“Hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka ndikim strategjik në gjithë regjionin e Ballkanit sepse siguron më shumë stabilitet se është një mesazh i qartë për të gjithë ata që tentojnë ta destabilizojnë Ballkanin Perendimor”. Kështu deklaroi Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në “Lajmet e fundit”, në RTK.
“Kjo ka rëndësi të veçantë për faktin që kjo bazë është vendosur në Republikën e Shqipërisë. Dihen raportet e Kosovës me Shqipërinë, për ne është një hap i rëndësishëm, por për edhe gjithë Ballkanin Perendimor, sepse jep më shumë siguri dhe frenon dashakeqësit që tentojnë të destabilizojnë këtë regjion”, deklaroi Maqedonci.
Mes tjerash ai tha se ky është një mesazh edhe për frenimin e influenncës ruse në Serbi, dhe një siguri që NATO u jep vendeve që aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.
Ministri Maqedonci tutje tha se NATO e ka të nevojshme prezencën në Shqipëri dhe Ballkanin Perendimor edhe në aspektin taktik e operacional.
“Kjo bazë i jep mundësi aeroplanëve të NATO-së të zhvillojnë operacione edhe në vende të tjera, si Lindjen e Mesme dhe Mesdheun”, theksoi ai.
Ndërkohë, duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovës, ministri i Mbrojtjes tha se gjendja në këtë periudhë është e qetë, megjithatë sipas tij, rreziku është shumë real.
“Rreziku është shumë real, për shkak të dy elementëve kyç, si hegjemonia e Republikës së Serbisë në raport me fqinjtë, dhe dy, vendosja e njësive ushtarake të Serbisë në jug të territorit të saj. Pra, tri nga katër brigada të ushtrisë serbe janë të vendosura në regjionin jugor të Serbisë, dhe i kemi 48 baza që Serbia i ka vendosur në vijat kufitare me Kosovën. Dhe gjithë ky militarizim është kërcënim për Ballkanin Perendimor", theksoi Maqedonci.
Mes tjerash ministri foli edhe për marrëdhëniet e mira që FSK vazhdon ti ketë me SHBA-të duke treguar se po vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta, ku tha se aktiviteti i fundit ishte në muajin shkurt.(RTK)