Autori Dashnor Kaloçi ka sjellë në faqet e librit tridhjetë e një dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Në këto dokumente kanë vënë firmën ish-ministrat e kohës, Kadri Hazbiu dhe anëtarë të Byrosë
Përtej çështjeve politike, ngandonjëherë ajo që i çonte shqiptarët të denonconin njëri-tjetrin mund të ishte edhe thjesht arsye e pastër zilie. Kësaj të fundit nuk i shpëtonin as shkrimtarët, ose ndoshta këta të fundit gërryheshin më shumë nga zilia apo xhelozia ndaj talentit të tjetrit… Kështu do të shprehej Sadik Bejko gjatë promovimit të librit “Kadareja i denoncuar” , botuar nga UET-Press. Autori Dashnor Kaloçi ka sjellë në faqet e librit tridhjetë e një dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare. Në këto dokumente kanë vënë firmën ish-ministrat e kohës, Kadri Hazbiu dhe anëtarë të Byrosë. “Letërsia gjithmonë ka qenë në pushtet dhe pushteti gjithmonë është ndjekur nga konkurrenca, është ndjekur nga paraskenat dhe prapaskenat e saj. Këtu futemi në një prapaskenë më të errët të një pushteti, siç është ai i intelektualëve në diktaturë, aq më tepër që aty është një zë i shquar i letërsisë për atë kohë dhe për këtë kohë, ndoshta në të gjitha kohërat; Ismail Kadare”, –tha Bejko. Dokumentet sekrete të nxjerra në këtë libër përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë, nisur prej vitit 1962 deri më 1982-shin. Një rast unik që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës me një shkrimtar të madh, është i mendimit autori Kaloçi, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e atyre që janë përmendur me emra në këto dokumente të botuara të plota. “Po të botoheshin me iniciale mund të kishte krijuar më tepër probleme, hamendësime dhe do jepte vetëm një gjysmë të vërtetë, kështu që vendosëm të jenë të gjitha, pa hequr asnjë presje nga libri”, – u shpreh Kaloçi, duke shtuar se shumë nga ata personazhe që dalin në dokumentet e Sigurimit, ishin të pranishëm edhe në sallën “Akernia” të “Tirana International Hotel” gjatë promovimit. “Jo për ta denoncuar për keq Kadarenë, por nga ana letrare. Kjo tregon se Sigurimi ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj Kadaresë”, – tha Kaloçi. Libri është pasqyrim besnik i materialeve të mbledhura nëpër arkiva, pa i shtuar dhe pa i hequr asgjë, si mënyrë për të dëshmuar edhe autenticitetin e tyre. Autori sqaroi se dokumentet mbajnë edhe shënime që janë parë prej udhëheqjes së kohës nga Ramiz Alia dhe Enver Hoxha. “Nga arkivi i Ministrisë ë Brendshme këtu është vetëm një dokument që ka dalë prej kohësh, në mënyrë absolute këtu nuk jepen dokumentet, të tjerat i kanë ligjvënësit, ne deri këtu kemi arritur. Ka të tjera plot, por me maturimin e dokumenteve, dikush tjetër ndoshta do e çojë më tej këtë punë”, – vijoi Kaloçi. Botuesi Henri Çili u shpreh se me këtë libër hapet një diskutim i gjerë mbi dokumente autentike. “Arkivat po hapen, fatmirësisht ka një ligj të ri për hapjen e dosjeve duke respektuar të drejtën e të ndjekurve pa cenuar të drejta të tjera të njeriut dhe procese të tjera kushtuese e kështu me radhë, ato janë një mundësi tjetër për të vazhduar më tej kërkimin e të vërtetave të tjera të këtij vendi”, – u shpreh Çili, i cili theksoi se Ismail Kadare është një temë shumë e diskutuar para dhe pas komunizmit, në mediat ndërkombëtare dhe vendase. Një njeri që ka pasur rreth vetes sa ithtarë të flaktë po aq edhe kundërshtarë të flaktë.
Autori solli ndërmend kujtime të ish-të burgosurve politikë në burgun e Burrelit dhe sesi të dënuarit atje ishin të bindur se Kadare do u bashkohej së shpejti. “Është një rast unik që nuk besoj se ka ndodhur diku tjetër në botë me një shkrimtar të madh. Në parantezë të kësaj desha të them, para viteve ’90 ekzistonte një shprehje: ‘Në rast se do të dish se ç’ndodh në kupolën e udhëheqjes, pyet në burgun e Burrelit!”. Tani sa të vërtetë ka këtu brenda, në burgun e Burrelit shumë personazhe që kam kontaktuar që kanë vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit, dilte një fjalë se Ismail Kadarenë, punë ditësh e kemi këtu dhe viheshin edhe baste me paketa cigaresh e gjëra të ndryshme e natyrisht që kjo i trishtonte, sepse shihnin te Kadareja një rreze lirie që, nëse sistemi do të arrinte të prekte edhe Kadarenë, për ta gjithçka kishte marrë fund”, – përfundoi Kaloçi, duke shprehur keqardhjen sesi shoqëria shqiptare gati e akuzon Kadarenë për faktin se nuk ka vuajtur në burgjet e diktaturës.
