2011-04-15

Bekim Haxhiu-Kamishi ,kërkon largimin e Florin Krasniqit "Pullazgjiut" nga kryetari i Komisionit parlamentar për mbikqyrjen e AKI-së

Bekim Haxhiu – Kamishi nuk e ka në plan “t’i ulë armët” me Lëvizjen “Vetëvendosje”. Megjithëse ka deklaruar se nuk po merret me këtë subjekt politik, deputeti i PDK-së të mërkurën shpalosi një varg akuzash të tjera për ta, raporton IndeksOnline.

Si anëtar nga PDK-ja i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), Kamishi kërkoi largimin nga detyra të kryetarit të këtij komisioni, Florin Krasniqi, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kamishi tha se Krasniqi ka shkelur deklaratën e konfidencialitetit të këtij komisioni.

“Kam kërkuar largimin e kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi, pasi ka keqpërdorur pozitën, për përfitime politike. Kërkesën do t’ia dërgojë Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë Kamishi në një konferencë për media, të organizuar pas një mbledhjeje të këtij komisioni.

Deputetit Haxhiu i kishte mbetur hatri pas deklaratës së Florin Krasniqit në seancën e 25 marsit, kur po shqyrtohej buxheti, i cili kishte thënë se nuk janë ndarë mjaft mjete për AKI-në, sepse siç tha ai, pushtetit nuk i intereson AKI-ja, përderisa e kanë SHIK-un.

Nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i protagonistit të kësaj ngjarjeje, Florin Krasniqi. Ai ka mohuar se ka shkelur deklaratën e konfidencialitetit. Deputeti i Vetëvendosjes ka ironizuar me deklaratat e Kamishit.

“Bekimi kërkon shumë sende. Do të bëjë çka të mundem që ky komisioni të jetë apolitik”, ka thënë Krasniqi. Për më tepër, Krasniqi që njihet me fjalorin e ashpër ndaj qeverisë, ka akuzuar edhe njëherë PDK-në.

“PDK me atë bandën e vet përfitojnë miliona nga qytetarët”, ka thënë Krasniqi.

E konfirmon se ka qenë anëtar i SHIK-ut

Kuvendi i Kosovës ka edhe ish-anëtarë të SHIK-ut. Njëri prej tyre, tashmë deputet i PDK-së, e ka pranuar se ka punuar për SHIK-un, shërbim i afërt me partinë e Hashim Thaçit, që ka vepruar që nga koha e luftës.

Deputeti nga Drenica, Bekim Haxhiu – Kamishi, ka pranuar në një konferencë për media se ka punuar për SHIK-un si zyrtar deri më 15 qershor 2008, datë kjo që korrespondon me shuarjen e këtij shërbimi, të komunikuar përmes RTK-së nga shefi Kadri Veseli.

Kamishi tha se “ndihet krenar me punën që ka bërë duke punuar për këtë shërbim”. Megjithatë konferenca e thirrur prej tij, si anëtar i Komisionit Parlamentar për Inteligjencë u fokusua në akuzat kundër deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, pasi ky i fundit njihet për fjalorin e ashpër ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar.


*********


Ndërsa Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Florin Krasniqi, ka vendosur që t'i shkojë deri në fund zbardhjes të së vërtetës mbi veprimtarinë 10 vjeçare të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

"Misionin" do ta nisë me shefat e AKI-së. Nga ta do të kërkojë informacione nëse SHIK-u është shuar më 15 qershor 2008 apo vazhdon të jetë funksional edhe në ditët e sotme.

"Ne do të kërkojmë detaje jo vetëm prej drejtorit, por edhe prej inspektorit të përgjithshëm të AKI-së. Ata kanë detyra të ndara, prandaj të dyve veç e veç do t'ua parashtroj disa pyetje me shkrim dhe do të pres përgjigje nga ta", ka paralajmëruar deputeti i Vetëvendosjes, një ditë pasi anëtari i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën "Kamishi", ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Komisionit për AKI-në, raportojnë mediet.

Krasniqi ka thënë se brenga më e madhe e tij është infiltrimi i SHIK-ut brenda Agjencisë Shtetërore të Inteligjencës. Aktualisht, ai nuk beson se AKI ja është plotësisht e pavarur në punën e saj.

"Ne duhet ta dimë nëse AKI-ja është vërtet agjenci e pavarur apo thjesht një agjenci e shantazhuar dhe e kërcënuar nga shërbimet private partiake të inteligjencës. Dhe, përgjigjen për këtë duhet ta japin drejtuesit e AKI-së", ka thënë ai. Ky deputeti, që njihet edhe si "Pullazxhiu" i Amerikës, pajtohet plotësisht me propozimin e kolegut nga AAK-ja, Burim Ramadani, për ngritjen e një komisioni të veçantë hetimor jo vetëm për SHIK-un, por edhe për të gjitha shërbimet sekrete të tjera partiake.

"SHIK-u ka qenë organizatë që i ka shërbyer një grupi të caktuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe jam i bindur se njerëzit e kësaj strukture nuk duhet të ndihen mirë që kanë qenë pjesë e saj, prandaj konsideroj se ka ardhur koha kur Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të themelojë një komision hetues parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut që nga themelimi i kësaj organizate pas çlirimit të Kosovës", ka propozuar Ramadani. Nisma për ngritjen e një komisioni të tillë, sipas Krasniqit, do të nxjerrë në pah se kush është i interesuar tu tregojë qytetarëve se kush është SHIK-u i vërtetë, e kush është i interesuar ta mbyllë këtë çështje.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...