2016-08-15

Kaloçi: 60 shkrimtarë në relacionin e Sigurimit të Shtetit



Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë…!

Dashnor Kaloçi, një njeri skrupuloz i arkivave dhe ngjarjeve të faktuara përmes dokumenteve, vjen së fundi me botimin “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press. Në intervistën e dhënë për gazetën “Mapo”, Kaloçi ndalet jo vetëm në fakte nga dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, por sjell dhe interpretimin e tij mbi to, si fryt i punës 25-vjeçare të tij. Siç vlerësohet nga titulli, libri bën fjalë për shkrimtarin Ismail Kadare, ku përmes dokumenteve dhe ato “top secret”, del se ka qenë disa herë i denoncuar. Këto përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë, nisur prej vitit 1962 deri më 1982, që përkojnë me dokumentin e parë me të cilin hapet libri dhe atë të fundit, mbylljen në vitin ‘82.





Është tejet intriguese dhe shumë sfiduese sesi është e mundur që nuk ka dalë deri më sot dhe nuk është bërë publike e gjithë kjo dosje me këto dokumente, dhe aq më shumë për këtë letër që Bilal Xhaferri ia paska dërguar Enver Hoxhës, nuk është folur kurrë!?

Nuk e di dhe nuk marr përsipër ta zbardh në këtë botim, por është fakt se kjo letër ekziston dhe publikohet në libër e plotë, me faksimilet përkatëse.

Ka një paradoks që duam ta vëmë në dukje dhe që lidhet me faktin se në vitin 2014 doli një libër “Një enigmë me disa të panjohura rreth çështjes Bilal Xhaferri”, ku flitet se nuk ekziston letra as në dokumente arkivore. Autorja e tij, Aida Tuci tregon se në arkivin e SHIK-ut ka pasur përgjigje negative për letrën. Si e shpjegoni këtë?!

Nuk di të them më shumë se ç’thatë ju për këtë problem, por lidhur me kërkesën për dokumente në arkiv, po ua jap përgjigje me këtë që do t’u tregoj shkurtimisht: Një miku im, (person publik, emër shumë i njohur), me profesion inxhinier mekanik, sapo u emërua drejtor i një ndërmarrje nacionale, nga më të rëndësishmet në Shqipëri, shkoi jashtë dhe kontaktoi një homologun e tij, të cilit i bëri mjaft kërkesa për të blerë prej tij teknologji e pajisje. Dhe ndërsa e pyeste në lidhje me shumë kërkesa, përgjigja e tij për homologun shqiptar, ishte: “Do ju jap çdo gjë, nëse do dini të kërkoni”! Pra, edhe në arkivat e shtetit, duhet të dish çfarë dhe si të kërkosh! Më këtë kurrsesi nuk duhet të nënkuptohet se unë jam treguar i zoti që i kam gjetur dokumentet. Aspak. Përkundrazi, ato dokumente i kam gjetur pothuaj rastësisht, pasi për të tjera gjëra kërkoja. Por për këtë mund të ndalemi më poshtë, që të mos devijojmë nga pyetja juaj!

Jemi në këtë temë, por me sa kujtojmë, njësoj edhe ish-drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, Prof. Dr. Shaban Sinani, në librin e tij “Dosja K”, (me dy botime në vitin 2005), nuk ka folur fare rreth këtyre letrave të Bilal Xhaferrit! Me këtë rast kujtojmë se ai ka bërë një studim të gjatë rreth Kadaresë, me botimin e mjaft dokumenteve arkivore, me sulme ndaj tij. Si mendoni, edhe Prof. Sinani nuk ka ditur të kërkojë për këtë dokument?! E përsërisim, duket pak si paradoks, aq më tepër kur ai ka pasur në dispozicion një staf të tërë të arkivit dhe gjithë arkivin!

Në pamje të parë, duket se qëndron kjo që thoni ju, ndërsa po të mendohesh pak, mund të dalësh dhe në konkluzione të tjera, pasi ke hamendësuar dhe ke bërë insinuata të ndryshme, se përse nuk janë gjetur ato dokumente më parë, dhe në rastin konkret nga Prof. Dr. Shaban Sinani, autori i librit “Dosja K”!. Ndërsa po të mendohesh pak më shumë, të gjitha këto që thamë pak më lart, bien poshtë dhe çështja më rezulton fare e thjeshtë.

