidhje me veprat e mëpërparshme të autorit si dhe krahasimi i asaj të fundit me më të hershmet.
3. Analizimi i vlerësimeve kritike mbi autorin, vërtetimi, modifikimi apo kundërshtimi i tyre.
4. Krahasimi i veprës së autorit me vepra të autorëve tjerë aktual.
5. Informata mbi temën, përmbajtjen, strukturën, gjuhën, intencionin dhe përgatitjen teknike të librit.
6. Vlerësimi i tekstit dhe
7. Konkluzionet vlerësuese mbi librin.
Nëqoftëse intepretuesi nuk punon sipas këtij katalogu parimor, themelor dhe teksti i tij nuk përmban në vete informatat e sipërradhitura (pavarrësisht renditjes së tyre) ai asnjëherë nuk mund të jetë i bindshëm se di të shkruajë recension, ai nuk do të mund të jetë i besueshëm se ka lexuar, analizuar dhe njeh tekstin që trajton.
Recensioni sipas katalogut që shtruam mungon. Në vend të tij bëjnë jetë intepretimet që mund të emërohen si gjithçka tjetër, por jo si recensione.
Për çdo ditë na bie të hasim ndonjë tekst të mbititulluar si «recension».
Lexuesi i privuar nga e drejta e ndërhyrjes, i cili luan vetëm rolin e konsumatorit të fjalës publike, është i detyruar të pranojë atë si të tillë. Me një mbititull të tillë paralajmërohet publikimi i ndonjë vepre të re.
Autorët e teksteve të tilla, harrojnë përgjegjësinë që kanë ndaj lexuesit dhe japin konstatime nga më të çuditshmet pa qenë koshient për të arsyetuar mendimin e vetë. Ata thjeshtë shkruajnë; „ky është më i miri” ose „ai është më i keqi” pa ndier nevojën për të treguar konkretisht shkakun!
Në fund të një shkrimi, poashtu të mbititulluar si «recension», lexojmë konstatimin; «X është poeti më i mirë i (filan) gjeneratës së shkrimtarëve shqiptarë». Autori i atij shkrimi pompoz që nga shkronja e pare e tekstit e deri në fund shihet se është një injorant i kategorisë së asaj sorte që me shumicë i gjen nëpër mediat shqipe.
Për të demostruar sa më ashpër «dashurinë» ndaj poezisë (ose lirikut vetë), autori kishte rishkruar (besojmë me dorë të vetë) vargjet dhe i kishte futur ndërmjet fjalëve të veta, kështu që më në fund, pas një llogaritjeje të thjeshtë dilte se ai nuk kishte thënë më shumë se sa nja dhjetë fjali të fshehura ndër citatet që përmbushnin pothuaj gati një faqe gazete të formatit klasik.
Ato dhjetë fjali, që të gjitha, rrotulloheshin rreth të njejtës gjë; «X. është poeti më i mirë, gjenial, kolosal…».
Nëpër sallone apo në kafene edhe po të kërkoi dikush llogari për ndonjë
konstatim të përshpejtuar, mund të refuzosh që të pijsh më tej me të në tavolinë dhe të çohesh e të ikësh, ndërsa fjala e thënë publike të nënshtron përpara një obligimi, përgjegjësie më të madhe, për arsye se çdo konstatim duhet të jetë i argumentuar, i «dokumentuar», përndryshe ai mund të konsiderohet si shpifje. Keqpërdorim i lexuesit dhe mediumit ku plason mendimet.
Autori i konstatimit të lartëshënuar pa fije turpi donte t’i imponojë lexuesit të
sinqertë mendimin e tij, pa ndier nevojë që t’i sqarojë atij; përse – sipas mendimit të tij – poeti X është më i miri!
Ata që kanë mundësinë ta sigurojnë librin do të shohin se autori i «recensionit» ose është gjetur ngushtë gjatë hulumtimit të vlerave, të cilat ai do t’i bënte shtyllë të tekstit të tij ose nuk e ka lexuar fare librin dhe gjithë frymëzimi i tij fillonte dhe mbaronte në kopertinat e librit në fjalë.
Kjo e dyta është më e sigurtë, sepse librat, për të cilat flasin «kritikët» e tillë jorrallë përmbajnë vlera që mund të përfliten, mirëpo me parakushtin që ata, pra «kritikët» së pari duhet t’i bëjnë nervat tok e t’i lexojnë si duhet e mos të flasin përmendsh.
