Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/07

Në gjurmët e dy rrëfimeve tronditëse




Prof.dr.Eshref Ymeri



Para pak muajsh dhe pikërisht më 18 maj 2012, në faqen e internetit të zotit Feliks Taho, filloi të botohej intervista e plotë që gazetari Fatos Veliu i kishte marrë zonjës së nderuar Zeqie Nuri, shqiptare nga trojet tona etnike të Çamërisë, e cila ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e masakrave kriminale që shovinizmi i tërbuar grek kreu kundër popullsisë së pafajshme çame. Çdokush që e ka lexuar atë intervistë, me siguri që ka përjetuar një tronditje të thellë në shpirt.
Por faktet nga skenat e llahtarshme që përshkruante zonja Zeqie Nuri, përmes rrëfimeve rrëqethëse të nënës çame Fatime Pronjo, i pasuroi edhe më shumë me të tjera të dhëna, shumë më të lemerishme, Profesori i nderuar i historisë, zoti Rasim Bebo, me origjinë nga Çamëria, në një artikull që botoi më 30 gusht 2012, në gazetën internetike të zotit Ajet Nuro “Tribuna Shqiptare”.
Intervista e zotit Fatos Veliu titullohej “…ajo që ndodhi mbi ne ishte një pastrim i pastër ndaj atyre që nuk ishin kaurë...”. Kurse artikulli i Profesor Bebos mbante titullin:“Fatime Pronjo me skalpin në gji”.
Megjithëse rrëfimet e këtyre dy nënave çame i ndan një hapësirë kohore prej 45 vjetësh, ato prapëseprapë i bashkon e vërteta tronditëse për fatin tragjik të popullsisë çame, e cila u masakrua barbarisht prej bishave greke, me në krye fashistin e Ballkanit me emrin Napolon Zerva. Krimet e shovinizmit shtazarak grek kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, të sjellin në kujtesë barbaritë e inkuizicionit të kohës së mesjetës, i cili asokohe pati shpërthyer kundër heretikëve me tërë egërsinë e vet në Spanjë, në Portugali, në Francë dhe në Itali. Ato krime të kujtojnë masakrat e nazizmit gjerman kundër hebrejve në Evropë, kundër popullsisë sovjetike në rajonet perëndimore të Bashkimit Sovjetik pas sulmit të 22 qershorit të vitit 1941, të kujtojnë krimet e bishës së Ballkanit me emrin Millosheviç kundër popullit boshnjak dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Krimet e fashistit grek Napolon Zerva kundër popullsisë myslimane të Çamërisë në vitin 1944 dhe të fashistit Millosheviç në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, kanë një gjë të përbashkët. Ato krime u kryen nën soditjen e turpshme të ushtarakëve të Evropës. Në Çamëri ushtarakët anglezë soditën me gjakftohtësi krimet e Napolon Zervës, kurse në Srebrenisë ushtarakët hollandezë soditën po me të njëjtën gjakftohtësi masakrimin e 8 mijë myslimanëve prej dorës gjakatare të Ratko Mlladiçit dhe të Radovan Karaxhiçit, dy zëdhenësve të drejtpërdrejtë të Sllobodan Millosheviçit.
Popullsia e mjerë çame, e mbetur pa zot mbi krye, që nga koha e hyrjes brenda kufijve politikë të Shqipërisë në qershor të vitit 1944 dhe deri në fillim të vitit 1946, pati 2755 të vdekur nga uria dhe sëmundjet e ndryshme (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”, f. 185). Ndërkohë, nga radhët e partizanëve të frontit komunist grek që strehoheshin në vendin tonë gjatë luftës civile në Greqi, nuk u shënua asnjë i vdekur nga sëmundjet ose nga uria.
Një fakt mjaft domethënës për qëndrimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj popullsisë çame, i vë vulën përfundimtare tradhtisë së Enver Hoxhës, të këtij mercenari të grekoserbizmit dhe armiku të kombit shqiptar.
Gjatë vizitës në Moskë në vitin 1951, Enver Hoxha, në takimin që ka pasur me Stalinin më 02 prill 1951, këtij të fundit i ka deklaruar:
“…qeveria shqiptare, duke pasur parasysh situatën e saj të jashtme, do të dëshironte të dëbonte nga territori i Shqipërisë të gjithë grekët, më shumë se një mijë veta, dhe, para së gjithash, monarkofashistët që ndodhen nëpër kampe përqendrimi” (Citohet sipas: “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Shtëpia Botuese TOENA. Tiranë, 2006).
Pra, megjithëse lufta civile në Greqi kishte përfunduar që në vitin 1949, Enver Hoxha vazhdonte të strehonte dhe të ushqente në vendin tonë monarkofashistë grekë, nga të cilët jo vetëm që askush nuk vdiq nga uria, por nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë.
Përfaqësuesit më në zë të nacionalizmit çam, siç del nga dokumentet arkivore që citon Profesor Beqir Meta, rrugën e çlirimit të tyre e shikonin te bashkimi i mbarë forcave politike shqiptare. Prandaj, ashtu si mbarë nacionalistët shqiptarë, nacionalistët çamë e vlerësonin Marrëveshjen e Mukjes si të vetmen rrugë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Për këtë fakt Profesor Meta thotë se Nuri Dino, më 21 shkurt 1944, i dërgonte Shefqet Peçit një letër, në të cilën konstatonte se në Greqi po bëhen përpjekje për bashkimin e dy forcave kryesore politike të EAM-it dhe të EDES-it, me synimin që “grekët të shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste…” (f.157). Ai i bënte këtë thirrje patetike Shefqet Peçit: “Mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua afshi i popullit tonë për liri dhe kjo mjafton për të nesërmen, por e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë” (po aty).
Por në kohën kur po kryhej masakrimi i popullsisë çame dhe dëbimi me dhunë i asaj pjese që kishte mbetur gjallë, Partia Komuniste e Shqipërisë e kishte mendjen gjetiu. Atë e kishte pushtuar keq afshi i dashurisë përvëlimtare për Jugosllavinë titiste dhe mendjen e kishte drejt veriut, ndërkohë që në jugë të vendit, një popullsi e lemeritur, e gjakosur rëndë dhe e uritur keqas, po katandisej në kthetrat e vdekjes së ngadaltë.
Por tradhtinë e Enver Hoxhës dhe të mbarë Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj çështjes çame, e përforcon edhe më shumë profesori i historisë, zoti Rasim Bebo, i cili, siç del nga artikullin e larpërmendur, që në vitin 1967 ka dashur t’i bënte publike rrëfimet e zonjës Fatime Pronjo për masakrat e përmasave të inkuizicionit të fashizmit grek kundër popullsisë çame. Por sekretari i komitetit të partisë të Delvinës e pati paralajmëruar me një ton kërcënues për të mbyllur gojën se përndryshe mund ta pësonte keq. Toni kërcënues i atij funksionari partiak ndaj profesorit të historisë të gjimnazit të qytetit, zbulonte përsëri lakuriq tradhtinë e fëlliqur të Enver Hoxhës ndaj popullsisë çame edhe 23 vjet pas masakrës greke të qershorit të vitit 1944, një popullsi rrënjëse kjo në trojet e veta etnike.
Politika dhe diplomacia shqiptare e kohës së Enver Hoxhës, e vendosi në “karantinë” të rreptë çështjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë, por nuk harroi që minoritetin grek në Shqipëri ta trajtonte me një kimet të veçantë. Por, çuditërisht, kjo “karantinë” vazdon të qëndrojë në fuqi edhe sot e gjithë ditën.
Kanë kalur 68 vjet që nga koha e masakrës fashiste greke kundër popullsisë çame dhe e dëbimit të saj prej trojeve të veta etnike, por, për fatkeqësinë tonë kombëtare, kundër shtetit shovinist grek nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta denoncuar në Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve të luftës, për të kërkuar dëmshpërblim dhe kthimin e saj në trojet e veta etnike.
Parlamenti shqiptar i dominuar nga socialistët, para disa vjetësh, për turpin e vet, nuk e kaloi në Kuvendin e Shqipërisë Rezolutën Çame. Këto kohët e fundit, në daljet publike, zoti Shpëtim Idrizi ka deklaruar se do të paraqes një tjetër Rezolutë për Çamërinë. Nuk jemi të sigurt nëse deklarata e zotit Idrizi është me të vërtetë serioze, apo ajo hidhet në publik për kapital politik. Do të ishte me të vërtetë interesante sikur kjo Rezolutë të paraqitej në parlament, në mënyrë që mbarë populli shqiptar ta shikonte me sytë e vetë, nëse parlamenti, i dominuar nga demokratët, do ta kalonte apo do të mbante të njëjtin qëndrim shpërfillës ndaj saj, siç e mbajtën socialistët dikur.
Plagët e rënda që hapën në Çamëri krimet e fashizmit grek, të përfaqësuar nga krimineli Napolon Zerva, me autorizimin e qeverisë greke të asaj kohe, vazhdojnë të jenë të hapura dhe vazhdojnë të kullojë. Krimet kundër njerëzimit nuk kanë afat parashkrimi.

Santa Barbara, Kaliforni
07 shtator 2012



No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...