Çfarë do të thotë kjo?

Që do të thotë se ato dokumente nuk janë gjetur dot, as nga Prof. Shaban Sinani dhe as nga studiues apo gazetarë të tjerë më parë e më pas, pasi nuk ka një dosje të veçantë për Kadarenë apo për Bilal Xhaferrin. Arkivi Qendror i Shtetit, por dhe arkivat e tjerë, në fondet e tyre, kanë me qindra mijëra skedarë. Vetëm Arkivi Qendror i Shtetit, thuhet se ka rreth 1.3 milion skeda. Dhe në një skedë mund të gjesh me qindra dokumente. Po t’i referohem përsëri Prof. Shaban Sinanit, vetëm në dosjen për At Zef Valentinin, ka plot 200 mijë fletë. Nxirrini vetë tani konkluzionet rreth arkivit dhe mundësisë së gjetjes së dokumenteve për persona të ndryshëm që nuk e kanë emrin në skedar. Nesër, pasnesër, do dalë dikush tjetër të bëj një libër, po me këtë temë dhe do gjejë të tjera dokumente për Kadarenë. Edhe atij mund t’i bëhet pyetja: Si ka mundësi që dikush para jush, (në rastin konkret, Dashnor Kaloçi), nuk i ka gjetur këto dokumente…?! . Por dua t’ju shtoj diçka për të vërtetuar tezën time: gjatë kohës që Prof. Shabani po mbyllte librin “Dosja K”, teksa bisedonim në zyrën e tij, unë i tregova se kisha parë një dokument për Kadarenë dhe e pyeta nëse e kishte pasqyruar atë në libër. Dhe ai dokument u gjet dhe u vu në librin e tij “Dosja K”, gjë të cilën e ka shpjeguar vetë profesori i nderuar në një nga intervistat që u paraprijnë dokumenteve arkivore të librit të tij. Ja solla këtë shembull, për t’ju thënë se qenia drejtor arkivi, nuk do të thotë që të dish për gjithçka përmbajnë ato dosje me dokumente arkivore.

Të ndalemi më konkretisht tek akuzat e Bilal Xhaferrit ndaj Kadaresë, që u shprehët më lart, si dhe dokumente të tjera që ndodhen në këtë dosje?

Nuk po i zbulojmë të gjitha, por sa për të mos i ikur fare pyetjes suaj dhe, në respekt të lexuesit të kësaj gazete, desha të them se përveç letrës së Bilal Xhaferrit, gjithashtu edhe relacioni që Rita Marko, (sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Durrësit në atë kohë), i dërgon Komitetit Qendror, (përkatësisht Ramiz Alisë dhe Enver Hoxhës), mendoj se është me mjaft interes. Në atë letër, ai i bën një biografi të gjatë gjithë jetës së Bilal Xhaferrit, apo më saktë një “skaner” me rezolucion të lartë, duke filluar nga farefisi e familja tij, rrethit shoqëror, vendet ku ka punuar e jetuar, miqtë e shokët gazetarë, shkrimtarë dhe artistë që e kishin mbështetur, duke përfunduar te disa prej funksionarët më të lartë të artit e kulturës që e kishin përkrahur për t’u afirmuar si gazetar dhe shkrimtar. Dhe për të gjithë këta, janë dhënë detaje për rolin dhe raportet që ata kishin me Bilalin. Sa për kureshtje, po përmend disa emra që citohen në raportin e Rita Markos, si: Dashnor Mamaqi, Todi Lubonja, Agim Mero, Shefqet Musaraj, Llazar Siliqi, Dhimitër Fullani, Qamil Buxheli, Alqi Kristo, Moikom Zeqo, Vehbi Skënderi, Dhimitër Pilika, Dilaver Radëshi, Bedri Myftari, Naim Mane, Et’hem Hysi, Petrit Cerloi, Met Gjergji etj. Të gjithë këta janë akuzuar si njerëz që e kanë mbështetur Bilal Xhaferrin në karrierën e tij.

Në vitet e fundit, sidomos pas ndërrimit të sistemit, ka pasur shumë pretendime të personazheve të ndryshme dhe sidomos akuza të ndërsjella. A keni paraqitur ndonjë dokument tjetër lidhur me emra të njohur, si shkrimtarë apo artistë, që kanë pasur një lloj përplasje po themi, apo që janë atakuar me Kadarenë edhe në shtyp publikisht, si p.sh. Kasem Trebeshina, Rexhep Qosja, Kapllan Resuli, Petraq Kolevica etj. Më thjesht, a ndodhen në librin tuaj dëshmi të tjera?

