2016-08-15

Dash Kaloçi sjell “Kadareja i denoncuar”

kadare
Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë. Gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, promovoi sot në Hotel Tirana librin e tij “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press. Ky libër sjell fakte nga dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Në këto dokumente kanë vënë firmën ish-ministrat e kohës, Kadri Hazbiu dhe anëtarë të Byrosë. Gjatë promovimit folën avokat Spartak Ngjela, shkrimtari dhe studiuesi Sadi Bejko dhe botuesi Henri Çili. Ata vlerësuan punën e gazetarit Kaloçi në zbulimin e arkivave dhe sjelljen e së vërtetës para publikut.

Dokumentet sekrete të nxjerra në këtë libër përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë nisur prej vitit 1962 deri më 1982, që përkojnë me dokumentin e parë me të cilin hapet libri dhe atë të fundit, mbylljen në vitin ‘82. Dokumentet dalin për herë të parë nga arkivat dhe japin një panoramë të funksionimit të shërbimit sekret, ku jo të gjitha i takojnë ekskluzivisht Kadaresë.

“Dokumentet që janë përfshirë në këtë libër i përkasin periudhës kohore nga viti 1962 deri në vitin 1982. Pra një periudhe kohe që përfshin një periudhë plot njëzetvjeçare. Që do të thotë se dokumenti i parë me të cilin hapet dhe libri është i vitit 1962 dhe dokumenti i fundit me të cilin mbyllet i përket vitit 1982”, thotë Kaloçi. Gazetari kërkoi ndjesë familjarëve të personave që përmenden në libër me emër mbiemër, por shtoi se kjo zgjedhje është bërë për ti shërbyer të vërtetës.

“Të 31 dokumentet që janë pasqyruar në libër, janë raporte, informacione, dëshmi, letra, relacione, kërkesa, proces-verbale, korrespodencë e karakterit zyrtar ndërmjet institucioneve shtetërore të asaj kohe, si dhe tema, raporte, biseda të mbajtura në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, proces-verbale të mbledhjeve të saj, etj., etj. Dhe të gjitha këto që përmenda, kanë të njëjtën destinacion ku adresohen: Komitetin Qendror të PPSH-së, funksionarët e lartë të saj, anëtarët e Byrosë Politike e udhëheqësit më të lartë, duke filluar nga Manush Myftiu, Ramiz Alia, Mehmet Shehut dhe personalisht Enver Hoxhës.

Një pjesë e dokumenteve janë të sektorit të arsim-kulturës pranë Komitetit Qendror, i cili mbulonte edhe Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, dhe instruktorët përkatës të këtij sektori, për çdo punë apo problem të tyre, informojnë eprorët e tyre në Komitetin Qendror të PPSH-së. Dhe kjo sipas specifikës së problemit apo punës e sektorit përkatës që mbulonin sekretarët e Komitetit Qendror si, Ramiz Alia, Hysni Kapo, Hekuran Isai etj..”,- sqaron Kaloçi.

THANE:

Henri Çili

Kur Dashnor Kaloçi erdhi dhe më tha se kam disa dokumente ku flitet për Kadarenë, një numër dokumentesh: 31 dokumentet e Komitetit Qendror dhe një që flitet për bashkëshorten e tij, Helena Kadarenë, m’u duk si realizim i diçkaje që prej vitesh e kishim menduar edhe në rrethet gazetareske. Kadare është një temë shumë e diskutuar para d he pas komunizmit, në mediet ndërkombëtare dhe vendase. Ai ka ithtarë të flaktë, ka kundërshtarë të flaktë , n lidhje me rolin e tij sui generis, por edhe të elitës intelektuale gjatë kohës së komunizmit, raportet me regjimin. Ishin pjesë e regjimit, kundërshtarë, të toleruar, bashkëpunëtorë që regjimit, fajtor, etj., etj., dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse nuk dalin dokumentet dhe këto dokumente , të paktën diskutimi do të ndërtohej mbi këtë bazë. Prandaj bëmë një pakt me Dashin se do të botonim fjalë për fjalë këto dokumente pa hequr asgjë dhe pa shtuar asgjë dhe është thënë edhe në parathënie se autori dëshmon autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe vërtetësinë e tyre. tema është e gjerë dhe e diskutueshme. Ne besojmë se hapim një diskutim mbi dokumente autentike, edhe pse duhet thënë se studiuesi Shaban Sinani ka botuar para disa vitesh dhe elementë të tjerë në shtyp, një libër, por dokumentet ishin të paplota. Arkivat po hapen, fatmirësisht ka një ligj të ri për hapjen e dosjeve duke respektua të drejtën e të ndjekurve pa cenuar të drejta të tjera të njeriut dhe procese të tjera kushtuese e kështu me radhë, ato janë një mundësi tjetër për t ë vazhduar më tej kërkimin e të vërtetave të tjera të këtij vendi.

