Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/07

Turqia dhe katër krisjet e mëdha


Ibrahim KALLËN
Është e drejtë të thuhet se ekspansioni dhe drejtimet e reja të politikës së jashtme turke gjatë dekadës së fundit kanë hapur një debat të gjallë midis qarqeve politike, të huaja dhe vendase, diplomatëve, analistëve, akademikëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe OJQ-ve. Debati sillet rreth transformimit të politikës së jashtme turke në sfondin e ndryshimeve të mëdha në strukturat rajonale dhe globale të pushtetit. Janë ngritur një sërë pyetjesh, ca të mirë-ditura, e ca retorike, për të vlerësuar pozitën e Turqisë në politikën globale. 
Duke pasur parasysh ndërvarësitë në rritje të botës në të cilën jetojmë, do të ishte me vend që politika e jashtme të mos përkufizohej thjesht me politikat shtetërore dhe marrëdhëniet diplomatike, por me përpjekjen e përgjithshme të një vendi për të përcaktuar pozicionin e tij në sistemin botëror. Tërësia e aktiviteteve dhe iniciativave që e ndihmojnë një vend të përcaktojë pozicionin e tij në sistemin global na jep ne një përkufizim më të gjerë të politikës së jashtme. Në këtë kuptim politika e jashtme nuk ka të bëjë thjesht me marrëdhëniet midis shteteve ose me përfaqësimin diplomatik. Ajo përfshin këndvështrimin politik, kapitalin shoqëror, fuqinë ekonomike dhe aftësinë ushtarake të një vendi. Për më tepër, ajo e merr theksin nga vetëperceptimi, ndjenja e historisë, identiteti kulturor, pozicioni gjeostrategjik, dinamika e popullsisë, traditat shoqërore, ekonomia dhe elemente të tjera të një vendi.
Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre çështjeve të mëdha, që trajtësojnë mendimin dhe praktikën e bërësve të politikës së jashtme turke, me qëllim që të vlerësojmë politikën e jashtme të Turqisë dhe pozitën e saj sot në rendin global. Ashtu si të gjitha vendet, edhe Turqia u përgjigjet zhvillimeve, sfidave dhe mundësive në sistemin global në sfondin e këtyre elementeve dhe pasurive. Një kuptim i duhur i transformimit të pozitës së Turqisë në rendin botëror përgjatë dekadës së fundit kërkon një vlerësim të ngjarjeve të mëdha që kanë ripërcaktuar kufijtë e pushtetit, të qenies shtet, veprimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në politikën globale. Kjo është e nevojshme gjithashtu për të kuptuar qëndrimin e Turqisë në lidhje me revolucionet arabe në përgjithësi dhe me krizën siriane në veçanti.
Qasjet e ndryshme
Me këto pika në mendje unë do t’u referohem katër krisjeve të mëdha që kanë tronditur dhe ritrajtësuar rendin botëror global në tre dekadat e fundit. Kam për të analizuar mënyrën se si Turqia iu përgjigj çdo krisjeje dhe e ripozicionoi veten karshi sfidave dhe mundësive të reja. I kam zgjedhur këto katër krisje për lidhjen e tyre me evolucionin në vijim të rendit global dhe rrjedhojat për balancën rajonale të pushtetit. Turqia ka zhvilluar mekanizma të rinj për trajtimin e çdo ngjarjeje krisëse dhe e ka zgjeruar këndvështrimin e politikës së jashtme në proces. 
Krisja e parë që çoi në ritrajtësimin e rendit ndërkombëtar ishte fundi i Luftës së Ftohtë dhe lindja e një sistemi të ri botëror shumëpolar. Lufta e Ftohtë kishte lehtësirat e veta dhe vijat e saj kufindarëse ishin pak a shumë të përcaktuara. Turqia, si një vend i NATO-s, i përkiste bllokut euro-amerikan, kundër bllokut lindor-sovjetik. Fundi i Luftës së Ftohtë krijoi hapësira për mundësi të reja dhe Turqia iu përshtat shpejt realiteteve të reja të një bote shumëpolare. Ajo përqafoi globalizimin dhe filloi të zhvillojë marrëdhënie me vende të ndryshme anekënd botës, përfshirë vendet e ish-bllokut sovjetik. Globalizimi në Turqi në vitet e ’90-ta nënkuptonte lëvizjen në një sërë drejtimesh dhe zbulimin e mundësive të ndryshme në sferën diplomatike, shoqërore dhe ekonomike. Ndërsa Turqia veproi me bllokun perëndimor, të udhëhequr nga SHBA-të, në Luftën e Parë të Gjirit, të vitit 1991, ajo vazhdoi të zhvillojë marrëdhënie më të thella me aktorët kyç në botën arabe, në Ballkan, Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.
