2021-12-20
Beteja e bravave ose kthimi nga parti në marangozi
SHKRUAR NGA BARDHYL BEJKO
Një betejë e re sapo ka nisur brenda strukturave mes dy pjesëve të P -së. Me shpejtësi si në rënie të lirë, beteja e bravave po zbret nga maja në bazë, nga qendra në periferi, nga kryeqyteti në çdo bashki, atje ku PD ka një apo më shumë seli. Pas luftës së fjalëve, etiketimeve dhe akuzave se cila pjesë e partisë është legjitime dhe në cilën anë është e drejta, cilët prej liderëve, ishi, apo aktuali, Berisha a Basha, zotërojnë dividendin, shumicën, është futur në një hulli të re e të padëgjuar më parë në politikën shqiptare. Është beteja më e re, ajo e heqjes-zëvendësim të bravave. Hiq brava, vendos e monto të reja. Flak çelësa, rinovo dryna. Portat e selive, dyert e zyrave tani janë nën kontrollin e partisë, pjesës zyrtare. E gjithë kjo nismë për të ndalur pushtimin e selive nga partia e kuvendit të 11 dhjetorit në “Air Albania”. Betejë absurde, sa komike aq edhe tragjike. Pasi u ndeshën në terrene të hapura në foltoret nga veriu në jug, si u organizuan qindra takime dhe foltoristët shpërthyen në akuza dhe anatemime kundër dy palëve, duke përdorur fjalorin më të ashpër dhe fyerjet u bënë pa kufi, radha u erdhi ndërrimit të bravave të portave, të zyrave fillimisht në selinë qendrore të SHQUP- it, duke zbritur në selitë e degëve. Dyerve të zyrave, iu ndërruan bravat për t`u mos u pushtuar nga mbështetësit e Berishës. U ndërruan me urgjencë bravat, pra çelësat e vjetër nuk mund të hapin të njëjtat dyer, ku për vite me radhë janë takuar demokratët, janë hartuar plane, programe, rezoluta, incizime, janë ndërtuar skema e përpunuar strategji për fushatat zgjedhore apo për organizimin e protestave në rrugët e Tiranës. Tani familja nuk është më e bashkuar. Nuk është nën të njëjtën çati. Mes tyre kanë shpërthyer sherret të cilat kanë çuar deri në masa ekstreme, siç janë ato më të rëndomtat për mos të lejuar palën pushtuese të hyj në zyra për të shfrytëzuar mjediset që deri dje kanë qenë të hapur për gjithë demokratët. Zhvendosja e luftës nga politike në fushën e gojëtarisë, fjalimet, debatet, opinionet, akuzat e provat, ballafaqimet mes palëve, brenda një partie,siç funksionojnë forcat politike në vendet demokratike, beteja iu largua terreneve të hapura dhe u fokusua mbi pronësinë e selisë dhe zyrave të partisë. Aktualisht debati dhe diskutimi nga parimet e demokracisë, është transferuar në kyçjen e portave për të pamundësuar pushtimin e tyre nga mbështetësit e Berishës. Pothuaj përditë, qytetarët tanë ndjekin live përplasjen fillimisht të komisionit të rithemelimit të PD-së nga Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët hynë në seli triumfalisht dhe fare pranë zyrës së kryedemokratit Basha në takim për reformimin dhe organizimin e zgjedhjeve të FRPD së, jehona e zërave u kryqëzua nëpër korridore, u përplas mbi faqet e mureve, rrëshqiti në dyshemetë e gurta të selisë për të dalë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave, transmetuar nga ekranet e televizioneve të cilët po shfrytëzojnë menunë e shtruar dhe bollëkun e informacioneve që prodhon PD fare pranë zyrave të tyre.
Buka e medias, asaj vizive dhe të shkruar, është mbushur me sensacione, ku oratorët, foltoristët dhe ata që mbahen si zyrtarët e zgjedhur demokratikisht, prodhojnë bollëk me lajme të cilat shpërndahen anekënd Shqipërisë, duke ushqyer militantët me lugën bosh.
