E vërteta për Tahir Efendi Llukën
NJË MOHIM - SHTREMBËRIM I SKËNDER LLUKËS PËR TAHIR ADEM EFENDI LLUKËN (1)
Arif MOLLIQI
(Në gazetën “Bota sot”, kohë me parë ishte një shkrim i Mr. sc. Skënder Llukës “Një personalitet dhe erudit i njohur i shekullit nëntëmbëdhjetë”, që i dedikohej Haxhi Alim Tahir Efendi Lluka – Gjakova (1825-1907). Ndryshe, në atë shkrim, autori e ngatërron veprimtarinë e Tahir Efendi Llukën me Haxhi Alim Tahir Efendi Gjakovën. Shkrimi nuk kishte mbështetje në fakte, dokumente dhe në asnjë studim të besueshëm. Fatkeqësisht ai shkrim ishte mbështetur më shumë në rrëfime familjare, shokë dhe miq).
Krahasimi është masë mbretërore e një standardi. S´kam si të mos e marr si pikë referenciale në këtë reagim timin për ngatërresën e Mr. sc. Skënder Llukës (tani e tutje S. Lluka) për shkrimin “Një personalitet dhe erudit i njohur i shekullit nëntëmbëdhjetë”, që i kushtohet Haxhi Alim Tahir Sylejman Efendi Lluka – Gjakova (1825-1907), për dallim nga Tahir Adem Efendi Lluka. Ky sqarim, që t´i iki keqkuptimit, nuk bëhet për ta mohuar Haxhi Alimin e S.Llukës, po ka qëllim për shprishjen e ngatërresës së krijuar nga ky autor, gjatë përpunimit substancial të biografisë se këtyre dy personaliteteve të kulturës sonë. Në këtë prizëm shoh se S. Lluka ka bërë një ngatërresë, ndoshta pa qëllim, por më duket se më shumë ka ardhur si mungesë e kërkimit dhe hulumtimit serioz. Por, nga një anë tjetër duket sikur autori ka dashur që “Alimin” e vet ta nxjerr nga “lokalizmi provincial”, d.m.th. ta heq nga “katundi” se sipas kutit të tij eruditi nuk mund të jetë nga "katundi", pasi, gjithmonë sipas tij, provinca nuk po “pjellka” erudit(?!), sepse ai gjatë gjithë shkrimit e mohon veprimtarinë kulturore, filozofike, edukative dhe atdhetare të Tahir Adem Efendi Llukës.
Gjatë tërë shkrimit S. Lluka, nuk ka bërë përpjekje të prezantoj faktet, nëse i ka apo ekzistojnë ato, sikurse do të duhej që të paraqiste ndonjë dokument faktik dhe të besueshëm në të cilin Alimi i tij është ai që e prezanton; krijues, erudit, filozof e tjera. Ai edhe kur i përmend veprat e Tahirit (pjesa e shtatë, faqe 15, e 30 prill 2012), nuk thotë nga i ka marrë ato shënime, nga cila arkiv, nga cili autor...?!, mbase po ia rikujtoj se këto të dhëna janë publikuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, e shtune, 8.02.1986, faqe 16, me autor Arif Molliqin dhe tek vepra “Përplasje”, po me autor Arif Molliqin, botoi "Fakti", Shkup, 2000.
Tjetra, ky autor, nuk na e thotë edhe një arsye, një provë që u dashka mohuar veprimtaria dhe autorësia e disa dorëshkrimeve të Tahir Adem Llukës, e as, në cilën arkiv i paska gjetur shënimet e “mohimit”(?!). Në cilën shkrese-dokument arkivor ka gjetur se “është ky e, jo ai”(?!). Nuk është lodhur fare ti referohet ndonjë studiuesi të historisë se shkrimeve të hershme shqipe, që i vërteton “zbulimet” e tija. Pse nuk ka dhënë asnjë shënim bibliografik nga e ka marrë të dhënat, edhe ashtu folklorike, por mbështetët se; X e Y kanë thënë, kanë tregu, kanë fol.
Autori harron se shkenca nuk ndërtohet mbi bazën e bisedave të rastit, në të kundërtën nëse ka mundur të ndodhë, për çka nuk ma merr mendja, se argumentet e tij (qofshin si fusnota), iu paskan avulluar për shkak të thyerjes teknike te gazeta, përsëri nuk e nxjerr nga kriza për shkrimet me hamendje e kuturu.
1. Çka kanë të përbashkët Tahir Efendi Lluka dhe Haxhi Alim Tahir Sylejman Lluka, dhe çka dalluese?
Fshati Llukë e Epërm
Sado që ekzistojnë shumë dallime mes këtyre dy autorëve, dallime këto qofshin në kohë, hapësirë dhe në vet veprimtarinë e tyre, që t´i ik keqkuptimit unë do flas vetëm për Tahir Adem Efendi Llukën, e nga ky prezantim të nxirret e gjithë ajo që kërkohet. Mbase, unë s´kam të drejtë ta mohoj, as nuk ma lejon etika që të shfaq një përbuzje ironike për Haxhi Alim Tahirin e S. Llukës. Çka një gjë të tillë ai e bën shpesh për Tahir Adem Efendi Llukën gjatë shkrimit. Mua nuk me lejohet të mohoj ekzistencën e Alimit të S. Llukës, as rrëfimeve të atyre shumë intelektualëve, bashkëbiseduesve, farefisit të Alimit, pasi ata kanë të drejtë të flasin për njeriun e tyre çfarë të dëshirojnë dhe si ata mendojnë më së miri për te. Ashtu siç nuk kam unë të drejt t'i ngatërroj këto dy personalitete që jetuan afërsisht në të njëjtën kohë, por nuk punuan dhe vepruan bashkërisht, do të duhej të vepronte edhe S. Lluka.
Pra, që t´i ik keqkuptimit, dua të sqaroj që në fillim se unë nuk e mohoj personalitetin e Haxhi Alim Tahir Sylejman Efendi Llukës, por e them se; Tahir Adem Efendi Lluka ka qenë një tjetër personalitet, ka qenë njëri ndër intelektualet me të mëdhenj të kohës se vet, atëherë kur edhe ka veprua, duke lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare me veprat e veta, me veprimtarinë e vet, me filozofinë e vet. Këtë që po e them do ta argumentoj me fakte, dokumente, dorëshkrime, vjersha, që kanë mbetur edhe sot, kurse Skënder Lluka për fat të keq as nuk i ka përdorur dhe as nuk iu ka rferuar, gjatë shkrimit për Haxhi Alimin Tahir...