Sadik Bejko: Një libër me vlera në kulturën e ndërgjegjes njerëzore
Ky pushtet i shkrimit, i inteligjencës ndiqej me xhelozi nga shteti. Prandaj këtu kemi përndjekjen e intelektualëve, të kulturës shqiptare, përndjekjen dhe denoncimin e një shkrimtari si Ismail Kadare. Denoncim, që nga sa del në libër, nis që nga sferat poshtë, nga kolegët, shkrimtarët, njerëzit e zakonshëm deri tek autoritetet më të larta të shtetit e deri te vetë diktatori shqiptar në atë periudhë. Ky libër bën një prerje tërthore të të gjithë asaj politike të kohës mbi kulturën shqiptare. Në një libër të tillë ka pjesë jo vetëm politika, por edhe ana njerëzore. Lasgush Poradeci ka një varg: “Qëndroj në tmerr, Zili e botës” . Edhe zilia e shkrimtarëve me shkrimtarët ka çuar te denoncimi. Edhe konkurrenca, edhe xhelozia. Një libër me shumë vlera në kulturën e ndërgjegjes sonë njerëzore.
Spartak Ngjela: Dimri i madh, përplasje e sovrani të shtetit, me sovranin e letrave
Unë e lexova librin. Libri nuk është në lartësinë e duhur, të jemi realist, në funksion të ndjekjes. Janë pak dokumente. Por do të vazhdojë, thotë universiteti. Ndjekja ose përplasja e Ismail Kadaresë me regjimin ka tjetër përmasë. Nuk kishte mundësi ta pranonte regjimi e as zhdanovizmi Ismail Kadarenë. Ismail Kadare ka një meritë, që s’ka asnjë vepër që të jetë zhdanoviste, asnjë. Dhe problemi është si e kanë pranuar, përse është pranuar, unë them që e ka thyer me talent. Talenteve të mëdhenj, edhe diktatorët e mëdhenj u trembeshin. Nuk është problemi nëse Ismail Kadare ka qenë një i përkëdhelur i diktaturës, siç thonë të patalentuarit.
Në Rusi, në kohën e Carit thoshin se ka dy carë: Një ishte Tolstoi dhe tjetri vetë Cari.
Kështu duhej thënë edhe këtu. Ismail Kadare shpëtoi nga fati, sepse “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u bë bestseller në Francë dhe në Perëndim dhe Enver Hoxha nuk ishte aq budalla, sa të mos kapte as këtë, që nuk mund t’i lejonte vetes një disident në përmasa perëndimore. Por Kadareja ka qenë në luftë, sepse del edhe nga libri që është fenomen në ambientin shqiptar. Në një ambient oriental është fenomen perëndimor. Letërsia shqipe nuk ka qenë Lindore deri në momentet kur erdhi komunizmi, por komunizmi donte t’i jepte një ngarkesë shterpë që ta shfrytëzonte për veten, me anë të një metode sovjetike që u quajt realizëm socialist, por që ishte zhdanovizëm. Kadareja ka një konflikt të madh me Ministrinë e Brendshme, por nuk del shumë saktë në libër. Duhet të gërmoni se atje i keni dhe nuk kishte sesi, sepse ishte ajo lufta e madhe mes një talenti dhe anti-talentit që përfaqësonte regjimi. Arshi Pipa e ka thënë i pari në kritikën që i bëri veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe e tha shumë bukur: “Fakti që kjo vepër letrare ka vlerë letrare është kundër regjimit”. Në fakt, kjo është maksimë e njohur sot. Nuk është çështja që je kundër regjimit se ke dalë dhe ke folur kundër tij. Ke krijuar metodë në funksion të një lirie. Kështu e kam parë unë. Vijmë tek ajo që ka libri, reaksioni që ka sjellë “Dimri i Vetmisë së madhe”. Nuk është parë me vëmendje kjo vepër. Letërsia nuk njeh personazhe individualë, njeh autorin. Ka ngritur figurën e Enver Hoxhës, thonë këta, por më duket se nuk njohin romanin. Ai është fiction. Enver Hoxhën ai e ka personazh, nuk e ka personazh historik por e ka personazh në një roman. Dhe po t’i qëndrojmë gjësë normale, është autori, nuk është Enver Hoxha. Luftën në atë roman e ka me Sigurimin e shtetit. Ne që e kemi jetuar e dimë edhe arsyen. Në ato momente kishte një moment liberalizmi në Shqipëri, që mendohej se do kalonte si puna e Kinës edhe Shqipëria. Dhe Enver Hoxha e lëshoi. Ne nuk i kemi të gjitha dokumentet se pse e lëshoi liberalizmin Enver Hoxha. Por ne dimë një fakt, që Shiraku u ka thënë personaliteteve shqiptare “Ne e pranuam Enver Hoxhën që në ’71–’72 hapur. Pompiduja e pranoi i thanë delegacionit, por na vuri kusht Titoja. Dhe ai njeri që mendoi se do ta mbanin ashtu siç mbajtën Kastron, të paktën me një sintezë apriori se fakte nuk kemi. Në këtë moment Kadareja hodhi Dimri i Madh, që mendonte se do ta liberalizonte. ‘Dimri i Madh’ ka një betejë të madhe, si do ta analizonte nga ana e inkoshientit. Është sovrani i shtetit, me sovranin e letrave që janë përplasur në atë roman. Sovrani i letrave i thotë sovranit të shtetit që ti nuk je sovran se nuk drejton dot kështu. Se ai nuk është Enver Hoxha, ju e dini se është Enver Hoxha. Por ishte një roman dhe vlerat artistike të një romani nuk janë vlera historike, në kuptimin e fiction-eve si vepra e Barletit. Megjithatë në këtë libër ka konflikte të mëdha, sepse krijoi konfliktet e zhdanovizmit. Kjo rezulton në libër, që del kundër doktrinës, kundër realizmit socialist etj., etj. Pse lejohet ky e nuk lejohemi ne? Do të shihni një luftë të nivelit të ulët në intelekt. Por ai ishte regjimi, nuk është problemi se duhen fajësuar njerëzit. Ai ishte regjimi. Një spiunazh total ishte Shqipëria. Kishin krijuar një pikë këta. Një pikë statike, morale, që ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij. Dhe të gjithë që godisnin njëri-tjetrin e godisnin në funksion të kësaj pike, që ta eliminonin. Edhe nëse nuk ishin të angazhuar si spiunë, ishin të angazhuar në një luftë politike për të eliminuar një kundërshtar që e kishin rival si shkrimtar. Kjo del edhe në këtë korpus dokumentesh që paraqet UET-Press. Mendoj që është një fenomen perëndimor që këta nuk duan ta lejojnë të lulëzojë. Ajo konstatohet edhe sot. Është lufta orientale që i bëhet një fenomeni oksidental, pavarësisht nga mbulesa inkoshiente që iu del me zor për ta kuptuar. Çështja është që ka një vlerë ndërkombëtare në letërsinë shqiptare, që ishte Kadareja. Hajde ta ruajmë! Edhe sot e shoh që e kanë me njëfarë smire. “Jo po nuk konkurron, jo nuk duam të marrë çmim ‘Nobel’, më thoshte njëri. E denoncojnë te ‘Nobeli’, nuk e dinë se vlerën e merr më shumë ti sesa ai, nuk e kuptojnë dot se një çmim ‘Nobel’ për letërsinë në Shqipëri, më shumë të jep vlerë ty në perëndim sesa Ismail Kadaresë që të marrë çmimin. Nuk e kemi kuptimin e zhvillimit të koshiencës kombëtare. Jo! Fakti që e ka nisur një rrugë të tillë, për të g rrumbulluar fakte, sesi kanë qenë konfliktet e brendshme qoftë edhe në sferën e letërsisë dhe të arteve është mirë për katarsisin që duhet të bëjë shoqëria shqiptare. Dhe është shumë mirë që është krijuar me një figurë që është goditur. Nuk është goditur nga regjimi, por kush është ai që nuk e kuptoi se “Pallati i Ëndrrave” ishte Komiteti Qendror. Pyetja është se përse nuk e persekutuan, përse nuk e goditën kur e kuptuan. Ky është një problem që i takon historisë për ta zgjidhur. Ai e ka bërë detyrën e vet. Ka shpëtuar letërsinë e vet nga shëmtimi. Nuk është pak. Si e ka arritur është detyrë e tij dhe e historisë ta tregojë. Ne e konstatojmë që ka qenë krejtësisht i sulmuar, por nuk ka bërë asnjë lëshim individual. Unë deri tani nuk i kam gjetur asnjë lëshim individual. E ka ruajtur dinjitetin e tij dhe i ka bërë shërbim vetes dhe kombit të tij.
No comments:
Post a Comment