Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/13

Kur prindërit bëhen detektivë


“Baballarë hacker dhe mama 007”. Prindër të tensionuar që i kontrollojnë fëmijët përmes detektivëve privatë. Të tjerë i ndjekin në fshehtësi nga interneti. Por për disa, këto lloj metodash janë dhunim i privatësisë 
Ekzistojnë baballarë “hacker” dhe “mama 007”. Ka nga ata që e thonë me gjysmë zëri, të tjerë që e pranojnë hapur, të tjerë akoma që u vjen trup nga kjo gjë, por nëse i pyet të gjithë, përgjigjen: “E bëjmë për të mirën e tyre, bota është e rrezikshme, interneti edhe më shumë”. Këto janë rrëfimet e prindërve, të cilët përgjojnë fëmijët. Një fenomen në rritje, i shfrenuar, më shumë se sa frikë, një mani kolektive: prindërit të shqetësuar nga rreziqet e realitetit të vërtetë dhe atij virtual përgjojnë fëmijët e tyre me metoda gjithnjë e më të sofistikuara. I ndjekin ata, i filmojnë, u hapin kompjuterët, i kontrollojnë mesazhet dhe celularët, hapin adresa të rreme nëpër rrjete sociale për t’i kontrolluar, për t’i kërkuar, për t’i gjetur, për të kuptuar gjuhën e tyre të fshehtë, për të zbuluar se çfarë bëjnë, kë frekuentojnë. Kjo gjë ndodh kudo, në Shtetet e Bashkuara 55% e prindërve të adoleshentëve deklarojnë pa hezitim se “i ndjekin” fëmijët në “Facebook”, ndërsa në Europë, sipas një psikologeje: “Vazhdon të rritet nga viti në vit frika e prindërve të terrorizuar nga jeta ‘klandestine’ e fëmijëve të tyre dhe më ka ndodhur shumë shpesh të takoj prindër që vijnë tek unë me hetuesit privatë, që i kanë vënë për të spiunuar fëmijët e tyre”.
Në fakt, prej katër vjetësh, është rritur 30% kërkesa për detektivët që punësohen nga familje të ndryshme për të kontrolluar adoleshentët në të gjitha aktivitetet e tyre të përditshme, në një moshë ku fillon misteri dhe magjepsja pas kumarit. “Sot këta lloj hetuesish janë specializuar për t’i hapur kompjuterët e adoleshentëve, por edhe për të fshirë gjurmë nga rrjeti, të cilat mund t’i komprometojnë në të ardhmen”, thotë një demograf, i cili gjithashtu është njohës i madh i brezit të fundshekullit. E ndërsa vazhdojnë të përhapen ngado manuale që u mësojnë të rriturve si të përdorin rrjetet sociale, të kuptojnë rreziqet dhe mundësitë, në vitrinat e librit në Amerikë është publikuar bestselleri “Facebook for parents” (“Facebook për prindërit”).
Cili është limiti i gjithë kësaj? A është e ligjshme që të përgjosh fëmijët (sidomos kur janë minorenë)? A ekziston një kufi mes një kontrolli të shëndetshëm dhe dhunimi të privatësisë, edhe pse për shembull “spiunia” është një mama e cila përpiqet të mbrojë fëmijët e saj nga keqbërësit anonimë të internetit? Apo “hacker”-i që vjedh fjalëkalimin e kompjuterit është një prind i shqetësuar sepse djali trembëdhjetëvjeçar ka dymijë miq në “Facebook” dhe nga ata 2000, ai njeh vetëm pesë? Në fakt ankthi duhet të ekzistojë, duke parë që 67,5% e adoleshentëve nga mosha 12 deri në 14 vjeç ka një profil në rrjetin social “Facebook”. Prej këtyre 17,2% qëndron për më shumë se tri orë në ditë, ndërsa 24,6% e djemve, sipas një sondazhi të fundit, ka pranuar se i ka dërguar një fotografi të vetën të panjohurve online.
Gjithsesi mes baballarëve që hiqen si piratë informatikë dhe mamave që krijojnë profile 15-vjeçaresh në “Facebook” për të qenë në kontakt me vajzat e tyre adoleshente, tema e kontrollit të jetës virtuale të të rinjve dhe fëmijëve është bërë dominuese, siç theksohej edhe në një artikull të “Washington Post”. Edhe në Shtetet e Bashkuara ku po shtohen rastet e padive nga fëmijët kundër prindërve “spiunë”, psikologët dhe mësuesit janë ndarë në dy fronte, ata që pranojnë kujdesin dhe ata që e dënojnë “zbulimin” familjar. “E pranoj që kam përgjuar fëmijët e mi, sidomos të madhin në një moment delikat kur mes nesh nuk kishte më dialog, nuk shkonte mirë në shkollë, qëndronte për orë të tëra në ‘Facebook’, luante e kush e di se çfarë bënte tjetër. Përdora aftësitë e mia, arrita të rifitoja miqësinë e tij dhe pashë sajtet që preferonte më shumë. Për këtë që bëra nuk jam aspak krenar, por kuptova disa gjëra rreth tij. Kalova një stres të madh. Zbulova se ai jetonte dhimbjen e një dashurie të njëanshme. Pas kësaj u qetësova, por nuk pata më kurrë guximin të flisja me tim bir për atë që kisha zbuluar”, thotë një prind, i cili është inxhinier informatik dhe baba i dy djemve përkatësisht 13 dhe 17 vjeç.