Po, a kanë diçka të përbashkët këta dy personalitete? Kanë. Së pari; që të dytë kanë emrin “Tahir” dhe mbiemrin “Lluka”, për çka dhe për rrethanat e asaj kohe, mund të krijojnë dilema e hutime, por jo për studiuesit dhe hulumtuesit e zellshëm. Të dytë i kanë takuar nahijes së Gjakovës, ngase fshati Llukë e Epërm deri te lumi Lumëbardhi (Bistrica) i Deçanit i ka takua nahijes së Gjakovës. Dhe se, të dytë janë shkolluar në Stamboll, kurse për Haxhi Alim Tahir Efendinë mësojm nga Skënder Lluka, se qenka shkolluar edhe më tej.
Tahir Efendi Lluka e ka marrë mbiemrin Lluka nga se ka lindur në fshatin Llukë e Epërm të Deçanit. Edhe Haxhi Alim Tahir Efendia, (gjithmonë duke iu referuar S. Llukës), sado që i lindur në Gjakovë, nga babai Sylejmani, ka marrë mbiemrin Lluka, ngase familja e tij paska prejardhje po ashtu nga Lluka e Epërm, nga familja e Nimon Demës (Neziraj) e, që qenkan shpërngul në Gjakovë diku pas vitit 1585(?!).
Më duket se pikërisht këtu fillon gabimi i parë i S. Llukës. Së pari autori nuk është bindës me asnjë dokument rreth kësaj “shpërngulje”, ngase ai nuk e di se familja e Nimon Demës ka ardhur në Llukë të Epërm shumë më vonë nga fshati Isniq. Nga familja e N. Demës ka pas të dalë në Gjakovë, por jo me 1585, por pas vitit 1820. Për biografinë e një familje (sidomos për shkencën e shkencëtarin), koha prej afër treqind vitesh është e madhe.
Kurse, në pjesën e katërt, faqe 18 e datës 27 prill, autori (S. Lluka), thotë se ; “Haxhi Alim Tahir Efendi Lluka ishte nipi i Haxhi Himë Kastratit, njeriut më të fuqishëm të Nishit...”, se është nip nga trungu i babës apo trungu i nënës, këtë ai nuk e shpjegon(?!), ngase, po të thoshte se ishte nip nga trungu i babait, atëherë do të binte ndesh me të gjitha pohimet e tij se Haxhi Alimi ishte nga Lluka.
E shohë të nevojshme ta ritheksoj se autori i këtij shkrimi me gjithë angazhimet e shumta dhe hulumtimet e thella për këtë autor, gjer më sot, siç thamë me gjithë kërkimet e shumta nuk ka arritur të gjej ndonjë shkrim, dokument a vepër me autor: “Haxhi Alim Tahir Efendi Lluka” por vetëm si “Tahir Efendi Lluka”.
2. Pse Skënder Lluka me aq nënçmim e mohon veprimtarinë e Tahir Adem Efendi Llukës?
Në vazhdimin e tretë të shkrimit; “Haxhi Alim Tahir Efendi Lluka-Gjakova- (1825-1907), figurë poliedrike në magjinë e shkrimit shqip”, (E enjte, 26 prill 2012, faqe 15), autori duke u mundua ta ngritë sa më lartë “personazhin” e vet, jo që bënë lëshime profesionale e shkencore, por shkon edhe me larg duke mohuar e injorua të tjerët. Ja çfarë thotë: “Nuk justifikohet assesi që niveli i këtij kolosi të zbret dhe të nëpërkëmbet në nivel të imamit të një fshati që nuk përket me namin dhe emrin e këtij mendimtari të madh shqiptar...”, për të vazhduar edhe duke “këshilluar” se; “Nuk është mirë të polemizohet me sindromën e urrejtjes se gjoja (Tahir Adem Efendi Llukën - plotësim i autorit) nuk e paskan pasur në sy të mirë pushteti turk...”.
Autorin Skënder Lluka, si duket sindroma e urrejtjes a e fobisë nuk e paska lejuar t'u shkoj gjërave sipas kulturës hulumtuese dhe të një studimi shkencor, nëse përnjëmend e ka pasur për ta mbrojtur Haxhi Alim Tahir Efendinë, gjërave është dashur t´u qasej më me seriozitet. Unë nuk e di e, as që kam lexuar deri më sot, se dikush paska tentuar ta “ulë” në nivel katundari Haxhi Alim Tahir Efendinë Alimin siç pretendon autori në fjalë. Dhe, pavarësisht nga dëshira a urrejtja e autorit, më duhet t'ia rikujtoj atij se Tahir Adem Efendi Lluka, ka qenë imam, dhe kjo është e vërteta, por imam në një qendër të madhe të kohës, siç ishte Stambolli. Pastaj,“Tahir Efendi Lluka, ishte edhe myderriz në Shkollën e lartë fetare Fatih në Stamboll”, shih: (J. Vreto, Mendime mbi shkrimin e gjuhës shqipe, Vepra të zgjedhura, 263, i shkruar më 1879 në 27 faqe, ruhet në AQSH të Shqipërisë, Fondi 21, dos. 5)
Pra, ai s´ka qenë imam në ndonjë fshat a katund(?!), siç pretendon ta nxjerr S. Lluka, bile me nënçmim dhe përbuzje (?!). Por, edhe sikur të kishte qenë e vërtetë ajo që S. Lluka e pohon në shkrimin e tij, kjo gjë nuk do t´ia ulte aspak vlerën personalitetit të Tahir Adem Llukës.
Tjetra, nëse (S. Lluka), mund ta argumenton se “janë të pa baza disa pohime të cilat provojnë të justifikojnë që Tahir Efendi Lluka në vitin 1908, hapi mejtepin në xhaminë e fshatit Lluka e Epërm. Mejtepin e ka hapur imami Tahir Adem Mulliqi, dhe kjo shkollë nuk ishte shkolla e pare shqipe në Kosovë...”, por vetëm në Llukë dhe në rrethinën e Deçanit.
Për të gjitha këto pretendime të qëllimshme, apo lajthitje shkencore do mundohem t´iu jap përgjigje, por jo si “sindromë e urrejtjes” e as duke këmbëngulur se gjithçka që e kam thënë apo po e them unë, e ka përfunduar a po e përfunduaka zbulimin për veprimtarin e Tahir Adem Efendi Llukës. Për mua më rëndësi është të dihet saktësisht kush janë autorët e atyre veprave që gjenden në Arkivin e Kosovës, (Fondi i Mulla Jusuf Latës nr. 191/1, 191/2 dhe 191/3), e për të cilat me ndihmën e vet Jusuf Lataj, në vitin 1986, kisha bërë një publikim në gazetën “Rilindja" të datës 8 shkurt1986, faqe 16.
Po ashtu, do mundohem të mos e lëndoj në asnjë variante as autorin e shkrimit, por as figurën e Haxhi Alim Tahir Sylejman Llukës, për çka është angazhuar S. Lluka.
