Nga Flori Bruqi
Tërmeti më i fuqishëm në 30-vitet e fundit”
Tërmeti më i fuqishëm në 30-vitet e fundit”
“Tërmeti i rënë pasditen e kësaj të shtune, ishte më i fuqishmi i 30-viteve të fundit”. Kështu deklarojnë sizmiologët, të cilët thonë, se në total janë regjistruar mbi 300 pasgoditje, të cilat kanë pasur intensitet më të ulët se dy lëkundjet e para, të cilat ishin 5.8 dhe 4.2 të shkallës Rihter. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, nuk pritet të ketë më lëkundje, megjithatë tërmetet janë një dukuri natyrore që ende nuk mund të parashikohen.
Eurodeputeti Johannes Hahn reagon për tërmetin në Shqipëri:
I shqetësuar dhe i trishtuar, BE ofron ndihmë
Eurodeputeti Johannes Hahn ka reaguar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në Shqipëri, pas goditjes nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë, shoqëruar me një sërë lëkundjes të tjera të forta, të cilat vijojnë akoma. Përmes një mesazhi në “Twitter”, Komisioneri për Zgjerim, Hahn, shkruan se është i trishtuar dhe shqetësuar nga seria e tërmeteve shkatërruese, me qindra të lënduar dhe dëme serioze në infrastrukturë.
“I trishtuar dhe i shqetësuar të mësoja për lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit në Shqipëri, të cilat kanë lënduar më shumë se 100 persona dhe kanë shkaktuar dëme serioze për infrastrukturën. BE ofron menjëherë ndihmë përmes Mekanizmit te Mbrojtjes Civile Evropiane “EU CivilProtection Mechanism”, shkruan Hahn.
Qytetarët e Durrësit ende nuk e kanë marrë veten nga lëkundjet e forta të tërmeteve të së shtunës. Pjesa më e madhe e tyre e kanë kaluar natën jashtë, në oborre shtëpish, makina, lulishte si edhe pranë çadrave që Bashkia e Durrësit ka ngritur pranë Stadiumit. Në mëngjes qytetarët janë rikthyer në banesa për të parë dëmet që kanë shkaktuar tërmetet e fuqishme. Këto janë dëmet në lagjen numër 4 në Durrës. Qytetarët ankohen për cilësinë e punimeve, ndërkohë që kërkojnë ndihmë nga shteti. Ndërkaq, me urdhër të Kryeministrit, e gjithë administrata e rajonit të jugut është e angazhuar në Durrës, për të verifikuar në kohë reale dëmet e lëkundjeve në qytetin bregdetar.
Dëmet nga tërmeti dhe çadrat e emergjencave civile në Tiranë
Paniku nga tërmeti i një dite më parë bëri që shumë qytetarë ta kalojnë natën e mbrëmshme jashtë në sheshe dhe qendrat pritëse të emergjencave që u ngritën. Nga mesnata deri në orët e para të mëngjesit në 6 zona të ndryshme të Tiranës u instaluan çadra, ndërsa punonjësit e policisë, bashkisë dhe zjarrfikëses kanë orientuar qytetarët që kërkonin ndihmë.
Shumë qytetarë kanë raportuar pranë njësive administrative dhe çadrave të ngritura demet në banesa duke kërkuar ndihmë për t`i riparuara ato. Drejtuesja e njësisë administrative nr.5 Violeta Killa tha se fluksi i raportimeve ka qenë në rritje gjatë paradites ndërsa grupet e verifikimit që janë ngritur shkojnë në çdo adresë që raportohet.
Në zonën e njësisë nr.5 raportohen 5 pallate me krisje dhe një numër banesa private të dëmtuara. Ky këtu është pallati që të gjithë e njohin si pallati i Gëzim Kolaverit, pranë Komunës së Parisit. Çarja në shtesën mes dy pallateve është e madhe dhe kjo ka krijuar panik të madh mbrëmë te banorët.
Një tjetër qendër pritëse emergjencash ishte edhe palestra pranë shkollës Betim Muço në Kombinat. Shumë banorë të Kombinatit kaluan natën në palestër ndërsa të tjerë në lulishte.
Shumë ndërtesa 2 dhe 5 katëshe 50 vjeçare kanë pësuar dëmtime të dukshme. Ky pallat është në rrugën Haki Stermilli. Banorët janë të traumatizuar nga dëmet në mure dhe trarë ndarës dhe kane frikë të qëndrojnë në shtëpi. Grupet e verifikimit të dëmeve në njësisë administraive 6 hyjnë në apartamentet e 10 pallateve të raportuara me dëme duke mbajtur shënime dhe duke orientuar banorët
Ky është një tjetër pallat me ri, i ndërtuar nga firma Alb Ital Konstruksion. Çarja e dukshme në fasadën e jashtme të pallatit dhe brenda në mure ndarës e trarë të banesave ka vendosur në panik qytetarët
Më të traumatizuarit vazhdojnë të jenë fëmijët një pjesë e të cilëve refuzojnë të hyjnë në banesa nga frika e përsëritjes së përjetimeve të një ditë më parë
Çadrat e qendrave pritëse të emergjencës do të vazhdojnë të jenë të hapura edhe sot gjatë natës dhe do të presin çdo qytetar në nevojë për strehim dhe ushqim.