Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/13

Matteo Mandala: Shqiptarët, në prag të një neokomunizmi


I pranishëm në Tiranë në konferencën shkencore “Identiteti, ndërgjegjja kombëtare dhe integrimi europian”, studiuesi arbëresh Matteo Mandala ka folur me tone kritike për zhvillimet e fundit në lëmin shkencor. Ai e ka quajtur absurde kërkesën e Turqisë për modifikime në historinë e Shqipërisë, ndërsa e sheh të papranueshme heshtjen e komunitetit shkencor
I ftuar në konferencën shkencore “Identiteti, ndërgjegjja kombëtare dhe integrimi europian”, organizuar nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, studiuesi arbëresh Matteo Mandala ka folur me tone kritike për zhvillimet e fundit në lëmin shkencor. Referuar edhe njëherë problemeve të identitetit, Mandala, i njohur për kontributin e tij në fushën letrare, ka folur për absurditetin e një grupi që i ka quajtur çmitizues, po aq sa edhe për kërkesat e fundit ardhur nga shteti turk për modifikimin e historisë së Shqipërisë për periudhën e pushtimit osman. Sipas tij, është shqetësues fakti që komuniteti shkencor hesht dhe në kushte të tilla ai e sheh situatën në prag të një neokomunizmi.
“Identiteti, ndërgjegjja kombëtare dhe integrimi europian” është një konferencë shkencore që ka mbledhur studiues nga të gjitha trevat shqiptare. Identiteti është në sfidë me kohët moderne apo jo?
Identitetet janë gjithnjë në sfidë me kohët moderne e duhet të maten çdo herë me problemet që koha parashtron. Kuptohet që identiteti nuk është një send muzeor, ka një proces të brendshëm që e ndryshon kohë pas kohe, por në fund mbetet ajo që i shquan popujt. Gjermanët nuk janë njësoj me francezët, as francezët me italianët dhe me shqiptarët. Identiteti i secilit popull ka në vetvete diçka që është shquarsi dhe aty duhet të përqendrohet vëmendja. Gjuha shqipe është një nga këto vlera. Pastaj vijnë simbolet (siç është ai i Kastriotit) e më tej mitet që kanë një rëndësi të veçantë, sepse rrënjosen në ndërgjegjen e njerëzve dhe është e vështirë të shkulen apo çrrënjosen prej aty të tillë si Skënderbeu, që përveçse figurë historike është edhe një mit në disa aspekte, miti i pellazgëve, ilirëve etj. Këto janë të rrënjosura në vetëdijen shqiptare dhe nuk ngatërrohen me asgjë tjetër të popujve të tjerë.
Është kjo arsyeja se pse figura apo mite të tilla sulmohen? 
Është e çuditshme që një dukuri e tillë u afirmua pas rënies së regjimit totalitar komunist në Shqipëri. U krijua një grup që nuk di si t’i etiketoj, analist, opinionist apo diçka tjetër, që në emër të emancipimit të popullit shqiptar filluan një luftë ndaj atyre që i quajnë mitet e nacional-komunizmit të popullit shqiptar. U referohem disa shkrimeve që kam lexuar në gazetat shqiptare, shkrime që nëpër botë nuk do të botoheshin kurrë as në shtypin e përditshëm, sepse nuk kanë as vlerë shkencore, as kulturore. Mitet nuk janë ashtu siç ata i quajnë në një gjuhë të përditshme: tregime të rrejshme. Ka mite të shpikura, por miti në vetvete është njësoj si tregimi historiografik dhe nuk mund ta shquash nga pikëpamja e së vërtetës. Dua ta sqaroj këtë moment me një anekdotë që kemi nxjerrë nga dokumentet e shek XV. Në vitin 1478, një vajzë shqiptare me emrin Maria kishte përfunduar skllave në Gjenovë. Janë dokumente që askush nuk i di e nuk i ka marrë parasysh, por janë shumë domethënëse. Bashkë me disa shqiptarë i dërguan gjykatës një kërkesë për t’i liruar, sepse ajo ishte shqiptare, ishte e krishterë dhe banonte në një vend të krishterë siç ishte Arbëria dhe në atë gjendje e kishin sjellë turqit që ishin antikrishterë. Përpos kërkonte edhe shpërblimin për ato vite që kishte punuar falas te familja që e kishte blerë te turqit. E gjetur në vështirësi, e liruan sepse një arkipeshkv që njihte jetën e Skënderbeut i tha gjykatës se ajo kishte të drejtë. Skënderbeu ka qenë personaliteti që i dha dinjitet kombëtar dhe fetar një vajze me emrin Maria që nuk e njihte atë. Kjo është vlera e mitit dhe miti ndikon në jetën e njerëzve më shumë se sa mund të ndikojnë partitë politike. Këtë e dinë të gjithë ata që merren seriozisht me historinë kulturore. Bartesi (Roland Barthes) u mundua të çmitizonte disa mite, por arriti në përfundimin se ka mite që i dimë se janë mite, por nuk mund të zhduken.