Sadik Bejko

Të merresh me arkivat, aq më tepër me arkivat e një kohe të diktaturës është njësoj si të merresh me anën e errët të historisë së një vendi. Dhe për këtë anë të errët jemi një vend që mund të themi se jemi të pasur. Por mendoj se pikërisht, parë në këtë thellësi, në anën tonë të errët mendoj se mund të bëhemi më të mirë. Ky vështrim i Dashnor Kaloçi në dokumentet e kohës së diktaturës për një shkrimtar të shquar , por për më tepër aty përmendet mbi 15 vjet një histori e shkrimit shqip, e letrave shqipe, e kulturës shqipe, e inteligjencës shqipe, për atë periudhë. Dhe të merresh me letërsinë është si të merresh me pushtetin. :letërsia gjithmonë ka qenë në pushtet. Dhe pushteti gjithmonë është ndjekur nga konkurrenca, është ndjekur nga paraskenat dhe prapaskenat e saj. Dhe këtu futemi në një prapaskenë më të errët të një pushteti, siç është ai i intelektualëve në diktaturë, aq më tepër që aty është një zë i shquar i letërsisë për atë kohë dhe për këtë kohë, ndoshta në të gjithë kohërat; Ismail Kadare. Kur thashë pak më parë se kemi hyrë në sferën e pushtetit, duhet të dimë që letërsia është pushteti por ishte një kohë kur shteti nuk lejonte të kishte tjetër pushtet veç pushtetit të tij . Dhe ky pushtet i shkrimit, i inteligjencës ndiqej me xhelozi nga shteti. Prandaj këtu kemi përndjekjen e intelektualëve, të kulturës shqiptare, përndjekjen deh denoncimin e një shkrimtari si Ismail Kadare. Denoncim , që nga sa del në libër nis që nga sferat poshtë, nga kolegët, shkrimtarët, njerëzit e zakonshëm deri te autoritet më të larta të shtetit e deri te vetë diktatori shqiptar në atë periudhë. Ky libër bën një prerje tërthore të të gjithë asaj politike të kohës mbi kulturën shqiptare. Në një libër të tillë ka pjesë jo vetëm politika, por edhe ana njerëzore. Lasgush Poradeci ka një varg: “Qëndroj në tmerr, Zili e botës” . Edhe zilia e shkrimtarëve me shkrimtarët ka çuar te denoncimi. Edhe konkurrenca, edhe xhelozia. Këtu ka edhe një gjë tjetër që Kundera e përmend në shkrimet e veta: “Në Çeki u viheshin përgjues shkrimtarëve dhe kjo ndonjëherë jepej edhe në mediet”…dhe dihet, që është ana e errët e njeriut. Njerëzit me njëri-tjetrin shfryjnë zili, shajnë ndonjëherë miqtë e ngushtë, thonë e çfarë nuk thonë. libri ka pjesën e tij polikë, filozofike e njerëzore. Një libër me shumë vlera në kulturën e ndërgjegjes sonë njerëzore. Këto thellësi të errëta kamë bërë ndonjëherë që këto arkiva të mbushen plot. Ismail Kadare ka thënë “Për mua mund të jenë thënë shumë gjëra, po gjeni për mua dy gisht letër që unë mund të kem thënë për dikë”. Sa shkon koha, dalin çfarë janë thënë kundër tij, lart e poshtë në të gjitha nivelet e shoqërisë, por nuk del që prej tij në një mënyrë të fshehtë diku në ndonjë arkiv të jetë depozituar nga Kadare kundër ndonjë kolegu.