Ka një dokument të vitit 1970, ku Kapllan Resuli, me një artikull të gjatë të dërguar për botim te “Zëri i Popullit” ka sulmuar ashpër një poet të ri të asaj kohe nga Myzeqeja (pas viteve ’90-deputet i Kuvendit Popullor), për një libër që sapo kishte botuar në atë kohë. Por në atë shkrim (që e kanë firmosur dhe dy persona të tjerë po nga Myzeqeja), që më tepër i ngjan një ‘pretence prokurori’ nga ata që hartoheshin në atë kohë për ndonjë shkrimtar apo poet në gjyqet politike, sulmohet ashpër dhe Kadareja. Apo thënë më saktë, duket se i gjithë sulmi ndaj poetit të ri myzeqar, që haptazi cilësohet gati-gati armik, është bërë në funksion të goditjes së Kadaresë, pasi ai ishte redaktori i librit të tij dhe njeriu që e kishte mbështetur e inkurajuar atë poet edhe me artikuj në shtyp. Përveç kësaj letre që ka shkuar në dorën e Ramiz Alisë, në atë dosje ka dhe disa dokumente të tjera, që në atë kohë u grumbulluan, duket për të dënuar shkrimtarin e ri lushnjar, që kishte mbështetur Kadareja.



Letra “top sekret” e ’72-it, 60 shkrimtarë në relacionin e Sigurimit të Shtetit

Nga kjo mori dokumentesh që janë pasqyruar në libër, në këndvështrimin tuaj, a parashikoni se ka ndonjë dokument që paraqet më shumë interes për lexuesin?

Nuk mund të them apriori. Varet se si e shikon njeri apo tjetri çdo dokument që pasqyrohet në libër, por edhe mënyrën sesi ai e interpreton. Për mua personalisht janë disa syresh, të tilla si p.sh., një dokument mjaft i gjatë (rreth 30 faqe libri), i vitit 1972, që përmban një relacion “Tepër Sekret”, të Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila ka përfunduar te Ramiz Alia dhe nga aty tek Enver Hoxha, pasi ka shënimin “U pa nga shoku Enver”. Në atë dokument, informohet për shkrimtarët dhe artistët e të gjitha institucioneve artistike e kulturore të Tiranës, se çfarë thoshin e mendonin ata për njëri tjetrin, intriga, akuza, thashetheme, pakënaqësi, mllefe, etj., etj., si dhe deri te ‘komentet armiqësore ndaj Partisë’. Përmenden mbi 60 shkrimtarë dhe artistë, emra nga më të njohur të skenës, ekranit dhe letrave shqipe, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleksandër Banushi, Gjergj Zheji, Petro Zheji, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Pandeli Koçi, Nonda Bulka, Hamit Beqja, Jakov dhe Dhurata Xoxe, Adriatik Kallulli, Nasho Jorgaqi, Anastas Kondo, Viktor Qurku, Ali Abdihoxha, Filip Ndocaj, Luan Qafzezi, Vath Koreshi, Ibrahim Uruçi, Dalan Shapllo, Kiço Blushi, Siri Sulejmani, Rudi Spahiu, Razi Brahimi, Koço Bihiku, Vasil Melo, Pipi Mitrojorgji, Bujar Kapexhiu, Skënder Kamberi, Janaq Paço, Kel Kodheli, Vilson Kilica, Sadik Kaceli, Qamil Prizreni, Llambi Blido, Nexhmedin Zajmi, Thoma Dhamo, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca, Zhani Ciko, Nikolla Zoraqi, Milto Vako, Agim Krajka, Tish Daia, Besim Zekthi, Lefta Mulliri, Mediha Lubonja, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Gani Demiri, Muzafer Kasa etj., etj. (Jo pa qëllim i përmenda gjithë këta emra, pasi këta përmenden të gjithë vetëm në një dokument, gjë e cila tregon më së miri se Sigurimi i Shtetit, ka qenë “hija” e tyre). Dhe e gjitha kjo, pra ato pakënaqësi dhe fërkime që shkrimtarë dhe artistë kishin ndaj njëri tjetrit, duket se janë shfrytëzuar e stimuluar nga Sigurimi i Shtetit, me intriga nga më të stërholluarat, për t’i pasur ata në grackë apo si “lëndë të parë”, kur duhej goditur ndonjë prej tyre politikisht.

