Agjencioni floripress.blogspot.com

2025/02/19

Prokuroria kërkon pesë vjet burgim për Dodikun dhe ndalimin e veprimtarisë politike për 10 vjet






Milorad Dodik (lindur më 12 mars 1959) është një politikan serb i Bosnjës që aktualisht shërben si presidenti i 8-të i Republikës Srpska që nga viti 2022, një pozicion që ai e ka mbajtur më parë nga viti 2010 deri në vitin 2018. Ai gjithashtu shërbeu si anëtari i 7-të serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës nga 2018 deri në 2022. Dodik ka qenë president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) që nga formimi i saj në 1996 dhe ka mbajtur disa zyra politike brenda Republika Srpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai shërbeu si kryeministër i Republikës Srpska nga viti 1998 në 2001 dhe përsëri nga 2006 në 2010. Fillimisht, si Dodik ashtu edhe SNSD u panë si alternativa të moderuara dhe reformiste ndaj Partisë Demokratike Serbe ultranacionaliste gjatë viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000. Megjithatë, që atëherë, si Dodik ashtu edhe SNSD kanë miratuar një qëndrim më nacionalist dhe separatist serb, duke mbrojtur të drejtën e serbëve të Bosnjës për vetëvendosje. Mandati i tij është shënuar nga akuzat për autoritarizëm nga kritikët e tij, minimin e institucioneve federale të Bosnjës dhe lidhjet më të ngushta me Rusinë dhe Serbinë. Dodik gjithashtu ka pohuar në mënyrë kontroverse se masakra e Srebrenicës është një "mit i fabrikuar" dhe ai vazhdimisht ka mohuar gjenocidin boshnjak duke lavdëruar kriminelët e dënuar të luftës si Ratko Mladić dhe Radovan Karadžić.
Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Millosh Llukiqin, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska. Ata akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet. Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës vërehet një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut. Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten. Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet. Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë. Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”. Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Çfarë çoi në këtë gjyq? Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti. Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë. Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...