Lideri serb i Partisë Liberal-Demokrate (LDP), Çedomir Jovanoviq, ka thënë se “rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë i sheh si shprehje e nevojës për rifreskim të skenës së brendshme politike në Kosovë, por edhe në raport me Serbinë”.
Sipas tij, “Kosova ka treguar hap të madh të kulturës demokratike në procesin zgjedhor, dhe tani është koha që ajo energji të shkojë kah bashkëpunimi rajonal”, raporton B92.
“Shpresoj që në Prishtinë do të formohet shpejt qeveria e re me shumicë të qëndrueshme në parlament, i cili do të ketë fuqi të arrijë marrëveshje me Beogradin të cilën shoqëria në Kosovë do ta kuptojë e pranojë”.
“Sot nga Beogradi e sulmojnë Kurtin me gjuhën e përdorur para secilës katastrofë në rajonin tonë, dhe deklarata të tilla nuk kanë vend në politikën tonë. Nëse e zgjedhim fjalorin e të ’90-ave, atëherë rezultati nuk mund të jetë i ndryshëm përveçse tragjedi të cilën veçse e kemi përjetuar. Kurti nuk është kërcënim për Serbinë, por shans, për shkak të shpresës që shoqëria kosovare ka në të, dhe për shkak të mbështetjes që gëzon. Në deklaratat e Albin Kurtit se dëshiron të bisedojë me serbët në Kosovë, dhe jo vetëm me Beogradin, duhet ta shohim si shans për integrim më të madh të serbëve në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Duhet uruar fituesit dhe t’u dëshirojmë edhe njërit edhe tjetrit sukses në bisedime të cilat duhet të na çojnë deri në zgjidhjen e problemit të Kosovës”, ka thënë Jovanoviqi.
****
Jovanoviq - i cili njihet si përkrahës i kamotshëm i qëndrimit që Serbia duhet të pajtohet se e ka humbur Kosovën, dhe se Beogradi do të duhej të kishte qenë i pari që ta njihte pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 – tha se në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë është e qartë çka kërkon Prishtina, porse mbetet e pathënë ajo që dëshirohet nga Beogradi, meqë synimin që e ka Serbia nuk po guxon ta deklarojë.
Dhe ky është - tha ai - shkëmbimi i veriut me vendimin e Serbisë për njohje të Kosovës...