Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/13

Në 100-vjetorin e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit (1911-1938)


GJENIU SHQIPTAR

shkruan Kristaq Jorgo

I.
Rreth përkatësisë etnike të Migjenit – Millosh Gjergj Nikollës (1911-1938)  ekziston një debat mbigjysmëshekullor. Qëndrimet janë dy:
1. Prejardhje etnike e padyshimtë shqiptare: Skënder Luarasi, Petro Janura, Rinush Idrizi, Moikom Zeqo etj.
Mbrojtësi i parë e kryesor i kësaj hipoteze, S. Luarasi, te i cili në të vërtetë mbështeten edhe më të shumtët e migjenologëve të kësaj bindjeje, na bën ndër të tjera me dije:
“I gjyshi (i Milloshit – K.J.) Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik, se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat orthodhokse shqiptare të Rekës (po nga ajo krahinë ku ka lindur edhe poeti e patrioti shqiptar Josif Jovan Bagëri) – qe përngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot kësi familje të përngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj, Trimçev, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra, e tjera. Nikolla Dibrani qe murator nga mjeshtëria, dhe thonë se mori pjesë në ndërtimin e kishës orthodhokse në Shkodër. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshëm, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me një vajzë nga Kuçi, me Stankë Milanin, e cila kishte edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, shqipen për gjuhë amëtare. Nikolla Dibrani, kur humbi jetën në Mal të Zi, aty nga moti 1876, la pas dy bij: Gjokën (Gjergjin) dhe Kriston, fare të vegjël.”
2. Prejardhje e etnike (thuajse) e padyshimtë sllave: Dhimitër Shuteriqi, Gjovalin Luka, Arshi Pipa, Robert Elsie etj.
Përkundër bindjes gjerësisht të përhapur se është A. Pipa formuluesi i parë (e mbështetësi më i madh) i hipotezës së prejardhjes etnike joshqiptare të Millosh Gjergj Nikollës, kronologjikisht një kontribut i tillë i takon një migjenologu tjetër, Dh. Shuteriqit. 
Thelbi i pikëpamjes së tij do të parashtrohet në vijim. Ndërkaq Pipa është më eksplicit: “I lindur shqiptar [në kuptimin ‘shtetas shqiptar’ – K.J.] në një familje me prejardhje sllave, pastaj i arsimuar në një mjedis kulturor sllav, ai u takua prapë me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare si një i rritur. Gjuha që foli në shtëpi ishte serbo-kroatishtja, ndërsa në seminar ai mësoi rusisht. Ai nuk e dinte shqipen mirë.”
II.
Le të nisim me vëzhgimin se, prej shumë kohësh, në ligjërimin shkencor nuk flitet më për identitet etno-gjenetik: identiteti etnik nuk është një vlerë e bashkëlindur, por një vlerë e bashkëndarë.
Ne dallojmë tri nivele, shkallë a gradë të shfaqjes së tij: identitet etno-kulturor, identitet etno-social, identitet etno-shpirtëror.
Në trajtë të thjeshtëzuar këto shkallë mund të paraqiteshin kështu: grupi/individi i ç’prejardhjeje është (fondi themelor i tipareve etnike – elementi bazal ky), grupi/individi ç’thotë/ç’thonë se është (elementi i performancës etno-identitare), grupi/individi ç’ndjehet intimisht se është (elementi dinamizues i strukturës komplekse të identitetit etnik).
Në një periudhë të dhënë një grup, nën tërheqjen, miklimin, pranimin, ndikimin, detyrimin, shtrëngimin a dhunën e rrethanave të caktuara mund të fillojë të shpallet i ndryshëm nga ç’është shpallur, më tej të ndihet i ndryshëm nga ç’është ndier, e me kohë edhe të bëhet i ndryshëm nga ç’ka qenë. Kemi në këtë rast procesin e akulturimit etnik. Ashtu siç mund të ndodhë edhe procesi i përkundërt – ai i rikulturimit etnik, i rikthimit në identitetin e hershëm, njëherë – individualisht dhe/ose kolektivisht, pjesërisht a plotësisht – të braktisur.
Ne besojmë se te Migjenit kemi të bëjmë me këtë rast të dytë, atë të rikulturimit etnik. Historinë e rikulturimit të tij etnik si dhe atë të akulturimit etnik të një pjese të bashkësisë ortodokse shqiptaro-veriore e shkodrane (në një periudhë të hershme si dhe në bashkëkohësinë e poetit), Migjeni e tematizon në një mënyrë magjistrale në poezinë Kangë në vete.
III.
Ekzistojnë disa variante interpretimi të kësaj poezie. Kryesori ndër ta është ai i Dhimitër Shtuteriqit (1946)

Fjalët-kyç të kësaj skeme janë fashizëm, Jugosllavi, origjinë malazezo-maqedone e Migjenit.
“Veç nga shoqet e vendosi poeti “Këngën në vete”, që formon, tek, një ndarje më vehte në vëllimet. Aty, Migjeni padit fashizmin, që “si hajn në shtëpijat e kojshive hynë”, - të “kojshive” jugosllavë. Migjeni dënon shovinizmin serbomadh, me parrullën e tij “për fe e atdhe”, që gënjen njerëzit me “andrra të thata” e me “premtime të kristalta”. Me fjalë të tjera, pezmatime të mëdha i presin ata jugosllavë që i çelën dyert fashizmit në vend të tyre. Sa për poetin, ky ia “mbylli derën”, ky nuk u gënjye nga fashizmi” (Dh.Shuteriqi) “[Në vargun 13: Dhe kojshitë e mi që i kam far’e fis, kemi një] :  Aluzion për lidhjet e gjakut që kishte familja e M[igjenit] me serbët.” (Gj.Luka); “Migjeni ishte prej familje ortodokse të Shkodrës e këta ortodoksë janë përgjithësisht sllavë me origjinë (malazez, maqedon etj.). Prandaj i quan “farefis” jugosllavët.”(Dh. Shuteriqi) Nëse, në këtë vijë arsyetimi, “Poeti – me fjalët e Shuteriqit – ësht i ashpër për jugosllavët që nuk po i bëjnë rezistencë”, ç’kuptim ka vendimi i unit lirik ‘unë i a mbylla derën t’eme me reze”? Është ai zë i një individi, të themi i poetit, apo i një bashkësie? Sikur të marrim rastin e parë, ndeshim në kundërvënien “unë” vs. “gjithë të tjerët”. (“Kojshitë” do të interpretohej me të drejtë, nga ky kënd leximi,  si “bashkëkombasit e mi”, të gjithë ata, pa përjashtim.) Për ta shpëtuar interpretimin nga ky qorrsokak Shuteriqi bën sqarimin e menjëhershëm: “Domosdo, e ka fjalën te udhëheqësit; këta janë që i thonë “mirë se erdhe” fashizmit”. Mirëpo kundërvënia “unë” vs. “të tjerët” nuk le shteg për një veçim të tillë. Sa i takon stërgjyshnave sllavë, kur ata u shfaqën në këto anë, Perandoria Romake e Perëndimit tash thuajse nuk ekzistonte më. Më tej, feja e Perandorisë Romake ishte tjetër nga ajo e ‘farefisnave sllavë’. Për ‘atdhe’ të përbashkët aq më pak mund të bëhet fjalë. E nëse duam ende të këmbëngulim në këtë skemë, duke kërkuar në një tjetër drejtim, në një Véri tjetër, nazist atëbotë, shtrohet sërisht pyetja e thjeshtë: Ku është lidhja e vjetër ‘për fe e atdhe’ e stërgjyshnave sllavë me stërgjyshnat ‘arianë’? Për cilën fe e për cilin atdhe të përbashkët të paradisashekujve bëhet fjalë? Është fare e qartë që edhe vetëm këto vërejtje janë të afta të rrëzojnë kryekrej skemën interpretuese të Shuteriqit.

Varianti i parashtruar deri tani, përveç pikave të dobta, një pjesë të të cilave i vumë në pah, nuk i jep përgjigje një vargu pyetjesh, që teksti në mënyrë të detyrueshme shtron. 
Po cekim vetëm disa, më të rëndësishmet: 
1. Nëse Véri përfaqëson fashizmin a nazizmin, e që për më tepër frynë pa mshirë, a mund të jetë ky dikur, në një moment, diçka e mirë, jo vetëm e mirë po e kërkuar, e dëshiruar madje? Logjika normale thotë ‘jo’, por teksti i përgjigjet ‘po’ kësaj pyetjeje. Ndryshe si do të mund të interpretohej vargu 4: ‘sa mirë e presin... megjithse nuk asht ditë vere’? Pra në ditë vere i pamëshirshmi Véri qenkërka i mirëpritur (!), e këtë – të vërehet mirë – e thotë, çka domethënë e pranon a e justifikon, edhe vetë uni lirik, ai që don t’ia mbyllë derën Vérit.
2. Véri hyn si hajn në shtëpijat e kojshive e ky nuk është veç konstatim i unit lirik, pasi për këtë janë të vetëdijshëm edhe vetë kojshitë (!).Ç’duhet të kërkojë të vjedhë një hajn që i zoti i shtëpisë, duke e ditur që do të vidhet, ta mirëpresë? Në ç’rast mund të jetë logjik ky konfiguracion mëse i çuditshëm?
IV.
E kemi cilësuar tekstin poetik migjenian – tekst konspektiv, me çka kuptojmë atë tip teksti që mundëson një maksimum të domethënieve përmes një minimumi të shenjave gjuhësore.
Teksti konspektiv, për vetë natyrën e tij, duke qenë një tekst eliptik par excellence ofron një shumësi maksimale nga të cilësuarat Leerstellen (‘vende’, ‘hapësira’, sekuenca tekstore ‘bosh’),  për ‘mbushjen’ e të cilave ai ‘i bën apel’ lexuesit. 
Për më tepër, struktura e tekstit konspektiv ka një natyrë të tillë që informacionet të cilat ai në një formë impicite emeton janë me lehtësi ndërsubjektivisht të verifikueshme.
Le të bëjmë ekspicit ndonjë tjetër prej këtyre informacioneve të ‘fshehura’: 1. Kojshitë e unit lirik i drejtohen Vérit në gjuhë të huej. Gjuha është e huej për kë? Pa dyshim ajo është e huej për kojshitë, por edhe për unin lirik, si farefis i tyre. Duke qenë ndërkaq gjuha e Vérit. 2. Kojshitë e unit lirik i karakterizon një amnezi e plotë. Është Véri që u rrëfen atyre për stërgjyshnat. Kojshitë nuk kanë kujtesë historike, a më saktë kujtesa e tyre historike është robinë e Vérit. Përkundrazi uni lirik e ka këtë kujtesë, veçse ajo është e përkundërt me kujtesën që Véri u fal me acarrim kojshive. Dhe duhet të jetë bash kjo ‘humnerë’ kujtesash që ushqen qoftë agresivitetin e Vérit ndaj unit lirik, qoftë rezistencën e tij, qoftë satirën e dhimbshme të tij ndaj kojshive – farefis. 3.   Shtëpitë e kojshive të unit lirik së toku me shtëpinë e këtij të fundit janë i gjithë vendi drejt të cilit fryn Véri? Natyrisht jo. Së pari, pse po të ishte kështu, Véri, nëse mbajmë parasysh dashamirësinë e pacak të kojshive të unit lirik ndaj tij, do të qe krejt si në shtëpi të vet, s’kishte pse të hynte si hajn e as të premtonte diç me acarrim; së dyti, pse përtej komshijve – krejt të afërmve hapësinorisht, sado i vogël qoftë vendi, ka gjithnjë banorë të tjerë, jo komshij, të ndodhur më larg e akoma të tjerë ende më larg. Tani shtrohet pyetja: ç’gjuhë e ç’atdhe e ç’fe duhet të kenë këta banorë të tjerë të vendit? Të njëjtën gjuhë me kojshitë e unin lirik – gjuhën e vendit, por kojshitë e uni lirik kanë edhe një gjuhë tjetër – gjuhën e Vérit; të njëjtin atdhe me atdheun e kojshive e të unit lirik – atdheun e vendit, por kojshitë “kanë” edhe një “tjetër atdhe” – atdheun e Vérit; të njëjtën fe me fenë e kojshive e të unit lirik? Jo, pse kojshitë e uni lirik kanë  të njëjtën fe me Vérin. Dhe ky, pikërisht në emër ‘të gjuhës së përbashkët’ – të huej ama për kojshitë, në emër ‘të atdheut të përbashkët’ – sipas fjalëve të Vérit ama, e siç duket, sidomos në emër ‘të fesë së përbashkët’, e cila nuk mund të jetë si atdheu e gjuha ‘e dyfishtë’, i nxit me acarrim e premtime të kristalta kojshit (e unin lirik) të bëhen fli si stërgjyshnat. Kundër kujt? Kundër kujt tjetër përpos kundër banorëve të tjerë të vendit?