KUSH ISHTE TAHIR ADEM EFENDI LLUKA? (2)
Ndër ato personalitete që lanë emër në fushë të kulturës shqiptare të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, më një frymë fetare moralizuese, është edhe Tahir Efendi Lluka. Ky krijues moralizues, i takon kohës kur letërsia shqipe kishte filluar hapa të një ecjeje përpara, ecje kjo më alfabetin arab dhe e ndikuar nga kultura dhe letërsia e Lindjes. Ndonëse dominohej nga ilahit (lutjet) fetare dhe me frymën islame e turke, të përkthyera apo origjinale, thelbësorja e tyre ishte se filloi të ringjallët dhe të rritet përvoja e shqiptarëve që edhe mësimet fetare islame të hynë gjithnjë e më shpesh dhe më fuqishëm në shërbimin e çështjes kombëtare shqiptare, të identitetit etnik, të kulturës shqiptare. (A. Molliqi: “PËRPLASJE”, faqe 92, botoi "Fakti", Shkup 2000 dhe gazeta “Bota sot”, 30 gusht 1999).
Edhe Tahir E. Lluka i takoj plejadës së intelektualëve shqiptar që tërë veprimtarinë e vet ia kushtoj çështjes shqiptare dhe se nuk ishte vetëm një imam xhamia siç pretendojnë ata që nuk e njohin bibliografinë e tij. Meqenëse çështja e imamit s´është këtu çështje e këtij observimi, ne do mundohemi këtu të tregojmë disa nga gjurmët që i la Tahiri në kulturën, letërsinë shqipe dhe në veprimtarinë kombëtare në përgjithësi gjatë Rilindjes sonë Kombëtare. Nuk do të përmendim as arkivat e Stambollit, sa për t'i përmend, e që nuk kemi akoma fakte konkrete të prezantuara, nuk do të përmendim as numrin prej 31 Veprave e dorëshkrimeve të mbetura diku në arkiva ose tek familja që; disa qenkan humbur në Mitrovicë, disa në arkivat e Tiranës, bile mbas vitit 1946(?!). Këtë hë për hë nuk e themi pasi s´kemi gjë konkrete. S´do shkruajmë as për 160 këngët fetare, e që për lexuesin, studiuesin nuk mund të prezantojmë asnjë këngë, asnjë varg. Këto shifra prej 31 Veprave dhe dorëshkrimeve, për 160 këngët e Haxhi Alimit ndoshta një ditë do të na i afron Skënder Lluka, ashtu siç i përmend këto shifra në vazhdim të shkrimit ditën e pestë, faqe 18, 28 prill 2012, por për fat të keq pa sjell asnjë fakt, asnjë argument të besueshëm.
Tahir (Adem) Efendi Llukën do ta paraqesim aq sa kemi fakte për te, aq sa kemi mundur deri më tani t'i mbledhim të dhënat në terren. Nuk i nënshtrohem hamendjes, thashethemeve, rrëfimeve e, as tregimeve që nuk përputhen me kohën dhe me argumentet e besueshme, e që duhet të jenë faktik e shkencor.
Tahir (Adem) Molliqi, që është i njohur si Tahir Efendi Lluka, ka lindur në fshatin Llukë e Epërm të Deçanit nga familja e Molliqëve e jo sipas S. Llukës “mulliçi”. Nuk dihet viti i lindjes, sado që thuhet se lindi aty mes viteve 1830 - 40. Në moshën e re shkoj asqer i Turqisë, sepse nga tre vëllezërit (ishte vëlla me Bajramin dhe Ibishin), atij i takoj ta kryente „obligimin“ ushtarak në emër të familjes së tij.
Tahirin, Perandoria turke, (sigurisht për shkak të talentit që kishte treguar), në vend se ta dërgonin në luftë, e dërgojnë në një shkollë fetare. Si nxënës i mirë, atij ju mundësua të vazhdoj shkollimin e lartë ku mbaroi me sukses dhe u emërua myderriz i një xhamie të Stambollit e më vonë profesor në Shkollën e Lartë „Fati“ të Stambollit. Për të satën herë na ka rënë të përmendim se ky krijues, ishte myderriz në Fatih të Stambollit e jo imam katundi. Kjo është dëshmi më e mirë që flet për rëndësinë e tij kulturore arsimore kombëtare për kohën kur edhe jetoi. “Në këtë institucion kulturor, ky krijues veproi kryesisht në kohën sa këtu udhëhoqi si rektor dhe si personalitet i Universitetit Hoxha Tahsimi (vdiq më 8 VII. 1881), por ishte në lidhje për veprimtari kulturore kombëtare edhe me Jani Vreton. Me gjasë, pas “komprometimit” të Hoxha Tahsimit, hedhjes së tij në lëvizjen e Rilindjes për alfabetin e shqipes, më 1874, u komprometua edhe Tahir E. Lluka", gjë që ai u kthye në Kosovë. (M. Pirraku, në “Kultura Kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”..., faqe 393, Prishtinë, 1989), prandaj nuk e kuptoj pse S. Lluka nuk do ta pranoj se Tahir Adem Efendi Lluka ishte person i padëshiruar nga pushteti?! Bile ai na propozon që mos të merremi më ketë çështjen e komprometimit ngase personazhi i tij, sipas S. Llukës, ka qenë një i përkëdheluri i Turqisë.
Mirëpo ky „komprometim“ i Tahirit lidhet edhe më disa veprime të tija. Ai disa herë është kthye në fshatin e lindjes në Llukë të Epërm ku ndërtoj Mejtepin më 1887.
Duhet t´ia sqaroj z. S. Lluka, se para mejtepit të Tahir (Adem) Efendi Llukës, në Llukë të Epërm nuk kishte kurrë xhami e as mejtep tjetër, as edhe të rrënuar siç thotë ai. Sipas gojëdhënës në Llukë kishte në shek. XI-XII, ose më herët një kishë që përmendet si “Kisha e Zefit”, ai vend sot quhet edhe “Arat e Zefit”. Prandaj, nga i nxjerr të “dhëna” S. Lluka për “mejtepin ose xhaminë e rrënuar” në Llukë, nuk e di. Ashtu siç nuk është e saktë se në vitin 1905, në Llukë të Epërm “Hasan Efendi Lluka e ka hap-riparua Mejtepin e Llukës”. (Kështu shkruan S. Lluka në vazhdimin e tretë, datës 26 prill).
SHKOLLA E LLUKËS; NDËR SHKOLLAT E PARA SHQIPE NË KOSOVË (3)
Në Mejtepin e Llukës, mësimi është bërë në gjuhën shqipe me alfabetin e Tahir Efendi Llukës.