Por, a nuk ka ndodhur vallë që edhe Kadare hyn tek ata që kanë shprehur pakënaqësi ndaj kolegëve?

Jo, madje faktikisht ka ndodhur e kundërta, ndaj Kadaresë janë shprehur kritika, pakënaqësi, mllefe, akuza, thashetheme, intriga, sulme, etj., etj. Dhe pothuaj, pjesa më e madhe e dokumentit, sillet dhe tirret rreth një paragrafi me katër rreshta, që thuhet se një koleg i tij, (poet mjaft i njohur), ka vënë në një nga novelat e tij, me të cilin ka dashur të identifikojë Kadarenë. Dhe për të nxjerrë në pah nëse qëndron kjo gjë, apo jo Drejtori i Sigurimit, përmend në raportin e tij emrat më në zë të shkrimtarëve dhe poetëve të asaj kohe. Kjo është njëra anë, ndërsa tjetra që të intrigon më shumë, në këtë dokument, i cili është përpiluar vetëm dy tre muaj para Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizion, nuk përmendet asnjë nga emrat e artistëve, shkrimtarëve apo krijuesve që asokohe njiheshin apo konsideroheshin si ‘modernistë’ dhe që përfunduan më pas në internime apo burgjet politike të regjimit komunist. Si; Lluk Kaçaj, Maks Velo, Sherif Merdani, Dorjan Nini, Miho Gjini etj.

A nuk keni frikë se me të gjithë këtë punë, ku futen dokumentet, komentet, sqarimet apo analizat që keni bërë në libër, në njëfarë mënyre po e orientoni lexuesin në drejtim të “kursit” tuaj, apo si të themi, është një libër thjesht pro-Kadare?

Absolutisht nuk e mendoj këtë gjë, por i përmbahem ligjësisë biblike se: Duhet t’i japim Çezarit atë që i takon atij. Unë jam munduar që me komentet, shpjegimet analizat po themi, ta orientoj sadopak lexuesin, duke i vënë ato ngjarje në kohën dhe vendin e duhur, si dhe rrethanat kur kanë ndodhur. Të gjithë këtë punë skrupuloze e kam bërë pasi mendoj se publikimi i dokumenteve pa komente, do krijonte konfuzion dhe do ja humbnin vlerat vetë dokumenteve dhe kësisoj edhe librit. Libri është për një lexues të gjerë dhe brezi i ri, as nuk i kupton situatat e asaj kohe, madje nuk kanë as idenë më të vogël, se si për një rresht poezie, mund të shpalleshe armik, dhe nuk dihet se ku përfundoje vetëm apo bashkë me familjen dhe me fare fis. Përvoja e gjatë në gazetari më ka bërë të mendoj se: publikimi i dokumenteve, pa komente, do të ngjante me një hartë pa tabelën e shenjave konvencionale. Kështu e kam gjykuar që komentet do e ndihmojnë lexuesin që të orientohet dhe t’i kuptojë më lehtë ato dokumente, por nëse dikush mund të çorientohet prej atyre komenteve apo analizave, le te shikojë vetëm dokumentet. Çdo njeri zgjedh dhe gjykon vetë.

Ju keni qenë vazhdimisht i anatemuar për kontributin tuaj ndaj dëshmisë reale të shumë personazheve të gjalla, apo që edhe nuk jetojnë më. A mendoni se sërish me këtë libër do paragjykoheni si mbrojtës i Kadaresë?

Përvoja, siç e thatë dhe Ju, më ka bërë të mendoj se gjithkush që punon në Shqipëri duhet ta kalojë me maturi, por edhe me qytetari. Paragjykimeve nuk iu shpëton askush, kjo është gjë që dihet, ndërsa unë vetë absolutisht nuk ndjehem i tillë. E para se: të marrësh në mbrojtje një njeri, në rastin konkret shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, duhet që ai të jetë i sulmuar dhe rrezikuar. Dini ju që Kadare ndodhet i sulmuar apo i rrezikuar? Çfarë nevoje ka për t’u marrë në mbrojtje një person që nuk ka asnjë problem, madje mund të thuhet se ai është në periudhën më të qetë të jetës së tij. Por dhe po të ishte në një situatë tjetër, të themi i sulmuar apo i atakuar, siç ka ndodhur jo rrallë, mendoj se Kadare nuk ka pasur nevojë ta mbrojë njeri, pasi ai shkruan vetë dhe këtë gjë e ka bërë, kur ka qenë mundësia.