Brenda, përqafimi nga Turqia i globalizimit policentrik çoi në vënien në diskutim të modernizimit dhe oksidentalizimit klasik, të kontrolluar nga lart poshtë, dhe hapi një debat serioz mbi identitetin e Turqisë, në njërën anë, dhe kapërcimin e eurocentrizmit, në anën tjetër. 
Krisja e dytë pas Luftës së Ftohtë ishin sulmet terroriste të 11 shtatorit. Sulmi ishte një pikë kthese pikërisht në fillim të shekullit XXI dhe vala goditëse u ndje në tërë botën. Terroristët, të menduar se janë “aktorë jo të arsyeshëm”, që veprojnë me instinkte, i planifikuan sulmet në një mënyrë të tillë që të jenë një “ngjarje spektakolare”: imazhi tronditës i dy avionëve që fluturonin si raketa drejt ndërtesave më të larta në Nju Jork, shembja e frikshme e kullave binjake, agonia e thellë dhe pafuqia e njerëzve, synonin të sfidonin në shkallë globale fuqinë amerikane. Ne tërë atë e ndoqëm me tmerr.  
Fakti se të gjithë ne e ndoqëm atë me tmerr anembanë botës ishte një moment postmodern global: ai ishte real dhe joreal, i tmerrshëm dhe spektakolar, i thjeshtë dhe i sofistikuar, lokal dhe global, i shkuar, i tashëm dhe i ardhshëm njëherazi. Nga ajo ditë ishte e qartë se asgjë nuk do të ishte më kurrë si më parë, as për ata të cilët i kryen sulmet, as për ata të cilët ishin vënë në shenjë. Pasojat e 11 Shtatorit i kapërcyen SHBA-të dhe luftën e tyre kundër terrorizmit. Ai ndryshoi perceptimet mbizotëruese mbi kërcënimin në një shkallë globale dhe hapi një epokë të re, të asaj që ekspertët e quajnë “sigurizim”. 
Administrata e Bushit reagoi ndaj sulmeve me masa drakoniane në vend, të tilla si Ligji Patriot (Patriot Act), dhe duke pushtuar dy vende, Afganistanin dhe Irakun, në emër të së ashtuquajturës luftë globale kundër terrorizmit. Politikat e administratës së Bushit e anuan peshoren nga siguria në kurriz të lirisë dhe të drejtave civile, e kjo u shkoi për mbarë dhe u shfrytëzua nga regjimet tejembanë botës, për të konsoliduar pushtetin e tyre autoritar. E ashtuquajtura luftë globale kundër terrorizmit u bë një politikë e zakonshme, e padiskutueshme, një instrument i fuqishëm për të shtypur lirinë, demokracinë dhe të drejtat civile dhe atje ku nuk ekzistonte rreziku i terrorizmit. 
Turqia iu përgjigj këtij zhbalancimi mes lirisë dhe sigurisë në botë pas 11 shtatorit me zgjerimin e sferës së të drejtave dhe mundësive të reja, si në vend dhe në rajon. Turqia shpalli një numër masash demokratike në lidhje me sistemin gjyqësor të vendit, çështjen kurde, pakicat jomsulimane, alevitët, lirinë e shtypit, bashkëshoqërimin e lirë politik, tolerancën zero ndaj torturës dhe luftën kundër përpjekjeve për grusht shteti. Ajo i zbatoi këto reforma po ashtu si pjesë të kritereve të Kopenhagës dhe vendosi një baraspeshë të shëndoshë midis lirisë dhe sigurisë. Duhet vënë në dukje se këto masa demokratike u shpallën pavarësisht nga terrorizmi i pandërprerë i PKK-së, e pavarësisht një sërë përpjekjeve për grusht shteti për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. 
