Në përvjetorin e parë të shpalljes shenjtore të Nënë Terezës, në Neualbenreuth të Bavarisë është mbajtur një pasdite informative, ku edhe është shfaqur filmi, “Shqiptarja Nënë Tereza dhe rrënjët e saj në Kosovë”. Autore e këtij filmi është politologia, gazetarja dhe aktivistja e njohur shqiptare nga Berlini, Vjollca Hajdari, shkruan onetz.de. Një fjalë hyrjeje ka mbajtur Susanne Wenzel, me temën “Kisha Katolike në Kosovë dhe si u forcua ajo nga minatorët saksonë dhe kolonët gjermanë në mesjetë”.
Nga ky film, vizitorët kuptuan edhe arsyen përse e ëma e Nënë Terezës nuk kishte mundur të plotësonte dëshirën e saj më të madhe: të shihte edhe njëherë të bijën. Kjo kishte ndodhur pra, pasi nëna dhe motra e Nënë Terezës jetonin në Shqipëri dhe atje sundonte diktatori komunist, Enver Hoxha i cili nuk e kishte lejuar një takim të tillë.
Në hyrjen e saj mbi historinë e Kishës Katolike të Kosovës, Susanne Wenzel tregoi se krishterimi atje njihej nga koha e Apostullit Pal. Regjioni përmendet qysh në Testamentin e Ri, si Provinca e Ilirisë në Perandorinë Romake. Bashkësitë e para të krishtera atje ishin formuar shumë herët. Ndërsa serbët e ngulitur aty duke filluar nga shekulli 6 morën krishterimin vetëm rreth 300 vjet pasi kishin ardhur. Pastaj shumë herët ata u orientuan në ortodoksi, gjegjësisht në drejtimin lindor të krishterimit. Me vendosjen e minatorëve nga Saksonia gjermane dhe tregtarëve kroatë (raguzanë), nga fundi i shekullit 12 dhe fillimi i shekullit 12, u krijuan komunitetet kompakte katolike, të cilat vazhdojnë të veprojnë edhe sot.
Wenzel ka folur edhe për gjendjen e sotme të Kishës Katolike në Kosovë dhe ka vënë theksin në reputacionin e lartë që gëzon Nënë Tereza në vendin me shumicë myslimane. Ligjërata e Wenzel është ilustruar me shumë fotografi. Mes tjerash u prezantuan pamje nga vendi i pelegrinazhit, Letnica. Në këtë fshat shënohet më 15 gusht me një pelegrinazh ngritja në qiell e Shën Mërisë. Këtu kishte marrë pjesë edhe Nënë Tereza si vajzë e re dhe këtu kishte vendosur të ecte rrugës së Perëndisë.
No comments:
Post a Comment