Një sëmundje e ngjashme me gripin mund të përhapet nëpër botë në 36 orët e ardhshme dhe të vrasë 80 milion milionë njerëz, paralajmërojnë ekspertët.
Një shekull më parë, pandemia e gripit spanjoll infektoi një të tretën e popullsisë në botë dhe vrau 50 milionë njerëz. Nëse një shpërthim i ngjashëm do të ndodhte me popullatën e cila sot është vazhdimisht në udhëtim, efektet mund të jenë edhe më të këqija, sugjeron një raport, i publikuar në mediat e huaja, njofton Reporteri.net.
Bordi Global i Monitorimit të Gatishmërisë (GPMB), një ekip ekspertësh shëndetësorë të udhëhequr nga ish-shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit, ka përpiluar raportin për të provuar dhe nxitur udhëheqësit e botës që të vihen në veprim.
“Kërcënimi nga një pandemi që po përhapet në të gjithë globin është një e vërtetë,” tha grupi në një raport të lëshuar sot.
“Një patogjen me lëvizje të shpejtë ka potencialin për të vrarë dhjetëra miliona njerëz, të prishë ekonomitë dhe të destabilizojë sigurinë kombëtare”, paralajmëron raporti.
Raporti, i quajtur “A World At Risk” (Bota në rrezik), thotë se përpjekjet e tanishme për t’u përgatitur për shpërthime pas krizave të tilla si Ebola janë “jashtëzakonisht të pamjaftueshme”.
GPMB drejtohet nga doktoresha Gro Harlem Brundtland, dikur kryeministre e Norvegjisë dhe Alhadj As Sy, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Në raport thuhet se rekomandimet e bëra në një raport të mëparshëm janë injoruar kryesisht nga liderët botërorë.
“Shumë nga rekomandimet e shqyrtuara janë zbatuar dobët, ose nuk janë implementuar fare dhe boshllëqet serioze vazhdojnë”, thuhet në raportin e GPMB.
Raporti referohet në dëmet e bëra nga pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918 dhe ndër të tjera thuhet se përparimet moderne në udhëtimet ndërkombëtare do të ndihmonin që sëmundja të përhapet më shpejt.
Me një numër të madh njerëzish që kalojnë botën në aeroplanë çdo ditë, një shpërthim ekuivalent i bartur nga ajri tani mund të përhapet globalisht në më pak se 36 orë dhe të vrasë rreth 50 milionë deri në 80 milionë njerëz, sugjeron raporti.