Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, u prit me nderime ushtarake nga Ministri i Mbrojtjes i Republikë së Italisë, Guido Crosetto. Gjithashtu, në këtë vizite ishin edhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë takim, Mehaj dhe homologu i tij italian, diskutuan rreth bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve të FSK-së në fusha specialistike, forca speciale, aviacion e mjekësi.
Gjithashtu, Mehaj shprehu edhe njëherë gatishmërinë në ofrimin e trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit urban, deminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Përveç të tjerash, në këtë takim u bisedua dhe për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë dhe rëndësinë e unitetit për mbështetjen e ukrainasve në luftën kundër agresorit rus.
Në këtë aspekt, Ministri Mehaj bëri të ditur se Kosova mbanë qëndrim të qartë kundër politikave ruse dhe në vazhdimësi, si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ai theksoi se vendi jonë është duke ofruar gjithçka që është e mundshme, brenda kapaciteteve tona, duke përfshirë pranimin e refugjatëve si dhe integrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë dhe po ashtu ofrimin e trajnimeve me instruktorë specialistë të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit, thuhet në komunikatën për media nga kjo Ministri.
Në fund të këtij takimi, Ministri falënderoi Ministrin Crosetto për mbështetjen e deritanishme ofruar nga shtetit italian, duke u zotuar për vazhdim të thellimit të këtij bashkëpunimi, që është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të gjithmbarshëm.
Armend Mehaj (i lindur më 17 Korrik 1981) në fshatin Isniq të Deçanit, është Ministër i Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në detyrë që nga 22 Marsi i vitit 2021.
Armend Mehaj ka lindur më 17 Korrik të vitit 1981 në fshatin Isniq të Deçanit në Kosovë, ndërsa ka jetuar dhe vepruar në Oslo të Norvegjisë. Ai i është bashkuar Forcave të Armatosura të Norvegjisë në vitin 1999, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kapiten Mehaj ishte dekoruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, me medaljen “Për shërbime të veçanta, me motivacionin “Për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë, si dhe në kontributin e veçantë të dhënë në përmbushje me sukses të misionit paqeruajtës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Çad”.
Me këtë rast, Mehaj kishte deklaruar se dashurinë për vendlindjen e tij Kosovën, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e ka të shenjtë.
“Ndjehem i privilegjuar që marr këtë dekoratë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. Unë jam nga Kosova dhe dashurinë për vendlindjen, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e kam të shenjtë. Unë i përulem me shpirt e zemër flamurit kombëtar”, ishte shprehur Mehaj.
Flori Bruqi