Zyrtarë të lartë qeveritarë në Serbi kanë vazhduar me kërcënime, duke vazhduar të shohin ëndrra syhapur për futjen e ushtrisë së tyre në territorin e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, ata vazhdojnë ta pranojnë se për të bërë një gjë të tillë, duhet së paku “një leje nga KFOR-i
Sidoqoftë, deklaratat e tyre vazhdojnë të tregojnë qasjen e tyre ndaj “përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.
Kjo mund të vërtetohet edhe nga deklaratat e fundit të ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili për media ka thënë se nëse ushtria serbe merr urdhër nga presidenti Aleksandar Vuçiq që njësitë e saj të hyjnë në Kosovë, do ta bëjnë këtë “në mënyrë efikase dhe profesionale” – por se për këtë do ta njoftojnë paraprakisht edhe komandën e KFOR-it.
Ai gjatë deklaratave të tij nuk ka harruar për ta përmendur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin ka thënë se po bën “bullizëm dhe përndjekje fizike të popullit serb në Kosovë”.
Por deklarata e tij mund të vlerësohet diametralisht e kundërt me një deklaratë të një serbi që jeton në Kosovë.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se ai si serb dhe familja e tij ndihen më të sigurt në Kosovë sesa në Serbi.
“Unë si serb dhe familja ime si serbe ndihemi më të sigurt në Kosovë sesa në Serbi”, ka thënë Rashiq, për Hayat.ba.