Sikur të mos mjaftonin sulmet përmes fjalimeve dhe akuzave të bëra virale, po nxjerrin sekretet e fshehura me stoicizëm në kasaforta me kode të pamundura për tu kopjuar dhe mësuar nga opinioni dhe zyrtarët në pushtet, po së pari nga drejtësia. Sot po numërohen radhazi bëmat e gjëmat, duke nxjerrë të vërtetat lakuriq në sytë e të gjithëve. Ajo që evidentohet në luftën brenda radhëve të Partisë Demokratike, gjatë këtyre ditëve është vërtetë, sa komike aq edhe tragjike, është betejë e llojit të veçantë që në pamje të parë duket si lojë luftash ose kukafshehti që kemi luajtur në fëmijëri, ku mbylleshim nëpër dhoma, fshiheshim në kthina për të mos na gjetur skuadra tjetër pasi shpallej fituese. Për fshehje të sigurt, kyçnim dyert dhe qëndronim të heshtur deri sa humbisnim gjurmët për të mos na zbuluar grupi kundërshtarë. Ishin vetëm lojëra fëmijësh që nuk kishin brenda asgjë keqdashëse, veç kërshërisë dhe kënaqësisë se ishim të zotët të humbisnim gjurmët dhe shokët nuk na zbulonin dot. Këtë e shpallnim fitore mbi palën tjetër.
Në ndryshim nga kyçja e portave tona që ishin veprime fëminore, këto të demokratëve nuk kanë asnjë përngjasim dhe lidhje mes tyre. Partia Demokratike është sot tridhjetëvjeçare dhe lojërat fëminore nuk i shkojnë fare partisë qofshin edhe si imitim apo kopjim për t`i përngjasuar atyre kohëve kur nuk na udhëhiqte logjika, po pasionet e moshës.
Sot realiteti, brenda Partisë Demokratike nuk ka asnjë lidhje me lojërat fëminore për arsye të moshës tridhjetëvjeçare që ka mbushur në 11 dhjetor. Fshehja e palëve, kyçja e shkyçja, është vërtetë groteske dhe e pajustifikueshme. Aq më tepër që kjo bëhet përmes veprimeve vërtetë komike e primitive siç është ajo ndërrimit të bravave dhe hedhja e fshehja e çelësave për të mos lejuar pjesën kundërshtare të frekuentojë zyrat e partisë, si të ishin jo anëtarë të së njëjtës familje, por ufo mbërritur nga planete të tjera. Duket se beteja mes palëve për të marrë partinë, ka shndërruar politikën dhe demokracinë, ballafaqimin me debate dhe alternativa, bashkimin në ndarje, jo unifikim po përçarje në sulme pa vlerë mes demokratëve. Nga luftë reale në ireale nga beteja për të kryesuar e zotëruar partinë në luftë që është shndërruar në ballafaqimin më të egër se cili do të zotërojë, jo vulën e logon e partisë, as anëtarësinë e militantët, po marangozët dhe marangozinë për ta kyçur në kasaforta partinë. Pas kyçjeve të dyerve dhe ndërrimit masiv të bravave, sikur partia është bunker dhe kasafortë, po arkivohet në zyra me çelësa të hedhura në puse të thella. Po beteja e bravave edhe pse gjetje gjeniale dhe shpikje me shumë fantazi nuk është baras me mbrojtjen e selisë së partisë nga sulmet apo pushtimi i anëtarësisë, qofshin mbështetës të Bashës apo Berishës. Nuk ka asgjë të përbashkët mes selisë, zyrave, funksionarëve dhe të zgjedhurve, militantëve dhe anëtarëve, përkundrazi, partia është brenda ndërgjegjes së anëtarësisë në mendimet e mendjen e zemrën e secilit. Nuk janë zyrat partia, ajo është shtëpia e anëtarësisë dhe militantëve dhe nuk ka asnjë lidhje me bravat e zyrave të cilat nuk kanë asnjë vlerë dhe për më tepër nuk kanë fuqinë që jep dialogu dhe debati ballë përballë që partia e parë opozitare të mbetet alternative për pushtet dhe jo të copëtohet e ndahet në thërrime e copëza pa jetë. Se kjo beteja më e re që ka në themel ndërrimin e bravave, si masë për të kyçur brenda tyre zemërimin, vetëm sa shton dhe rrit zhgënjimin, jo vetëm të anëtarësisë dhe militantëve, po së pari të gjithë shqiptarëve. Se vitet do kalojnë dhe zgjedhjet e radhës do të vijnë, po si do ua shpjegojnë ish-lideri dhe kryetari aktual anëtarësisë se ishte një kohë ku mllefi doli mbi logjikën dhe mbyti demokracinë, duke kyçur nëpër bodrume vetë partinë? Me ç`të drejtë liderët pretendent për fitore do ngrenë në këmbë votuesit shqiptarë për të fituar mbi kundërshtarët politikë vetëm me sloganin “Rama ik”, në një kohë kur partia në shumë pjesë u nda edhe për zyra e seli në betejën më absurde, atë të kyçeve që do kujtohet në historinë e pluralizmit politik, tipike alla-shqiptarçe: Beteja e bravave ose shndërrimi i forcës më të madhe opozitare nga parti në supermarangozi!
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...