Jemin Gjana, Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve pranë Partisë Demokratike, ngritur për zgjedhjen e kryetarit të ri të selisë blu që do të mbahen në datë 13 qershor, deklaroi ditën e sotme se statuti i PD-së nuk ka një detyrim për dorëqheqjen e kryetarit.
Duke folur për mediat jashtë selisë blu, Jemin Gjana theksoi se në vitin 2017 është diskutuar mundësia e përfshirjes së një pikë në statut për dorëheqjen e kryetarit, por një gjë e tillë nuk është miratuar.
“Mbledhje për konstituimin ishte. Përcaktuam sekretarin e komisionit. Përcaktuam një procedurë pune për javën. Do përgadisim udhëzimin bazë, për modalitet e procesit dhe do ja paraqesim kryesisë me qëllim që ta miratojë si paketë të plotë bashkë me kandidaturat.
Jeni duke folur me kryetarin e komisionit të zgjedhjeve. Një gjë ju garantoj. Është debatuar në vitin 2017, nëse në statutin e ri do të kishte një normë stature që detyron dorëheqjen dhe nuk është miratuar. Në statut nuk ka detyrim dorëheqje. Pjesët e tjera janë zgjedhje individuale,” tha Gjana.
Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit ka shkaktuar ‘zhurmë’ në selinë e Partisë Demokratike. Fatbardh Kadilli i pari dhe më pas Bujar Nishani e të tjerë dolën kundër Lulzim Bashës, duke e konsideruar këtë të fundit përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.
Ditën e djeshme Partia Demokratike mblodhi kryesinë e saj dhe keshillin duke vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve të kryetarit të ri në datë 13 qershor.
Mësohet se Basha ka deklaruar përpara anëtarëve të kryesisë se nëse demokratët pranojnë që zgjedhjet kanë qenë të rregullta, atëherë ai jep menjëherë dorëheqjen, por nëse ata thonë se zgjedhjet janë vjedhur, atëherë ai është gati të vazhdojë betejen me ta deri në fund.