Është libër i pazakontë sepse të mbërthen që në çastin e parë, që atëherë kur nis e lexon faqet e para, në fillim nga kureshtja, sepse autori është një emër nga më të njohurit e, më pas, sepse nuk mund të shkëputesh, nuk mendon se si koha rrjedh, por e bën atë pjesë tënde, nuk e di se në cilën orë je dhe, vetë hapësira të duket se është kthyer edhe një herë pas, në ato vite që ishin themeltare për të ardhmen.
Është i pazakontë, pasi, me gjithë dëshminë që sjell dhe të duket se i gjithë mendimi konceptual i librit rrjedh nga “Mashtrimi i Madh”, pra , megjithëse e vërteta vjen si një uragan, libri nuk ka mllef, verbëri, urrejtje, nuk të ngjall dëshirën për dhunë; ai ka mendim dhe , si gjithnjë , mendimi është më i fuqishëm se sa dhuna dhe verbëria.
I pakapshëm në shikimin e parë është romani në 500 faqet e tij, por pas këtyre faqeve qëndron një epokë, një botë, disa gjenerata. Ndoshta gabohem, por asnjëherë më parë, në romanin tonë të këtyre viteve, nuk ka ardhur një kërkim kaq i pamatë, një fushë kaq e gjërë, ku lëvizin përsonazhe reale, me emra dhe bëma reale, që nga presidenti i sotëm Vuqiç, i portretizuar në përshfaqjen e tij më të saktë, e deri tek njerëzit e zakonshëm, mes të cilëve të ngjall krupën zagoria e lumpenit të shërbimit të fshehtë serb.
Kjo forcë që Bardhyli ka sjellë në romanin e tij është e furtuneshme, por edhe e bukur si pyll, është shtërngatë dhe rrëke njerëzore, si të gjitha ato gjëra, vlera e të cilave qëndron në intesitetin e shprehjes. Harmonia e përpjestimit të së vërtetës dhe të krijimit në roman është magjike, e kujdesshme dhe vepron përmes shumëfishimit të pafrenueshëm të fuqisë së të vërtetës, të shprehjes, mjediseve, forcës së karaktereve.
Në fakt , përmes një romani ai ka krijuar një kozmos, i cili ka vetëm një ligj të pandryshuar, përmes të cilit, të gjithë njerëzit, bashkimi i qëndrueshëm i të cilëve bën epokë, krijohen gjithashtu nga epoka dhe dëshmojnë se, nuk mundet që nga gjërat e lëvizshme të gjenden vlera të qëndrueshme, por vetë qëndrueshmëria krijon vlerat e saj.
Një libër që lë pa gjumë dhe të rrenqeth ende duke qenë në ekranin kompjuterik është gjithësesi i veçantë, por , në këtë rast, kemi të bëjmë me një roman që në fakt sjell edhe vetë karakterin e Bardhylit . Një roman që nuk është aspak biografik, por që përcepton një botë.
Dostojevski, shumë dekada më parë, do të shkruante se ” Ç’gjë mund të jetë për mua më fantastike sesa realiteti”.
Dhe ky roman është aq realist dhe aq konseguent, aq i vërtetë dhe mrekullisht i shkruar përmes një stili rrëmbyes, saqë kalon shumë kufinj dhe të duket e habitshme, – mua për vete më është dukur – duke e ditur temperamentin e zjarrtë të Bardhylit dhe njeriun polemist të dorës së parë, se si ai mbetet në roman hulumtuesi i ftohtë, që aq qetësisht ka zhytur shikimin e tij njerëzor në thellësinë e jetës.
Një roman që do të trondisë shumëkënd dhe do të jetë i domosdoshëm për të ditur se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.
Jo kushdo mund ta pohojë lirinë e vet në botën e tij.
Mjerisht, jo të paktë janë ato që , të mbyllur në palirinë e tyre, mendojnë se janë të lirë.
Liria duhet të jetë marramendëse, ndryshe nuk është asgjë tjetër, veçse forma e jashtme e saj.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)


No comments:
Post a Comment