Për t’u kthyer pak më parë, jo më larg por vetëm dy-tre muaj më parë, familja e Mitrush Kutelit ka pasur diçka në shtyp, madje në disa gazeta, por dhe në të kaluarën ka pasur kritika, atakime, akuza, sulme etj.,?

Jam i njohur prej kohësh me këto insinuata. Patjetër i kam ndjekur dhe këto të fundit, pasi bën pjesë në fushën time. Dua t’ju kujtoj se në këtë rast, ka qenë vetë Kadare, i cili u ka dhënë vetë shpjegime pretendimeve të tyre. Por po të nisesh nga kjo, pra që dikush ka shkruar kundër këtij apo atij personi dhe dikush tjetër i ka dalë në mbrojtje, nuk do të thotë se po të shkruash dhe ti, automatikisht je bërë palë me njërin apo tjetrin. Kjo të kujton Leninin që thoshte: “O me ne o kundër nesh, rrugë tjetër nuk ka”! Pra çdo njeri ka të drejtën e tij, që ta shikoj një personazh apo një ngjarje, me këndvështrimin e tij dhe ta trajtojë atë ashtu si mendon dhe gjykon ai, pa u solidarizuar me askënd tjetër. Në këtë kontekst, as që e kam menduar kurrë të bëj një libër, duke u bërë palë me një person apo grup personash, kundër një personi apo grup personash të tjerë. Meqë dolëm në këtë pikë, sa për kuriozitet, po ju them, se po t’ju tregoj emrat e personave që unë kam shkruar që nga viti 1991 e deri më sot, (në rubrikën historike Dossier), pra duke u bërë atyre historitë e jetës, krijimtarinë, persekutimin etj., etj., do më thoshit me siguri, se unë (Dashnor Kaloçi), jam personi që kam evidentuar dhe promovuar të gjithë kundërshtarët, apo ata persona që kanë sulmuar Kadarenë. Dhe ky është fakt, janë të shkruara gjërat dhe mund të verifikohen lehtësisht. Ka shumë persona që kanë atakuar Kadarenë, jo vetëm nga ata që përmenden në libër, (ku një pjesë dalin për herë të parë) por dhe emra të njohur, si: Bilal Xhaferri, Kapllan Resuli, Kasem Trebeshina, Rexhep Qosja, Petraq Kolevica etj., etj. Të gjithë i kam pasur ose personazhe të shkrimeve të mija Dossier, apo emisioneve televizive ku kam punuar. Dhe as që e kam menduar kurrë, që duke shkruar apo duke bërë emisione për ta, jam bërë palë në qëndrimet dhe sulmet që ata kanë bërë ndaj Kadaresë. Gazetari, në një afër mënyre është lajmës dhe me Kanun, lajmësi nuk vritet. Kështu dhe gazetari, kur nuk bëhet palë më asnjë, por i trajton të gjithë njëlloj, nuk ka pse të paragjykohet. Me që ra fjala, por dhe për koincidencë, pothuaj të gjithë ata persona që përmenden në dokumentet e pasqyruara në libër, si kundërshtarë të Kadaresë, apo që aludohet se kanë intriguar ndaj tij, emra të njohur si: Kapllan Resuli, Fatos Arapi, Moikom Zeqo, Bedri Myftari, Dilaver Radëshi, etj., kanë qenë dhe janë miq të ngushtë apo të njohurit e mi, dhe për ta kam shkruar shumë në rubrikën Dossier. Kapllan Resuli, vite më parë më ka telefonuar nga Zvicra, e kam pritur në Tiranë, dhe i kam bërë historinë e jetës së tij në gazetë. Po kështu, për Bilal Xhaferrin kam shkruar shumë, madje librin tim të parë në vitin 1995, (“Panteoni i thyer”), e kam botuar te Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” e Shefki Hysës me origjinë nga Çamëria. Edhe ‘grupi i rrethit letrar të Laçit’ që përmendet në libër në raportin e Kadri Hazbiut të vitit 1968, (Luan Maluka, Mehmet Isai, Siri Sulejmani, Sadri Ahmeti, Maqo Trebicka, Vladimir Ndini Gjergo), grup i cili mblidhej rreth Kol Jakovës (bënin peticione në mbrojtje të tij), dhe kishin miqësi të ngushtë me Bilal Xhaferrin, e shpreheshin ashpër ndaj Kadaresë, madje deri në kërcënime, të gjithë ata pa përjashtim, i kam pasur (disa janë ndarë nga kjo jetë) apo i kam miq shumë të ngushtë. Me kryesorin prej tyre, Luan Malukën, kam miqësi familjare që nga fillimi i viteve ’70-të. Luani e ka pasur ndihmës Bilal Xhaferrin, si hekurkthyes dhe e ka idhull sot e kësaj dite. Nuk po zgjatem më shumë, pasi thuhet se kush justifikohet, akuzon veten. Por në rastin konkret, isha i detyruar t’ju përgjigjesha pyetjes suaj”.