Domethënë kriteriet themelore të vlerësimit nuk janë ato që kërkohen mëlartë por: Lavdërimi i tepruar ose sharrja deri në asht.bëhet nga disa manjak interneti që shkruajnë në disa web faqe shqiptare:(www.zemrashqiptare.net,www.vendlindja.com,etj)Për të mos rënë në pozitën e «recensentit» të përshkruar më lartë kritiku serioz duhet të manovrojë së paku me mjetet themelore të vlerësimit që analiza e tekstit i vë si parakusht.
Kritiku i angazhuar dhe serioz asnjëherë nuk e nis intepretimin e tij për një vepër pa përshkuar së pari katalogun e pyetjeve themelore që kërkon analiza e tekstit.
Katalog që në sipërfaqe duket skolastik, porqë jo vetëm se është i pashmangshëm por bashkë me çelësat personal interpretues (shih formularin mëposhtë) edhe përcakton nivelin e njohjes së objektit në studime e sipër dhe ajo më kryesorja dëshmon për punën, seriozitetin dhe besueshmërinë e vlerësuesit.
Kritika letrare dhe mediat
Në masmedia mungojnë rubrikat e rregullta, emrat e rregullt që do të përfolnin librat në mënyrë objektive dhe duke iu përmbajtur parimeve të formës së shkrimit (recensionit) dhe kondicioneve profesionale të printmediave, artikuj edhepse me një gjërësi e natyrë gjuhësore ndryshe nga shkrimet publicistike, por megjithatë të ngritura në bazë të atyre pesë a gjashtë W-ve të famshme gazetareske.
Shkrimet «kritike» që botohen nëpër rubrikat apo shtojcat e kulturës nëpër media, dëshmojnë se faji kyresor prapëseprapë nuk është i përgjegjësve të këtyre mediumeve por vërtet stagnuese shfaqet paaftësia e autorëve që përpiqen të merren me kritikë letrare e s’dijnë t’iu përshtaten as rregullave të profesionit që mëtojnë ta ushtrojnë e as atij të gazetarisë.
Sidomos gazetat e përditshme (ato që kanë për synim profesionalitetin sipas standardeve) janë të detyruara të tregohen refuzuese ndaj idesë për krijimin e një rubrike të rregullt ku do të përfolej vepra artsitike.
Nga ana tjetër askush nuk beson se këto media nuk mund të sigurojnë për redaksitë e tyre nga dy a tre kritikë letrarë që në mënyrë të rregullt do ta ndjeknin (ama edhe do ta lexonin) librin, pikturën etj. e do ta diskutonin atë publikisht.
Le ta marrin shembullin e mediave të huaja: nuk e kziston asnjë gazetë as e përditshme as periodike në perëndim pa kritikun e vetë të rregullt letrar, pa rubrikën e vetë të rregullt për librin.
Natyrisht se, për të qenë mediumet më kualitative duhet të sigurojnë kuadro të përgatitura mirë profesionalisht.
Nuk mungon as përshtypja se problemet apo të arriturat kulturore, sipas mediave që kemi në duar, përdoren vetëm si mjet elozhi, vetkënaqësie dhe onanie personash ambicioz që kanë fatin të jenë afër mediumeve, kështu duke zmadhuar fatkeqësine e kulturës e në veçanti atë të letërsisë shqiptare.
Për këtë një përgjegjësi të pamohueshme mbajnë përgjegjësit e mediumeve. Ata duhet të krijojnë ca rregulla që do të parandalonte vërshimin e sojit të pseudokomentatorëve,që manifestohen me gjithë makinacionet e mundshme të akulturimit.
Ndonjë vëzhgues i proceseve letrare dhe punës së mediave(Koha ditore,Kosova Sot,Lajm,Express,Epoka e re ,Floart-Press,Fokusi javor,Java etj) në këtë drejtim do të thoshte se gjithë kjo tragjedi ka ardhur nga mungesa e «institucionit» të kritikës si dhe vazhdimit të sistemit të trashëguar socrealist. Mirëpo e vërteta qëndron edhe diku tjetër.
Një segment të dukshëm përbën edhe tipi i mentalitetit anadollak i disa shkruesve shqiptarë, të cilët në vend që të punësohen si ofiqarë në ndonjë administratë, aq sa e kanë edhe aftësinë, atyre nuk u vjen fare turp për t’u marrë me kritikë të letërsisë, duke shkruar «recensione» që s’janë gjë tjetër se sa përdhunim i pashembullt i lexuesve, pra aventurierë të tipit siç është shembulli më lartë.