Spartak Ngjela

Unë e lexova librin. Libri nuk është në lartësinë e duhur , të jemi realist, në funksion të ndjekjes. Janë pak dokumente. Por do të vazhdojë, thotë universiteti. ndjekja ose përplasja e Ismail Kadaresë me regjimin ka tjetër përmasë. Nuk kishte mundësi ta pranonte regjimi e as zhdanovizmi Ismail Kadarenë.
Ismail Kadare ka një meritë, që s’ka asnjë vepër që të jetë zhdanoviste , asnjë. Dhe problemi është si e kanë pranuar, përse është pranuar, unë them që e ka thyer me talent.
Talenteve të mëdhenj, edhe diktatorët e mëdhenj u trembeshin. Nuk është problemi nëse Ismail Kadare ka qenë një i përkëdhelur i diktaturës, siç thonë të patalentuarit.
Në Rusi, në kohën e Carit thoshin se ka dy carë: Një ishte Tolstoi dhe tjetri vetë Cari.
Kështu duhej thënë edhe këtu. Ismail Kadare shpëtoi nga fati, sepse “gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u bë bestseller në Francë dhe në Perëndim. dhe Enver Hoxha nuk ishte aq budalla, sa të mos kapte as këtë, që nuk mund t’i lejonte vetes një disident në përmasa perëndimore. Por Kadareja ka qenë në luftë, sepse del edhe nga libri që është fenomen në ambientin shqiptar. Në një ambient oriental është fenomen perëndimor. Letërsia shqipe nuk ka qenë lindore deri në momentet kur erdhi komunizmi, por komunizmi donte t’i jepte një ngarkesë shterpë që ta shfrytëzonte për veten, me anë të një metode sovjetike që u quajt realizëm socialiste, por që ishte zhdanovizëm.
Kadareja ka një konflikt të madh me Ministrinë e Brendshme, pro nuk del shumë saktë në libër. Duhet të gërmoni se atje i keni dhe nuk kishte sesi, sepse ishte ajo lufta e madhe mes një talenti dhe antitalentit që përfaqësonte regjimi.
A.Pipa e ka thënë i pari në kritikën që i bëri veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe e tha shumë bukur “ Fakti që kjo vepër letrare ka vlerë letrare është kundër regjimit”. Në fakt kjo është maksimë e njohur sot. Nuk është çështja që je kundër regjimit se ka dalë dhe ke folur kundër tij. Ke krijuar metodë në funksion të një lirie. Kështu e kam parë unë.

Dashnor Kaloçi

Dhënia e dokumenteve të plota, do lëndojë shumë njerëz. Janë njerëz të gjallë, familjarë të tyre, ne kërkojmë një mirëkuptim publik. Po të botoheshin me iniciale mund të kishte krijuar më tepër probleme, hamendësime, dhe do jepte vetëm një gjysmë të vërtetë kështu që vendosëm të jenë të gjitha pa hequr asnjë presje nga libri. Madje shumë nga personazhet që janë këtu në sallë, dalin në dokumentet e sigurimit, jo për ta denoncuar për keq Kadarenë, pror nga ana letrare. Kjo tregon se Sigurimi ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj Kadaresë, çdo fjalë që thuhej për të në rastin konkret në një qyet periferik në veri të vendit, ato të gjitha Ministri i Brendshëm asaj kohe ia paraqiste udhëheqjes, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe kanë shënime që janë parë prej tyre.
Na arkivi i Ministrisë ë Brendshme këtu është vetëm një dokument që ka dalë prej kohësh, në mënyrë absolute këtu nuk jepen dokumentet , të tjerat i kanë ligjvënësit, ne deri këtu kemi arritur. Ka të tjera plot, por me maturimin e dokumenteve , dikush tjetër ndoshta do e çojë më tej këtë punë.
Është një rast unik që nuk besoj se ka ndodhur diku tjetër në botë me një shkrimtar të madh. Në parantezë të kësaj desha të them, para viteve ’90 ekzistonte një shprehje “Në rast se do të dish se ç ‘ndodh në kupolën e udhëheqjes, pyet në burgun e Burrelit! ”.
Tani sa ët vërtetë ka këtu brenda, në Burgun e Burrelit shumë personazhe që kam kontaktuar që kanë vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit, dilte një fjalë se Ismail Kadarenë punë ditësh e kemi këtu dhe viheshin edhe baste me paketa cigaresh e gjëra të ndryshme e natyrisht që kjo i trishtonte sepse shihnin te Kadareja një rreze lirie, që nëse sistemi do të arrinte të prekte edhe Kadarenë , për ta gjithçka kishte marrë fund.
Shyqyr që kjo nuk ndodhi sepse sot nuk do të kishim një libër për një shkrimtar të madh siç është Ismail Kadare , por do të kishim kujtimet e një kryetari të një prej shoqatave të përndjekurve politikë. Ndërsa ata, të burgosurit e Burrelit thoshin ishalla nuk vjen Kadareja brenda, ne shqiptarët e tjerë që ishim jashtë, i themi Kadaresë pse ti nuk ke qenë në burg.
Ndajeni këtë me të tjerët:

No comments:

Post a Comment

Dhuna Politike në Dardani ...

Kërko brenda në imazh Gazi lotsjellës e koktej-molotovët janë dhunë politike, vlerësonte  ish ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie....