2016-08-15

Letër Albin Kurtit






SHKRUAN : JETON ZULFAJ

I dashur Albin,

Ishte kënaqësi të ju takoja në koktejin për Ditën Kombëtare të Suedisë me 6 Qershor.

Unë ju përcjellë ju në politikë dhe është çdoherë emocionuese kur takon njerëz që i respekton dhe i don për punën që bëjnë.

Ashtu siç edhe prezantoheni, ju ishit i thjeshtë dhe i njerëzishëm. Unë kam respekt për ju.

Padyshim se ju jeni një model për t’u ndjekur në shumë drejtime. Në masë të madhe ju jeni mishërim mes parimeve që predikoni dhe jetës që bëni, prandaj fjalët tuaja kanë më shumë peshë dhe vlerë.

Ju e dini se jeta në Kosovë është e vështirë. Ata që nuk janë të lindur nën status dhe pasuri nuk i kanë mundësitë e barabarta në asnjë drejtim.

Është dëshpëruese të shohësh se si koha kalon dhe asgjë nuk ndryshon. Ata që u pasuruan vazhdojnë të pasurohen kurse të varfëritë vazhdojnë të thellojnë varfërinë, kurse ata që punojnë 12 orë në ditë e 7 ditë në javë nuk arrijnë të paguajnë faturat e tyre.

Çfarë nuk shkon?

E di se përgjigja juaj është e gatshme. Duhet vetëdijësim i popullit për të ndryshuar gjendja, do thoshit ju, duke e kaluar problemin dhe zgjidhjen tek populli.

Populli përdoret nga ata që qeverisin dhe pasurohen për të qeverisur dhe për të u pasuruar. Populli po na donë, thonë ata.

Si ka mundësi që i njëjti popull të fajësohet dhe të lavdërohet për gjendjen ekzistuese? Kam frikë se problemi nuk është populli, Albin. Populli nuk ndjen dashuri për të korruptuarit, për kriminelët për të padinjitetshmit. Aspak, populli ndjen frikë.

Frikë se nuk do punësohen, frikë se do ndëshkohen nëse janë në punë, frikë se do të mbesin pa të ardhurat sociale, frikë se biznesi tyre do mbyllet, frikë se dikush mund të ju trokas në derë në orët e vona për ndonjë fjalë pavend apo frikë se gjithçka që është ndërtuar me vite mund të rrokulliset për një ditë.

Problemi nuk është populli. Populli është zgjidhja.

Problem janë politikanët.Disa të korruptuar, disa të inkriminuar dhe disa injorantë e pa dinjitet.

Ju nuk jeni asnjëri nga këta, por ende nuk po ofroni zgjidhje për popullin. Ajo që ju i ofroni popullit është një zgjidhje e vështirë. Ju i ofroni një vend me mundësi të barabarta që zhvillohet si shoqëri dhe jo si individ dhe ku për të gjithë vlejnë rregullat e njëjta, por në këmbim të kësaj keni vendosur një kusht të rëndë dhe të rrezikshëm. Ju ofroni paparashikueshmëri në veprime, një bast i rrezikshëm që shumë qytetarë nuk janë të gatshëm ta marrin për të ardhmen.

Unë jam nga ata qytetarë që kur ju flisni ju kuptoj se çfarë thoni. Unë jam shqiptar i Kosovës, i vetëdijshëm për identitetin tim, për të kaluarën time, për padrejtësitë e aleatëve, për urrejtjen e fqinjëve, për tokat që s'i kemi, për flamurin, për gjuhën dhe traditën.

Nuk me duhet askush që të më kujtoj këtë çdo ditë. Por mua nuk më përfaqësojnë liderët e korruptuar në Tiranë, trafikantët e drogës dhe prostitucionit, përfaqësuesit e lazaratit apo bosët e naftës . Ata nuk më japin shpresë dhe dashuri për Shqipërinë e sotme, por nuk është në dorën e tyre të na mohojnë apo pranojnë historinë dhe identitetin.

Albin, më dhemb në shpirt se unë nuk mund të ju përkrahi ju përderisa ju nuk përqafoni shtetin që kemi krijuar me ndihmën e të tjerëve. Për mua nuk ka kauzë më të madhe se sa një shoqëri pa krim, pa korrupsion, ku ligji nuk favorizon dhe ku të gjithë janë të barabartë para tij, me mundësi të barabarta ku ata që fitojnë më shumë dhe janë në majë kujdesen për ata në fund.

E kuptoni pra pse temat që shpërfaqin nacionalizmin nuk janë me rëndësi tani?

Unë e kuptoj si funksion shteti dhe shoqëria. Politika jonë e brendshme duhet të krijoj shoqëri pa korrupsion dhe pa krim dhe një shtet të së drejtës ku rregullat e njëjta vlejnë për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit. Të krijojë një ekonomi ku çdo qytetar mund të ëndërroj për biznesin e tij pa pasur nevojën të paguaj haraç apo pa frikën se do të mbyllet nga barra e taksave të paarsyeshme. Të shfrytëzoj pasuritë tona për të investuar në mirëqenien tonë pa eksploatuar ambientin dhe pa rrënuar të ardhmen. Të krijojë disiplinë fiskale dhe politika të mirëqenies ku ata që fitojnë më shumë kujdesen për ata që fitojnë më pak. Politika jonë e jashtme duhet të na mbrojë nga armiqtë dhe të na thellojë bashkëpunimin me miqtë tanë. Të na hapë rrugët e tregtisë dhe lëvizjes, të na mbrojë dhe promovoj identitetin tonë dhe të fitoj respektin tek të tjerët. Por politika jonë e jashtme nuk mund të jetë e fortë dhe as e respektueshme, njëjtë sikur qytetarët tanë nuk mund të jenë të respektueshëm, kur sistemi jonë i brendshëm prodhon papunësi, korrupsion e gjithçka që komprometon vlerat tonë si individ dhe shoqëri.

Më shumë se kurrë kemi nevojë për alternativë dhe për ndryshim. Kemi nevojë për liderë që inspirojnë, që ofrojnë dashuri në vend të urrejtjes, që ofrojnë zgjidhje në vend të problemeve, që ofrojnë shpresë përballë vështirësive.

Prandaj e urrej që shpesh gjej vetën duke ju kundërshtuar. Do doja shumë që ju të dëgjoni dhe të kuptoni. Të ndryshoni apo ndoshta të sakrifikoni një qëndrim tuajin për një të mirë më të madhe të shoqërisë. Sot, e mira e madhe është luftimi i krimit dhe korrupsionit, hapja e perspektivës për biznes dhe punë, investimi në shkollim dhe shëndetësi për të gjithë, prandaj kam një lutje për ju që të sakrifikoni pak nga vetja në shërbim të shoqërisë që të shpëtoni qytetarin nga një elitë shpirt-ngushtë dhe fyt-gjerë.

Me shumë keqardhje dhe me pakënaqësi të madhe më duhet të refuzoj ftesën tuaj që të vij të ju takoj në zyrat e Vetëvendosjes. Por unë kam shpresë që një lider si ju din kur duhet të ndryshoj për një të mirë më të madhe.

Me shumë dashuri dhe respekt,

JETON ZULFAJ QYTETAR I KOSOVËS.

No comments:

Post a Comment

Dhuna Politike në Dardani ...

Kërko brenda në imazh Gazi lotsjellës e koktej-molotovët janë dhunë politike, vlerësonte  ish ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie....