Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/13

Pavijoni i gjenocidit: Dalin foto tronditëse nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme


Do të jetë një hapësirë ekspozuese rreth 400 metra katrorë, në katin e dytë të Muzeut Kombëtar dhe e përshtatur për një konceptim të ri të pavijonit të gjenocidit. Në këtë pavijon do të ekspozohen materiale fotografike, dokumente, objekte, por edhe materiale audio-vizive, një pjesë e të cilave të nxjerra për herë të parë nga arkivat
Pavijoni i gjenocidit do të hapet brenda këtij viti. Grupi i punës i ngritur për përmbajtjen, ka siguruar materialin e nevojshëm, që tashmë duhet vendosur në stenda. Do të jetë një hapësirë ekspozuese rreth 400 metra katrorë, në katin e dytë të Muzeut Kombëtar dhe e përshtatur për një konceptim të ri të pavijonit të gjenocidit. Sipas një projekti të hartuar nga inxhinieri Latif Lazimi, në këtë pavijon do të ekspozohen materiale fotografike, dokumente, objekte, por edhe materiale audio-vizive, një pjesë e të cilave të nxjerra për herë të parë nga arkivat. Janë qindra fotografi tronditëse, shumica të nxjerra posaçërisht nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Janë dëshmi e qartë se çfarë ndodhi me të gjithë ata që i kundërviheshin regjimit. Ngjarjet nisin nga viti 1945, atëherë kur u formuan organet e para të diktaturës komuniste. Teksa kalon nga një fotografi te tjetra (po përpunohen për t’u vendosur në stenda), të kalon një rrëqethje e natyrshme. Salla gjyqesh masive, intelektualë, inxhinierë, madje edhe spiunë që dëshmojnë në gjyq. Pastaj njerëz të vrarë në kufi, viktima të tjera që inspektohen nga grupi i sigurimit, zisi i famshëm me të cilën ndaloheshin e arrestoheshin të dyshuarit, ekzekutime në fushë të hapur, foto rrëqethëse nga spitalet psikiatrike, ku dërgoheshin me forcë të dënuarit, foto nga kampet e internimit dhe punë të detyruara, gra të ekzekutuara, për të mbërritur te koha e stalinizmit në Shqipëri me një sërë parullash që lavdëronin këtë figurë. Bashkangjitur, një sërë dokumentesh e raportimesh nga grupi i sigurimit për ekzekutimet, përpjekjet për arratisje e të dhëna të tjera të mbajtura sekret. Në fakt ka mbi dy vjet që po punohet për ringritjen e pavijonit të gjenocidit që tashmë do të emërtohet “Pavijoni i Gjenocidit dhe Terrorit Komunist”. Vjen i rikonceptuar përsa i përket qëndrimeve që mbahen ndaj kësaj periudhe, por edhe i pasuruar me shumë materiale të reja. Grupi i punës i përbërë nga: Enver Kushi, si kryetar, dhe Sotirulla Hoxha, Fredi Gusho, Sali Kadria, Ilir Gusho, Etleva Demollari, Fatmir Boshnjaku, Kreshnik Hashorva dhe Entela Kasemi si anëtarë, nën konsulencën e Agim Mustës si përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishit, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, kanë muaj të tërë që punojnë për sigurimin e materialeve që do të ekspozohen. Dy specialistët e muzeut, Enver Kushi dhe Sotirulla Hoxha shprehen se përveç fotografive do të ketë edhe objekte nga të dënuarit apo të ekzekutuarit, ndërkohë që do të ketë edhe materiale zanore dhe materiale që do të bëhen të ekspozueshme përmes projektorëve dhe monitorëve. Në këtë pavijon të rikonceptuar do të ketë një sërë zërash të trajtuar më vete, ndërkohë që për herë të parë do të vijnë dëshmi nga spitalet burgje dhe spitalet psikiatrike, për ekzekutimin e grave, për shkatërrimin ekonomiko-financiar të vendit, nga kampet e punës, stalinizmi në Shqipëri dhe nga vend-ekzekutimet. Këto të fundit do të vijnë përmes një serie fotografish të realizuara në këto vitet e fundit. Në këto 20 vite, shumë familjarë të të ekzekutuarve, në bazë të informacioneve që kanë mundur të sigurojnë, kanë ndërmarrë nisma personale për të gërmuar në vendet që mendohet se janë përdorur për të ekzekutuar të dënuarit, me shpresën për të gjetur skeletet e familjarëve. Specialistët shpjegojnë se i gjithë materiali i grumbulluar po seleksionohet për t’u ekspozuar në stenda të veçanta, që shënojnë edhe një moment të caktuar. Sipas Sotirulla Hoxhës do të vendosen rreth 30 stenda në katin e dytë të Muzeut Kombëtar, ku punimet për realizimin e një strukture të përshtatshme për ekspozim, janë në përfundim. “Është menduar të ndjekim një linjë historike-kronologjike, që zë fill me fillimet e terrorit komunist në vitet 1943-‘44 e do të mbyllet me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Do të përdorim një pjesë të materialeve të pavijonit të mëparshëm, por edhe materiale të reja. Kanë kaluar 15 vjet nga ngritja e pavijonit të gjenocidit në vitin 1996 dhe që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra, ka ndryshuar edhe koncepti për muzeologjinë”, shprehet Enver Kushi, kryetar i grupit të punës së ngritur për hartimin e përmbajtjes së pavijonit të ri të gjenocidit. “Ideja është që të kemi një linjë ekspozuese të papolitizuar që të trajtojë ngjarjet historike të viteve 1945–‘90”, shprehet Sotirulla Hoxha, muzeologe dhe anëtare e grupit të punës. Çdo material që përbënte ish-pavijonin e gjenocidit, i ndërtuar në vitin 1996, u zhvendos në magazinën e institucionit në kuadrin e një projekti rikoncpetimi propozuar nga ish-drejtori Kasëm Biçoku. Ideja është që të krijohet një linjë ekspozuese të papolitizuar që të trajtojë ngjarjet historike të viteve 1945 deri në 1990. Pjesë e këtij pavijoni të rikonceptuar do të jetë edhe një kënd që do të shërbejë si një minikinema. Në disa monitorë të vendosur brenda dhe jashtë pavijonit do të transmetohen dokumentarë, kronika dhe intervista të kohës, që përmbajnë materiale për gjenocidin e terrorin komunist në Shqipëri. Për herë të parë do të dëgjohen edhe procese gjyqësore me zë. Një bibliotekë e vogël do të jetë me botime mbi materiale e kujtime që të burgosurit e diktaturës kanë shkruar gjatë kohës së qëndrimit në burgje. Gjithsesi, edhe ky pavijon nuk e përfaqëson diktaturën në të gjitha elementët e saj dhe nuk jep një informacion të plotë për çfarë ka qenë ajo periudhë. Në një intervistë të mëparshme për gazetën, drejtori Luan Malltezi pranoi se në Muzeun Kombëtar do të pasqyrohet periudha e komunizmit me të gjitha dimensionet, por kjo i mbetet një momenti të dytë.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...