Kritiku – si është dhe si duhej të ishte
U tha: sot kemi shumë pak kritikë të mirëfilltë letrar! Pse është kështu?
Shkollë speciale për kritikë letrar nuk ka. Nuk dihet nëse ndonjëri nga univerzitetet shqiptare ofron ndonjë seminar apo kurs praktik në lidhje me Metodat e Vlerësimit të Teksit, nëse po atëherë ato seminare apo kurse duhet të jenë aq të këqija saqë s’kanë mundur të nxjerin hiçmëshumë se disa veta që mund të numurohen në gishta si profesionistë .
Shumica e gazetarëve që merren me kritikë letrare kanë të mbaruar fakultetin e letërsisë ose janë vetë autorë (shkrimtarë, poetë etj.).
Fakultetet e letërsisë janë patjetër baza ku pretendentët e këtij profesioni aftësohen me njohuritë në shkencat e letërsisë, mirëpo kjo nuk do të thotë saora specializim edhe si kritik letrar.
Në krahasim me fushën ku ajo angazhohet, dmth me artet e bukura si vepër e gjenive dhe që nuk mësohet por është e lindur (I. Kant), kritika letrare është një aftësi praktike, zotësi që rrjedh nga dija. Diçka që duhet të mësohet.
Përveç njohjes së letërsisë, historinë e saj, teorive mbi të, aktualitetin dhe tregun kritiku letrar, siç dihet, duhet të njohë mirë edhe gazetarinë për të qenë i aftë që të publikojë refleksionet e tij.
Institutet ekzistuese – pra njohës të kompletuar të shkencës, arteve të bukura dhe gazetarisë – tashpërtash nuk janë gjendje të nxjerin kritikë të këtij formati. Ndërsa nga përvoja kemi parë se kritikët e këtij kalibri, ata të kompletuarit, në këtë nivel kanë mbrritur falë angazhimit personal në këto fusha të ndryshme si dhe vetinicijativës.
Ky realitet e hedh në erë bindjen infantile të shumëkujt se për të qenë kritikë letrar mjafton fakulteti i letërsisë dhe aftësia për të stilizuar e bërë llafe mbi artet e bukura pa studimin rigoroz të tyre dhe përkuljen para një disciplinë të rreptë e të mundimshme pune.
Si u vjen kritikëve serioz të cilët harxhojnë energji, mund e dije për ta lexuar e intepretuar një vepër arti me përkushtim kur konfrontohen me prezencën e vërshuar të sharlatanëve, të cilët nuk kanë asnjë fije respekti ndaj të bukurës dhe muzës së gjeniut?
Numri i atyre kritikëve që përafërsisht plotësojnë kushtet e shtruara më lart, në letrat shqipe, është më se minimal. Shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje janë të njohura ose pjesërisht janë trajtuar edhe në këtë ese.
Morali dhe etika profesionale e kritikut
Përpos këtij deficiti ekzistojnë edhe një mori pengesash tjera që profesionin e kritikut e bëjnë joatraktiv ose edhe të pamundshëm:Asnjëri medium, madje as edhe shtëpitë botuese në hapësirën shqiptare nuk punësojnë dikë si kritik letrar.
Personi i specializuar si kritik duhet së pari të bëjë punën e gazetarit, lektorit, korrektorit gjuhësor, redaktorit e punë të tjera për të siguruar ekzistencën e pastaj nëse i mbetet kohë mund të kontribojë diçka për profesionin dhe pasionin e tij.
Nuk mjaftojnë vetëm aftësitë për të siguruar një vend në ndonjë medium që të ushtrosh «zanatin» e kritikut. Përveç përgatitjes profesionale duhet t’i takosh ndonjë klani a grupacioni (letrar, rajonal, gjinor e së fundi edhe fetar) që mban nën kontroll institucionin e caktuar.
Me sigurimin e kësaj lidhjeje kritiku automatikisht humb pavarrësinë intelektuale dhe ndeshet me pengesa tjera që ia bëjnë të mundimshme punën: klani ose personat që e kanë ndihmuar kërkojnë (edhe nëse nuk e thonë drejtëpërdrejtë, për mentalitetin shqiptar kjo është gjë e natyrshme) mirënjohje në vepër.