Kur Tahir Adem Lluka ishte kthye nga Stambolli, ai nuk kishte mjete sa duhet për ta ndërtua mejtepin andaj e shiti pjesën e pasurisë se tij, patundshmërinë – arat e tij, që edhe sot e kësaj dite, në Llukën tonë, ato ara quhen “Arat e Tahirit”, dhe me ato mjete ai e ndërtoi mejtepin - shkollën e parë, jo vetëm në Llukë por në gjithë territorin e Deçanit.
E kur e kishin pyetur Tahir Adem Efendi Llukën; pse nuk po e ndërtonte një xhami. Ai ishte përgjigjur; "Xhamia është vend vetëm për t´u falë, për lutje Zotit, kurse Mejtepi mund ta kryen edhe rolin e xhamisë edhe të shkollës", kurse vendi ynë ka nevojë për shkollë. Në këtë shkollë, të ashtuquajtur „Mejtep“, Tahir Lluka, angazhoj një imam i cili përveç që kryente ritet fetare, ai duhej t'i mësonte edhe shkrim-leximin shqip me alfabetin arab, alfabet ky i përpiluar nga vet Tahiri me 1878, i njohur si „Alfabeti i Tahir Efendi Llukës”. Ishte kohë kur veç kishin përpiluar alfabete edhe Veqilharxhi 1844, Tahsini 1874. Me këtë Lluka luftoj që të bëhet kthimi i xhamisë turke në xhami shqiptare dhe në shqiptarizimin e fesë islame. (M. Pirraku: “Kultura Kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, faqe 510, Prishtinë 1989).
Kur S. Lluka thotë se Haxhi Alim Tahir Lluka (i tij) e paska ndërtuar xhami - mejtepin në Llukë, vetvetiu shtrohet pyetja, pse atëherë ai nuk e kishte ndërtua Mejtepin në tokën e të parëve të tij (në tokën e Nimondemajve), por në tokën e familjes Molliqaj?! Sot, e gjithë ditën, po t'i pyesësh afër dymijë banorët e fshatit Llukë e Epërm, të gjithë do të tregojnë se Mejtepi është në tokën e molliqëve, pronë e familjes së Isuf Bardhoshit - Molliqaj, pastaj të gjithë e dinë se Tahir Efendi Lluka i cilës shtëpi - oxhak ishte dhe i cilës familje.
Tahir Adem Lluka, pasi hapi shkollën e parë shqipe, kthehet në Stamboll por menjëherë burgoset dhe që nga ajo ditë kurrë më nuk është ditur saktësisht për te, sado që viti i vdekjes merret viti 1908, vit kur arrestohet, apo viti 1908, ndoshta është viti kur Tahir Lluka ekzekutohet, ose, dënohet me vdekje për veprimtari patriotike shqiptare që binte ndesh me pushtetin e Turqisë. Në vitin 1909, i vëllai i Tahirit, Bajram Ademi me ndihmën e Zajmit të Gjakovës, ka shkuar ta vizitonte Tahir Efendi Llukën në Stamboll, por atje bashkëshortja e tij që tashmë jetonte tek familja i tregon se; Tahirin e kishin marrë një mëngjes dhe s´është kthye më në shtëpi. (Kjo e dhënë është marrë nga Ali Bajrami, që Tahir (Adem) Efendiun e kishte axhë (vëlla të babës), i lindur me 1884 - 1970, i cili kishte jetuar për pak kohë me axhën e vet. Deklaratën e ka të dhënë në vitin 1969).
Mejtepi i Tahir Efendi Llukës njëra prej Shkollave të para shqipe në Kosovë
Ekzistojnë të dhëna bindëse se Shkolla e parë shqipe në rrethin e Deçanit është mbajtur në mejtepin e Llukës menjëherë pas vitit 1889. Prandaj, kur e themi këtë ne mbështetemi në shënimet e gjetura gjer më tani, mbështetemi në argumente dhe jo rrëfime individuale. Ne nuk kemi pretendime që t'ia kufizojmë dikujt hulumtimet dhe gjurmimet për të gjetur të vërtetën. Prandaj, nëse dikush ka fakte, dokumente që e thonë të kundërtën e kësaj, ne i pranojmë, bile i jem mirënjohës, por jo me retorikë, me pallavra dhe fjalë boshe, të pretendohet për t'u mohuar argumentet e njohura gjer më tani.
Kështu, i pëlqej apo jo kjo gjë edhe Skënder Llukës, konstatimi i argumentuar shkencërisht është se ndër shkollat e para shqipe në Kosovë është pikërisht Shkolla e Llukës. “Mektepi i Tahir Efendi Llukës-shkolla e pare shqipe ne Kosove”, (Dr. Abdullah Hamiti, "Dituria Islame", nr. 222 Prishtinë dhe, Abdullah Hamiti, "Angazhimi i Tahir Llukës për arsimin kombëtar shqiptar", referat i mbajtur në temën "Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", (Simpozium Ndërkombëtar, më 15-17 tetor 1992), Prishtinë 1995, faqe 386 - 391).
Në monografinë për Deçanin, kemi hasur të dhëna se;“vitin 1909 në xhaminë e fshatit Carrabreg punoj shkolla e parë shqipe me alfabet arab, me mësues Mulla Adem Dautajn që është shkolla e parë e këtij lloji në këto anë”, (Deçani - monografi, F. Mehmetaj dhe F. Ramosaj, faqe 505). Ky mendim sado që i rëndësishëm të duket, për çështje korrektësie na duhet të themi se: nuk qëndron, dhe është plotësisht i pasaktë. Këtë e vërteton e dhëna se nga viti 1889, “në Mejtepin e Llukës kanë dhënë mësim personalitete të njohura, në mesin e tyre dallohet Haxhi Kahriman Peja, i cili ishte ndër mësuesit dhe pedagogët e parë në Mejtepin e Llukës”, (Sh. Dibrani, “PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS", libër në dorëshkrim). Këtë mësues e angazhon profesori i Shkollës së Lartë Fatih në Stamboll, Tahir Lluka duke e udhëzuar që mësimin ta mbaj në gjuhën shqipe, sipas alfabetit arab, gjegjësisht duke përdorur “alfabetin e Tahir Efendi Llukës” i përpiluar në vitin 1878, (M. Pirraku, "Kultura Kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1989, faqe 510).
Në Mejtepin e Llukës, mësimi është bërë në gjuhen shqipe me alfabetin e Tahir Efendi Llukës, kurse pjesa fetare është bërë në turqisht, persisht dhe arabisht. Haxhi Kahriman Peja ka qenë i shkolluar në Shqipëri, kurse nxënës të tij ishin nga Lluka, Carrabregu, Isniqi, Deçani. Nga Lluka ka qenë Bajram Rrustemi, Zeqë Bajrami, Haxhi Bajram Januzi, Brahim Dauti, Ali Bajrami e ndonjë tjetër. Bajram Rrustemi dhe Brahim Dauti kanë lexuar dhe shkruar edhe arabisht dhe turqisht. Bajram Rrustemi ka shkuar edhe në një shkollim pak më të lart që merrej në Medresenë e Pejës.
Pse është e rëndësishëm ti përmendi këta nxënës?
Ngase në shumë shënime të gjetura kohëve të fundit pikërisht Zeqë Bajrami, nxënës i këtij Mejtepi kishte mësuar të shkruante me alfabetin e Llukës dhe se ai në dorëshkrimet e tija kishte lënë gjurma të pamohueshme se dorëshkrimet e gjetura tash se fundi, janë vepra të Tahir Adem Llukës. Por për këtë do ndalemi kur do flasim për dorëshkrimin “Risale-i hafize”.
Kur burgoset Tahir Efendi Lluka në Stamboll pasi ishte në kontakt me Hoxha Tasimin dhe Jani Vreton, autoritet e Turqisë e mbyllin shkollën në Llukë dhe për një kohë ajo rri e mbyllur.
Më vonë mësues në Mejtepin e Llukës është bërë Bajram Rrustem Shala, që kur e ka nisur punën e mësuesit, nxënës i ka pasur disa edhe më të vjetër sesa veten. Një ndër nxënësit e Bajramit ka qen edhe këngëtari i mirënjohur Dervish Shaqa, që ishte po ashtu nga fshati Llukë. Në këtë brez kanë qenë edhe Nur Dauti, Smajl Rama i Llukës, kurse Hasan Bajrami, e pat mbaruar shkollën për hoxhë në Gjakovë, te Imam Fahri Efendi Ilazi, i cili mësoi një brez të tërë duke i mbushur me ndjenja atdhedashurie. (Shefqet Dibrani, monografi në dorëshkrim për "PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS", libër ky që pritet të dali sivjet nga botimi).
Cilat gjurma i la Tahir Adem Efendi Lluka në kulturën shqiptare.
Gjurmë të aktivitetit të Llukës, janë një varg dokumentesh dhe shkrimesh që vërtetojnë për Llukën si një aktivist i dalluar në kulturën dhe në çështjen shqiptare, afërsisht gjatë viteve 1860-1900.
Meqenëse gjatë viteve 40-70 të shek. XIX ishte e pranishme tendenca që bektashizmi shqiptar të bëhej fe shqiptare e pavarur, edhe na dalin shumë ithtar të doktrinës filozofike bektashiane. Sidomos me shpejtësi në Gjakovë dhe rrethinë ndërtohen Teqe, afirmohen sektet e tarikatit e sidomos tarikati Halveti, tarikati Sadi, tarikati Kadiri, Melami, Bektashi, Rrufai e tjera. Qe të mos futem një fushe që nuk e njoh mirë, po e lë me kaq. I përmenda këto elemente, më shumë për të tregua se Tahir Adem Efendi Lluka nuk i takonte asnjë sekti të tarikatit, por i takonte frymës fetare Syni- vazhdues të Muhamedit a. s.
Tahir Efendi Lluka ishte shok dhe një mik i madh i Jani Vretos, çka Jani Vreto me 1878 shkruan për Llukën: „Tahir Efendia ma bëri të njohur në Stamboll një gjakovar, që quhej Hysen Efendi, duke më thënë sipas gojëdhënës, ai ishte një njeri i shenjtë dhe shkrojti shqip me shkronja arabe këshilla fetare në shumë dorëshkrime...“, (J. Vreto, "Mendime mbi shkrimin e gjuhës shqipe", Vepra të zgjedhura, 263, i shkruar më 1879 në 27 faqe, ruhet në AQSH të Shqipërisë, Fondi 21, dos. 5).
Mirëpo, e lëmë këtu çështjen biografike, që edhe ashtu akoma nuk kemi dokument ofiqari që tregon vitin e lindjes dhe të vdekjes, po i kthehemi veprës së Tahir Adem Efendi Llukës. Lidhur më veprimtarinë e Llukës siç dihet, janë marrë punëtorët shkencorë, në mesin e tyre edhe Akademik Idriz Ajeti, i cili në „Kërkime gjuhësore“ shkruan: "...E Lluka një „Mevlud“ të botuar në Stamboll“, kujtojmë se pikërisht për këtë „Mevlud“, që ekziston, është fjala. Edhe Robert Elsie e përmend Tahir Efendi Llukën, sado shumë pak, por viti i vdekjes 1908, tregon shumë. (Robert Elsie, “Historia e letërsisë shqiptare”, botimi i dytë, faqe 154, Dukagjini, Pejë, 2001)
TAHIR LLUKA ISHTE LIGJËRUES NË UNIVERSITETIN E STAMBOLLIT (4)
Dh. Shuteriqi, “Shkrime shqipe në vitet 1332-1850”, Prishtinë 1978, po ashtu përmend Tahir Efendi Llukën e jo Haxhi Alim Tahir Efendiun. Sikur gjer ne vitin 1969 te gjendeshin 31 veprat e Haxhi Alim Tahir Llukës në arkivin e Tiranës, si është e mundur qe këto vepra te mos studioheshin, ose futeshin ne shkrimet e Dh. Shuteriqit?!
Mirëpo këtu pa hyrë në analizën e gjithë asaj çfarë është shkruar deri tash për këtë autor të shekullit të kaluar, po nxjerrim ca shënime rreth tri dorëshkrimeve, që gjenden në Arkivin e Kosovës dhe „Mevludin“.
Ajo që është në interes për studiuesit (edhe të atyre që hamenden para veprave të Tahir Adem Efendi Llukës), është të shikohet se këto vepra janë të shkruara me alfabetin e tij për shqipen. “Kështu, në mungesë të veprës origjinale, jemi të detyruar që edhe këtë problem ta shndrisim mbi të dhënat që na i mundëson alfabeti që përdori Zeqir Bajrami i Llukës. Mendojmë se ky krijues e ndoqi besnikërisht grafinë e Tahir Efendisë, ...Tahir Efendi Lluka për alfabet të shqipes mori alfabetin arab, kurse për tingujt shqip që mungonin germat adekuate kombinoi germa të reja. Kështu, për shembull: vavin (9) e përdori për U-në, kurse vavin e stilizuar persiane ( )= e.... (M. Pirraku, "Kultura Kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, botoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1989, faqe 510).