Meqë përmendët kundërshtarët e Kadaresë, a mund t’ju pyesim për marrëdhënien tuaj direkte me Kadarenë, çfarë raportesh keni?

Jam takuar katër-pesë herë, dhe kjo sa nga miq të përbashkët, aq dhe nga pozicioni i gazetarit. Asgjë më shumë.

Një pyetje jashtë kontekstit historik, por e ndërvarur me aspektin teknik të saj: A keni pasur pengesa për të marrë dokumentet në Arkiv?

Jo vetëm që nuk kam pasur, por për vetë shërbimin tejet korrekt që kam pasur gjatë gjithë periudhës disa mujore që kam punuar për të studiuar dhe marrë dokument që janë pasqyruar në këtë libër, më dukej vetja se isha i privilegjuar prej tyre. Nuk dua të përmend emra se janë shumë, por gjej rast t’i falënderoj të gjithë stafin të cilët me kanë shërbyer. Por këtë shërbim, personeli i arkivit ua afronte të gjithëve.

Jemi shumë kuriozë për ‘rastësinë’ që përmendet: Diku më lart, nga fillimi i intervistës u shprehët se dokumentet për Kadarenë, pothuaj i keni gjetur rastësisht, por për të tjera më gjerë interesoheshit dhe kërkonit në Arkiv?

Po, është e vërtetë, dhe po mundohem t’jua them shkurtimisht. Diku nga viti 2002 e më pas deri nga viti 2008, që vazhdoja ende punë në shtypin e shkruar (“Gazeta Shqiptare” dhe “Shqip”), nisur nga njëfarë interesi që kishin shkrimet e rubrikës “Dossier”,kam pasur disa kërkesa nga disa shtëpi botuese apo individë, për t’i botuar në libra të veçantë. I pari që më ka nxitur dhe inkurajuar që t’i përmbledh një pjesë të zgjedhur të shkrimeve, ka qenë gazetari dhe publicist i njohur Frano Kulli (Enti Botues “Gjergj Fishta” Lezhë), miku im i vjetër dhe njëkohësisht, njeriu që e konsideroj dhe e njoh si profesorin tim të parë në gazetari. Më pas më kanë kërkuar, Besnik Mustafaj, (Shtëpia Botuese “ORA”); Luan Pengili (“OMSCA”) Brikena Çabej, apo dhe miq e kolegë të mi gazetarë si: Virgjil Muçi, Benet Koleka e Ben Andoni. Mundet dhe ndonjë tjetër. Dhe për hir të vërtetës, të gjithë këtyre u kam premtuar se do bashkëpunoja me ta për botimin e librave të mi dhe për hir të së vërtetës, me asnjë nuk e mbajta fjalën. Madje me Besnik Mustafajn, kujtoj se lamë dhe dy-tri takime, por që nuk u takuam kurrë sot e kësaj dite. Jo se nuk doja t’i botoja librat, por tjetër ishte dëshira dhe tjetër mundësia. Pasi puna e përditshme në gazeta nuk krijonte mundësinë dhe nuk të jepte kohë që të uleshe dhe të merreshe me libra”.

Dhe ndodhi që u ulët apo të uli në tavolinë Henri Çili?

Jo tamam kështu. Por, pak a shumë kështu më ndodhi edhe me Henri Çilin (nuk e kujtoj kohën e saktë, por kur është përfaqësuar në panairet e librit për herë të parë me UET-in), të cilit ia kërkova vetë bashkëpunimin për botimin e librit dhe ai u tregua mjaft i gatshëm duke më caktuar dhe takimin në zyrën e tij. Por dhe Çilit ia zvarrita punët njësoj si me miqtë e mi dhe personazhet e tjerë të nderuar që përmenda më lart. Dhe gjithnjë si pengesë apo më saktë si “armikun” kryesor që më pengonte, kisha kohën që më mungonte. (Kjo deri diku qëndronte, por nuk ishte e gjitha…). Dhe kjo gjë (pra zvarritja) me Henrin, do kishte vazhduar ndoshta me vite, po të mos më kishte mundësuar në nëntorin e vitit të kaluar, në ambientet e UET-it, çeljen e një foto-ekspozite (“Kontributi i Anglo-amerikanëve në Shqipëri në vitet 1943-1946”), pas së cilës më kërkoi që ato dokumente arkivore dhe fotot përkatëse që publikoheshin për herë të parë, t’i botonim në një libër album. I premtova se do e bëja, por dhe sot e kësaj dite ajo përsëri ka mbetur thjesht premtim.

Po si arritët ta bënit realitet, pra ta botonit këtë libër?

Nisur nga problemet që ndodhën në televizionin ku punoja, apo më saktë mbyllja e tij në korrikun e këtij viti, “më krijoi mundësinë”, (e kam vënë jo pa qëllim në thonjëza këtë gjë, pasi në njëfarë mënyre mundësia ka ekzistuar gjithmonë), të kem pak kohë të lirë, gjë të cilën e shfrytëzova në arkivin e shtetit. Ndërsa kërkoja dokumente e materiale për një temë të caktuar që e kisha lënë përgjysmë që nga viti 2008, për arsye se u largova nga shtypi i shkruar dhe fillova në televizione, rashë në gjurmë të një sërë dokumentesh për Kadarenë. M’u dukën me mjaft interes, aq sa mezi prisja të nesërmen të shikoja dokumentet e tjera. Dhe ndërsa vazhdoja pushimet me familjen pothuaj gjatë gjithë muajit gusht, mezi prisja që të mbaronin ato sa më shpejt dhe kthehesha në arkiv te dosjet që “më prisnin”. Kisha skeduar dhe grumbulluar shumë dokumente dhe materiale për Kadarenë, por pa menduar për t’i bërë libër. Diku nga java e dytë e tetorit, i mblodha dhe pashë se ishin bërë shumë. Madje dilte një libër voluminoz me dokumente të papublikuara kurrë. Po atë ditë (data 6 tetor), i telefonova Henrit dhe i thashë se nga java tjetër kisha dëshirë të takoheshim, pasi kisha dy projekt-ide që mund ta realizonim për panairin e librit. Çili, m’u përgjigj se më priste që të nesërmen, të takoheshim pas një promovimi te UET-i (Libri i Shpëtim Çaushit). Shkova dhe sapo i thashë se kam materiale për Kadarenë, më tha: “Shkëlqyer, do i bëjmë për panair”. Unë përsëri i thashë se do mundohesha…., pasi ishte kohë mjaft e shkurtër dhe nuk kisha siguri nëse e arrija dot ta mbaroja dhe i sugjerova që më mirë ta linim për vitin tjetër….?! Por Henri nguli këmbë se mund të realizohej kjo gjë, madje duke më ofruar dhe ndihmë, për çfarë të kisha nevojë. Kështu i vënë në presionin e fjalës, por dhe më shumë ngaqë ia kërkova vetë Henrit botimin e librit, u ula që atë moment dhe i kushtova gjithë kohën e mundshme, deri sa më datën 27 tetor, e njoftova Henrin se libri ishte gati. Kjo është e gjitha. Kështu erdhi ky libër, pra si një ndjesë e një premtimi të pambajtur, për të cilin dua të falënderoj Henri Çilin që më nxiti dhe njëkohësisht, t’u kërkoj ndjesë gjithë miqve të mi dhe të tjerëve që përmenda më lart, me të cilët nuk u tregova asnjëherë ‘korrekt’”.

No comments:

Post a Comment

“Opozita serbe është një mjet në duart e shërbimeve sekrete kriminale dhe të huaja. Këta të rinj pak a shumë po përdoren prej tyre”, tha kryetari i Serbis1% Aleksander Vuçiç

                     Kërko brenda në imazh                              Nga Flori Bruqi p residenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar opozitë...