Ekuilibri delikat midis lirisë dhe sigurisë është me rëndësi të jashtëzakonshme për një demokraci plotësisht funksionale. Liria pa sigurinë njerëzore çon në kaos dhe anarki, ku një shoqëri nuk mund të funksionojë ashtu siç duhet. Siguria pa demokraci dhe liri çon në autoritarizëm dhe shtypje, ku një shtet humb legjitimitetin e tij. Turqia mbetet e angazhuar për të garantuar siguri dhe demokraci për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht të shkuarës së tyre etnike, gjuhësore ose fetare, me gjithë terrorizmin e PKK-së dhe refuzimin e saj të vazhdueshëm për të lëshuar armët.
Krisja e tretë e madhe që tronditi sistemin ndërkombëtar ishte kriza financiare globale, e cila filloi si një krizë hipotekash në SHBA, u përhap me të shpejtë në Europë dhe u kthye në krizë të eurozonës. Kriza e preku ekonominë globale në shumë drejtime dhe i detyroi qeveritë të marrin masa të reja. Ajo shkaktoi krizë ekonomike dhe politike veçanërisht në Europë, duke çuar në rrëzimin e një sërë qeverive, me masat e kursimit të ndërmarra pavarësisht protestave të mëdha popullore. 
Turqia, duke qenë pjesë e euroekonomisë, është prekur natyrisht nga kriza financiare, por është mbajtur më mirë se shumë ekonomi. Në të vërtetë, ekonomia turke ka vazhduar të rritet, dhe mbetet ekonomia e dytë me rritjen më të shpejtë gjatë viteve të fundit. Ky sukses ekonomik, bashkuar me qëndrueshmërinë politike dhe qeverisjen e mirë, ka qenë thelbësor për politikën e jashtme turke dhe i ka mundësuar asaj të shtrihet në shumë drejtime dhe të fitojë thellësi në një sërë rajonesh kyçe, duke përfshirë Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Në një kohë kur vendet e kanë zvogëluar praninë e tyre diplomatike në Afrikë dhe në territore të tjera për shkak të krizës ekonomike, Turqia e ka shtuar numrin e ambasadave të saj. Për shembull, ajo ka hapur vetëm në Afrikë gati njëzet ambasada dhe konsullata të reja, duke e çuar në 32 numrin e përgjithshëm të misioneve diplomatike gjatë vitit 2012. Një përbërës kyç i këtij suksesi është aftësia e Turqisë për t’i zgjeruar e për t’i bërë të larmishme tregjet e saj rajonale dhe globale në vitet e fundit. Ndërsa Turqia e ka pothuajse 45% të tregtisë së saj të jashtme me vendet europiane, ajo po zhvillon marrëdhënie të forta tregtare me rajonet e tjera dhe po tërheq investime nga e gjithë bota.                             
Krisja e katërt dhe e fundit që do të përmend janë revolucionet arabe, që filluan me Revolucionin Jasemin në Tunizi, në fillim të vitit 2011, dhe u përhapën shpejt në Egjipt, Libi, Jemen dhe Siri. Një vit e gjysmë më vonë, e pavarësisht njëfarë pesimizmi, bota arabe është transformuar tashmë prej revolucioneve arabe. Diktatorët janë rrëzuar dhe njerëzit nga tërë fushat e jetës kanë deklaruar aksionin e tyre politik për të krijuar një rend socio-politik të bazuar në drejtësinë, barazinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë. 
Revolucionet arabe e kanë zënë botën në befasi. Ne jemi dëshmitarë të një tkurrjeje trallisëse të kohës dhe hapësirës, ku ritmi i historisë është përshpejtuar dhe u ka prishur ekuilibrin qendrave të vjetra të pushtetit. Fuqitë rajonale dhe globale po i ripërshtaten këtij realiteti të ri. Mitet orientaliste se arabët dhe myslimanët nuk mund të qeverisin vetë, se ata janë të lumtur të jetojnë nën sundime autoritare, se kultura e feja e tyre nuk u mëson asgjë tjetër veç pranimit të bindur të shtypjes etj., janë shkërmoqur të tëra. 