“... Autori i përdori dy bashkëtingëllore për N-ne dhe për EN-in e viseve Llukë – Isniq - Deçan, gjë që është karakteristikë të kësaj ane në fillim të fjalës P.sh: en-arë, en-livadh, en-qytet, en-mal etj...”, (po aty, faqe 395).
6. Mevludi i Tahir Efendi Llukës
Për të satën herë është thënë se Mevludi është shkruar në vitin 1873 nga Tahir Adem Efendi Lluka, të cilin, pasi ky ishte person i padëshirueshëm për pushtetin, e botoi, më 1907, hoxha Tahir Halil Popova (1856-1949)... Botimi i këtij mevludi nuk u pëlqye edhe nga shkaku se inteligjencia kosovare e asaj kohe e dinte se vepra ishte e myderrizit Tahir Efendi Llukës. Gazeta "Drita", duke përfunduar kryeartikullin me të cilin informonte për botimin e kësaj vepre me leje të qeverisë turke, e kritikon Tahir Efendi Popovën pse Sulltanin e quante „gazi e fatih!“ dhe tërthorazi e vuri në spikamë pa ndërgjegjen e tij ndaj Tahir Efendi Llukës: “Në Kosovë këna disa hoxhallarë e ulema shqiptarë të vërtetë, por janë edhe disa hajna, si myftiu i Prishtinës, të cilët nuk njohin as Zot as Pejgamber, shesin din e iman për të holla e për nishane". (Gazeta „Drita“, nr. 91, Sofje, 15.VII. 1907,1. (Cituar sipas: M. Pirraku, në Kultura Kombëtare....faqe 394).
Ky mevlud nuk është dorëshkrim, por botim i rrallë, i cili është botuar në Stamboll. Ka edhe vitin e botimit. Në këtë botim në disa vende, përveç emrit të Tahirit, që është shkruar me germa të shtypshkronjës, kemi edhe emrin e tij të shkruar me dorë, me ngjyrë të kaltër. Nëse bëhet krahasimi me dorëshkrimin, mund të arrijnë në përfundim se ky „Mevlud“ është i Llukës.
Gjuha e përdorur në dorëshkrim dhe në „Mevludin“ e botuar në Stamboll, është e njëjtë dhe se jep të kuptohet se autori i këtij „Mevludi“ është Tahir Efendi Lluka, Andaj lypset një studim i thukët edhe gjuhësor nga ana e shkencëtarve, në mënyrë që kjo çështje të vërtetohet deri në saktësi. (Arif Molliqi, „Rilindja“ e shtune 8 shkurt 1986, faqe 16, dhe A. M. ”Përplasje”, Fakti Shkup, 2000).
7. “ARKAID- UL ISLAM“ (Filozofi islame)
Ky dorëshkrim ka 195 fletë të shkruara me laps grafik, ku disa vende shkrimi lexohet me vështirësi, pasi i janë shlyer germat dhe disa fletë janë të shqyera. Teksti është shqip me germa arabe dhe mbanë datën e shkrimit vitin 1312 H (sipas hixhrit) që domethënë - viti 1881. Për shkak të vështirësive për ta lexuar, ky vit mund të jetë edhe më i hershëm, ndoshta,1302 sipas hixhrit.
Dorëshkrimi është shkruar në fletore të trashë me vija të gjera në mënyrë horizontale nga e djathta në të majtë. Fletorja është e përbërë prej shumë fletësh të qepura me gjilpërë (punë dore) dhe të mbështjella me kopertina të trasha. Ky dorëshkrim ka përmbajtje filozofike, e më tepër fetare; merret me besimin e vjetër në shumë zota dhe fenomeneve natyrore, por edhe besimin në një zot.
Gjithsesi dorëshkrimi për temë ka edhe mirësjelljen e grave, edukimin mysliman e tjera. Madje, veprat e tij në vete ngërthen një Arkaid (apologji), që e fillon me konstatimin: “Gruaja a katil”, çka tregon se Tahir Efendi Lluka ishte antifeminist i madh.
Gjuha në „Arkaid-ul islam“ është mjaft e përzier me turqizma, por i ngjason rrethit të Llukës, Deçanit, Pejës dhe Gjakovës.
8. „RISALE-i HAFIZE“ (Urata e besimtarëve ose Liurat elmuminin)
Ky dorëshkrim gjendet edhe në versionin „Urata e besimtarëve“. Numri me të cilin evidentohet në AK, është 191/2. Dorëshkrimi ka 30 faqe, kurse në një faqe ka 18 rreshta. Ky dorëshkrim nuk është origjinal. Në disa fletë shkruan se është përshkrim nga origjinali dhe se përshkrimin e ka bërë bashkëvendësi i Tahir Llukës, e njëherë nxënësi i tij Zeqë Bajrami nga Lluka e Epërm, i cili ka vdekur në vitin 1948. Në këtë dorëshkrim shkruan: „Këtë qitap e ka kopjuar Zeqë Bajrami nga Lluka e Epërm, Kazaja e Gjakovës, në vitin 1335“. Origjinali i këtij dorëshkrimi është quajtur „Risale-i hafize“ apo nga dorëshkrimi „Urata e besimtarëve“. Përshkruesi i dorëshkrimit thotë se nga origjinali mungojnë disa fletë.
„Urata e besimtarëve“ bën fjalë për fiset e Rrafshit të Dukagjinit, për fisin Thaq dhe Shalë. Përshkruesi (Zeqë Bajrami) thotë se edhe Tahir Efendi Llukës çështjen e fiseve ia ka treguar njëfarë Emini, për të cilin nuk jepen kurrfarë shpjegimesh të mëtejme, por supozohet se është fjala për një pleqnar të fshatit të Llukës së Epërm të asaj kohe.
Është karakteristikë se përshkrimi (kopjimi) është bërë me ngjyrë të kuqe në të kaltër. Përndryshe, kjo ngjyrë edhe sot përdorët në këtë fshat, sepse përfitohet nga një bimë, që gjithashtu rritet në këtë fshat.
9. „ RISALE-i AH-LAK“ (Broshurë mbi moralin)
Me vulën e Arkivit të Kosovës është edhe dorëshkrimi „Risale-i Ah-lak“ që ka 215 fletë, mban numrin 191/3, viti i shkrimit është 1311 sipas hixhrit. Ka mundësi që këtij dorëshkrimi t´i mungojnë disa fletë. Në fillim të dorëshkrimit shkruan: „Shkruesi i këtij qitapi asht Tahir Efendi Lluka”, kurse në një fletë pa numër shkruan: “Në këtë qitap janë kallxu të gjitha meseletë për arkaidin“, (arkaid-filozofi).
