Nga Flori Bruqi
Prishtinë,16.02.2025
Më vjen mirë që zgjedhjet në Republikën e Kosovës kaluan pa incidente. Kjo është shumë e rëndësishme. Sa i përket partive politike, populli votoi në mënyrë që nuk i dha shumicën asnjë partie politike për të formuar qeverinë e vetme.
Që në fillim duhet potencuar, xhurrultia dhe zhurma që po harxhohet pa nevojë rreth procesit të formimit të institucioneve të reja demokratike është jo vetëm, e kot, por edhe absurde në kuptimin se Kosova, sipas shumë parametrave ndërkombëtar tashme ka të instaluar institucione që e garantojnë si ligjshmërinë ashtu edhe legalitetin dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.
VV-ja nuk mund të formojë qeveri vetëm me pakicat, ata duhet të kenë 62 deputetë, pra duhet bërë koalicion
Vetëvendosja e Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, ka mundësi që të formojë Qeverinë edhe me pakicat, duke përjashtuar Listën Serbe. Megjithatë, do të ishte mjaft me rëndësi që Qeveria Kurti të ketë në përbërje të saj ndonjërën nga partitë opozitare, si PDK, LDK apo AAK. Pse e them këtë?
Me këtë rezultat, LVV, me partnerët e saj parazgjedhorë, do të ketë dy alternativa në përpjekjet për formimin e Qeverisë. E para është formimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës së bashku me 10 deputetët e pakicave jo-shqiptare dhe 10 deputetët e Listës Serbe.
Ky opsion do të ishte një vetëvrasje politike për LVV, duke pas parasysh deklaratat e bëra deri më tani. Kam thënë edhe më herët që asnjë parti shqiptare që formon Qeverinë nuk duhet të llogarisë në votat e Listës Serbe.
Prandaj, nuk është e përshtatshme që LVV të formojë qeverinë e re me votat e Listës Serbe.
Mundësia e dytë është formimi i Qeverisë së re me një nga 3 partitë opozitare, e cila mund të ishte një Qeveri relativisht stabile, së bashku me 10 vendet e deputetëve të pakicave jo-serbe. Për këtë mundësi, jam skeptik nëse do të arrihet një gjë e tillë, për shkak të acarimit të raporteve mes partive që ishin në pushtet dhe opozitës së deri djeshme.
Ky fakt mund të sjellë një vonesë në formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë, LVV duhet ta provojë fillimisht si parti e parë për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një gjë që tashmë dihet është se Kryetari i Parlamentit të Kosovës duhet të zgjidhet nga partia shumicë dhe, në këtë rast, LVV duhet ta propozojë Kryetarin e Parlamentit, ndërsa nënkryetarët që vijnë nga partitë e tjera duhet të zgjidhen në një votim të përbashkët. Kurse, Qeverinë mund ta formojnë ata që sigurojnë 61 vota.
-Në të kundërtën, nëse nuk formohet qeveria brenda afateve kushtetuese, duhet të kalojë mundësia tek partia e dytë.
Duhet të formohet një qeveri stabile me një kryeministër reformues dhe zhvillues të vendit, dhe të ndalet trendi i dështimit. Nuk duhet dhënë pushtet të padijes dhe çmimi ta paguajë populli. Mjaft lartë e ka paguar populli mosdijen për të çuar përpara shtetin.
-Kryeministri Kurti, në gjendjen e krijuar, duhet të tregojë lidership dhe t`ua lë qeverisjen partive opozitare, që ti shohim ato edhe a do të munden dhe si do të arrijnë ti përmbushin premtimet e dhëna megalomane gjatë fushatës paraelektorale, dhe vet të luftojë nga opozita për betonimin e të arriturave të tij në mandatin e sapo-përfunduar katërvjeçar, dhe mbrojë Kosovën edhe në opozitë, prej ndërhyrjeve nga jashtë, ose të krijohen rrethanat që të përsëriten zgjedhjet dhe të shkohet urgjentisht në zgjedhje të reja, në mënyrë që sovrani të përcaktojë më qartë, se kush mund të udhëheqë vendin në mandatin vijues.
As me votat e diasporës dhe të pakicave joserbe, LVV nuk mund të sigurojë një qeveri stabile, të qeverisë një mandat të plotë dhe të qojë e sigurt përpara agjendën e saj, siç nuk garantohet stabilitet politik në Kosovë, edhe nëse partitë opozitare (me mbështetjen e SHBA) përpiqen të formojnë një koalicion për të përjashtuar Kurtin nga pushteti, ngase serish pa "listën serbe" dhe pakicat nuk do të mund të formonin qeverinë, kurse "lista serbe", për të hy në koalicion mund të vendos kusht, dëbimin e policëve të Kosovës nga veriu dhe rikthimin e kriminelëve serb në veri të Kosovës, akt pas të cilit mund të krijohen tensione dhe pakënaqësi të mëdha në gjithë Kosovën.