I quani sulme të qëllimshme? 
Unë jam një studiues modest që merrem me filologji dhe diçka kam bërë në këtë fushë. Nuk jam politikan e nuk jam një që shikon prapa derës çfarë komplotesh organizohen. Nuk më interesojnë këto, por kam vënë re që ka dy bashkëveprime midis këtij grupi që është vendosur në Shqipëri e që kërkon të çmitizojnë ata e dinë se çfarë, dhe një grupi tjetër me interesa profesionale për të shkruar mbi Shqipërinë, por që ndikohen nga njëri-tjetri. P.sh., Oliver Schmit bëri librin për Skënderbeun pas një monografie që unë e kam quajtur interesante, sepse ndërton fazën më të hershme të Shqipërisë mesjetare pas rënies së Perandorisë Bizantine deri në vitet para skënderbejane. Në librin e dytë del qartë ndikimi i këtyre çmitizuesve ndaj tij, sepse që në parathënie, Schmit në vend të fliste për arsyet shkencore që e çuan të shkruante një monografi të re mbi Skënderbeun, na ka thënë që u përpoq të çmitizonte mitin e Skënderbeut dhe bën një krahasim me Vilhelm Telin zviceran, që është një mit i rrejshëm. Si është e mundur që historianët merren me mitet, sepse miti dhe historiografia janë njësoj: të dy përpiqen të rikrijojnë të kaluarën me mjetet që kanë. Schmiti bën gabim qesharak nga kjo pikëpamje dhe këtë gjë mund t’ua tregonte vetëm shqiptarëve, sepse vetëm ata e përdorin fjalën mit për të nënkuptuar gënjeshtër. Kjo e ka detyruar Kadarenë të bëjë një shpjegim pedant te “Mosmarrëveshja” që t’u shpjegonte fjalën mit dhe historiografi.
Gjatë kumtesës suaj ju folët me nota kritike për një heshtje të rretheve shkencore shqiptare... 
Fatkeqësisht nuk ka botime shkencore. Komuniteti shkencor shqiptar, sikurse duket, frenoi aktivitetin e vet dhe këtë nuk e kuptoj. Nga njëra anë kemi sulmet e vazhdueshme të këtyre “personaliteteve” dhe, nga ana tjetër, komuniteti shkencor hesht. Kjo nuk është e pranueshme. Në çdo vend të botës komuniteti shkencor ka fjalën e vet si fjalë e shkencës. Nëse hesht do të thotë se diçka nuk ecën dhe kjo pengon edhe marrëdhëniet e jashtme. Kur nuk ke më një autoritet shkencor me të cilin të merren kontaktet, ngecin projektet e bashkëpunimet.
U referoheni në këtë rast edhe kërkesave të fundit të bëra për modifikimin e teksteve të historisë shqiptare? 
Unë i shoh kërkesat e shumta të kohëve të fundit për ta modifikuar historinë si një vëzhgues i jashtëm. Çuditem se si një qeveri e huaj, pavarësisht se cila është, turke apo greke, të mund të bëjë kërkesa të tilla. Janë ndërhyrje në sovranitetin kulturor shkencor dhe politik të një vendi dhe nuk duhen toleruar. Nuk e kam dëgjuar një gjë të tillë në asnjë vend në botë. Nuk kam dëgjuar që gjermanët të kërkojnë një rishikim të historisë franceze gjatë Republikës së Vishisë. Është absurde të mendohet që nuk duhet të themi se italianët përdhunuan Shqipërinë kur erdhën, sepse u prishet qejfi. Historia ka një terminologji që është e njohur, ku disa nuanca mund të evitohen, por pushtimet janë pushtime, sundimet janë sundime, vrasjet dhe masakrat janë të tilla. Nuk besoj se ka një fjalë tjetër për të thënë se armenët u masakruan nga turqit. Ka një prirje të çuditshme të studiuesve shqiptarë, të cilët në vend që të reagojnë të skandalizuar, i pranojnë këto kërkesa. Pranimi nuk është bërë nga shqiptarë dosido, por nga ata njerëz që kanë shkruar librat që qeveria turke sot kërkon të rishikohen. Është paradoksale. Ka profesorë që gjatë komunizmit kanë qenë autorë të librave mbi historinë e pushtimit osman në Shqipëri që unë i kam vlerësuar, por pikërisht këta profesorë më thonë që duhet rishikuar edhe terminologjia historiografike. Është një gjë që më duket si një neokomunizëm që rikthehet në trojet ballkanike. Në qoftë se ka një ide të rifuten këta profesorë në një rrymë gjeopolitike, t’i afrohen perandorisë neootomane, mund të marrim në konsideratë edhe hipotezën për të rindërtuar perandori komuniste që do të bëjë Putini. Ai u kërkoi ish-vendeve të Lindjes të bashkohen te një republikë euroaziatike. Do të thotë se Shqipëria gjendet përpara dy zgjedhjeve: neokomunizëm apo neootomanizëm. Me të vërtetë është një arritje e suksesshme!!!

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...