Dorëshkrimi është i ndarë në 22 pjesë (kapituj), të cilat veç e veç shpjegohen, e pastaj për të gjitha jepet një shpjegim përmbledhës. Renditja kronologjike e këtyre kapitujve të dorëshkrimit është bërë në këtë mënyrë: 1) Rrena, 2) Morali, 3) Mendjemadhësia, 4) Gajbetë fjalët, 5) Përgojimi, 6) Përgojimi pas shpine,7) Nemamlluki-dorështrenjti, 8) Sadaki pa hile, 9) Zineja, 10) Hajnia e tjera.
Në këtë dorëshkrim më së miri mund të vërtetohet se në çfarë dialekti dhe si e përdori Tahir ef. Lluka gjuhën shqipe në shkrimet e ti.
10. Poezia edukativo-patriotike e Tahir Efendi Llukës
Se vërtet ishte intelektual i madh, dëshmon edhe e dhëna se ai një kohë ishte ligjërues në Fatih (shkollë e lartë islame) të Stambollit, në kohën kur rektor i Universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsini.
Tahir ef. Lluka në vitin 1889, në vendlindjen e tij, në Llukën e Epërme, nahija e Gjakovës, ndërtoi mejtepin dhe, siç thuhet në popull, për të punuar si mësimdhënës, krahas vetes, kishte angazhuar një hoxhë, i cili merrte pagë mujore. Në këtë shkollë fillore mësohej shqip, kuptohet me grafi arabe. Por me rëndësi është se mësohej shqip dhe mbase ajo ishte ndër shkollat e para shqipe në Kosovë, kuptohet pas një sundimi të gjatë e obskurantist të Perandorisë Osmane. Për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e punës së shkollës, Tahir Lluka kishte hapur një dyqan në një dhomë të mejtepit. Të dhëna të shkruara për mejtepin në Llukën e epërme, kemi pikërisht nga vetë Tahir Lluka, i cili në libërthin e tij “Risale-i Ahlak” (Broshurë mbi moralin) na njofton për angazhimin e tij që fëmijët të mund të mësonin shqip:
“Kur dot knojn kta voxhli nëpër Shqipni
merrni vesh ju gjith Shqipni jav marova temel t’ri
ky mas pari permu knue n’katund tem me shum oda,
krejt çaxhir me çereç djem e çika
per me knue ket temel t’ri
me guha t’veta per turçni (për muslimani - A.H.)”
LLUKA ISHTE HALË NË SY TË TURQISË PËR VEPRIMTARINË KOMBËTARE (5)
Pra, për sa i përket arsimimit, Lluka nuk bën dallim,
sepse ai parasheh që të mësojnë edhe djemtë edhe vajzat.
Veprat e Tahir ef. Llukës, që dihen dhe gjenden në Arkivin Shtetëror të Kosovës (fondi i Jusuf Latës, nr. 191/2), gjithsesi që ia vlen për t'u veçuar vepra “Risale-i ahlak” (Broshurë mbi moralin).
Kjo është një vepër me tematikë filozofike - pedagogjike, në të cilën ka ngërthyer shumë mendime të shëndosha, ku flet për përmbajtjen e edukatës morale - shpirtërore, me kulturën e sjelljes etike. Kështu, në këtë vepër autori na shfaqet intelektual i madh i kohës, të cilit i vjen keq pse kombi kishte mbetur në xhahili (injorancë) dhe shpëtimin e tij e shihte në arsimimin e gjithmbarshëm të shqiptarëve. Kur flet për mejtepin e tij, ai thotë: “Ket temel t’ri e marova/ Perme knue djem e çika”. Pra, për sa i përket arsimimit, Lluka nuk bën dallim, sepse ai parasheh që të mësojnë edhe djemtë edhe vajzat. Hartimi i këtyre teksteve nga ana e Tahir ef. Llukës, nuk synonte vetëm mësimin e lexim - shkrimit, siç mund të supozohet në dukje të parë, por autori i tyre synonte njëkohësisht, siç do të synojnë edhe rilindësit e kësaj periudhe, zgjimin e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe përparim të shpejtë për t’u futur në rrjedhat e popujve të qytetëruar.
Hapja e mejtepit dhe përpjekjet e tij për punë të suksesshme, kujtojmë se dëshmojnë për ndërgjegjen e këtij intelektuali shqiptar, për nevojën dhe domosdoshmërinë e shkollës në gjuhën amtare. Këtë ai e shpreh me fjalët:
“Gjithsa kavm (komb A. H) me guh t’vet
jon tuj knue, hem tuj shkrue
për dynja dit per dit kta tuj fitue, tuj madhnue,
veç kavmi ynë pa fitue tuj voglue…!”
Me këto Tahir Efendi Lluka dëshmon vetëdijen për diturinë dhe qytetërimin, si mjete që do të zhdavarisnin errësirën, ku ishte katandisur popull. Në vazhdim në veprën e tij “Broshurë mbi moralin”, Tahir ef. Lluka, me mjaft mjeshtëri, përshkruan gjendjen arsimore të shtresave të gjera të Shqipërisë, të cilën e paraqet mjaft të mjerueshme, një gjë që e brengoste shumë edhe atë:
Kjo Shqipni ka met krejt në pa dit xho n’xhahili
Erdhi vakti me dal n’mejdan kjo Shqipni
N’selamet për me dal kjo Shqipni fukara
keka çillue
Un po due me shka kam marue ket te’lif
(vepër) çi osht i ri
Din devletit hizmet mej bo m’ket turli me
hurufi arabi
Hem ni temel me lidh per Shqipni
Mos me kon fukaraja n’ket Shqipni pa
dit xho krejt n’xhahili
Pse t’gjith katundet n’per Shqipni fukaraja
kurfar gjuhe hiç nuk din
Dy tre vet çi jon n’medrese ja mektepli
N’koft me dit kta per devlet per turni
Tjert jesin mashkull femen pa dit xho
krejt n’xhahili.
Këtu qëndron aftësia dhe gjeturia e Tahir ef. Llukës, i cili diti ta shfrytëzonte këtë gjendje të mjerueshme të injorancës, siç thoshte ai fetare, ngase ata nuk dinin gjuhë tjetër përveç asaj amtare, dhe duke kërkuar që njohuritë fetare t’i nxinin në gjuhën amtare, u angazhua për arsim kombëtar shqiptar, për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, për mbjelljen e dashurisë ndaj gjuhës amtare si dhe për emancipimin e popullit në përgjithësi, që, siç dihet, arrihet me arsimim në gjuhën amtare, pra me dije.
Këtij "Alimi" të dalluar shqiptar, si edhe shumë rilindësve të tjerë, iu desh të përpilonte vepra didaktike shkollore, por që të ishin të mbështetura në fushën e dijes fetare islame. Ndërsa qëllimin e të shkruarit të veprave të veta, Tahir ef. Lluka na e shpjegon vetë:
“Edhe çera shum kitabe gjith per fe çi jon
Per thmi i marova, me husus kto per Shqipni
Gjith mu knu per Shqipni”.