Pyetja e bërë shpesh nëse arabët janë gati për demokraci ka marrë përgjigje tashmë nga ata të cilët kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë, dinjitetin dhe nderin. Pyetja nuk është nëse arabët janë gati për demokraci. Ata tanimë i kanë thënë po asaj. Por, pyetja më me vend është nëse Perëndimi dhe fuqitë e mëdha të botës janë gati për demokraci në botën arabe. Me fjalë të tjera, a do ta pranojnë zgjedhjen e lirë të popullit në vendet arabe fuqitë e huaja që propagandojnë demokracinë tejendanë botës dhe të punojnë me qeveritë e zgjedhura në bazë të reciprocitetit dhe respektit të ndërsjellë? Mënyra se si europianët, amerikanët, rusët dhe të tjerët kanë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje do të trajtësojë marrëdhëniet e ardhshme midis arabëve dhe myslimanëve, në njërën anë, dhe botës perëndimore, në anën tjetër. 
Kjo nuk është thjesht një pyetje retorike. Strukturat e pushtetit të vjetër në vendet ku janë zhvilluar revolucionet arabe do të mbeten pengesa kryesore për demokracinë, sundimin e ligjit dhe përtëritjen ekonomike. Rreziku nuk qëndron te lëvizjet popullore ose islame, siç pretendojnë disa, por te strukturat okulte, që nuk pranojnë t’ia dorëzojnë pushtetin popullit dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur. 
Turqia ka zgjedhur të jetë në anën e drejtë të historisë gjatë këtij momenti të jashtëzakonshëm historik, duke qëndruar krah popujve arabë në Tunizi, Egjipt, Libi, Jemen, Siri dhe gjetkë. Ne kurrë nuk qemë në mëdyshje se vullneti i popullit është më i rëndësishëm dhe më i pacenueshëm se siguria e shtetit. Ne kurrë nuk dyshuam që urtësia e thellë e njerëzve do t’u sigurojë atyre mjete morale dhe politike për të mposhtur shtypjen dhe padrejtësinë. 
Turqia dhe Siria
Turqia ka zgjedhur një udhë të ngjashme në Siri, me të cilën kemi zhvilluar një marrëdhënie të veçantë që nga viti 2005. Kjo marrëdhënie u mbështet në parimin e respektit dhe interesit të ndërsjellë. Ajo e ka bazën në marrëdhëniet e thella historike, kulturore dhe njerëzore midis popullit turk dhe sirian.
Turqia i shfrytëzoi marrëdhëniet e saj të mira me presidentin Esad me shpresën për ta bindur regjimin të nisë një proces paqësor reformash dhe ndryshimesh. Regjimi refuzoi. Atëherë Turqia u apeloi vendeve të tjera dhe kërkoi të përdorë kanalet diplomatike për të ushtruar presion mbi regjimin që të ndalojë vrasjen e njerëzve, sulmin mbi qytetet, arrestimin dhe torturimin e civilëve. Përsëri pa dobi. Në fund ajo u detyrua të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, në shtator 2011, kur numri i të vrarëve nga regjimi kishte vajtur në mbi tre mijë vetë. 
Iniciativat e Ligës Arabe dhe të Kombeve të Bashkuara kanë marrë si përgjigje po ashtu më shumë dhunë nga rajoni. Regjimi sirian, me gjithë premtimet e tij në prill, nuk pranon ende të zbatojë planin me gjashtë pika të Annan-it. Pasojë e kësaj është dhe pezullimi i misionit të mbikëqyrësve të Kombeve të Bashkuara në tre javët e fundit. Le të sjellim në mendje se në Siri gjatë vitit të fundit janë vrarë rreth 15 mijë njerëz. Ndërsa sot kemi 33 mijë sirianë të zhvendosur që kanë gjetur strehë në Turqi. 
Është me rëndësi të kujtohen këto pak fakte për të parë tablonë më të madhe. Aktualisht regjimi është përfshirë një lojë brutale mbijetesë, me shpresën për ta mbajtur pushtetin duke përdorur më shumë dhunë dhe duke vrarë më shumë njerëz. Sidoqoftë, kjo lëvizje kundër rrjedhës së historisë nuk ka për të funksionuar. Përpjekja për ta provokuar Turqinë të futet në luftë nuk do të ketë dobi. Regjimi nuk ka treguar asnjë respekt për të drejtat njerëzore bazë, duke sulmuar popullin e tij. Me sulmin ndaj një avioni turk të paarmatosur, që fluturonte i pashoqëruar, ai ka treguar se nuk ka respekt as për ligjin ndërkombëtar.
