“Pilar, njëlloj si uji, si drita, si shtëpia, njëlloj si ajri. Me Pilar-in deri në momentin e fundit”. Libër pas libri, dedikimet e José Saramago për gruan, gazetaren spanjolle Pilar del Rio, tregojnë një dashuri absolute, të jetuar ditë pas dite me intensitetin së parës. Dashuria mes tyre nisi kur ai ishte 63 vjeç, ndërsa ajo 36 dhe vazhdoi pa reshtur për 24 vjet me radhë deri në qershorin e vitit 2010, kur shkrimtari i madh portugez u shua në shtëpinë e tij në Lanzarote, në ishujt Kanarie. Për dashurinë e tyre, përtej angazhimit etik dhe kulturor të një prej protagonistëve të letërsisë bashkëkohore, flet edhe filmi-dokumentar i Miguel Goncalves Mendes, i titulluar “José dhe Pilar”. Për dy orë rresht dhe pa u mërzitur aspak, imazhet na lejojnë të hyjmë në jetën e përditshme të të vetmit autor portugez të vlerësuar me çmimin “Nobel”. Filmi na lejon ta shohim ashtu siç nuk e kemi parë kurrë më parë: të ulur në tavolinë duke shkruar romanin e fundit, teksa luan në kompjuter, apo teksa udhëton rreth e përqark botës. Përkrah tij është gjithmonë Pilar. Ajo që përkthen librat e tij në spanjisht, që rregullon axhendën e takimeve, që i lexon letrat, që i mat tensionin. Në jetën e tyre përkrah njëri-tjetrit ka mirëkuptim, dashuri, ngrohtësi. Një kontakt i pandërprerë nga asgjë. Kjo shihet nga veprimet e vogla: nga dashuria me të cilën Pilar i rregullon jakën e kollares dhe e përqafon, apo nga shikimi i Jose, në një prezantim libri i rrethuar nga njerëz.
“Kemi qenë gjithmonë një skuadër. Të dy i jepnim kuptim dhe vazhdimësi punës së tjetrit”, kujton Pilar që vazhdon të jetë e bukur, elegante dhe shumë e sjellshme edhe pse i ka kaluar të 60-at. Është shumë e gjallë dhe e dashur, ashtu shfaqet edhe në film. Ndërsa flet për të shoqin, emocionohet, përlotet por edhe gëzohet. “Jam krenare që kam qenë gruaja e Jose, një njeriu që në fund, edhe pse i moshuar dhe i sëmurë, nuk u dorëzua kurrë dhe vazhdoi të shkruante, sepse ky ishte qëllimi i ekzistencës së tij”. Për sa i përket filmit-dokumentar “José dhe Pilar”, ajo tregon se ideja ka qenë e regjisorit brazilian Miguel Goncalves Mendes. “Këmbënguli shumë për të na bindur, duke na premtuar se thjesht do të pasqyronte jetën tonë, ashtu siç ka qenë. Duhej të ishte një dokumentar i vogël, i xhiruar në dhjetë ditë. Por në të vërtetë qëndroi me ne për tre vjet, duke e pasqyruar jetën tonë për tre vjet, nga viti 2006 deri në 2008-n”. Pilar thotë se nuk pati asnjë frikë se filmi mund t’u prishte intimitetin. “Nuk kisha frikë. Intimiteti i një shkrimtari është tjetër gjë. Gjithçka është në librat e tij. Në fund, kur Jose pa filmin më tha: “Është një histori e madhe dashurie”. Kur u njohën të dy, Saramago ishte 63 vjeç. Shumë shpejt mes tyre lindi një histori e madhe dashurie që do të zgjaste deri në momentin e fundit. “Isha e magjepsur nga librat e Jose dhe kur mora vesh që do të vinte në Spanjë, i dërgova një letër, ku i shkruaja se do më bëhej shumë qejfi nëse do të mund ta takoja. Vite më vonë, më rrëfeu se sapo më kishte parë, kishte ndjerë tokën t’i dridhej nën këmbë. Ndjenjën që lindi mes nesh nuk nguroi ta tregonte edhe në romanin “A jangada de pedra”. Edhe pse Saramago ishte portugez dhe ajo spanjolle, i përkisnin brezave dhe botëve të ndryshme. Megjithatë kjo nuk i pengoi të ndërtonin një lidhje të fortë mes tyre. “Jose nuk ishte normal. Ishte një qenie e jashtëzakonshme njerëzore, që kishte nevojë për një situatë të veçantë, për të vënë në përdorim gjithë aftësitë e tij. Në historitë e mëparshme të dashurisë së tij nuk ia kishte dalë. Kur u njohëm ishim të dy shumë të matur. Kishim të njëjtat ide, të njëjtat ideale. Vendosëm të jetonim bashkë duke ndarë gjithçka. Edhe pa shumë forcë e ndjenim se së bashku mund të ndryshonim botën”. Nga Brazili, në Meksikë në Lanzarote. Filmi e tregon çiftin gjithnjë në udhëtim dhe shpesh Saramago duket i lodhur. Pilar tregon sekretet që e shtynin të vazhdonte, pavarësisht lodhjes. “Ai kishte kuriozitet të jashtëzakonshëm. Donte të njihte botën dhe njerëzit. Nuk i pëlqenin situatat mondane, por adhuronte të vendoste raporte të thella njerëzore. Edhe fjala çlodhje nuk bënte pjesë në fjalorin e tij”. Në film, shkrimtari rrëfen se ekzistojnë dy Saramago. Ai i heshtur, i vetmuar dhe i trishtuar dhe ai i hapur ndaj jetës që lindi pasi e takoi. Por lind pyetja se si mund të mbijetosh nga një dashuri kaq e madhe? “Gjithmonë kam menduar se jetesa me Jose ishte një dhuratë e jetës dhe një privilegj i madh. Që kur e kam takuar, u bëra vetëm pjesë e tij, sepse e dija që kishte ide universale. Aktualisht drejtoj Fondacionin që kemi krijuar së bashku që merret me ruajtjen e të drejtave njerëzore. Të vazhdoj punën e tij, është diçka që më mbush jetën dhe më mban gjallë”.
No comments:
Post a Comment