Ky dijetar, që ishte në shërbim të fesë (një kohë kishte shërbyer imam në Stamboll dhe në vendlindje), dijen e çmonte shumë, ngase si shumë rilindës tanë iluministë, përparimin e popullit e lidhte me arsimimin e tij në gjuhën amtare, pra këtë e shihte në - ilm, dhe thoshte:
“I pa ilm i padije xhahil kush ka me kon
I keç ky per gjithkond ka me kon
Pej mosdijes fort me ik per gjithkond
duhet me kon
Me lyp ilmin dijen ti ku ka me kon.”
Sado që veprimtaria e Tahir ef. Llukës zhvillohej në mektep dhe me grafi arabe, nga vetë fakti që zhvillohej në gjuhën shqipe, nuk u shkonte për shtati qeveritarëve turq. Prandaj kjo veprimtari arsimore në gjuhën shqipe e Tahir efendi Llukës, iu bë hale në sy organeve të pushtetit turk. Shkoi në Stamboll, ndoshta për ndonjë sqarim, por nuk arriti ta shlyente akuzën se po i mësonte fëmijët “Kaurrisht” dhe as të kthehej më në vendlindje.
Për fund do të themi se veprimtaria kulturore - pedagogjike e Tahir ef. Llukës duhet vështruar në kontekst me kohën kur punoi dhe veproi. Dhe nga vetë fakti se dihet që asokohe nuk kishte shkolla të tjera publike shqipe, duhet vlerësuar mejtepi i Tahir Efendi Llukës. Ndonëse na mungojnë informatat rreth punës së mejtepit, - prej nga vinin nxënësit, si organizohej procesi mësimor etj., në saje të përmbajtjes së veprave të tij që kemi në dorë, të cilat siç thotë vetë autori, i kanë shërbyer si tekste mësimore, - mund të flitet në kontekst me kohën për përmbajtjen e mësimeve, për metodën e mësimit, për mënyrën e organizimit të mësimit, për rrjedhat e procesit mësimor, e njëherësh, shpresojmë se ky shkrim yni do të mund të shërbente si nxitje për të interesuarit që të hulumtonin për këto çështje në vendlindjen e Tahir Efendi Llukës e më gjerë. E ne, duke u mbështetur në përmbajtjen e veprave të Tahir ef. Llukës, mund të themi se si pedagog ai ishte përqendruar, në radhë të parë, për edukimin e fëmijëve mbi parime të shëndosha islame, i vetëdijshëm se ashtu po përgatiste të ardhmen e kombit të vet. Në veprimtarinë e tij pedagogjike, Tahir Efendi Lluka është angazhuar drejtpërdrejt që fëmijët e popullit të vet t’i nxirrte nga injoranca, t’i mësonte të shkruanin e të lexonin shqip, dhe kështu t’i emanciponte dhe t’i aftësonte për një të ardhme më të lumtur, që ai e besonte. Këtë e bëri në mejtepin e tij që hapi në vendlindjen e tij në Llukën e Epërme, e cila, sikur e theksuam, mund ta konsiderojmë edhe si shkollë të parë shqipe në Kosovë.*(Dr. Abdullah Hamiti, "Dituria Islame" nr. 222. Abdullah Hamiti, "Angazhimi i Tahir Llukës për arsimin kombëtar shqiptar", referat i mbajtur në temën "Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", (Simpozium Ndërkombëtar, më 15-17 tetor 1992), Prishtinë 1995, f. 386 - 391).
11. Përfundim i një përgjigjeje, por jo, përfundim hulumtimi e kërkimi për veprat e Tahir Efendi Llukës.
Krejt në fund, pra këto janë veprat e gjetura të Tahir Adem Efendi Llukës. Janë dorëshkrime që dihen ku gjenden, ku janë të ruajtura dhe nën cilin numër arkivor janë të regjistruara. Janë këto dorëshkrime: “ARKAID-ul ISLAM“ (Filozofi islame), „RISALE-i HAFIZE-Liurat elmuminin”, „RISALE-i AH-LAK“ (Broshurë mbi moralin), dhe gjenden në Arkivin e Kosovës, në fondin e Mulla Jusuf Latës, nr. 191/1, 191/2, 191/3, dhe vepra e botuar “Mevludi”, ku çdo shkencëtar mund ta shikoj dhe studioi.
Në kontekst të gjithë kësaj që shkruam, si përfundim do të kisha shtruar për S. Llukën këtë pyetje publike: Ku janë, ku gjenden dhe kush i ruan ato 31 Veprave, që sipas S. Llukës qenkan arkivuar në arkivin shtetit Shqiptar(?!) në vitin 1969(?!), (S. Lluka tek vazhdimi i 5, 28 prill, faqe 18). Si ka mundur të ndodh që askush, qoftë ndonjëri nga autorët shkencor, hulumtues e gjurmues, qofshin këta edhe publicist të hapësirës Etnike Shqiptare, që nuk paskan shkrua një fjalë të vetme për gjithë këto vepra(?!), nuk qenkan përmendur e as publikuar askund, madje as në Historinë e letërsisë shqiptare, I - II, Tiranë ose Prishtinë?
E pabesueshme, por paska ndodhur që 31 Vepra të një periudhë interesante të letërsisë sonë nuk janë pak, e aq më keq të mos njihen nga studiuesit tanë, madje as vet autori i këtij "studimi?", nuk ka cituar e as përmend titullin e ndonjëres nga këto vepra?!...
Tjetra, sot kur lëvizja për në Tiranë është mbase e lirë, pse S. Lluka nuk paska shkuar deri në Tiranë, dhe të fotokopjoj diçka nga ato mbetje që i ditka ky vet se ku janë, të paktën njërën nga ato 31 Vepra të përmendura, dhe të na i prezantonte si argumente të besueshme. Ndryshe, gjithë ato që i ka shkruar Skënder Lluka për Haxhi Alim Tahir Sylejman Efendi Llukën (e tij), jo që dalin si qasje shkel e shko, janë joserioze, aspak profesionale, por nga shkrimi i tij, duket sikur ka pretendime të mohoj veprimtarinë dhe vet ekzistencën e Tahir Adem Efendi Llukës, gjë që nuk do të arrijë kurrë, edhe me gjithë “sindromën e urrejtjes” që ka shprehur në shkrim e tij, ai atij nuk mund t'ia mohoj kontributin e dhënë për çështjen Kombëtare, veçmas për librat dhe Shkollën Shqipe – Mejtepin e Llukës, njërës nga shkollat e para në Llukë dhe Dukagjin.