Rrëzimi i një avioni turk F4 nga forcat siriane më 22 qershor vërteton një fakt të ditur tashmë prej kohësh: regjimi sirian është kthyer në një barrë dhe rrezik jo vetëm për popullin sirian që lufton për lirinë dhe dinjitetin e tij, por gjithashtu për fqinjët e Sirisë, përfshirë Turqinë. Ndërsa regjimi në Damask humb legjitimitetin dhe kontrollin mbi vendin, ai bëhet më agresiv dhe armiqësor. Në fakt avioni luftarak turk F4 u rrëzua në hapësirën ndërkombëtare, 13 milje detare larg brigjeve siriane, siç tregohet nga të dhënat e radarëve turq dhe të NATO-s. Avioni po fluturonte i vetëm, i paarmatosur, dhe me identifikim të qartë. Hyrja për ca çaste në hapësirën siriane nuk përbën asnjë justifikim për rrëzimin e tij. Regjimi sirian ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka treguar qëllimet e tij armiqësore me goditjen e avionit në hapësirën ndërkombëtare. 
Kjo është pasojë e rritjes së ndjenjës së pasigurisë te regjimi. Ky regjim po lufton për më shumë se një vit kundër popullit të tij. Është një luftë brutale dhe e ndyrë, rezultat i refuzimit të regjimit Baath për të njohur popullin si të vetmin burim dhe bazë të legjitimitetit politik. Pavarësisht propagandës së gjerë të regjimit, revolta siriane filloi në mënyrë paqësore dhe mbeti e tillë për muaj me radhë, gjersa regjimi filloi t’i vrasë njerëzit në masë. 
Turqia do t’i përgjigjet rrëzimit të avionit turk duke iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar. Turqia i ka rishikuar dhe zgjeruar tashmë rregullat e angazhimit të forcave të armatosura turke dhe do t’i përdorë ato sipas situatës së re në terren. Ashtu siç u shpreh kryeministri Erdogan më 26 qershor, çdo element ushtarak që i afrohet kufirit turk nga ana siriane, do të konsiderohet një kërcënim ushtarak dhe do të trajtohet në përputhje me këtë. Qasja e matur e Turqisë nuk duhet të konsiderohet nga askush si shenjë dobësie.
Turqia nuk ka qëllim t’i përshkallëzojë tensionet me Sirinë ose me ndonjë vend tjetër në rajon. Por, ajo nuk ka për ta lënë vendosmërinë e saj të vihet në provë. Turqia nuk ka asnjë interes në çështjet e brendshme të vendeve të tjera dhe e respekton sovranitetin politik të të gjitha vendeve. Por, kjo nuk i jep shkas regjimit sirian të bëjë një luftë brutale dhe të ndyrë kundër popullit të tij. 
Ky sulm armiqësor nuk ka për ta lëkundur vendosmërinë e Turqisë për të mbështetur përpjekjen e popullit sirian për liri e demokraci. Ai nuk ka për ta penguar popullin sirian që të luftojë për jetën e tij. Dhe, nuk ka për ta zvogëluar mbështetjen botërore për popullin sirian. 
Si përfundim, le të shpreh optimizimin tim për të ardhmen e Lindjes së Mesme. Në një periudhë të shkurtër kohore është arritur shumë tashmë. Por, sfidat janë të shumta – ato mund të përballohen e kapërcehen nëpërmjet politikave racionale, qeverisjes së mirë, dialogut kombëtar, transparencës dhe përgjegjshmërisë. Shoqëritë e Lindjes së Mesme posedojnë kapitalin njerëzor dhe burimet natyrore për ta bërë rajonin një oazë të drejtësisë, lirisë, demokracisë, prosperitetit, kulturës, qytetërimit, pluralizmit dhe bashkekzistencës.
Turqia do të mbetet e angazhuar për të mbështetur aspiratat e popujve për një jetë të lirë dhe me dinjitet. 
(Autori është kryekëshilltar i kryeministrit turk R. T. Erdogan për politikës të jashtme)

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...