2020-06-06

TË PENGOHET ZBRAZJA E KOSOVËS

Apel për popullin e Kosovës

TË PENGOHET ZBRAZJA E KOSOVËS

Sinjalizimet me kohë të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur të Kosovës që të ndërmerren masa të duhura nga të gjitha subjektet politiko-shoqërore, në rend të parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, asociacionet humanitare, bashkësitë fetare etj. për të penguar shpërnguljet e pakontrolluara nuk u mirëpritën dhe, në një aspekt, u nënçmuan duke theksuar se “këto janë lëvizje të rëndomta të popullatës...” Mirëpo se vërejtjet tona ishin me vend dhe të qëlluara, për fat të keq, i dëshmoi praktika. 

Shpërnguljet masive të familjeve shqiptare nga Kosova për në dheu të huaj, që po bëhet për çdo vit para syve tanë, e sipas disa të dhënave, në këtë dhjetëvjetëshin e fundit, Kosovën e kanë lëshuar mbi 500 mijë veta, tregojnë kjo dukuri, sa shqetësuese aq më shumë e dhembshme, po merr përmasa katastrofike për kombin tonë.

Është plotësisht e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme mospasja apo qasja e pamjaftueshme dhe qëndrimi indiferent ose angazhimi verbal, pa një përkushtim të duhur, serioz dhe të sinqertë nga subjektet dhe faktorët më me përgjegjësi në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj ndaj kësaj çështjeje kaq të rëndësishme kombëtare, sepse nesër çdo gjë mund të jetë tejet e vonë, e historia këtë kurrë nuk do të na falë.

 Meqë situata është tejet alarmuese, shtrohet si detyrë mbi të gjitha detyrat kombëtare, para të gjitha subjekteve të Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetin e tyre dhe bashkërisht të angazhohen dhe të veprojnë me aksione konkrete për parandalimin e shpërnguljes së mëtejmë, për kthimin e atyre që dëshirojnë të kthehen si dhe për punësimin e atyre që vërtet kanë nevojë për një gjë të tillë. 

Para kësaj murtaje që kërcënon kombin tonë askush nuk ka të drejtë morale, politike, juridike, ekonomike, fetare e të tjera që t’i mbyllë sytë, veshët dhe të heshtë e të mos angazhohet që bashkatdhetarët tanë, e sidomos ata që më se paku kanë nevojë t’i braktisin trojet e tyre e të parëve të tyre, t’ia kthejnë shpinën Kosovës martire në këto qaste më te vështira në historinë e saj.

Kosova dhe populli i saj shqiptar, gjatë historisë, përjetoi dhunë, gjenocid dhe terror . 

Dihet po ashtu se pati edhe shpërngulje të shumta me dhunë. Por, braktisje të tilla sikur këto që po bëhen sot nuk njeh historia jonë kombëtare. Subjektet tona më përgjegjëse politike e shoqërore, që morën përsipër të udhëheqin kombin, gjithsesi duhet ta parandalojë zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare. 

Në të kundërtën do të jenë përgjegjës para gjeneratave të ardhshme, por edhe të gjitha atyre martirëve tanë që ranë për lirinë e Kosovës dhe çështjen shqiptare në terësi.

Duhet t’u themi sheshazi të gjithë atyre që pa ndonjë arsye ekzistenciale apo të sigurisë personale u detyruan që ta braktisin Kosovën. 

Veprimi i tyre është në përputhshmëri të plotë me planet e shovinistëve serbomëdhenj për serbizimin e Kosovës, dhe deshën ata apo nuk deshën, në këtë mënyrë u vunë në shërbim të politikës serbe në Kosovë dhe të armiqve më të mëdhenj nuk është bërë vonë, që Kosovën hapakrah dhe të zbrazët t’ia dorëzojmë pushtetit armiqve, ftojmë o tash o kurrë kryetarin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaqin , të gjitha subjektet e tjera politik e shoqërore, asociacionet humanitare, kulturore, shkencore, fetare që, me autoritetin e vet, të angazhohen për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova dhe të ftohen të gjithë bashkatdhetarët tanë që të kthehen në Kosovë. 

Pra, ata të cilët nuk patën arsye dhe as nevojë të shkojnë jashtë. E shohim të udhës t’u themi të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë Kosovës, se Kosova nuk zhvillohet nga Stokholmi, Londra, Boni, Nju-Jorku e Sidnei, por nga Shala e Bajgorës, Kaçaniku, Prizreni, Skënderaji, Llapi e Rugova. Detyrë e të gjithë shqiptarëve sot është të jesh, të qëndrosh në Kosovë dhe ta ndash fatin e përbashkët me të gjithë. Ky është amaneti i të parëve tanë.

Kush e shkel këtë porosi e mallkon kombi, e mallkon historia. Por, ata që e udhëheqin popullin kanë përgjegjësi edhe më të madhe, sepse populli i zgjodhi që ta çojnë në rrugë të drejtë e të mbarë e jo të lejojnë shpërnguljen marramendëse. 

Për pengimin e kësaj sëmundjeje të rëndë e më qëllim të shërimit të saj të shpejtë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur të Kosovësu drejtohet dhe propozon që: Kryetari i Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe Qeveria e Kosovës dhe të gjitha subjektet e tjera politike, shoqërore, shkencore, fetare dhe humanitarë, që kanë ndikim të madh dhe gëzojnë autoritet në popull, të angazhohen dhe të ndërmarrin këto masa të domosdoshme:


1. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një plateformë mbi pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.

2. Të shqyrtohet nevoja dhe kushtet për themelimin e fondit solidar kombëtar për pengimin e shpërnguljes dhe kthimin e shqiptarëve të shpërngulur.

3. Të departizohet diaspora, në këtë kuadër Qeveria të sjellë urdhëresat e nevojshme.

4. Të formohet një delegacion i përbashkët i partive politike, i shoqatave, i sindikatave, i cili do t’i vizitonte herë pas here të mërguarit tanë në disa shtete me kërkesë për një bashkim dhe solidaritet më të madh mes nesh dhe për një lidhje më të ngushtë me vendlindjen.

5. Të formohet Aviokompania kombëtare për një siguri më të madhe të udhëtimit të mërgimtarëve tanë.

6. Nëpër shtete e Evropës të hapen filialet e Bankës Kombëtare Shqiptare.

7. Të shikohet mundësia e ndalimit të reklamimit të agjencive turistike në mjetet tona të informimit (kompensimin financiar ta bëjë Ministria e Financave).

8. Në të gjitha nivelet e arsimit të mbahen ligjërata kushtuar shpërnguljes (mbi pasojat dhe rreziku i zbrazjes së Kosovës ).

9. Bashkësitë fetare si ajo katolike ashtu edhe ajo myslimane të organizojnë biseda me besimtarët e vet për nevojën e qëndresës në trojet e veta shekullore.

11. Të vazhdojë aksioni “Të gjithë kundër shpërnguljes”.

12. Të informohen të gjitha organizatat ndërkombëtare mbi eksodin e shqiptarëve, të cilin Qeveria Serbe po e bën posaqerishte ne Presheve ,Bujanoc dhe Medvegje në mënyrë direkte dhe indirekte, duke përdorur dhunën, terrorin dhe gjenocidin vetëm e vetëm që trojet etnike të spastrohet nga elementi etnik shqiptar.

 Këto janë vetëm disa çështje të cilat mendojmë se janë detyrat prioritare që duhet të ndërmerren në parandalimin e shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe kthimin e të gjithë atyre që janë shpërngulur viteve të fundit e që dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës
Jahja Lluka

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...