V.
Varianti interpretues i Dh. Shuteriqit etj. jo vetëm që nuk i qëndron, siç u pa, kritikës në mëse një rast, jo vetëm nuk u jep përgjigje një vargu pyetjesh të domosdoshme që teksti shtron, jo vetëm nuk ‘ndriçon’ informacionet e ‘fshehura’, por nuk merr në shqyrtim edhe një varg çështjesh ‘formale’, të cilat një analizë tekstore e kujdesshme e poezisë do t’i bënte të detyrueshme. 

Në krye të herës le të themi se botimet e poezisë Kangë në vete, mbi bazën e të cilëve janë formuluar të gjitha interpretimet e derisotme, nuk pasqyron vullnetin autentik të autorit. Ai përmban një varg variantesh të redaktimit e të transmetimit, të cilat, siç do të shihet në vijim, vullnetin autorial e kanë deformuar jo pak. Kemi pasur mundësinë të sigurojmë autografin e poezisë, të cilin e riprodhojmë besnikërisht më poshtë:
KANGË NË VETE
Véri frynë pa mshirë, si véri që frynë,   
dhe si hajn në shtëpijat e kojshive hynë - 
edhe për çudí
këta kojshitë e mi
5    sa mirë e presin... megjithse nuk asht ditë vere
ato në gjuhë të huej i thonë: mirë se erdhe!

Véri frynë dhe me acarrim u premton pallate te kristalta   
kojshive të mijë që u a kande shum andrrat e thata -
dhe u thotë kështu:
10    stërgjyshnit e ju’
qenë fatosa të vertetë dhe u banë flîja
për fé dhe atdhé dhe i merituen këto premtimet e mija.    

Dhe kojshitë e mi që i kam far’e fis,
nipat e stergjyshnavet meleza dhe te letë,
15    nipa donë me mbetë,
nipa të vertetë
me atdhe e fé ndër andrrat e thata                     
që t’i meritojnë premtimet e kristalta.

Véri frynë pa mshirë, si veri që frynë;     
20    unë i a mbylla derën t’eme me rreze mos të hyjnë          
me m’a fikë ket dritë
me m’a ngrî ket shpirt
me m’a dridh për ndjesijë tjetër
me m’a joshë me andërr të vjetër.
Identifikojmë në poezinë “Kangë në vete” gjashtë tipe agramatikalitesh a thyerjesh të normave: semantike, morfolo-gjike,fonetike, grafematike, ‘poetologjike’ dhe sintaksore. Nga analiza e thelluar e tekstit të poezisë kemi arritur në përfundimin se të gjitha agramatikalitetet e identifikuara (të cilat nuk po i sinjalizojmë këtu) jo vetëm nuk janë ‘gabime gjuhësore’ të rëndomta, por shfaqen si plotësisht të qëllimshme e polifunksionale. Shenjë kjo jo ‘e moszotërimit të mirë të shqipes’ nga Migjeni (A.Pipa etj.), por, thënë pa tepri, e sundimit virtuoz e gjenial të saj.
VI.
Do të përqendrohemi vetëm në njërin prej tyre, më të rëndësishmin, agramatikalitetin sintaksor:
V.1: Véri frynë pa mshirë, si véri që frynë,/. Sintaksorisht një varg krejt i pazakontë ky, i ngatërruar. Nuk do të ishte i tillë nëse pjesa e dytë e tij do të përsëriste, në trajtë të përforcuar, informacionin që jep e para. Në të vërtetë nuk kemi një sqarim, por një krahasim, çka e bën shprehjen pothuaj tautologjike (veriu fryn pa mëshirë, si veriu që fryn).
Pakuptueshmëria e ngatërrimi hutues sintaksor i vargut të parë të poezisë (Véri frynë pa mshirë, si véri që frynë,) mund ‘të shmangen’ vetëm përmes dy ‘rrugësh’: 
1.  të pranojmë se Véri i parë simbolizon diçka të ndryshme që nuk ka fare të bëjë me vérin e dytë - atë (erën) që fryn (véri që frynë ka kështu funksionin e një figure etimologjike). Por teksti vetë ‘nuk ka fuqi’ të na tregojë se ç’është pikërisht kjo diçka;
2.  të pranojmë se kemi të bëjmë me dy homonime, se Véri i parë shenjon diçka krejt tjetër nga véri i dytë ( „. Pra që Véri i parë është diç krejt tjetër nga véri që fryn. Por në shqipen një homonimi e tillë nuk njihet. Veç në mos paçim të bëjmë me një homonimi bilinge! Në të vërtetë kemi bindjen se kështu është. 
Të arsyetojmë: Kojshitë i drejtohen Vérit në gjuhë të huej. Véri është pra diçka e huaj, një fuqi e huaj të themi. Por emri i një diçkaje të huaj, së cilës i drejtohemi në gjuhë të huaj, në gjuhën e vetë diçkasë, duhet të jetë normalisht a domosdoshmërisht fjalë e asaj gjuhe.
Por e cilës gjuhë? Në cilën gjuhë bashkimi tingullor Véri ka një kuptim, ekziston si fjalë më vete? Véri është njëra nga trajtat e paradigmës së lakimit të fjalës së serbo-kroatishtes véra (= fe, religjion, besim): vér-a, vér-e, vér-i, vér-u, vér-o, vér-om, vér-i. Shërben si argument i fortë në mbështetje të kësaj hipoteze vargu 5 i poezisë: “sa mirë e presin... megjithse nuk asht ditë vere”. Mbi anormalitetin e këtij vargu në kontekstin e tërë strofës, nëse supozojmë se Véri simbolizon fashizmin apo një fuqi tjetër të çfarëdoshme – kjo nuk ka rëndësi, por e cila është doemos e rrezikshme, e pamëshirtë, ne patëm rastin të bëjmë fjalë më lart. Hipoteza jonë e shmang ndërkaq këtë anormalitet. Kujtojmë që vere (vére) është po ashtu një trajtë e paradigmës së lakimit të véra-s. Vargu 5 do të mund të lexohej në këtë kontekst (edhe) kështu: “sa mirë e presin... megjithse nuk asht ditë vere” = megjithse nuk asht ditë kremte, ditë feje, ditë feste fetare, ditë në të cilën Véri (=struktura fetaro-kishtare ortodokse e ritit sllav, [e ritit të bashkësisë ortodokse të Shkodrës]) nuk mund të mos jetë e mirëpritur.”
Për ne teksti, në mënyrë gati të pashmangshme, na çon në përfundimin se me Véri aty simbolizohet jo fashizmi e as ndonjë ‘izëm’ tjetër përveçse shkurt e qartë serbizmi.
VII.
Është krejt i ndriçuar, sipas nesh, në kontekstin e të gjitha vlerësimeve të bëra deri më tani, konfiguracioni i botës poetike të unit lirik në poezinë “Kangë në vete”. Por le t’i risjellim në vëmendje disa prej elementeve kryesore të këtij konfiguracioni:
1. Véri përfaqëson një fuqi agresive – teksti, sipas nesh, mundëson identifikimin e saj me serbizmin –  që ka synuar e synon akulturimin fetar dhe etnik të një bashkësie tjetër (arbëroro-shqiptare në thelb, përderisa njëra prej gjuhëve të saj, jo e huaja, na thotë po teksti, është gjuha e tekstit vetë, shqipja) përreth unit lirik. Kjo veprimtari e Vérit ka qenë e vazhdueshme, por e përqendruar në dy epoka: a. në një epokë të hershme, paradisashekullore, të stërgjyshnavet dhe b. në epokën e tashme – e të tashmes së tekstit – në epokën e nipave e të unit lirik. Një pjesë e kojshive të unit lirik (stërgjyshnat e nipat) i janë nënshtruar, nën presionin agresiv të Vérit, krejt akulturimit fetar, më shumë a më pak akulturimit etnik dhe njëfarësoj atij gjuhësor.
2. Uni lirik është krejt i vetëdijësuar mbi akulturimin e pjesshëm etno-fetaro-gjuhësor të bashkësisë së cilës i përket, e njeh historinë e këtij procesi të gjatë dhe sa i takon atij vetë, është i rikulturuar etnikisht, në mbrojtje të shpirtit e ndjesisë etno-identitare të origjinës.
3.  Véri e së toku me të edhe kojshi-far’e fis synojnë ta bëjë për vete unin lirik, ta tjetërsojë përmes premtimesh dhe atë, por ky i kundërshton fort këtë përpjekje.
4.  Ky qëndrim anti-Véri i unit lirik, qëndrim që duket paksa i përveçëm, ngjall reaksionin e tërbuar qoftë të Vérit, qoftë të (një pjese të) kojshive far’e fis.

Dëshmi biografike, historike, politike, religjioze si dhe ato brendatekstuale, të shumta të gjitha këto, por te të cilat ne nuk po ndalemi, bindin se bota poetike e unit lirik të “Kangë në vete” paraqet analogji themelore me botën intime, botëkuptimore e historiko-sociale të autorit empirik, Millosh Gjergj Nikollës.
Me këtë krijim Migjeni ka dashur të na japë e na ka dhënë, në mënyrë super të koduar vërtet, por të qartë dhe univoke përgjigjen për “pyetjen tonë të kahershme„ mbi identitetin e tij etnik.
VIII.
Para përfundimit të kësaj trajtese, në mbështetje të hipotezës sonë, shtojmë disa argumente ndërtekstuale:
a. paratekste mjedjanë
Nëse identifikimi brendatekstor që iu bë Vérit të poezisë “Kangë në vete„, thënë përgjithshëm, me serbizmin, me thelbin e tij si shovinizëm (në rastin tonë si shovinizëm antishqiptar) e me trajta të veçanta që ai ka marrë përgjatë historisë, mund të duket për një çast paksa i kërkuar, gjejmë në traditën letrare shqiptare paramigjeniane të paktën një rast ku dëshmohet i njëjti identifikim, tashmë krejt eksplicit.
E kemi fjalën për poezinë “N’dekë të shoqit t’em Gj.S.„ të D. Ndre Mjedës, disa prej strofave të së cilës i sjellim këtu:
O prill i ri; ku Iliri /Zotnoi nji ditë ma së parit,/ E kombi i huej s’e shtiri / Detin për n’tokë t’Shqyiptarit;/ Por lir’e fuqiplote / Shqypja dykrenore urdhnote,
Kur Topja i madh flamorin /Tand kundra t’huejit qiti,/ Shqype, e kah ti krahnorin / T’mësuemit nën zgjedhë valviti,/ E ndrroi n’liri robnimin / Nën Vérin e Prendimin.
Pa t’gëzue përsëri, moj Shkodër,/ Që m’bane djalë t’Shqypnisë / E n’hije t’njasaj kodër / Mburojës s’Iliris:/ Eshtnat me i lanë, e urime / Me pritë prej kuj n’gjuhë time.
Ka të dhëna për nderimin e posaçëm që Migjeni kishte ndaj personalitetit të dom Ndre Mjedës si dhe për vlerësimin po ashtu të lartë ndaj krijimtarisë letrare mjedjane. Lidhja ndërtekstore e “Kangë në vete„ me këtë poezi të Mjedës nuk mund të vihet, sipas nesh, në dyshim, jo vetëm për shkak të përkimit të përmbajtjes metonimike në thelb të njëjtë të fjalës Véri, por edhe për një varg përkimesh të tjera lehtë të konstatueshme, të cilat na krijojnë bindjen se  “N’dekë të shoqit t’em Gj.S.„ e D. Ndre Mjedës duhet të ketë qenë një nga burim-frymëzimet për konceptimin e poezisë “Kangë në vete„.
b. paratekste biblike
Hasim në poezinë “Kangë në vete„ një varg reminishencash të qarta biblike, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me një pjesë të fjalëve-kyçe të poezisë, si: veri, portë,  shul (reze), hajdut (hajn), shpirt, apo me fjalë të tjera-kyçe që mund të konsiderohen me përgjegjëset biblike sinonime kontekstuale, por, ç’është më e rëndësishmja, edhe me konfiguracionin themelor të krijimit migjenian, siç u përpoqëm ta skicojmë, çka na e forcon bindjen në vërtetësinë e tij:
“Unë thashë: „Shoh një kazan dhe po i fryjnë zjarrit nën të. Gryka e tij është drejt Jugut. Zoti m’u përgjegj: „Nga Veriu do të vijë gjëma kundër tërë banorëve të vendit. „ (Jeremia, 1: 14). b.“Në kohët e fundit mbreti i Jugut dhe mbreti i Veriut do të shtyjnë njëri-tjetrin, dhe mbreti i Veriut do të sulet kundër tij si stuhi, me karroca, kalorës dhe me shumë anije. Do të hyjë nëpër vende të ndryshme, do të vërshojë e do të kalojë përmes. „ (Danieli, 11: 40).  c. “Ja, njerëzit që ke në gjirin tënd janë si gratë. Portat e vendit tënd do të hapen patjetër para armiqve të tu. Shulat do t’i gllabërojë zjarri. Nxirr ujë për rrethimin. Forcoji vendet e fortifikuara. „ (Naumi, 3: 13). d. “Kush është ortak me hajdutin, e urren shpirtin e vet. Ai mund të dëgjojë një mallkim,  por nuk tregon asgjë.„ (Proverbat, 29: 24). e.“Lëvdoje Perëndinë tënd, o Sion! / Ai i forcoi shulat e portave të tua; / i bekoi bijtë e tu që janë në gjirin tënd. „ (Proverbat, 147: 113)
Thënë përmbledhtas, vargjet biblikë të sipërcituar tematizojnë me të njëjtat fjalë-kyçe, me trope fort të ngjashëm, me një strukturë kronotopike analoge, me një konfiguracion të përafërt të figurave-personazhe, pikërisht dramën të pushtim-akulturimit etnik prej një fuqie agresive të një entiteti, të dorëzimit tjetërsues para saj të një pjese të tij dhe të rezistencës shpirtërore ndaj saj të pjesës tjetër, dramë kjo që përbën edhe temën madhore të poezisë migjeniane “Kangë në vete„ si dhe dëshminë e tij konspektivisht të plotë e të pakundërshtueshme mbi identitetin etnik të vetin dhe të bashkësisë ku bën pjesë.
IX.
Në esenë “Ca kujtime mbi atë Gjeçovin” Faik Konica, duke vënë në dukje ndër të tjera se françeskani i madh “ish lindur në një kufi gjuhërash, në një kufi ku sot mbaron shqipja dhe nis një tjetër”, nënvizonte se “folësit e shqipes në vijën më të përparuar janë stërnipërit e atyreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprapsurit e vijës më tëhu,” çka duhet t’u njihet si  “një lavdi”.”
Përveç se një poet gjenial i letërsisë shqipe Millosh Gjergj Nikolla është edhe një hero i shqiptarësisë. Pjesë e një grupi që i është dorëzuar shumë a pak fuqisë së egër të akulturimit ai, jo vetëm e njeh këtë gjendje, jo vetëm nuk e pranon atë, jo vetëm shpërfill mirësitë që mund të vinin nga një qëndrim i kundërt e që nuk munguan, jo vetëm është i vetëdijshëm për pasojat e rënda të zgjedhjes së vet, jo vetëm merr parasysh armiqësinë agresive “të të vetëve” - sllavë, mërinë mospranuese ‘të të vetëve’- filosllavë e moskuptimin shpërfillës të të vetëve - shqiptarë, por i kundërvihet ballas autoritetit asimilues, ndeshet po ballas me ‘të vetët’ e prodhon për hir të vetvetes e të të vetëve dëshmi shpirtërore lapidare të përkatësisë etno-kulturore të origjinës, një vepër poetike të nivelit epror, me të cilën i bën të mundur sa vetes aq edhe grupit  përtejperiferik e pothuajse të çbërë të hyjë i rikulturuar etnikisht bash në qendrën e sistemit letrar e kulturor kombëtar shqiptar. Që Millosh Gjergj Nikolla mund të kishte vepruar lehtësisht ndryshe, siç nënvizon I. Kadare në citimin që i prin kësaj trajtese, e provon, sa për të sjellë një shembull, rasti i poetit Mateja Matevski, me origjinë po nga Reka e Dibrës, prindërit e të cilit flisnin shqip dhe të cilin maqedonasit e kanë cilësuar kur-e-kur poet kombëtar të tyrin.
Migjeni, për ta mbyllur këtu sprovën tonë, nuk është pra ‘shpirti sllav që flet shqip’ (A. Pipa); ai është trashëgues i shpirtit shqiptar dikur përgjysmë të sllavizuar që shqiptarizohet i tëri sërish; një hero, thamë pak më lart, një kryehero përveç se poetgjenial, themi tani, i shqiptarizmit.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...