Një marinar ukrainas në Mallorca të Spanjës ka fundosur një jaht luksoz me vlerë 7 milionë euro në pronësi të pronarit të tij rus, disa ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Jahti super-luksoz, i quajtur Lady Anastasia, është me pesë kabina dhe është në pronësi të Alexander Mijeev, një ish-kreu i Korporatës Ruse të Helikopterëve. Ky i fundit, në vitin 2016 mori përsipër të furnizonte shtetin rus me armë.
Kjo ishte edhe aryesja pse marinari i identifikuar si D. Taras O, dyshohet se hapi valvulat e anijes duke bërë që ajo të mbytet pjesërisht, veprim për të cilin u arrestua.
Ai hapi një valvul në dhomën e motorit dhe një të dytën ku jeton ekuipazhi dhe dyshohet se u kërkoi tre anëtarëve të tjerë të ekuipazhit, gjithashtu ukrainas, të braktisnin anijen. Për tu siguruar që anija do fundosej, ai fiku valvulat e karburantit dhe energjinë elektrike në anije, sipas The Sun.
“Pronari i kësaj anijeje është një kriminel që e bën jetesën duke shitur armë dhe tani ata vrasin ukrainas“, mësohet të ketë thënë marinari në momentin e arrestimit.
Në gjykatë, marinari, i cili ka punuar për anijen për një dekadë tha se fajësoi pronarin e tij Mijeev për prodhimin e armëve të përdorura për të sulmuar Ukrainën.
Ai tha se kishte parë lajme në televizion se si një raketë lundrimi ruse goditi një bllok banesash dhe supozoi se raketa ishte bërë nga shefi i tij.Marinari kujtoi se jetonte në një apartament të ngjashëm në Kiev dhe kërkoi të hakmerrej ndaj shefit të tij.