Nga Fritz RADOVANI:
Sa shekuj keni që po mendoni me i ngulë ata hunjë që tashti po doni me i zhgulë?
Ata endè sot nuk e kanë lëshue një rrajë...Po, kush ju siguron se vjen e i ngulë prap?
A i shihni lumejt e Gjakut të Popullit Shqiptar nder shekuj, a po nuk i keni sytë n’ballë?
Po kush dreqi ua ka mbushë mendjen me e sakatue të shkreten Rini edhe njëherë?
Ajo endè nuk ka mësue se ku bije Kosova, se emnin e vertetë DARDANI.., as nuk po e keni nder mend me ua mësue as Fëmijve tuej..? Moti i mirë shihet në mengjes heret.
Historia e juej fillon që në 1913 me gjeneralin Vukoçiq, vazhdon me Pashiq, Titoviç, me Miladin Popoviq, Vukmanoviq, Visarionoviq e Millosheviq deri tek Vuçiqi, pushtetarët e shqiptarëve mbas viçave si me i pasë ba lopa...
E besoj, ju kujtohet mirë Thaçi i çuem në kambë në Zvicerr kur Nanoviqi tha: “Njeriu ka një babë...!”
E baba i këtyne të dyve na ishte terroristi anadollak Enver Hoxha.., që per një kolltuk ia “fali” Kosoven Titos...
Bani, bani marrveshje të mëshefta!
Ju mësoi keq Ramiz Alia: “Edhe bar do t’ hajmë...”
Vazhdoni me këshillat e gjakbasave, se as bar nuk do t’ hani po sanë, e me rracion...
Por, mos harroni se serbët “per një plesht do t’ ua djegin jerganin!”...
Fatkesi e madhe!
Po, a mendoni se kush mundet me kenë ai budallë nder shtetet e Europës, që i hypë prap aeroplanit e vjen me lanë koken per me luftue prap në Balkanin e “budallenjëve”?
A keni harrue o Shqiptarë se nuk jeni në BE, e ju o kosovarë nuk jeni as në O.K.B.?!
Ka pasë të drejtë Nanë Tereza kur tha në Rinas: “O Zot, hiqja mallkimin Shqiptarve!”
Melbourne, Shtator 2018.
*****
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.
Redaksia Floripress