Ndaj unë për të sqaruar pozicionin aktual politik, pa trazira e ngërçe dhe shkaktimin e problemeve të stërzgjatura zëngjirore, përveç shkuarjes në zgjedhje të reja, aktualisht nuk shoh opsion tjetër, dhe vetëm zgjedhjet e reja, më duket se janë zgjidhja e vetme, për të gjitha problemet aktuale dhe paqartësitë totale, që lanë pas votimet e 9 shkurtit, si dhe mënyra më e mirë që vota e popullit të nxjerrë një forcë të qartë, e cila do të kishte mbështetjen e nevojshme si parti ose koalicion i mundshëm ndërpartiak, për të udhëhequr vendin pa problemin e mungesës së numrave dhe pengesave politike nga e ashtuquajtura “listë serbe” në Kuvend.
Përndryshe numrat aktual, kanë kooketuar aq keq, sa që kanë koklavitur, si me porosi, çdo gjë dhe nuk e garantojnë asnjë mundësi të qartë, për krijimin e një qeverie të qëndrueshme, rezultat që nuk ka trasuar rrugë të përshtatshme për krijimin e qeverisë se re, me përqindje kaq të brishtë të votave, me një fjalë zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk u japin mundësi jo-kontestuese as partive opozitare, për të siguruar një koalicion të qëndrueshëm dhe garantuar qeverisje stabile, në gjendjen çfarë ndodhet vendi dhe para sfidave të mëdha, të cilat e presin Kosovën.
Në fakt vetëm mirëkuptimi ndërmjet faktorit shqiptar, po të ekzistonte, gjendej, apo edhe krijohej, në proceset aktuale jetike të vendimmarrjes për shtetin, do ta zgjidhte fare lehtë dhe në mënyrë automatike, problemin e krijuar nga votimet e 9 shkurtit!
Madje kësaj radhe vërtetë është momenti historik që përball dialogut me Serbinë dhe ripërballjen me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën "listë serbe" e cila po rikthehet në politikë me pretendime jo të lehta për Kosovën, të liheshin anash të gjitha fërkimet dhe inatet meskine politike e të tregohet sadopak patriotizëm ndaj vendit dhe popullit të Kosovës, si dhe të dëshmohet qëndrim minimal shtet formues, së pakut nga një subjekt opozitarët, qoftë PDK apo edhe LDK, për tu bashkuar në koalicion me VV, shmangur ngërçin e para-programuar politik e institucional dhe ndërhyrjen ndërkombëtare nga shtetet me ndikim, për të vendosur ato se si të qeveriset vendi ynë dhe nga kush të udhëhiqet Kosova.
Dhe në vend se Vetëvendosje si partia e parë, edhe në rrethanat që prodhuan votimet e fundit, të përpiqet të formojë Qeverinë e re vetëm me pakicat, lidershipi kosovar, në momentet në të cilat ndodhet vendi, gjendet para një sprovimi të madh historik, dhe pikërisht ky është rasti vendimtar kur mos-pajtimet politike e ideologjike, për hir të shtetit dhe popullit të Kosovës, do duhej të liheshin anash dhe shfrytëzohen mundësit e bashkëpunimit ndërmjet partive shqiptare, duke përjashtuar të ashtuquajturën "listë serbe" për të mbrojtur interesin kombëtar dhe çuar përpara shtetndërtimin e Kosovës.
E nëse kjo, as pas gjendjes së krijuar nuk arrihet, gjë që unë aktualisht edhe nuk shoh pothuajse fare, asnjë shenjë premtuese në këtë drejtim, Kosova për ti qartësuar gjërat, duhet dhe është mirë ti përsëris zgjedhjet sa më shpejtë, të organizoj, apo shkojë në zgjedhje të reja, sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që nga dora e sovranit, të dalin opsione të qarta, se kujt do ti besohet të udhëheqë në mënyrë të pakontestueshme, në katër vitet e ardhshme me vendin, pa ua lënë në dorë këtë çështje partive politike, të cilat shihet hapur, se inatin partiak, megjithëse nuk do duhej të ndodhte edhe në momente të tilla vendimtare për vendin, fatkeqësisht e kanë vendosur para mirëqenies së qytetarëve, para perspektivës së shtetit dhe ardhmërisë së popullit të Kosovës.
No comments:
Post a Comment