Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur sot ka marrë vendim për suspendimin e gjyqtarit të rastit, pas arratisjes së Enver Sekiraqës.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”, thuhet në njoftim.
Burime e mediave brenda KGJK-së bëjnë të ditur se bëhet fjalë për gjyqtarin Agim Kuçi.
Suspendimi vjen pasi i njëjti më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.