“Më shumë se sa spiunim, do ta quaja më tepër kontroll dhe të kontrollosh fëmijët nuk është diçka fakultative, por detyrë e prindërve. Sigurisht që ka disa rregulla. Le të marrim një shembull: nëse dy prindër e lënë vetëm në shtëpi një 7-vjeçar, të ekspozuar ndaj rreziqeve të të gjitha llojeve, dështojnë në përgjegjësinë e tyre si prindër dhe kjo gjë mund të ketë pasoja ligjore. E njëjta gjë ndodh nëse i lënë vetëm para kompjuterit, sepse janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të internetit. Këtu kontrolli nuk është një zgjedhje, por detyrim. Është gjë tjetër pastaj kur një prind krijon një profil të rremë në ‘Facebook’ për të folur me fëmijën e tij adoleshent. Në këtë rast do të thoja se është një sjellje e padrejtë, edhe pse veprimi i prindit mund të justifikohet me dyshimet serioze që ka, për shembull që fëmija drogohet, që ka patologji të rënda, ose diçka tjetër”, thotë një garantues i privatësisë.
Që nga koha e ditarëve sekretë kanë ndryshuar shumë gjëra. Atëherë mjaftonte pak forcë për të hapur drynin e mbyllur me çelës dhe për të hyrë në botën sekrete të rrëfimeve të vërteta të një adoleshenti ose adoleshenteje. “Ndryshimi është se ditari ishte një monolog, një letër e hapur, ndonjëherë e lënë qëllimisht aty për ta gjetur dikush tjetër. Ndërsa rrjetet sociale janë reale, krijohen kontakte, ekzistojnë të panjohur më të cilët fëmijët dialogojnë, ndonjëherë në mënyrë të padjallëzuar, por ndonjëherë jo. Rreziqet janë të mëdha, prandaj e pranoj edhe si të ligjshëm spiunimin nga ana e prindërve”, thotë një psikologe. Shpeshherë nënat dhe baballarët nuk zbulojnë ndonjë gjë kur kontrollojnë “chat”-et e fëmijëve. Natyrisht që të rriturit mund të bëjnë edhe rolin e “007”-s, nëse është për mirë, por të rinjtë janë të lirë të bllokojnë kompjuterët dhe jetët e tyre.
Sipas psikologes është njësoj si të luash kukafshehthi, macja me miun, ose hajduti dhe polici. “Kontrolli duhet vetëm për të qetësuar ankthin e prindërve, sepse fëmijët janë shumë të zotët të fshihen. Ideja është që gjërat të mos bëhen në këtë mënyrë, por prindërit të jenë gjithnjë të pranishëm kur fëmijët hyjnë në internet. Detyra e prindërve është t’i ndërgjegjësojnë ata për rreziqet që sjell interneti, por edhe të kenë besim te fëmijët, sepse në të kundërt raportet nuk do të rregullohen kurrë mes tyre. Në eksperiencën time nuk kam parë pothuajse kurrë prindër që guxojnë t’u thonë fëmijëve se vazhdimisht i kanë përgjuar”, shton ajo.
“Në moshën e adoleshencës është e pamundur të flasësh me vajzën ose djalin. Nuk arrija më të merresha vesh me time bijë, nuk po e kuptoja, ishte e vështirë të flisje me të. Kisha vënë re shumë ndryshime dhe gjëra që nuk më pëlqenin. kështu një ditë i dërgova një ftesë që të bëheshim shoqe në ‘Facebook’. Nuk u fsheha, e hapa adresën me emrin tim të vërtetë. Filluam të flisnim, njësoj sikur ishte lojë, siç bëjnë adoleshentët. Në vend të zërit përdornim mesazhet. Në këtë mënyrë e gjeta rrugën për t’u afruar sërish me të”, tregon një nënë, vajza e së cilës është 16 vjeçe. Adoleshentja filloi të vinte natën vonë në shtëpi dhe të krijonte lidhje me meshkuj.
“E keqja është se fëmijët mbyllin derën e dhomës dhe ndezin kompjuterin. Duke qenë se prindërit nuk marrin shumë vesh nga teknologjia, e kuptojnë se përtej kompjuterit ekziston një botë e panjohur për ta dhe me të cilën nuk dinë se si të flasin. Ka shumë prindër që zgjedhin shkollën, i shoqërojnë kudo dhe përpiqen t’i mbrojnë me çdo kusht nga rreziqet e jashtme. Por aty ku mundojnë se i kanë më të sigurt, fëmijët mund të bëjnë takime të fshehta. Atëherë çfarë ndodh? E vetmja rrugë e matur, jo që i bezdis e u merr frymën, është kontrolli në distancë, sepse fëmijët e sotëm janë të ekspertë në gjithçka dhe dinë si t’i fshehin gjurmët e tyre”, përfundon psikologia.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...