“Mjeshtër i Madh” për Faik Xhanin/ Kontribut në ndihmë të fëmijëve jetimë dhe moshës së tretë
TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Në vlerësim të përkushtimit dhe kontributit të veçantë në ndihmë të pensionistëve, si edhe në kuadër të Ditës Botërore të të Moshuarve, presidenti Ilir Meta nderoi sot kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, Faik Xhani me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
“Xhani është dalluar gjatë gjithë jetës së tij si veprimtar aktiv shoqëror, duke kryer me devotshmëri edhe detyra të ndryshme si nismëtar e kontribues për themelimin dhe funksionimin e disa shoqatave jofitimprurëse, që kanë ndihmuar fëmijët jetim, moshën e tretë dhe familjet në nevojë”, tha Meta.
Presidenti përsëriti thirrjen drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore, veçanërisht atyre të kujdesit shëndetësor, që të punojnë fort për përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve.(Agjencia Telegrafike Shqiptre-ATA)