Me humbjen e kësaj mvetësie kritiku letrar fillon të shkruajë nga pozitat e mikut, avokatit, shërbyesit të grupit apo autorit ( e ka ndihmuar të ngjitet shkallëve) dhe gjykatësit të njeanshëm, «edukatorit» joobjektiv kur bëhet fjalë për vepra autorësh që u përkojnë klaneve konkurente ose në luftë me atë, të cilit i takon (me dashje ose padashje) kritiku letrar(grupi i PEN-istëve kosovarë apo letraret e LSHK)
Ata që veprojnë jashtë këtyre rretheve e grupacioneve duhet të bëjnë luftë të ashpër për të mbetur gjallë publikisht. Se ç’morali dhe etike profesionale duhet të ketë kritiku letrar në këtë rast e përcakton shoqëria me gjithë mekanizmat e saj.
Nëse gjendemi në një shoqëri të korruptuar edhe kritiku do të jetë patjetër i tillë, nëse funksionojmë në një shoqëri ku klanet, fiset dhe grupacionet e kanë fjalën kryesore edhe kritiku – se si do të mbijetojë ndryshe – do tëjetë altoparlanti ose falltori i oborrit të njërit nga këto formacione.
Me këtë kritiku e ka të kufizuar veprimin e vetë dhe nuk mund të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha letërsitë e mundshme, por mbetet si kritik special i literaturës primare (të lauruar nga klani si elitore) ose i asaj sekundare ose i asaj margjinale ose i pop-letërsisë ose i asaj literature që prodhon vetëm shefi i taborrit.
Nëse një kritik vendos që të bëjë luftë jashtë sistemit me qëllim të ruajtjes së integritetit personal, etikës profesionale dhe njerzore ai do të injorohet, izolohet deri sa ta gjejë një profesion tjetër ose të heq dorë fare edhe nga publikimi i studimeve të tija.
Kritika letrare sot
Kështu duket sot kritika letrare në pasqyrën e saj të grimcuar. E bërë pikepesë dhe në atë shkallë saqë mund t’i thurrim lemente deri në pakufi. Megjithkëtë, mund të jetë edhe ndryshe.
Shpresat nuk janë djegur të tërra. Dhe atë për dy arsye: E para, se edhe mëtutje mund të shpresojmë në aktivizimin dhe angazhimin e atyre kritikëve letrarë që për një apo shumë arsye kanë kërkuar hije nën pyllin e profesioneve tjera dhe ia kanë kthyer shpinën pikërisht asaj që më së shumti ka nevojë për ta.
Dhe e dyta arsye, ajo që më së shumti ushqen shpresat, është se në letrat shqipe kanë hyrë dinjitetshëm (përveç brigadave të hobiinterpretëve) edhe specialistë të shkëlqyeshëm të teorive letrare si Agron Tufa, i cili njëkohësisht është edhe eksperti më i spikatur i formalizmit dhe strukturalizmit.
Pastaj dy Kujtimët (Kujtim Shala dhe Kujtim Rrhamani) nga Prishtina, Ndue Ukaj, Vehbi Miftari,Shefqet Dibrani e ndonjë tjetër. Ndërsa në fushën e kritikës letrare praktike mund pa hamendje të përmendim Ragip Sylajn, Sali Bytyçin, Gilmana Bushatin e ca të tjerë.
Natyrisht se edhe këta studies e autorë kanë pengesat e tyre gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Edhe kur ata konsiderohen të atillë siç i përshkruam në fillim të kësaj eseje ata përpiqen që të mos i nënshtrohen diktatit social, ekonomik dhe mos bien nën kurthin e ndonjë klase të caktuar politike ose ndonjë sekti fetar që botën di ta shohë vetëm nga perspektiva e ngushtë e religjionit (® interepretuesit e autorëve ekskluzivisht katolikë ose ata që me çdo kusht priviligjojnë shkrimtarët turkofilë islamikë).
Janë këta emra që jo vetëm se dëshmojnë se kritika letrare shqiptare megjithatë ekziston, porse edhe do të mbijetojë duke u ristabilizuar (si para viteve të nëntëdhjeta) dhe duke kthyer imazhin dhe formën e saj institucionale.
Nihilstët, (veçanarisht) gjenitë e hutuar të letrave shqipe le të mos brengosen se pas shkuarjes në atë botën tjetër askush nuk do të merret me artin e tyre, përkundrazi kritika do të merret edhe me ata që sa kanë qenë gjallë nuk kanë lënë gurrë pa ia hedhur asaj në kokë.
Ky është vetëm njëri nga ato mallkimet me të cilin duhet të jetojë kritiku objektiv.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...